PD dënon fushatën e mashtrimeve që ka ndërmarrë kryetari i Partisë Socialiste
Oketa: Ky është buxheti i antikorrupsionit
Partia Demokratike i bën thirrje zotit Rama që të mos u kërkojë më deputetëve socialistë që të braktisin sallën e Parlamentit, thjesht për faktin se zoti Rama nuk është pjesë e tij.
Partia Demokratike dënon fushatën e mashtrimeve që ka ndërmarrë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, për të penguar miratimin e buxhetit të vitit 2006. Zëdhënësi i PD, Gazmend Oketa, tha në konferencën e djeshme për shtyp se, paraqitja para shqiptarëve e buxhetit më të mirë të 15 viteve nga qeveria aktuale e ka bërë kryesocialistin Rama të humbasë qetësinë dhe të marrë kurajon të mashtroje shqiptarët.
"Arritjet e qeverisë Berisha në më pak se tre muaj, hapja e rrugës për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, marrëveshje e shtyrë prej vitesh nga qeveritë socialiste, përgjysmimi i taksave të biznesit të vogël, qeveria e vogël dhe pa konflikt të interesave, lajmi i mirë i futjes në axhendën e BE të Korridorit 8, paraqitja e buxhetit të vitit 2006, si buxheti më i mirë që i paraqitet shqiptarëve pas 15 vitesh, kanë bërë që zoti Rama, herë i veshur me kostumin e kryetarit të PS dhe herë me atë të kryetarit të Bashkisë Tiranë, të humbasë qetësinë", tha Oketa. Sekretari i Grupit parlamentar të PD u shpreh më tej, se këto arritje të mazhorancës së djathtë e kanë bërë kryesocialistin Rama, jo vetëm të humbasë qetësinë, por të ketë kurajon të mashtrojë shqiptarët, tashmë jo nën dritën e qiririt, por atë të KESH-it.
"Zoti Rama deklaroi se ky është buxheti i varfërimit. Gabohesh zoti Rama. Ky është buxheti i antikorrupsionit, është buxheti i cili nuk redukton investimet, por ju heq ju abuzimet, vjedhjet dhe shpërdorimet. Është pikërisht kjo arsyeja që ju nervozon dhe ju bën të mashtroni e sajoni. Është rritja e pagave të arsimtarëve e mjekëve, rritja e pensioneve, gjëra që partia juaj nuk i bëri për 8 vjet, që ju nervozojnë dhe ju bëjnë të kërceni nga karrikja", tha Oketa. Zëdhënësi i PD u shpreh se fakti që kryebashkiaku i Tiranës e ka braktisur Bashkinë e Tiranës, i heq atij të drejtën morale të dalë e të flasë në emër të saj. Për më keq, fakti që Rama nuk është në gjendje të organizojë një konferencë të një dege të partisë së tij, tregon më së miri sa i zoti është ky njeri. Për faktin se të tjerë persona, më ekspertë se zoti Rama për këto çështje, i kanë bërë thirrje Parlamentit që të votojë këtë projektbuxhet. Partia Demokratike i bën thirrje zotit Rama, që të mos u kërkojë më deputetëve socialistë që të braktisin sallën e Parlamentit, thjeshtë për faktin se zoti Rama nuk është pjesë e tij.
H.R
Rilindja Demokratike
Krijoni Kontakt