Rama: Kriza ekonomike do të rrisë varfërinë dhe çmimet
Kryetari i PS-së ka deklaruar dje se buxheti i qeverisë cënon rëndë autonominë e pushtetit vendor
Shekulli
TIRANE - Varfëri të mëtejshme, rritje të çmimeve, cënim të autoritetit të pushtetit vendor, mosbesim ndaj politikave fiskale, bllokime në Tiranë, kanë qenë plotësisht të denoncuara prej kryetarit të PS-së, Edi Rama, si pjesë e të veprimtarisë së qeverisë dhe të vetë kryeministrit Sali Berisha, qoftë për projektbuxhetin e vitit 2006, qoftë për mënyrën e të trajtuarit të të drejtave të vendorëve dhe shtresave të ndryshme të shoqërisë. Një mori e tërë problematikassh të vërejtura pa një pa dy, si mashtrime të qeverisë, si gënjeshtra shifrore buxhetore dhe si paaftësi të kryeministrit Berisha, për kreun e socialistëve do të shkaktojnë as më shumë dhe as më pak se sa varfërim të shqiptarëve. Në një takim në PS me përfaqësues të pushtetit vendor, Rama analizoi dhe përcolli nën vëmendje se premtimet e paradokohshme për zgjedhjet e përgjithshme nuk janë përmbushur dhe se praktikat e qeverisjes po cënojnë mundësitë e mëdha për të drejtuar vendin. Rama ka sjellë shembull konkret për mungesat që i ofron buxheti qeverisjes vendore dhe ka kujtuar se jo që nuk janë paraparë shtesa fondesh, por ato janë cunguar. Nuk ka lënë mënjanë përmendjen e të njëjtës formë krahasimore të deklaruar nga kryeministri i sotëm Berisha, gjatë fushatës zgjedhore të 3 korrikut mbi shtesat që do të bëheshin në fondet buxhetore për pushtetin vendor si dhe për rritjen e pagave apo pensioneve. “Më thoni një rrogë apo pension ku Berisha nuk ka premtuar dyfishimin? Katër herë ka premtuar ta rrisë grantin e pushtetit vendor, katër herë! A e dini sa e ka rritur? Zero herë! Dhe, jo vetëm kaq, por ndërkohë që nuk ka rritur grantin, po ngushton përditë hapësirën e autonomisë vendore. Puna është se autontomia vendore po përdhunohet. Puna është se po vazhduam kështu, ne do të rigjendemi përballë njeriut që jo thjesht është i paaftë dhe gjënjeshtar, por që është në gjendje ta ridjegë vendin. Kriza ekonomike dhe kriza e zhvillimit do të rrisin varfërinë, do të rrisin çmimet",- ka renditur një sërë mospajtimesh me politikat e reja buxhetore kryetari i socialistëve. Trajtimi i pushtetit vendor është cënuar aq shumë, sa Rama vëren se fondet janë ndarë në mënyrë të pabarabartë ndërmjet komunave dhe bashkive të ndryshme dhe që për të nënkupton mendësinë krahinariste të kryeministrit. Rama ka marrë shembull fondet e ndara për Vlorën, Bajram Currin, Tiranën dhe Shkodrën. „Vlora merr më pak investime se Bajram Curri, respektivisht 8 dhe 9 milionë lekë. Ndërkohë që Shkodrës i është akorduar 27 milionë, komuna Paskuqan ka marrë 29 milionë. Nga 42 milionë dollarë që qeveria kurseu nga shkurtimet e shpenzimeve, Shkodrës i akordon vetëm 270 mijë dollarë. Po me pjesën tjetër çfarë u bë?! Ky buxhet do të marrë përgjigje te komunitetet lokale që do të votojnë vitin tjetër. Dhe një fakt tjetër; Bashkia e Tiranës merr 15 milionë lekë, më pak se Paskuqani!“-u shpreh kryetari i PS-së.
Varfëria
Duke ndërlidhur buxhetin për pushtetin vendor me shkallën e varfërisë në vend, Rama qartëson se dokumenti ekonomiko-financiar për vitin e ardhshëm vetëm sa do ta shtojë pamundësinë e shqiptarëve për të përparuar. „Janë 80 komuna të varfëra, përfshirë edhe në veriun e vendit. Ka komuna në zona rurale për të cilat Partia Socialiste nuk bëri ndonjë gjë të madhe, por i futi në një listë të veçantë dhe bëri një trajtim të veçantë… Janë fshirë, janë futur bashkë me të tjerat!“ - tha Rama. Ai theksoi rishtaz dhe jo pa ironi për varfërinë ndaj kreut të ekzekutivit mbështetur në premtimet parazgjedhore për eliminimin e shpërndarjes së ushqimeve me lista. „Luftëtari i madh i varfërisë! Do të shikojmë listat! Ka marrë votat e qytetarëve duke u futur nëpër dyqane dhe duke marrë listat. Do t‘i shikojmë listat kur ky projektbuxhet do të bëhet buxhet dhe kur këto shifra të bëhen realitet. Do ta thërras unë zotin Berisha të vijë me mua dhe të shohë listat që na i nxirrte nëpër dyert e dyqaneve, njeriu që do të luftonte vafërinë dhe që sot me këtë buxhet e ka futur Shqipërinë „mbrapa ktheu!“ dhe e ka kthyer varfërinë në status. Ne bëmë shumë pak për ta zbutur varfërinë, por ama nuk e pranuam si status", - deklaroi kryetari i PS-së, njëherit kryetar i Bashkisë së Tiranës. Duke e quajtur tërësisht një buxhet të varfërisë, Rama e ka cilësuar „dramatike“ gjendjen: „Ndodhemi në një situatë e cila është dramatike. Për herë të parë pasi Partia Socialiste ka lënë qeverisjen, kemi një proces hartimi të buxhetit, ilegal, të pakonsultuar dhe jashtë afateve. Për herë të parë, Shqipëria niset në drejtim të paditur. Formulohet një buxhet i varfërimit dhe jo i zhvillimit dhe këtë nuk mund ta mbulojnë spekulimet dhe buzëqeshjet e qeveritarëve“.
Biznesi dhe ndërtimet pa leje
Për kreun e PS-së, Rama, qoftë biznesi, qoftë shtetasit nuk kanë përfituar nga ajo që qeveria e ka përmendur si politikë fiskale në të mirë të tyre. Ndërsa ka ironizuar rishtaz qeverisjen, kur ka thënë se „ne qeverisemi nga 3 qeveri. E para është qeveria e ministrave që vlen si fasadë; e dyta qeveria e këshilltarëve, e cila i bën karshillëk kryeministrit dhe, së treti, qeveria e e thashethemeve që mbillen në të katër anët dhe që përkthehen nga kryeministri si reforma e masa të marra“, - shprehu Rama keqardhjen për votën që mori e djathta. Kryetari socialist tha se Berisha ka vënë lëvizje „buldozerin e përbaltjeve dhe akuzave “sikur të jetë ende në opozitë“ dhe ka përkujtuar premtimet nëpërmjet shifrave të bëra në fushatë për biznesin. „U premtuan 2 miliardë lekë për të kompensuar humbjet që pësohen nga përgjysmimi i taksave dhe nuk gjenden gjëkundi. Tirana dhe bashkitë e tjera janë goditur nga kjo masë“, - tha Rama. Problem i jashtëzakonshëm janë deklaruar ndërtimet pa leje. Për Ramën, ka rritje marramendëse të tyre që kur kryeministri erdhi në pushtet dhe që, sipas tij, „Berisha bllokon punët në Tiranë dhe e lë pushtetin vendor në Tiranë dhe kudo në mëshirën e të gjithë ndërtimtarisë pa leje që po lulëzon“. „Ka një rritje mbi 100 për qind të ndërtimeve pa leje që kur Berisha ka fituar zgjedhjet dhe ka një rritje mbi 100 për qind të ankesave të qytetarëve që kanë lidhje me ndërtimtaritë e paligjshme. Pavarësia e pushtetit vendor që është një standard i vendosur nga qeverisja socialiste (sot unë mund t‘i them që raporti i të ardhurave të pavaruara ne fondet e dhëna nga pushteti vendor është zvogëluar me 15 për qind), pra pavarësia është reduktuar (me 15 për qind) duke zbritur në nivelin e 50 përqindëve nga 65 për qind që ka qenë në qeverisjen tonë. Ultimatumi i Berishës për mbledhjen e KKRT-së është komplet jashtë loje“, -shtoi ai. Nisur nga qëllimi për të qartësuar mospërputhjen me novojat të buxhetit, Rama ka përmbledhur se në të mungojnë fondet për zhvillimin e vendit.
„Qeveria ka harruar Veriun“
„Kanë premtuar 4 000 kilometra rrugë, ndërkohë që në buxhet parashikohet shumë më pak. Shumë më pak parashikohet edhe për dhjetëra komuna në veri të vendit, të cilat unë i kam vizituar gjatë kohës së qeverisjes socialiste dhe më ka ardhur turp për mjerimin në të cilën ndodheshin. Por që mendoj se edhe kjo qeveri do të bëjë shumë më pak nga sa bëmë ne. Janë të paaftë dhe kanë ardhur në pushtet vetëm duke gënjyer. 3 500 lekë për frymë ishin shpenzimet e buxhetit në çdo bashki të vendit, 2 900 lekë janë tani, ndërsa në komuna raporti është 2 500 lëkë kundrejt 1 900 lekëve aktualisht. Masat e marra janë tërësisht populiste dhe parciale“.
Krijoni Kontakt