Lajme nga Trotuar
Kurorëzimet shqiptare të diplomatëve të huaj
Autori i Lajmit: Red.
Që prej 4 vitesh, askush nuk ia mban më mend mbiemrin. Prej të gjithëve ajo njihet si Eda e martesave. Numri i çifteve që ajo ka “bekuar” ligjërisht është mbi 6000 mijë dhe nga këta, 300 kanë dëgjuar ritualin e martesës në gjuhë të huaj. “Me të drejtën që më jep ligji i Republikës së Shqipërisë, iu deklaroj burrë e grua”, është fraza që e di përmendësh në shumë gjuhë të botës, shefja e zyrës së gjendjes civile, Edlira Turku.
Martesat e huaja
Në fakt, përvojën e parë si kurorëzuese e ka nisur me një mjek të divorcuar që po rimartohej sërish. Ashtu siç rrëfen vetë Eda për gazetën “Ballkan”, thotë se ceremonia e parë i ka kushtuar sa një jetë me emocione. Megjithatë, ajo ka një pikësynim; të mos bëjë dallime mes çifteve. Dhe, ky parim e ka ndjekur edhe në lidhjen e martesave me të huaj. Duke iu referuar statistikave, numri i këtyre lloj martesave që nga viti 2001 është 300, shumica prej të cilave janë martesa me të huaj me rezidencë të përkohshme në Shqipëri. Ndër ta, Eda mban mend mirë celebrimin e konsullit të ambasadës amerikane, konsullin danez, konsullin çek, ushtarakë të lartë të ambasadës gjermane, punonjës të ambasadave franceze, greke, italiane, etj.
Martesat shqiptare
Përsa i përket preferencave, Eda të tregon se vajzat shqiptare martohen më shumë me shtetas italianë, amerikanë dhe gjermanë, ndërsa meshkujt shkojnë edhe më larg. Veç Anglisë, Kanadasë, në Bashkinë e Tiranës rezultojnë martesa edhe me kineze, australiane, kolumbiane, japoneze, lituaneze, letoneze. Ndërkaq, ajo me keqardhje thotë se i është dashur të martojë edhe çifte që dalloheshin “1 km larg” se nuk ishte dashuria ajo çfarë i bashkonte, por interesi, pa përmendur këtu edhe kurorëzimet me diferencë shumë të madhe moshë.
EGLA HOXHA
Shkuesia që i fali lumturinë
Ajo ka tri vjet që ka lidhur jetën me një italian. Gjithçka është bërë me shkuesi. Ajo ka parë vetëm foton e njeriu, i cili vetëm një muaj më vonë do të bëhej burri i saj. Egla Hoxha e pranon se martesa e saj ka qenë një kontratë e prindërve të saj me disa kushërinj, por të paktën ajo thotë se, “ishte një kontratë e leverdisshme”. Teksa prononcohet për gazetën “Ballkan”, vajza 20-vjeçare që tani pret të bëhet nënë, është e bindur se nuk kishte për të patur fat më të mirë se “ky që i ra”. “Nëse në fillim më tërhoqi ideja për të jetuar më mirë, tani jam e lumtur që ndodhi kështu. Jam e dashuruar me tim shoq dhe nuk besoj se do të mund të isha më mirë”, thotë gjirokastritja Egla Hoxha.
NDUE GJERGJI
Dasma e madhe në fshatin e vogël
Një fshat i vogël i Mirditës ka bërë një dasëm të madhe vjeshtën e këtij viti. Gëzimi ishte i dyfishtë, Ndue Gjergji, jo vetëm që u kthye nga Anglia, por me vete kishte sjellë edhe një nuse. Madje, nusen dhe…një fëmijë që pritet të lindë për Krishtlindjet. Ashtu siç tregon vetë ai për gazetën “Ballkan”, “kur e njoha Uendin, mezi ia shqiptoja emrin dhe as vetë nuk e di se si u dashuruam kaq shumë, aq sa ajo të pranonte të linte Londrën për fshatin tim”. Megjithatë, familja e re Gjergji nuk ka ndërmend që të jetojë përgjithmonë në Shqipëri. Pasi të jetë rritur pak fëmija, ata kanë ndërmend që kthehen sërish në Londër, ku dhe janë të punësuar që të dy si guzhinierë.
REKORDI
Shqiptarët janë renditur edhe si rekordmenë përsa i përket diferencës së moshës së celebrimit të çifteve. Rreth 8 vite më parë, një 28-vjeçar u martua me një gjermane 57 vjeçare. Djali me origjinë nga veriu ishte i datëlindjes 1969 dhe u celebrua me një gjermane të datëlindjes 1940. Në përgjithësi, janë femrat shqiptare ato që martohen me të huajt, por shpeshherë ka ndodhur edhe e kundërta. Arsyeja kryesore e martesave më diferencë moshe të madhe ka ndodhur për shkak të dokumentave.
Ky lajm është publikuar: 10/12/2005
Ballkan.
Krijoni Kontakt