Një “e enjte e zezë” për tre operatorët e telefonisë celulare që operojnë në territorin francez. Këshilli francez i konkurencës më 1 dhjetor 2005 i ka dënuar ata me një gjobë prej 534 milion euro, e ndarë kjo si më poshtë : Orange France (grupi France Telecom) 256 milion euro. SFR (filial i Vivendi Universal dhe Vodafone) 220 milion euro. Bouygues Telecom (grupi Bouygues) 58 milion euro. Një raport shumë i ashpër prej 90 faqesh i këtij Këshilli i akuzon operatorët e telefonisë celulare se pergjatë viteve 1997-2003 kanë shkëmbyer ndërmjet tyre informacione të natyrës strategjike duke u marrë vesh për ndarjen e tregut. Raporti i cilëson këto veprime si “të kundraligjëshme që bien ndesh me parimet e konkurencës në dëm të konsumatorëve duke fiksuar artificialisht çmime të larta “. Të tre operatorët do të apelojnë në gjykatë ndaj këtoj vendimi. Por telashet e tyre nuk mbarojnë me kaq. Një nga shoqatat më të mëdha të konsumatorëve “UFC-Que Choisir” është hedhur në sulm. Duke e cilësuar 1 dhjetorin 2005 si “ditë historike” dhe se “ora e dëmshpërblimit erdhi”, kjo shoqatë i ka kërkuar 30 milion konsumatorëve francezë që në mënyrë individuale të hapin çështje gjyqësore ndaj operatorëve. Sipas shoqatës dëmi i shkaktuar llogaritet në 1.2 miliard euro. Të shpresojmë se ky proces do të shërbejë si shembull edhe për vendet e tjera ku konsumatorët gjenden të kërcënuar nga veprimet e kundraligjshme të operatorëve të telefonisë celulare.
Krijoni Kontakt