Adham-Uti :
Besa-besë, more dreq, vetëm të më tregosh shkrirain që ka bërë gati për mua Skëndo beu.
Zeneli:
Pse jo: po tani s'kujtonem dot se ku gjendet.
Adham-Uti :
Kërko, më rrofsh
Zeneli:
Po duet të ma kthesh prapë që ta vloj.
Adham-Uti :
S'ka dyshim.
Zeneli:
Fort mirë! Kur ta gjej, një ditë...
Adham-Uti :
Ç'ditë, bre burrë! E dua tani.
Zeneli:
Tani? (Kërcet telefoni dhe Zeneli vete me vrap e pyet me telefon): Allo!... Unë Zeneli!...Kush? Posi, po; erdhi dhe po të pret këtu doktor Adham-Uti, po zonjëza Lulushe s'ka dhe ardhë. (Te Adham-Uti) Ësht' im zot, Skëndo beu.
Adham-Uti :
A! Dale të flas vetë më bëjnë. (Shkon në telefon). Allo!... Jam unë Adham-Uti... Shumë mirë, po ti qysh je?... o si, po, kur më the i vajta në shtëpi... Po, i dhemb një sy. Ç'duhet bërë? Pas mendjes sime syr' i sëmurë duet kërryer me vrap, që të mos i dhembë dhe tjetri!... I thashë po nukë kandiset. T'i vete prapë?
Fort mirë, po kush do të më paguajë?... A! Zotrote, fare mirë!... Kur? Që këtë çast vete t'i kërrej synë, në më lëntë!... Ashtu po, pas dy ore do të kthenem këtu të flasëm për abetarin shqip... do të shoç, do të shoç se ç'është!...Ma, të të gjej vërtet ndë klub!...
Po si, po: edhe zonjëza Lulushe duet të gjendet këtu...
Të fala shumë... Qofsh me shëndet!
Zeneli:
Kujt i dhemb syri, doktor efendi?
Adham-Uti :
Si s'e paske mësuar? Mehdiut.
Zeneli:
Mutesarifit?
Adham-Uti :
Skëndo beu me lutet ta shëroj.
Zeneli:
Dhe zotnia jote kërkon t'i kërrej synë?
Adham-Uti :
Ndryshe s'bëhet, se i pëlcasin që të dy. Unë e kam gjetur këtë methodë të re: të dhemb një ' dorë? Preje që të shpëtojë tjetra! Të dhemb një këmbë? Me vrap sharroe që të shpëtosh tjetrën! Të dhemb një sy? Kërreje çpejt që të mos sëmuret dhe tjetri!
Kështu m'ra dhe për time shoqe: i dhembi një ditë syr' i djathtë: me vrap ja qita dhe sot syr' i mëngjër është shëndosh e mirë, sa shikon edhe natën...
Zeneli (I habitur):
Dreq o punë! Shëroke fort bukur! Ahere, zotëni, po ti dhembi do kujt koka, i dash'ka prerë?
Adham-Uti :
Pusho, bre Zenel! Këto gjë'ra janë të larta, të thella; ti s'i kupëton dot... unë kam ngrënur jetën time...Po mos harro, të lutem, fjalën që më dhe për jetëshkrimin.
Krijoni Kontakt