Sipas studimeve, adoleshentët përbëjnë grupmoshën që harxhon më shumë para në Shqipëri. Sociologu: Futini në punë, mësojini t'ua kuptojnë vlerën parave.
Nga Elda Spaho (Bleta)
Një palë xhinse të futura brenda çizmeve të qëndisura anash, një pellush sipër një golfi të ngushtë e, sigurisht, një çantë. Të gjitha të shtrenjta. Kjo është Mirela, një nga gjimnazistet e “Petro Ninit” në Tiranë. Një nga ato qindra adoleshente kryeqytetase që e kanë mendjen, shumicën e kohës, si të vishen sa më bukur. Dhe që u kushtojnë prindërve të tyre një djall e gjysmë. “Më pëlqen të blej sa më shumë rroba, të dal me shoqet dhe të shkoj në kinema. Por jam sidomos e dhënë pas aksesorëve”,-tregon ajo. Nuk gënjen. Një palë vathë të rëndë me gurë i varen veshëve, në duar ka dy unaza dhe byzylykët i tunden nëpër kyçe.
***
Që adoleshentët shpenzojnë shumë para ose që, në më të shumtën e rasteve në Shqipëri, ëndërrojnë të shpenzojnë shumë para, nuk është thjesht një opinion. Mjafton një xhiro e shpejtë nëpër rrugët e Tiranës që kjo të kthehet në bindje. Shitëset tek rruga “Myslym Shyri”, tregojnë të kënaqura se nxënëset e shkollave të mesme, janë klientet më të mira. Ja përse një mesogrua mund të heqë të zitë e ullirit derisa të gjejë një fustan të përshtatshëm, kurse një adoleshente mund të gjejë gjithçka brenda një dyqani të vetëm. Fundet e shkurtëra, bluzat e hapura, këpucët me ngjyra dhe getat e çmenduara, të gjitha janë për to.
Mirela tregon se harxhon të paktën 10 mijë lekë të reja për rroba, çdo muaj. “Prindërit më japin para të tjera edhe për të dalë me shoqet”,-thotë ajo. Në të vërtetë është me fat që mund t'ia lejojë xhepi të tilla shpenzime, kur paga minimale në Shqipërinë që ende s'po del nga tranzicioni, u vërtitet 12 000 lekëve të vjetra në muaj. “Prindërit e mi janë të punësuar, babi në një agjensi turistike, kurse mami parukiere”,-thotë ajo.
Sa i ëmbël është metropoli për këto 18-vjeçare fatlume, aq i hidhur është për shumicën e të tjerave, moshatare me to. Me prindër të papunë. Ashtu siç është i hidhur për shumicën e vetë kryeqytetasve, të cilët vishen me rroba të përdorura ose në tezgat e tregjeve. Drita Lika, një grua rreth të 45-ve, thotë se ajo dhe burri i saj mezi mund t'ia lejojnë vetes të blejnë ndonjë rrobë të re. Ai punon si mekanik, kurse ajo është e papunë, kanë dy fëmijë, një vajzë 19 vjeçe dhe një djalë 14 vjeç. “Mund të them pa frikë se pas ushqimeve, dy fëmijët na harxhojnë pjesën më të madhe të parave. Nuk kanë faj pasi janë në një moshë kur u pëlqen të vishen bukur, të dalin me shokët. U japim të dyve rreth 10 mijë lekë të reja në muaj. Nuk është ndonjë shumë e madhe dhe do të donim t'u jepnim akoma, por nuk mundemi”,-thotë ajo.
***
Nëse një shëtitje nëpër dyqane nuk ju bind se adoleshentët janë ata që harxhojnë më shumë në krahasim me grupmoshat e tjera të popullsisë, ekziston një mënyrë tjetër për t'jua mbushur mendjen. Studimet e ndryshme mbi konsumin, sipas grupmoshave të veçanta, që janë zhvilluar nga institucione dhe shoqata të ndryshme. “Nuk kam parasysh ndonjë studim të caktuar, nuk më vjen në mendje për momentin, por di që janë bërë disa të tillë. Dhe përfundimi është ky: adoleshentët janë konsumatorët më të mëdhenj”,-thotë sociologu i njohur Edmond Dragoti. Sipas tij ende nuk është bërë një studim i mirëfilltë mbi paratë dhe adoleshentët, por janë bërë studime për konsumatorët sipas grupmoshave.
Për çfarë harxhojnë adoleshentët më shumë?
“Për gjithçka, për mallra dhe shërbime. Kërkesat e tyre për veshjet janë të larta, si për shtrenjtësisë, ashtu edhe për cilësinë. Adoleshentët përbëjnë grupmoshën që njëkohësisht kërkon edhe më shumë shërbime, nga më të ndryshmet, shumë më shumë se të rriturit. Pastaj ekziston edhe një lloj harxhimi parazitar: kafenetë, që po frekuentohen gjithnjë e më shumë prej kësaj grupmoshe”,-thotë Dragoti.
Gjeni, po mundët një adoleshent pa celular! Në Tiranë zor se mundeni. Njëkohësisht pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale në Tiranë, Dragoti flet prerë mbi këtë temë delikate. Dhe thekson se varësia e adoleshentëve ndaj parave është njëlloj si ajo e një të fiksuari pas drogës. “Mendoj se janë disa faktorë që ndikojnë në raportet që kanë ata me paratë. Dhe njëri prej tyre, ndoshta më i rëndësishmi, është edukata familjare, mënyra se si prindërit i edukojnë që të trajtojnë paratë. Një pjesë e prindërve janë të shtrënguar, kurse një pjesë janë shumë tolerantë. U japin vazhdimisht para fëmijëve të tyre dhe këta të fundit mësohen gjithnjë e më keq. Sa më shumë u japin, aq më shumë duan, derisa arrijnë në një raport varësie ndaj tyre. Dhe kjo rëndohet më shumë nga fakti se adoleshenca është nëj moshë e tillë kur nuk vlerësohet dhe njihet krejtëisht realiteti, kur nuk ka një përfytyrim të saktë të gjërave, të vlerave dhe shkëmbimit”.
Në këtë pikë, familjet shqiptare lënë shuëm për të dëshiruar. Dragoti thotë se pothuaj të gjithë adoleshentët varen financiarisht nga prindërit. “Kjo shpjegon edhe faktin përse adoleshentët shqiptarë, ndryshe nga bashkëmoshtarët në vendet e tjera, janë konsumatorët dhe shpenzuesit më të mëdhenj të parasë, krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë. Ata nuk e njohin vlerën e saj të vërtetë sepse nuk kanë punuar për ta nxjerrë vetë. Në vendet e tjera, nxënësit e shkollave të mesme futen në punë, i nxjerrin vetë shumicën e të ardhurave të tyre dhe rrjedhimisht, duke u lodhur dhe u mësuar vlerën e vërtetë, i shpenzojnë shumë më me përgjegjshmëri paratë. Në Shqipëri ndodh ndryshe. Fëmijët nuk futen në punë pa mbaruar shkollën e mesme, prindërit mendojën për të gjitha, edhe për shpenzimet e tyre. Duke mos ua ditur vlerën e vërtetë parave, duke mos u lodhur për t'i nxjerrë ato, adoleshentëve nuk u dhimbsen dhe harxhojnë më shumë”. Dragoti shton se prindërit shqiptarë nuk kanë besimin e mjaftueshëm tek fëmijët e tyre adoleshentë për t'i futur në punë. Nuk besojnë se “të vegjlit” e tyre do të mund t'ia dalin. Mendojnë se është tepër shpejt dhe vazhdojnë t'i mbajnë ata nën tutelën e tyre të gjithanshme. Dhe sidomos financiare.
Një këshillë për t'i bërë fëmijët tuaj të mos harxhojnë me të dyja duart? “Futini në punë, mësojini me punën. Mësojuni rrugët që duhen përshkuar për të fituar paratë. Kështu do ta kuptjnë se sa mund duhet për t'i nxjerrë ato. Dhe do të mësojnë të harxhojnë më pak”,-këshillon sociologu.
Fëmijët e kujt janë më të rrezikuarit?
Kush është më i rrezikuar nga keqpërdorimi i parave: një adoleshent që ka prindër të varfër, të pasur, apo me gjendje finaciare të mesme? “Ai që ka prindër të pakujdesshëm”-përgjigjet sociologu.
Dorëlëshuarit, ata që s'mund t'i thonë kurrë fëmijës së tyre “jo”, për asnjë tekë, ata që duan t'ua plotësojnë të gjitha, ata që shpejtojnë t'u blejnë menjëherë këpucët e modës (edhe pse sapo u kanë dhuruar një palë dhe vetë përdorin këpucët e blera vite më parë)”, ata janë prindërit “më të rrezikshëm”. Nuk i duan fëmijët e tyre më shumë se ata që e bëjnë “zemrën gur”, se ata që nuk ua plotësojnë fëmijëve çdo kërkesë. Për këtë të jeni të sigurt.
“Prindërit e pakujdesshëm nuk dinë t'u japin fëmijëve të tyre adoleshentë paratë në mënyrën e duhur. Nuk ua mësojnë vlerën e vërtetë, as kulturën e të nxjerrurit para”. E pra, fëmija i këtyre prindërve është më i rrezikuari për t'u bërë një “plangprishës” i vërtetë.
Dragoti shton se, nga kepërdorimi i parave, nuk janë shumë të rrezikuar fëmijët me prindër të varfër. “Ata janë më të rrezikuar nga paaftësia e të nxjerrurit para, nga modelet e munguara”,-thotë ai. Kurse fëmijëve me prindër të pasur “u kanoset” nëj tjetër rrezik. “Atyre mund t'u duhet një kohë më e gjatë për të mësuar vlerën e vërtetë të parasë, ose edhe për t'u futur në punë”,-thotë ai.
Përse në këtë moshë?
Blejnë vazhdimisht dhe nuk ngopen kurrë. Përse “dashuria” për paranë nis vrullshëm mes moshës 13-19 vjeç tek shqiptarët? Përse, në vend që të harxhojë më shumë para babai, shpenzon djali i tij adoleshent? “Sepse ai ka filluar të rritet dhe t'i pëlqejë konsumi. Por ndryshe nga babai dhe moshatarët e huaj, nuk punon. Harxhon, pa ua kuptuar rëndësinë, paratë e babait, jo të tijat. Prandaj shpenzon më shumë. Ndryshe nga adoleshentët e vendeve të tjera, që në përgjithësi punojnë, shqiptarët e fitojnë më vonë shprehinë e të vlerësuarit për paranë”,-thotë Edmond Dragoti.
Më shumë shpenzojnë kryeqytetasit
Sociologu Edmond Dragoti thotë se sipas studimeve mbi shpenzimet, adoleshentët kryeqytetas harxhojnë më tepër se bashkëmoshatarët e tyre të rretheve. “Kjo ndodh ngaqë në Tiranë ka më shumë shërbime dhe mallra. Nga ana tjetër, në kryeqytet harxhohet më shumë, ka më shumë anonimat të individit (mund t'i prishësh paratë pa të njohur kush, pa u ndjerë i gjykuar nga të tjerët) dhe rrjedhimisht më pak përgjegjësi në harxhimin e të ardhurave nga të adoleshentët”,-shpjegon ai.
Krijoni Kontakt