Historia e mbledhjes së Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në vitin 1956

Raporti i Hrushovit për krimet e bëra nga Stalini





Armand JONUZI

Pas 50 vitesh arkivat ruse kanë hapur të gjitha dokumentet që tregojnë mbledhjen e KQ të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik të mbajtur më 13 shkurt 1956. Në këtë mbledhje u vendos për raportin që do mbahej në Kongresin e XX të PK të Bashkimit Sovjetik, për të demaskuar figurën e Stalinit. Raporti i mbajtur në Kongresin e XX, të PKBS, kundër figurës së Stalinit do të ishte njëra nga arsyet e përplasjes së Enver Hoxhës me Nikita Hrushovin. Gazeta "Tirana Observer" publikon pjesën kur në këtë mbledhje Hrushovi vendosi të mbahej një raport për të demaskuar krimet e Stalinit në vitet 1935-1940 ku u internuan rreth 2 milionë sovjetikë. Në këtë pjesë Hrushovi vendos të hedh poshtë mitin e Stalinit dhe t'u hapë rrugë shumë liberalizimeve në Bashkimin Sovjetik.
Janë publikuar edhe shkrimet protokollare famëkeqe të mbledhjes së Presidiumit të KQ të PKBS. Ato, por edhe materialet tepër sekrete të Kongresit të XX, që janë ruajtur në Arkivin Shtetëror të Historisë së re të Rusisë, i kanë detyruar mjaft historianë të ndryshojnë shumë ide, që bazoheshin në kujtimet e njerëzve të veçantë.
Së pari, prej çka tani duhet hequr dorë, - ky është miti, sikur gjoja diskutimet e ashpra, për të lexuar ose jo raportin mbi kultin e individit, patën zgjatur vetëm pak dhe jo gjatë gjithë kohës së zhvillimit të kongresit e që kishin vijuar edhe në dhomën e pushimit, ku mblidheshin anëtarët e Presidiumit të KQ në intervalet mes seancave të tij. Autorësia e këtij miti i përket vetë Hrushovit. Një pohim i këtij lloji mund të dallohet edhe në kujtimet e Mikojanit. Tani nuk ka dyshim që, parimisht, kjo çështje ishte zgjidhur para kongresit.
Më 5 nëntor të vitit 1955, në Presidiumin e KQ shqyrtoheshin masat lidhur me ditëlindjen e radhës të Stalinit. Hrushovi tha aty që kjo datë të kujtohej vetëm në shtyp dhe të anashkalohej, pa mbledhje solemne. Atë e kundërshtuan Kaganoviçi dhe Voroshillovi. I mbështetën Bulganini dhe Mikojani. Ky i fundit shtoi se mbledhja përkujtimore për nder të Stalinit do të ishte përçmim i kultit të individit. Në fund të fundit, vendosën që në ditën e lindjes së Stalinit, më 21 dhjetor, "të ndriçohej jeta dhe veprimtaria e tij me publikimin e artikujve në shtyp dhe në emisionet radiofonike", duke e lënë këtë datë "për dhënien e çmimit ndërkombëtar Stalin". Pikërisht atëhere u bë e njohur kthesa rrënjësore edhe në çështjen e represionit stalinist. Tema qe ngritur nga Beria menjëherë pas vdekjes së gjeneralisimit, por shqyrtimi i tij nuk qe mbështetur kolektivisht nga udhëheqja. Megjithatë, rehabilitimi i viktimave të represionit që pat filluar atëhere (fillimisht i përzgjedhur, kurse më pas edhe më i zgjeruar) e që u shoqërua me kthimin e të mbijetuarve nga kampet, nuk mund të mos reflektonte në gjendjen e "mendimtarëve" në parti dhe në shoqëri. Çështjet që lidheshin me rehabilitimin masiv, Hrushovi i ngriti në mbledhjen e Presidiumit të KQ të PKBS më 31 dhjetor të vitit 1955. Duke gjykuar nga shkrimet e protokollit, nuk pati asnjë debat. Që të shqyrtoheshin të gjitha materialet për represionin masiv në vitet 1935 - 1940 iu la në dorë një komisioni, në përbërje të të cilit qenë sekretarët e K.Q të PK Pospjellov (kryetar) dhe Aristov, por edhe kryetari i Komisionit të Kontrollit të Partisë për KQ, Shvernik. Për arsye shërbimi, hynë në të prokurori i Përgjithshëm Rudenko me kryetarin e KGB-së Serov. Komisioni iu përvesh energjikisht kësaj pune. Në Presidiumin e KQ vinte informacioni për faktet e mbledhura. Dhe përherë e më shpesh shtrohej pyetja: çfarë duhet bërë me ta? Vendimi i marrë, në fund të fundit, i mbeti që ta raportonte në kongres, me vështirësi, Hrushovi.
Më 21 janar ai doli në sheshin e Madh të Kremlinit para djemve dhe vajzave, të cilët dalloheshin në lëndinë. Më 23 janar u hap sesioni i Sovjetit Suprem të RSFSR. Të dyja masat qenë rutinë. Dhe, siç ndodhte shpesh në raste të tilla, figurat e para të vendit preferonin ta kalonin kohën (jo vetëm në pushimet mes mbledhjeve, por edhe gjatë kohës së zhvillimit të tyre) në dhomën e pushimit, para tasit të çajit, duke shqyrtuar çështjet më jetike. Ja, aty-dikush, pasi gjykoi mbi gjithçka, ndezi diskutimet mbi propozimet e bëra nga Hrushovi për të shfrytëzuar materialet e komisionit të Pospjellovit në raportin llogaridhënës të KQ para kongresit, - diskutime, të cilët vetë Hrushovi më vonë, në kujtimet e tij i konsideron si të pavërteta, ndërsa tashmë edhe kongresi kishte mbaruar. Më 1 shkurt, në mbledhjen e Presidiumit të KQ sollën nga burgu ish-zëvendësshefin e Degës Hetimore për Çështje të Posaçme të Komisarit të Popullit për Punët e Brendshme të BRSS, Rodos. Pas dëshmisë së tij te askush tashmë nuk mund të mbetej më asnjë dyshim, në qoftë se të tilla kishte ende, se represioni dhe torturat nuk qenë rezultat i dëshirës së keqe të çekistëve "të këqinj", por i shfarosjes së planifikuar qysh herët nga vetë Stalini dhe e drejtuar nga njerëzit servilë të tij.
- Fajtorët po ngrihen, hodhi këtë top dhe ndezi replikën Hrushovi.
- Elementët gjysëmkriminalë po joshen në drejtimin e të tilla punëve. Të dënojnë Stalinin.
- Shoku Hrushov, kini burrërinë të na thoni ne të vërtetën? - e pyeti Aristovi.
- Kufijtë e arrestit kanë qenë të miratuar, kujtoi Pospjellovi.
- Por Stalini duhet pranuar si udhëheqës i madh, shpejtoi të thotë Molotovi.
Nuk mund të harrohet ndërhyrja e Mikojanit në këtë rast: - Po ti, shoku Molotov, po e mbështet!
- Nuk mund të zgjidhjet çështja në këtë situatë, u revoltua Kaganoviçi.
- Nuk mund të mbetet kështu!.. shumë gjëra mund të rishikohen, por për 30 vjet Stalini qëndroi në krye. "Që të mos rrinte me budallenj", Bulganini kërkoi t'i thuhej partisë e gjithë e vërteta për Stalinin. Që partia duhet të dinte të vërtetën, ishte njëlloj dakord edhe Voroshillovi: - Kishte shpirt Stalini? Kishte. Poshtërsi, shumë. Flisni drejt, shoku Hrushov. Nuk mund ta kapërdijmë. Por na duhet të mendojmë, se, me ujë, nuk zihet edhe fëmija.
Duke dashur të nxitë debatin, Hrushovi tha:
- Stalini, partinë e asgjësoi. Ai nuk ishte marksist. Kishte të gjitha të këqijat që mund të
ketë te një njeri. Të gjithë servilët e tij i nënshtroi. Dhe gjithsesi në kongres nuk u fol me mllef për terrorin, ndonëse edhe me vërejtjen jo pak të rëndësishme: - Duhet të përcaktojmë vijën - t'i japim Stalinit vendin e vet, të pastrojmë pllakatet, literaturën. Të marrim Marksin dhe Leninin. Të fuqizojmë luftën kundër kultit të individit. Megjithatë, në ditët në vazhdim, çështja e leximit në kongres e raportit të veçantë për kultin e individit të Stalinit, u zgjidh pozitivisht. Por, nuk mund të ishte më mirë që kjo të bëhej jo tani, por në kongresin e ardhshëm? Horoshenko ishte i përgatitur për të studiuar materiale plotësuese, gjithçka duhej peshuar mirë. Por Hrushovi, pasi u mori kundërshtarëve të vet miratimin në parim, vendosi t'i sulmojë ata deri në fund: - Në kongresin e XXI do të jetë vonë, në qoftë se ne në përgjithësi mund të presim deri në këtë kohë dhe nga ne nuk do të kërkohet përgjigje më herët. Marrëveshja u formulua zyrtarisht në mbledhjen e Presidiumit të KQ të 9 shkurtit të vitit 1956, në të cilën qenë dëgjuar një sërë njoftimesh të komisionit të Pospjellovit. Në të thuhej se "vitet 1935 - 1940 në vendin tonë janë nga vitet e represionit më masiv të qytetarëve sovjetikë" dhe se në këta vite "qenë arrestuar për akuzën e veprimtarisë antisovjetike 1 920 635 njerëz, prej tyre qenë pushkatuar 688 503 njerëz". Hrushovi edhe njëherë kishte shprehur bindjen e thellë në domosdoshmërinë për t'ua treguar të gjithë delegatëve të kongresit. Dhe jo vetëm për represionin, por mjaft më gjerë, për rolin e Stalinit në zgjidhjen e tyre: - Pathemelshmëria e Stalinit e nxjerr atë zbuluar si udhëheqës. Çfarë mbetet për udhëheqësin, në qoftë se i shfaros të gjithë? Duhet të shfaqim burrëri për të thënë të vërtetën. Më shumë arsye për të përgatitur raportin paraqiti Voroshillovi: - Stalini qëndroi në luftën me armiqtë. Janë shfaqur te ai edhe veset e një bishe. Dhe megjithatë ai ishte shumë njerëzor.
Saburovi tërhoqi vëmendjen në rolin e Stalinit për luftën (mëse i saktë në fillimin e tij
katastrofik) dhe në acarimin e situatës ndërkombëtare: - Ne kemi humbur mjaft nga politika prej budallai, kemi prishur marrëdhëniet me të gjithë popujt. Duke përfunduar diskutimin, Hrushovi konstatoi: - Pa kundërshtime, se na duhet t'i dëshmojmë kongresit. Lindi pyetja: kush do ta përgatisë këtë raport? Hrushovi caktoi Pospjellovin, ai kishte kryesuar komisionin, kishte mbajtur shënime e që u bënë lëndë e parë për diskutimet. Atij iu desh të kundërshtonte, për një çështje të tillë të rëndësishme duhet të shkruante sekretari i parë. A nuk do të pranonte Pospjellovi të kuptonte se si dëshmia divergonte në udhëheqje? Duke patur frikë rrjedhjen e mundshme të informacionit, anëtarët e Presidiumit të KQ nganjëherë dukeshin me të vërtetë të prekur në sedër se qenë të detyruar të jepnin miratimin për hapat, ndaj të cilëve patën kundërshtuar me vendosmëri dhe në mënyrë kategorike.
Ishte plotësisht e mundur që të lajmërohej edhe mungesa e kohës: në Moskë tashmë qenë mbledhur delegatët e kongresit, por në plenumin e fundit të tij qenë mbledhur anëtarët dhe kandidatët për anëtar të KQ të PKBS. Në mbledhjen e Presidiumit të KQ të 13 shkurtit u vendos që raportin për kultin e individit ta përgatiste vetë Hrushovi, i cili kishte folur në mbledhjen me dyer të mbyllura të kongresit. Pas kësaj të gjithë shkuan në sallë, ku qenë mbledhur pjesëmarrësit në plenum. Atë e hapi dhe e drejtoi Hrushovi. Ai po vetë edhe foli. Në të vërtetë, mjaft shkurt: - Na duhet të bëjmë vlerësimin e raportit. Presidiumi e shqyrtoi këtë raport dhe e miratoi. Ashtu edhe anëtarët e plenumit. Raporti është përgatitur jo nga Presidiumi, por nga plenumi i Komitetit Qendror. Si, a do ta dëgjojë plenumi raportin?
Aluzioni u kuptua:
- Miratohet! Nesër dëgjohemi!
Hrushovi sikur e priste këtë replikë:
- Atëhere do të vlerësojmë që raporti të pranohet nga plenumi i Komitetit Qendror dhe t'i ngarkohet atij ta shpallë në kongres.
- Ka edhe një çështje, vazhdoi Hrushovi, për të cilën duhet të flasim këtu. Presidiumi i Komitetit Qendror, pas shkëmbimit të pikëpamjeve dhe studimit të gjendjes dhe të materialeve pas vdekjes së shokut Stalin, ndjen dhe e vlerëson të domosdoshme të nxjerrë në dritë në Kongresin e XX të Partisë, në mbledhjen e mbyllur, raportin e KQ për kultin e individit. Në Presidium ne u morëm vesh që raporti të më ngarkohej mua për ta bërë, sekretarit të parë të K.Q. Ka kundërshtime?
Kundërshtime nuk pati.

Kush ishte Stalini

Josef Vissarionoviç Dzugashvili (Stalin).Lindi në Gori të Tbilisit Gjeorgji, më 21 dhjetor 1878 dhe vdiq në Moskë Rusi më 5 mars 1953. Në moshë të re u fut tek Partia Socialdemokrate e Gjeorgjisë. Ndërkohë punonte tek Observatori astronomik. Për aktivitetin e tij politik arrestohet më 1900 dhe bën dy vjet burg. Autoritetet e ruajnë dhe e dënojnë përsëri me internim në Siberi. Prej internimit arratiset dhe kthehet në Tbilis. Pas largimit nga Rusia ai bëhet drejtuesi i gazetës "Lajmëtari i punëtorëve kaukaz" në Finlandë. Këtu ai njihet dhe me Leninin. Kthehet përsëri në Rusi dhe merret me propagandë e cila do t'i kushtojë edhe një internim tjetër në Siberi. Këtu do të qëndrojë deri më 1917, viti i revolucionit bolshevik. Ndërkohë edhe reputacioni i tij ishte rritur shumë. Pas vendosjes sistemit bolshevik, Stalini hyn në qeverinë provizore, si komisar i çështjeve të etnive minoritare. Më 1922 emërohet Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror. Deri më 1939 kur fillon dhe Lufta e Dytë Botërore, nën drejtimin e Stalinit, URSS bëri hapa gjigandë në industri. E gjithë Lufta e Dytë Botërore e popullit rus u mbështet tek figura e Stalinit. Deri në momentin kur vdiq ai vendosi një sistem shtypjeje ndaj kundërshtarëve të tij por edhe shtresave të ndryshme të tij. Pas vdekjes kongresi i XX i Partisë Komuniste ruse e kritikoi vijën e ndjekur nga Stalini.

Kush ishte Hrushovi

Nikita Sergejeviç Hrushovi lindur më 17 prill 1897, në krahinën e Kurskut. Pas revolucionit bolshevik ai u fut në radhët e ushtrisë së kuqe. Më 1918 futet në parti ku dhe merr poste në administratën e Donbas në Kiev të Ukrainës. Më 1931 transferohet në Moskë ku më 1935 i jepet posti i Sekretar i Komitetit të Partisë për qytetin e Moskës. Më 1938 bëhet Sekretar i Komitetit Qendror i Partisë Komuniste të Ukrainës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai mban postin e komisarit. Ishte komisari politik në betejën e Stalingradit. Pas mënjanimit të Malenkovit, i cili zëvendësoi Stalinin, ai mundet të bëhet Sekretari Përgjithshëm i Partisë Komuniste URSS. Në kongresi i XX të Partisë Komuniste Hrushovi, rrëzoi mitin e Stalinit. Gjatë drejtimit të tij si Sekretar i Përgjithshëm, politika e jashtme e URSS me Perëndimin u ashpërsua. Nën drejtimin e tij ndodhi kriza e raketave në Kubë. Lufta e ftohtë arriti kulmin e saj, Hrushovi mbahet mend dhe për diskutimin impulsiv mbajtur në OKB. Vdiq më 11 shtator 1971.

Prishja me Bashkimin Sovjetik

Pas një vizite që bëri në Shqipëri Nikita Hrushovi në fund të viteve '50 nisin dhe mosmarrveshjt e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Kanë qenë pikërisht Mbledhja e Partive Komuniste dhe Punëtore më 1961 ku u bë e qartë se Enver Hoxha dhe bashkëpunëtori i tij më i afërt Mehmet Shehu iu kundërvunë Kongresit XX të PKBS dhe praktikisht nuk i pranuan idetë e Deklaratës. Enver Hoxha me fjalimin e tij demaskoi të gjitha vendimet e Kongresit XX, dhe hodhi poshtë në mënyrë kategorike aludimet që ishin bërë kundrejt figurës së Stalinit.

tirana observer (arkivi)