Kontribut i qenësishëm i Kishës sonë për arsimin
Diplomohen 105 studentë të Institutit të Formimit Profesional “Frymë Dashurie”
Në datën 22 tetor u zhvillua në sallën e konferencave në Muzeun Kombëtar ceremonia e ndarjes së diplomave për 105 studentët, të cilët përfunduan Institutin e Formimit Profesional «Frymë Dashurie» në degët: kuadër menaxher, specilist në llogaritë e kompjuterizuara, informatikë, specialist në laboratorët mjekësorë, restaurim veprash arti, ikonografi bizantine.
Instituti i Formimit Profesional u krijua në vitin 2000 në kuadrin e përpjekjes së madhe që bën Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me iniciativën dhe bekimin e Kryepiskopit Anastas, për krijimin e institucioneve arsimore në një nivel të lartë.
Ai ofron mundësinë e arsimimit në degët e lartpërmendura, pas mbarimit të shkollës së mesme, duke pasur si qëllim një vend të suksesshëm pune dhe është i licensuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Gjatë pesë vjetëve të funksionimit të Institutit të Formimit Profesional “Frymë Dashurie” janë diplomuar rreth 485 studentë respektivisht:
Në vitet akademike
2000-2002
janë diplomuar 164 studentë
2001-2003
janë diplomuar 98 studentë
2002-2004
janë diplomuar 108 studentë
Për sa i përket pranimit në Institutin Profesional “Frymë Dashurie”, Tiranë, në secilën prej degëve zhvillohet një konkurs pranimi me programe specifike për degët, duke pasur si bazë njohuritë e marra në arsimin e mesëm të kryer prej tyre.
Në aktivitet morën pjesë të ftuar të ndryshëm, prindër të studentëve që diplomoheshin, i gjithë stafi pedagogjik i shkollës, si edhe Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi, president i Institutit të Formimit Profesional “Frymë Dashurie”.
Gjatë këtij aktiviteti folën prof. as. dr. Beatriçe Polo, drejtoresha e Institutit, prof. dr. Leandro Haxhi, Kryetari i Bordit të Institutit, si edhe Kryepiskopi Anastas.
Gjithashtu këtë aktivitet e përshëndetën edhe gjashtë studentë, të cilët fitojnë bursë nga instituti për të vazhduar studimet e tyre. Ata shprehën falënderimin e tyre për ndihmën dhe vlerësimin e treguar ndaj tyre duke shprehur që do të jenë të hapur për të punuar, për të dhënë ndihmën e tyre nëse do të nevojitet.
Të gjithë studentët që përfunduan institutin morën diplomat e tyre, të dhëna nga Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas.
Aktiviteti u shoqërua gjatë gjithë kohës me muzikë të luajtur nga orkestra e radios “Ngjallja”. Në fund të gjithë të pranishmit morën pjesë në koktejlin e shtruar enkas për këtë aktivitet.
Sonila Dedja
Krijoni Kontakt