Don Xhino Rigoldi nuk ka një famulli dhe nuk mban meshë mëngjeseve...çdo ditë ai shkon në burg ose ecën nëpër rrugë, aty ku të rinjtë...


Një baba i lë në dorë djalin e tij 12-vjeçar një zotërie milanez, duke i thënë: “Të lutem, mos i jep drogë. Kurse, përsa i përket seksit, nuk është edhe aq problem: mund të bësh me të çfarë të duash”.

Një gazetar i New York Times e sheh një skenë të tillë dhe merr në telefon Don Xhinon: “Më thuaj, çfarë po ndodh?”, e pyet ai. Që nga ajo ditë, rreth një vit më parë, Xhino Rigoldi fillon të shqetësohet për prostitucionin mashkullor. Ai është një prift, por jo me një famulli të vetën “sepse nuk mban meshë çdo mëngjes”. Në vitin 1972, 66 vjeçari, don Xhino bëhet prifti i burgut të minorenëve Beccaria në Milano, vit pas të cilit ai themelon shoqatën Comunita' Nuova , e cila merret me të droguarit, minorenët në vështirësi dhe emigrantët, përfshirë këtu edhe ata që bien viktima të prostitucionit, djem që u shiten meshkujve të tjerë. “Sa?” “Vetëm në Milano janë rreth dy mijë”, deklaron don Rigoldi. Dhe, sipas shifrave të Karitasit, janë rreth 50 mijë femrat dhe meshkujt “e trafikuar” në Itali për qëllime seksuale gjatë viteve 2000 dhe 2004, shifër që përbën 10% të numrit të përgjithshëm të “skllevërve” që importohen në Evropë.

Don Rigoldi, a është një fenomen i ri prostitucioni mashkullor?

“Po, është i tillë për faktin se është i ri edhe fenomeni i emigrimit masiv nga Rumania. Në fillim, në rrugë dilnin djem italianë dhe amerikano-jugorë. Që prej dy apo tre vjetësh, rumunët përbëjnë pjesën më të madhe të tyre dhe, meqë oferta është rritur, edhe me kërkesën ka ndodhur e njëjta gjë”.

Pse pikërisht rumunët?

“Sepse djemtë që vijnë nga Evropa Lindore e kanë më pak problem të shiten. Ndërkohë, shqiptarët praktikojnë prostitucionin femëror. Ata i bindin femrat dhe shpeshherë i detyrojnë të punojnë në rrugë. Gjithashtu, afrikano-lindorët shpërndajnë drogë. E gjithë kjo është çështje kulture”.

Më falni?

“Dua të them: meshkujt që kanë prirje homoseksuale ndodhen në çdo cep të botës, madje tek adoleshentët kjo shihet si diçka normale. Sidoqoftë, në të gjitha kulturat modeli dominues është ai heteroseksual. Por, ekzistojnë vende maskiliste dhe homofobike, ku të qenit gay është një turp që duhet fshehur, dhe ka vende të tjera që janë më tolerante”.

Për shembull, vendet e Europës Lindore?

“Shoqëria rumune, ashtu sikurse edhe shoqëritë e vendeve të tjera të ish-bllokut sovjetik, është në shkatërrim e sipër: në sajë të sistemit komunist të Çausheskut, u dobësua prania e kishës ortodokse... dhe tani po shkatërrohet edhe familja: çiftet ndahen dhe shumë fëmijë braktisen. Një pjesë e tyre përfundon nëpër institute ndërsa... të tjerët i merr era”.

Një erë që i lëshon në rrugë?

“Unë mendoj se të rinjtë rumunë janë “primoralë”, nuk e dinë domethënien e etikës, sepse askush nuk ua ka shpjeguar ndonjëherë se çfarë është e keqe dhe çfarë nuk duhet bërë. Si rrjedhojë, ata nuk kanë respekt ndaj vetes. E si mund të ndodhë ndryshe? Atyre që vijnë nga institutet e fëmijëve të braktisur, nuk ua ka thënë asnjëherë ndonjë nënë se vlejnë diçka”.

Por, si arrijnë deri në Itali?


“Dikush u ka thënë se këtu mund të gjejnë “punë”. Thuajse gjithmonë, ata marrin një vizë turistike tre mujore, së cilës i shtohen edhe tre muaj të tjerë. Ata arrijnë në disa qytete të Evropës, në Itali: Romë, Torino dhe Milano, ku të gjithë përmendin sheshin “Trento”. E vërteta është se aty ndodhen më fatkeqit, ata të cilët nuk kanë gjetur akoma vendin apo apartamentin e duhur”.

A ka dalë ndonjëri nga rrethi?

“Mesa di unë, jo. Atyre nuk u pëlqen të dalin në vende me shumë njerëz, dhe nëse kjo gjë u ndodh, përpiqen të ikin menjëherë”.

Cila do të ishte zgjidhja?

“T'i detyrosh të kthehen në shtëpitë e tyre, madje të mundësojmë që të rrinë atje. Në Rumani ekzistojnë komunitete për të rinjtë që dalin nga institutet. Në atë fazë, ata nuk dinë të bëjnë asgjë, as për të gatuar diçka për veten e tyre. Ne i ndihmojmë të fitojnë lirinë dhe të gjejnë një punë. Një proces i tillë funksionon thuajse gjithmonë.

A nuk mund të bëhet e njëjta gjë edhe këtu?


“Ta zëmë se ndonjëri prej tyre vendos: Mjaft, dua ta ndryshoj jetën time. Përgjigjja që do t'i jepnin, do të ishte: Duhet të kthehesh në Rumani, sepse këtu nuk do ta kesh kurrë lejen e qëndrimit”.

Si drejtohen këta të rinj tek ju?

“Ata vijnë e më kërkojnë kur kanë probleme, sepse e kanë marrë vesh nga miku i mikut që ndoshta don Rigoldi mund të të shpëtojë nga telashet. Njerëz të tillë kanë nevojë të mjekohen, kanë probleme me dokumentet apo kanë ndonjë çështje të hapur me drejtësinë. Ka raste që i rigjej edhe në burg”.

Ju keni qëndruar në burg në moshën 33 vjeçare. Si u bëtë prift?

“Kam filluar të punoj në moshën 14 vjeçare, në një fabrikë këpucësh. U bëra mekanik metalesh dhe më pas u punësova. Kur isha 18 vjeç, hyra në shkollë për prift për herë të parë. Në fillim mendova: Këtu nuk rri dot as i vdekur”.



Si kështu?

“Erdhi koha për të fjetur dhe unë iu afrova krevatit në kanotiere. “Eh, jo” më thanë, “Je pak si shumë i zhveshur, vish një bluzë me mëngë të gjata”. Formalitete, shumë formalitete”.

Çfarë ndodhi më pas?

“Ndryshova mendim. Por, pas shtatë vitesh në atë shkollë, peshkopi më thoshte “Ti nuk je edhe aq i përshtatshëm për t'u bërë prift”. Të gjithë të tjerët i kishin emëruar priftërinj, përveç meje. Më kishin thënë “të kthehesha prapë në tetor”, për arsye të mungesës së shpirtit kishtar, me pretekste të tilla si: “kritikon Papën, nuk të pëlqejnë rregullat dhe nuk je i bindur”. Kështu, ata më caktuan në një konvikt arqipeshkvit. Aty, unë isha përgjegjës për disiplinën e 120 djemve nga mosha 14 vjeç e lart. Pra, kisha dy rrugë: ose të notoja ose të mbytesha. Siç e shihni, unë zgjodha notin”.

Pra, të merreshit me djemtë?


“Jo ekzaktësisht, meqë konvikti shërbente edhe si hotel, ku në të vinin gjeneralë, meshtarë, kardinalë, të gjitha figurat e rëndësishme të asaj kohe. Kam mësuar se duhet të kem respekt për pesë, por të mos nënshtrohem prej asnjërit. Edhe sot, mundohem të jem në rregull me të gjithë, por nderimet nuk më vijnë në mënyrë spontane”.

Cila është hera e fundit që nuk je përulur?

Gjatë votimeve të referendumit për lindjen e asistuar, për të cilën Ruini pati thënë ta braktisnim: tjetër janë dogmat dhe tjetër opinionet politike.

A është e vërtetë se midis djemve që prostituojnë, pjesa më e madhe e tyre nuk janë homoseksualë?

“Disa, edhe pse ata që fillojnë të prostituojnë që të vegjël kanë prirje të bëhen ose të hiqen si të ishin të tillë”.

Si e përjetojnë heteroseksualët këtë “punë”?

“Nuk të thonë kurrë se e kanë problem, por në fakt është. Ata thonë: “Jam aktiv dhe bëj shumë gjëra. Nëse trupi im më bën të fitoj shumë para', atëherë kush e vret mendjen?!” Paratë, rëndësi kanë vetëm paratë. Ndoshta edhe mund të ndodhë që ata të dashurohen me ndonjë vajzë dhe si rrjedhojë pësojnë kriza. Në vete mendojnë se nuk vlejnë një grosh, ndërsa nga jashtë ata shfaqen mburravecë, marrin kot dhe shpesh hiqen edhe si agresivë me klientët”.

Në ç'mënyrë?

“Kanë ndodhur shumë grabitje, madje edhe vrasje. Ata i përbuzin të rriturit që u kërkojnë të bëjnë seks, pijnë dhe drogohen, sepse ajo që bëjnë është një jetë e keqe që i bën të ndihen të poshtëruar. Ka edhe raste kur ata sëmuren rëndë”.

Me SIDA?

“Jo vetëm me të. Problemi i SIDËS, për të cilën këtu askush nuk thotë ndonjë gjë, në realitet ka të bëjë me çdo person të çdo tipi. Vetëm në Milano flitet për mijëra raste të reja në vit, e për më tepër femra. Fakti është se prezervativi...”

Të cilin kisha nuk e pranon...

“Të jetë për atë, kisha nuk pranon as seksin jashtë martese. Por, nëse një i ri shkon në diskotekë dhe bën seks pa prezervativ, ç'notë duhet t'i jap? Vetëm pesë. Nëse e bën me prezervativ atëherë e vlerësoj me notën tetë, për vetë faktin sepse nuk duhej ta kishe bërë jashtë martese, por meqë e ke bërë tashmë, të paktën mundohu të shpëtosh lëkurën tënde”.

Pse në Itali, për prostitucionin shqetësohen gjithmonë priftërinjtë?

“Po të flasim nga ana evangjelike, na takon të bëjmë më shumë sesa thjesht të mbajmë meshë të dielave”.



HISTORIA E TIJ...



Doçi është shqiptar, ndërsa Ishami vjen nga Maroku. Çdo natë, pak metra larg njëri-tjetrit, ata ekspozojnë trupin e tyre... Ndërkohë, mjaftojnë vetëm 100 euro për t'i marrë që të dy...


Sheshi Trento, Milano. Doçi i kalon në rrugë të gjitha mbrëmjet, nga e marta në të shtunë. Në këtë zonë atë e takojnë shpesh vullnetarë të Arcigay, të cilët shpërndajnë prezervativë dhe materiale informative mbi sëmundjet seksuale. I gjatë, me flokë gështenjë të hapur, ai vjen nga Shqipëria, nga një fshat rreth një orë larg Tiranës. Nga pamja duket se sapo i ka mbushur të njëzetat, por thotë se është 23 vjeçar. “Kam dy vjet që ndodhem në Itali. Në fillim kam qenë në Padova, më pas në Brescia, derisa më thanë që në Milano punohej më shumë”. Ai flet shumë mirë italisht sepse e dinte këtë gjuhë përpara se të largohej nga Shqipëria. “Kam hyrë në Itali me një vizë turistike”. Si më shumë se gjysma e djemve që prostituojnë me meshkuj, ai thotë se është heteroseksual. Dhe, siç thonë të gjithë këtu, mjafton të betohesh për të qenë vetëm “aktiv” në rolin “mashkullor” gjatë raportit seksual. Mes klientëve, homoseksualët e deklaruar janë të paktë: disa janë të martuar, pjesa më e madhe i përket moshës së mesme. Doçi tregon se shumë herë nuk e përdor prezervativin. Sigurisht, ai që rrezikon më tepër në këtë aspekt është personi pasiv, klienti. Ai thotë se homoseksualët ia shpifin. “Kjo është vetëm një mënyrë për të fituar para', çka do të thotë se është shumë më e mirë sesa të trajtohesh mizorisht nga një pronar picerie”.

Ishami është më pak i ashpër se Doçi dhe ka më shumë dëshirë të flasë. Thotë se është 26 vjeç dhe vjen nga Maroku. Ai është i dobët dhe ka një buzëqeshje shumë të bukur. “E kam humbur punën pak muaj më parë”, shpjegon ai, “dhe më thanë se këtu mund të fitohet mirë”. Pasi është parë të bënte disa herë xhiro në rrugët e asaj zone, filluan t'i vinin klientët. “Ndodh shpesh që një klient të vijë me gruan e tij”, thotë ai.

Dhe çfarë i kërkon të bëjë?

“Ndonjëherë ajo na shikon, por në shumicën e rasteve bëjmë seks tresh”.

A ndihet mirë ajo?

“Me çiftet është mirë, sepse mund të shkosh në hotel. Sigurisht, për mua është mrekulli pasi ta bësh në dhomë është më e rehatshme dhe fiton më shumë para'”.

Sa?

“50 në makinë dhe 100 në hotel”.

Kush ta ka sugjeruar të vish në sheshin Trento?


“Disa persona që i njihja... Këtë shesh e njohin të gjithë ... apo jo?”

Çfarë punë bëje më parë?

“Saldator në Vivegano. Atje fitoja rreth 1400 euro në muaj”.

Tani duhet të fitosh shumë më tepër...

“Unë shkoj me dy apo tre klientë në natë. Por nuk dal çdo natë. Më mjafton të fitoj aq sa për të jetuar. Në fakt, të kthehem sërish në punën e saldatorit, do të ishte mirë. Atëherë isha i kënaqur, kisha një të fejuar italiane. U ndamë dhe ajo tani është me një tjetër. Sidoqoftë, kam ndërmend ta lë këtë punë dhe të gjej një vajzë të mirë, të martohem me të dhe të kem fëmijë. Ajo nuk do ta marrë vesh kurrë...”

A duhet të paguash ndonjë për të qëndruar këtu?


“Jo, dhe nuk di që ndonjëri prej nesh të ketë patur nevojë të paguajë në këmbim të mbrojtjes”.

Po minorenët?

“Kam parë disa. Ata vijnë nga Europa Lindore”.

A të ndodh edhe ty të kryesh marrëdhënie pa prezervativ?


“Thuajse të gjithë klientët duan ta bëjnë pa të, por unë u them që jo, edhe pse më ofrojnë më shumë para'. Njerëzit kërkojnë shumë gjëra të çuditshme”.


HISTORIA E SAJ...


Pesë muaj në udhëtim, nga Nigeria për në Itali... Kishte ndërmend të vinte për të studiuar... derisa “padronia” i tha se ishte këtu për të bërë një gjë tjetër...

Rita është nigeriane, 25 vjeç dhe ndjek shkollën e mesme të natës. Asaj i pëlqen të studiojë, të lexojë librat e verdhë dhe Biblën. Ajo ka mbërritur në Itali gjashtë vjet më parë: një mikja e saj i kishte thënë se kishte disa njerëz që do ta ndihmonin për të shkuar në shkollë dhe më pas të gjente një punë. “Do të doja të punoja si sekretare”, thotë ajo. Ka përfunduar në rrugë: katër vjet, derisa arriti të arratisej nga “madama” e saj. Tani, grupi Abele e don Ciotti-t po e ndihmon atë që t'ia nisë nga e para.

Kush ishte pandronia?

“Një nigeriane, mund të ishte rreth 35 vjeç. Kur arrita në Itali, më sollën tek ajo. Pas disa ditësh më tha: “Ti ke menduar të vish këtu për studim, kurse unë po të tregoj se për çfarë ke ardhur në të vërtetë”.

Si hyre në Itali?

“Nga Sllovenia: e kam kaluar kufirin gjatë natës. Ishim një grup prej 10 vetash, kemi bërë rreth 5 muaj, e gjitha me rrugë tokësore, nga Afrika në Rusi e deri këtu. Ishin shumë gjëra që nuk i kisha kuptuar”.

Si përfundove në rrugë?

“Padronia më tha se kishte paguar për udhëtimin tim, duke u shprehur: “Më ke borxh 65 milionë lira”.

Po pastaj?

“Më mori flokët, disa copa thonjsh, një palë mbathje me menstruacione dhe më kërcënoi: “Nëse nuk më paguan, nëse ikën prej meje, do të të bëj keq”. Një magji...”

Dhe ti i beson?

“Jam afrikane dhe nuk mund të them se magjia nuk ekziston. Besoj se po, mund edhe të funksionojë”.

A jetoje në shtëpinë e saj?

“Po, bashkë me një vajzë tjetër: ajo punonte ditën, kurse unë natën. Nuk takoheshim kurrë me njëra-tjetrën. Më pas mendova se ndoshta padronia e bënte me qëllim një gjë të tillë, në mënyrë që mos të kishim mundësi të flisnim. Pas disa ditësh, ajo më dha disa rroba, një minifund, duke më thënë “Të tregoj unë se si bëhen gjërat”. Më mësoi se si duhej të sillesha me klientët dhe sa para' t'u kërkoja. Më rekomandoi që të shpejtoja sa të mundja, me tha të isha e kujdesshme ndaj meshkujve të këqij dhe më mësoi të dalloja njerëzit që mund të abuzonin me mua”.

A ishe e virgjër kur arrite në Itali?

“Jo, kisha një të dashur në Nigeri. Kur u nisa, isha shumë e gëzuar, dhe mendoja: “Do të ndihet krenar që do të ketë një bashkëshorte të shkolluar”.

Por...?

“Kam punuar për katër vjet në rrugë, çdo ditë të javës nga ora 12 e darkës deri në 6 të mëngjesit, me nga një dhe dy klientë në natë kur kishte pak punë dhe pesë apo gjashtë në raste të tjera. Kur ke punë është më mirë, edhe pse gjithsesi mbetesh në rrugë. Në këtë mënyrë, borxhi i padrones paguhet më shpejt. Kisha një kuti kursimesh... në mëngjes i vendosja paratë në të dhe në fund të muajit ajo i numëronte dhe e shkruante shumën totale në një fletë: kuptova se për t'i mbledhur ato 65 milionë, m'u deshën disa vjet”.

Dhe më në fund arrite të ikësh...

“Pas pak kohësh fillova të hiqesha sikur shkoja për të punuar. Kur kthehesha, ajo më kërkonte paratë. “Nuk kam”, i përgjigjesha. Ajo më kërcënonte”.

Si ishin klientët?

“Vinin baballarë me fëmijët e tyre, çifte dhe madje edhe 80 vjeçarë që mezi arrinin të ecnin, por gjithsesi donin të bënin seks”.

A të kanë bërë keq ndonjëherë?

“Ndonjëherë më kanë vjedhur paratë. Mundohesha të isha e sjellshme, t'i bëja të qeshnin, por ka gjithmonë nga ata që të trajtojnë keq. Të tjerë të thonë të njëjtat gjëra të lezetshme: Sa e bukur je, sa inteligjente je, je e detyruar të rrish këtu etj, etj. Të bëjnë komplimenta, por nuk është se pas këtyre komplimentave të thonë: “Ok, po t'i jap paratë dhe bashkë e mbarojmë natën me kaq”.

A mendon të kthehesh në Nigeri?

“Ndoshta për pushime”.




marre nga Spekter