nga Tema e Mero Bazes..
EDITORIALI
Korrupsioni, një ajsberg që po e zhysin
Mero Baze
Një anëtar i sapozgjedhur i KLD-së nga Lushnja, u
shfaq në ekran duke paralajmëruar “politikën”, të
mbajë larg duart nga drejtësia! E thënë kjo në një
moment solemn, për dikë që zgjidhet në forumin më të
lartë të Drejtësisë në vend, të bën të mendohesh, së
paku, për problemet që një zyrtar i drejtësisë mund të
ketë pasur me politikën në punën e tij. Shpërthimi i
gjyqtarit të bënte edhe më kurioz, po të kemi parasysh
se dy ditë më parë shumica parlamentare kishte votuar
ndryshimet në ligjin e Këshillit të Drejtësisë, që, në
një farë mënyre, u hapin rrugë disa reformave, që
nxjerrin gjyqtarët tanë nga spiralja e korrupsionit
dhe konfliktit të hapur të interesave në mbrojtjen e
sistemit të korrupsionit brenda drejtësisë. Beteja
kryesore e derisotme e politikës me drejtësinë ka
pasur dy kahje. Kahja i parë ka qenë presioni i
politikës mbi drejtësinë për të toleruar krimin dhe
për të mos hetuar korrupsionin për të cilin shqiptarët
votuan kundër më 3 Korrik. Ajsbergu i madh i
korrupsionit, i cili trembi shqiptarët dhe i detyroi
ta ndëshkojnë atë politikisht, tashmë ka filluar të
zhytet në ujë, pa u coptuar.
Kahja e dytë e përplasjes së politikës me drejtësinë,
mund të thuhet se sapo ka filluar. Politika, e votuar
për të çmontuar sistemin e korrupsionit, në të vërtetë
po përpiqet të ushtrojë një lloj presioni mbi
drejtësinë për vetëkorrigjim dhe motivim për të
ndëshkuar korrupsionin. Gjyqtarin nga Lushnja, të
sapozgjedhur në krye të KLD-së, në të vërtetë m’u duk
se e shqetësonte kjo kahje. Ky gjyqtar, një vit më
parë, ishte skualifikuar nga presidenti Moisiu, në
përpjekje për t’u emëruar në Gjykatën e Krimeve të
Rënda. Arsyet që kishin bindur Presidentin, ishin disa
dosje të pagjykuara të asaj që quhet Banda e Lushnjës,
të cilës ky gjyqtar i ishte kthyer në një lloj
avokati, disa biznese të tij sportive në qytet dhe më
tej lidhje të dyshimta me disa politikanë që
favorizonin elementë kriminalë në Lushnjë. Për të
gjitha këto, Presidenti ka pasur informacione dhe në
përpjekje për të mos i hapur rrugë korruptimit të një
gjykate të rëndësishme, nuk e dekretoi emrin e tij.
Tashmë ky gjyqtar është bërë anëtar i KLD-së dhe frika
reale që ka, nuk është nga ligji, por nga politika e
re që ka detyrim ndaj shoqërisë të pastrojë drejtësinë
nga korrupsioni. Tashmë Konferenca e Gjyqtarëve i ka
dhënë votat këtij gjyqtari. Mund t’ia jepte dhe
gjyqtarit që liroi Gjolek Malajn në Gjirokastër, edhe
pse ishte një krim i kryer në flagrancë ndaj dy
gazetarëve, njëri prej të cilëve deputet. Edhe ai
ishte në garë. Por problemi është se kjo specie
gjyqtarësh, nuk ka shqetësim korrupsionin. Nuk kanë
shqetësim as krimin dhe as lidhjet e tij me politikën.
Ata kanë frikë vetëm politikën, që ka marrë angazhime
politike për të çmontuar këtë sistem. Dhe i vetmi
betim i tyre është beteja politike për ta frenuar këtë
hov të politikës dhe këtë vullnet legjitim të
shumicës.
Në të vërtetë kështu si po shkon reforma në drejtësi
dhe, sidomos, qetësia me të cilën ministri Bumçi dhe
zëvendësit e tij sodisin garën e njerëzve të
inkriminuar për të zaptuar kreun e drejtësisë,
gjyqtari lushnjar shqetësohet kot. Atij s’ka për t’i
hyrë gjemb në këmbë, as në fushat sportive të
Lushnjës, as në Lagunën e Divjakës. Ajo që po ndodh me
korrupsionin si fenomen në Shqipëri pas 3 Korrikut,
është një metamorfozë e frikshme, e cila mund të
kthehet në një kurth historik për shoqërinë shqiptare.
Tashmë kriminelët në shtyp quhen biznesmenë, të
korruptuarit, quhen të akuzuar politikë, dhe
korrupsioni i cili u ndëshkua me votë, po zhytet nën
ujë për të mos e parë askush askund, pa u ndëshkuar.
Papërgjegjësia me të cilën Ministri i Drejtësisë
mbikëqyr procesin e ndryshimeve në hierarkinë e
Drejtësisë shqiptare, është fyerja e parë e madhe që i
bëhet elektoratit që votoi për të ndëshkuar
korrupsionin. Dhe kur gjyqtarë haptaz të korruptuar,
kur gjyqtarë që kanë favorizuar në sytë tanë krimin
dhe lidhjet e tij me politikën, guxojnë të kandidojnë
dhe të kërcënojnë politikën, atëherë diçka duhet
ndryshuar tek ata njerëz, të cilëve u kemi besuar
drejtësinë. Qeveria në përgjithësi dhe autoritetet e
drejtësisë në veçanti, janë zënë mat me prapaskenat e
atyre që lëvizin fijet në drejtësinë shqiptare dhe
mbajnë në lojë gjithmonë të korruptuarit. Rasti i
KLD-së së djeshme ishte qartazi, një rast që na tregon
të gjithëve sa larg është politika e re nga vija e
frontit me korrupsionin dhe të korruptuarit në
drejtësi.
Krijoni Kontakt