Kthimi dhe rikthimi shqiptar te problemet e interferimeve të mëdha kulturore europiane, dhe madje botërore, së paku prej eseve për Eskilin a për Cervantesin, mund të ngjajë tanimë si një nostalgji e ricikluar në një realitet të kërcënuar nga “shoqëria bye-bye”: the bye-bye Society. Por do ta lexoni vetë dhe do ta shihni edhe në këtë sprovë se sa i ri është ky motiv i vjetër kur Kadareja na kujton përsëri humbjen e Europës prej Shqipërisë

ORËT DANTESKE TË ISMAIL KADARESË


Aurel Plasari

Me siguri e dini që, edhe sikur vetëm punimet më të rëndësishme mbi Danten dhe/ose veprën e tij të numëroheshin, ato do të rezultonin disa mijëra? Madje një varg i vetëm, si ai i 31-ti i këngës XV të Ferrit “Siete voi qui, ser Brunetto?” është bërë shkas për më shumë se 400 artikuj studimorë, me sa regjistrojnë bibliografitë e dantologjisë. Nëse si lexues do të ndodheshim në një bibliotekë kushtuar poetit - fjala vjen në bibliotekën “Dante Alighieri” të manastirit të Kryqit të Shenjtë në Fonte Avellana, një sallon tipik mesjetar i shek. XI, - të rrethuar prej katër faqeve të mureve veshur në rafte me libra mbi Danten, me të drejtë do të mëdysheshim: ç’të re mund të sjellë, vallë, mes katër faqesh muri në libra për Danten ky libërth 70-faqesh i shkrimtarit shqiptar? Mirëpo, kthen faqen e fundit të libërthit dhe mëdyshja ka nisur të kthjellohet. Vetë nëntitulli i librit ndihmon për këtë: “Një histori e shkurtër e Shqipërisë me Dante Aligierin”.

Autori, më se një herë, ngulmon në këtë kthjellim: “Në këtë sprovë do të synohet të jepet një histori e shkurtër e marrëdhënieve të njërës prej fqinjave më të afërta të Italisë, Shqipërisë së vogël, me Dante Aligierin” (f. 14). Përsëri: “Mëtimi i Shqipërisë së vogël për të pasur një histori të veçantë me Dante Aligierin...” ( f. 71). Pra, Dantja qenkësh shkasi. Një shkas madhor, pa asnjë dyshim: il Sommo Poeta. Ndërsa shqetësimi i madh mbetet Shqipëria.

E sapobotuar, kjo “histori e shkurtër e Shqipërisë me Danten” mund të duket se na mbledh në një festë për poezinë. Dante Alighieri nga njëra anë, Ismail Kadareja nga tjetra: nuk mungon askush. Por më lejoni t’ju sugjeroj që, më shumë se “festë për poezinë dhe poetët”, ta shënojmë si ceremoni për mendimin dhe mendimtarët. Nga ana e tij, Dantja vetë nuk studiohet vetëm në kurset e “letrave”, sikurse mund të përfytyrohet, por edhe - sidomos - në kurset speciale kushtuar historisë së mendimit italian. Vargani Dante, Campanella, Marsili i Padovës, Pico de Mirandola, Giordano Bruno, Machiavelli, Marsil Ficini me shokë, të tërë në të njëjtën varkë, d.m.th. të tërë së toku përbëjnë disa dhjetëra orë leksionesh e seminaresh në një kurs të tillë. Kadarenë tonë, ndoshta, ende nuk jemi mësuar ta studiojmë si mendimtar: që të fillojmë e t’i qasen atij në vendin që do t’i takojë në historinë e mendimit shqiptar, sprova Dantja i pashmangshëm mund të shërbejë si njëri nga shtigjet.

Kthimi dhe rikthimi shqiptar te problemet e interferimeve të mëdha kulturore europiane, dhe madje botërore, së paku prej eseve për Eskilin a për Cervantesin, mund të ngjajë tanimë si një nostalgji e ricikluar në një realitet të kërcënuar nga “shoqëria bye-bye”: the bye-bye Society. Por do ta lexoni vetë dhe do ta shihni edhe në këtë sprovë se sa i ri është ky motiv i vjetër kur Kadareja na kujton përsëri humbjen e Europës prej Shqipërisë: një nga risentimentet gërryese të tij. Dhënë kjo nëpërmjet humbjes së Dantes, doemos, si për t’ia bërë peshën edhe më të rëndë. Dhe dhënë nëpërmjet Poetit Epror të Krishterimit, athua për të përkujtuar edhe një herë, dhe kështu përngaherë, pjesën e Krishterimit - sepse Europë para Krishterimit nuk ekzistonte - në kulturën europiane. Duke folur dikur, jorastësisht, pikërisht për këtë poet, nga Kuvendi Franceskan në Shkodër Fishta pati kujtuar se si “poezija u pajtue me fé e shkoj me tê si hana me diell qi, tue u endë vetmas nëpër qiell, dritën e merr prej dielli, don me thanë: prej besimit të Krishtenë”. Ndërsa ja tani, si permanencë në dialogun mes kulturave, një provë e re: kjo histori e shkurtër e Shqipërisë me Dante Alighierin.

E përthyer në brendësi të vetes dhe e transmetuar prej atyreve që kanë pjesë në të, kultura europiane bëhet vetëm kështu thesar i përbashkët që ushqen të gjitha vendet e Europës, padallim; njëra nga provat do të ishte Shqipëria e Kadaresë.
Jam i bindur që, nën qetësinë “parajsore” të kësaj sprove të re të shkrimtarit tonë, nën hijeshinë e stilit ose sharmin e gjuhës, nuk mund të mos ndiesh trazimin e fshehtë, atë të brendshmin, që duket i trasmetuar shkrimtarit shqiptar nga i Trazuari i Madh fiorentin. Është trazimi që ka të bëjë me fatalitetet shqiptare të mbledhura grumbull në një pikë të ikshme, jo prej gjithkujt të përkapshme: diku në prerjen e asaj çfarë është historike me atë çfarë është eterne në ekzistimin e shqiptarëve. Dhe jo më kot kot është zgjedhur Dantja si “shkasi i lakmuar” për ta përshkruar këtë trazim. Sepse, e shqyrtuar laboratorikisht në një auditor të historisë së mendimit, çfarë është Komedia e tij në fund të fundit? Një përzierje gjumëndjellëse dhe shpërthyese njëherësh. Përzierje lavdërimi dhe detraktimi. Poetikë e luftës civile dhe e paqes hyjnore. Përzierje ledhatimi dhe fshikullimi. Që ngre lart, por krejt lart, dhe flak poshtë, por fare poshtë, duke i bërë disa banorë të qiellit të kulluar, të tjerë të rrasur në hapsanë torturash pambarim.

Me fjalë më të sotme Komedia e Dantes mund të quhej edhe një politikëbërje. Një kënaqje e risentimenteve të tij dhe të partisë së tij nëpërmjet bërjes së kësaj politike. Është pasioni njerëzor i shndërruar në lëndë ekspozive për t’ia pasur frikën. Sepse është pasion njerëzor i etur për shpagim. Ndoshta pikërisht prej kësaj: prej ndjenjës njerëzore të pamaskuar është ushqyer çdo vepër që e quajmë “poetike”. Në çdo kohë. Duke përfshirë edhe atë të vetë Kadaresë qysh kur ka qenë 17 a 18-vjeçar. E di apo nuk e di këtë ai, kjo atij nis e i rizbulohet në këtë orë: në orën e takimit, më sak të ritakimit, të tij me Danten.
Ndër bashkëkohësit e autorit të Komedisë jo të gjithë e patën kuptuar këtë specifikë të pasionit njerëzor shndërruar në lëndë ekspozive. Giovanni Villani (rreth 1276-1348), të cilit i pati qëlluar të ishte historian dhe jo poet, e quante autorin e saj “mjaft mendjemadh, i shpifur e i padenjë, gati-gati filozof pa pikë hiri” (“alquanto presumtuoso, schifo et isdegnoso quasi a guisa di philosopho mal grazioso”). Ndërsa Shqipëria e Kadaresë duket t’ia ketë kuptuar këtë specifikë autorit të Komedisë, na thotë Kadareja. Në mos kuptuar, së paku rrokur. Në mos rrokur, së paku pranuar. Por kaq do të ishte pak. Kadareja na kujton që, gati-gati si shpërblesë, edhe ne nga ana jonë presim diçka prej Dantes: të shëlbehemi, të ndreqemi ose, ajo çfarë është më e mundshmja, të vuajmë përpara pasqyrës së tij.

Që Kadarenë ta ketë tërhequr kjo përzierje dy zgripesh, duket sheshit. Le me sa duket ta ketë magjepsur ai element i zhumhurit të thashethemeve publike, - në të vërtetë qytetare, - prej së cilës gëlojnë fundemajë jo vetëm Ferri, por edhe Purgatori, deri edhe Parajsa. (Dantja të ngjan nganjëherë si pararendësi i modelit të shkrimtarit që sot e quajmë gossip writer.) Këtë joshje të Kadaresë prej kësaj përzierjeje dy zgripesh e kam lexuar si tregues të përfshirjes së tij gjithnjë më të pranishme në atë që e përmenda në krye: në rragatjen moderne të mendimit shqiptar. Jo vetëm ese si kjo, që prezantohet sot, por edhe intervista në media, prononcime apo reagime në shtyp etj., në dukje nënzhanre gazetarore të padenja për një shkrimtar të madh, në të vërtetë ia kanë formësuar atij tanimë profilin e qytetarit të përfshirë në të gjitha hallet e një shoqërie. Në mënyrë të veçantë kur shoqëria në fjalë ndodhet në krizë e sipër.

(Ja: ju siguroj që këto fjalë i kisha shkruar, kur sot në mëngjes lexoj në mediat e shkruara, në këshillën e tij kundër kazinosë në qendër të Tiranës, pikërisht shprehjen: “Shqipëria sot ndodhet në një krizë morale që e kuptojnë të gjithë”.) Po të shqyrtosh me vëmendje kategoritë e larmishme të mëkatarëve dhe kriminelëve të cilëve Dantja u cakton, gjithë rend, vendet e tyre në rrathët dhe zonat përkatëse të botës së Ferrit të tij, mund të kuptohet sado në mënyrë të pashtjelluar dënimi që ai u rezervon “atyre që qëndrojnë asnjanës në kohë krizash morale”, sikurse e përcakton këtë tipologji njëri prej komentuesve të tij klasikë. Poezia andej dhe politika këndej: mund të duket se ke të bësh me dy skaje. Sekreti është të gjesh mesin e artë: atë të misionit qytetar.

“Poezia me kod”, “alegoria ezopike” etj. etj. e luftojnë edhe ato, padyshim, shformimin e një shoqërie në krizë. Por ka të ngjarë që Thomas Hardy të ketë pasur njëfarë të drejte kur shkruante se, sikur Galileo Gallilei ta kishte thënë në vargje që toka rrotullohet, Inkuizicioni nuk do t’i kishte rënë në qafë. Për vete, në këtë realitet në të cilin jetojmë, ndikohem gjithnjë më fort prej të vërtetave të thëna - tanimë - jo “in poeticas”, por prej të vërtetave sikurse janë thënë në këtë sprovë: e ndiej të nevojshme ta pohoj këtë. Prandaj do të kisha dëshirë që ta shënonim këtë takim si ceremoni për mendimin dhe mendimtarët, pa u hyrë aspak në hak “poezisë dhe poetëve”, dhe të falenderonim sot Kadarenë mendimtar.


Jo vetëm ese si kjo, që prezantohet sot, por edhe intervista në media, prononcime apo reagime në shtyp etj., në dukje nënzhanre gazetarore të padenja për një shkrimtar të madh, në të vërtetë ia kanë formësuar atij tanimë profilin e qytetarit të përfshirë në të gjitha hallet e një shoqërie. Në mënyrë të veçantë kur shoqëria në fjalë ndodhet në krizë e sipër. (Ja: ju siguroj që këto fjalë i kisha shkruar, kur sot në mëngjes lexoj në mediat e shkruara, në këshillën e tij kundër kazinosë në qendër të Tiranës, pikërisht shprehjen: “Shqipëria sot ndodhet në një krizë morale që e kuptojnë të gjithë”.)