Sekuestrohen pasuritë e njeriut të Bin Laden
E Merkure, 07 Dhjetor 2005
Ministri i Financave, Ridvan Bode, firmos sekuestrimin e 33 llogarive bankare në 3 banka, pronave të luajtshme e të paluajtshme dhe investimeve, të kryera nga Abdul Latif Saleh në Shqipëri. Sipas Departamentit Amerikan të Thesarit, Osama Bin Laden dha 600 mijë USD për Saleh për ngritjen e grupeve ekstremiste në vendin tonë. I pajisur me nënshtetësi shqiptare, i linduri në Bagdad, zotëron 7 identitete
Plot 33 llogari bankare në tre banka të ndryshme, 650 metër katror ndërtime në qendër të Tiranës dhe shumë investime të tjera, në pronësi të Abdul Latif Saleh, do të sekuestrohen nga Ministria shqiptare e Financave. Për këtë qëllim, ministri Ridvan Bode ka firmosur vetëm një javë më parë urdhërin, mbi bazën e të cilit njeriut të Osama Bin Laden, më të kërkuarit në botë nga Shtetet e Bashkuara, do t'i bllokohen pasuritë që zotëron në Shqipëri. Sipas Departamentit Amerikan të Thesarit, "Bin Laden financoi Saleh me 600 mijë dollarë për të nxitur ngritjen e grupeve ekstremiste në Shqipëri". Gjithashtu, Uashingtoni ka vlerësuar se "Saleh ka qenë shumë i lidhur me një numër organizatash joqeveritare në Shqipëri, me degëzime të Xhihadit Islamik Egjiptian, një organizatë terroriste e lidhur me 'Al-Kaidan'".
Me nr.pasaporte D 366871, shtetësi jordaneze dhe shqiptare, Abdul Latif Saleh do të humbasë tashmë të drejtën mbi një pasuri të konsiderueshme të zotëruara prej tij në Shqipëri. Në total me 7 identitete të ndryshme, Saleh ka patur llogari bankare në Bankën Arabe Shqiptare Islamike (sot Banka e Bashkuar e Shqipërisë - UBA), Bankën Tregtare Ndërkombëtare dhe Bankën Amerikane të Shqipëri.
Me një urdhër të Departamentit Amerikan të Thesarit më 19 shtator, pasuritë e Abdul Latif Saleh u bllokuan dhe në vijim qeveria shqiptare e përfshiu emrin e tij në listën e personave të lidhur me terrorizmin. Pas këtij vendimi, Ministria e Financave ka urdhëruar sekuestrimin e llogarive bankare, pasurive të luajtshme e të paluajtshme, si dhe të gjithë investimeve të kryera në Shqipëri nga njeriu që amerikanët e cilësojnë si themeluesin e një organizatë xhihadiste shqiptare, që është financuar nga Fondacioni "Al Haramain".
M.E
http://www.korrieri.com/index.php?k=1&i=24305
Krijoni Kontakt