Kryeministri, në 15-vjetorin e themelimit të PD-së, i cilëson partitë e majta si “këmishëzeza”
Berisha: Ngjarjet e ’97-ës, rebelim i komunistëve
N. P
TIRANË
Një ditë ndryshe ka kaluar dje kryeministri Sali Berisha me rastin e 15-vjetorit të themelimit të partisë. Në një atmosferë festive, në ambientet e Teatrit të Operës dhe Baletit, është përkujtuar 15-vjetori i themelimit të partisë, festimet për të cilin do të vazhdojnë edhe sot në Pallatin e Kongreseve, përmes një kokteji që do të shtrojë kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit, gjatë fjalës së mbajtur dje në TOB, ka deklaruar se themelimi i PD-së shënon edhe themelimin e pluralizmit shqiptar dhe hapjes së portave të mbyllura. Me pas Berisha ka folur edhe për krjimin e partive të tjera, ku nuk ka nguruar që partitë e së majtës, t’i cilësojë si parti këmishëzeza. “Por ato, siç u nisën, ashtu edhe u bitisën”, - shtoi Berisha.
Me pas ai ka folur edhe për veprimtarinë që PD-ja ka ndjekur ndër vite. Gjatë fjalës ë tij ai është ndalur edhe tek arritjet që qeverisja demokratike ka pasur gjatë periudhës ‘92-‘96. Kështu, kryeministri ka cituar se PD-ja ka mundësuar kthimin e pronave rreth 460 mijë fshatarëve dhe bërjen pronarë të apartamenteve të tyre të 22 mijë qytetarëve. Ndërkohë që ka vijuar më pas, e pikërisht me ngjarjet e 97-ës. “Ngjarjet e vitit 1997 ishin një rebelim i komunistëve dhe i instalimit të platformës së dhunës dhe terrorit më të eger në Evropë”, - tha Berisha. Kryeministri ka kujtuar gjithashtu edhe figurën e Azem Hajdarit.
Pa u zgjatur shumë për vitet e saj në opozitë, kryeministri Berisha ka folur edhe për situatën aktuale, duke e marrë fillin nga zgjedhjet e 3 korrikut. “Më 3 korrik Partia Demokratike u rikthye me një mbështetje që kurrë nuk e kishte parë më parë, për të vazhduar misionin e saj të madh: integrimin e Shqipërisë në BE dhe NATO”, - tha ai, duke shtuar se qeveria që ai drejton do t’u garantojë shqiptarëve pasaportën evropiane. Pas fjalës së Berishës, ne ambientet e TOB-it është zhvilluar edhe nje koncert festiv me valle e muzikë popullore. Në këtë tubim festim merrnin pjesë edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ai i Punëve Publike dhe Transporteve, Lulëzim Basha, deputetë e ish-deputetë të PD-së.
Krijoni Kontakt