Coli:
Jaho Mulosmani furnizoi bandën me uniforma policie
Shekulli Online |
TIRANË- I pandehuri Adriatik Coli, i njohur ndryshe edhe si i penduari i "bandës" së Durrësit, vazhdoi edhe në seancën e djeshme t'i përgjigjet pyetjeve të avokatëve të Lulëzim Berishës, duke nxjerrë përsëri emra të rinj, si kontribues direkt apo indirekt në ngjarjet e ndryshme në qytetin bregdetar të Durrësit. Në seancën e djeshme gjyqësore, që ishte e 96 ndaj 15 të pandehurve të "bandës", i penduari Coli, përveç dëshmisë së tij për vrasjet e ndryshme të ndodhura në këtë qytet, ka përmendur dje edhe emrin e të dënuarit me burgim të përjetshëm për vrasjen e Azem Hajdarit, shtetasin Jaho Mulosmani dhe babain e tij. "Ka qenë viti 1998, nuk më kujtohet muaji, por, di që në atë kohë Jaho Mulosmani ka qenë shef në Komisariatin e Tropojës. Në këtë kohë ka ardhur në Durrës babai i tij dhe ka takuar Lulëzim Berishën.
Ky i fundit i kishte kërkuar Jahos uniforma policie. Kur erdhi babai i Jahos dhe solli disa uniforma, Luli i kishte thënë që të mi dorëzonte mua. Më lajmëroi Luli dhe e takova babën e Jahos dhe i mora uniformat e policisë. Këto uniforma babai i Jahos, i kishte sjellë me porosi të këtij Lulit, pasi Luli i kishte kërkuar disa të tilla. Të nesërmen ia dorëzova Lulit këto uniformat e policisë"-, tha gjatë dëshmisë së tij Adriatik Coli, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve të të pandehurve.
Pas këtij deklarimi në procesin që vazhdon të zhvillohet me dyer të mbyllura ka ndërhyrë prokurori i çështjes që i ka kërkuar gjykatës të mos lejojë vazhdimin e këtyre përgjigjeve, të cilat janë jashtë objektit të gjykimit. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i avokatëve, duke pretenduar dhe duke i kujtuar Gjykatës se i pandehuri me statusin e të penduarit në bashkëpunim me prokurorinë kanë fshehur disa vrasje të tjera. "Duam të provojmë para gjykatës, se i penduari ka dëshmuar edhe ngjarje të tjera të ndodhura në Durrës, për të cilat prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim. Kjo na lë për të dyshuar se prokuroria në hetimin dhe përfundimin e fazës hetimore, ka dorëzuar në gjykatë vetëm disa persona të cilët i interesonin atyre dhe nuk ka kryer një hetim objektiv.
Për këto fakte të reja, që i pandehuri Coli ka deklaruar i kërkojmë sërish gjykatës që dosja t'i kalojë për hetim edhe njëherë organit të akuzës që duhet të verifikojë pozicionin e të gjithë personave të përmendur"-thanë avokatët. Pas tyre, ka reagoi edhe i pandehuri Lulëzim Berisha. Ai iu drejtua gjykatës duke akuzuar organin e akuzës se dëshiron që çështja e tyre të politizohet. "Prokuroria e ka përgatitur Colin që ta politizojë çështjen tonë, duke e kthyer çështje politike. Edhe kryeministrin Sali Berisha do ta kthejë kundër meje tani",-theksoi Lul Berisha para gjykatës.
Gjykata, Colit

ëshmo vetëm për vrasjet e procesit
Trupi gjykues i bandës së Durrësit, pasi dëgjoi pretendimet e palëve i kërkoi të penduarit Coli të vazhdonte dëshminë,
por, të mos përgjigjej për rastet që nuk janë objekt gjykimit. Për kërkesën e avokatëve mbrojtës për tërheqjen e akteve nga prokuroria dhe rihetim të dosjes, gjykata u shpreh se "ka një vendim të ndërmjetëm për këtë kërkesë" dhënë disa seanca më parë që i është dërguar prokurorisë. Sipas akuzës, ata kanë një procedim të hapur për krimet për të cilat ka dëshmuar i penduari, përveç se për ngjarjet për të cilat janë të akzuar 15 të pandehurit e kësaj dosje. "Prokuroria e Krimeve të Rënda ka një procedim të hapur penal ndaj të gjithë këtyre pretendimeve të ngritura nga Adriatik Coli, të cilat po verifikohen dhe i janë nënshtruar një hetimi të gjërë",-thanë burimet nga akuza. Ndërkohë, Coli pak ditë më parë, gjatë dëshmisë së tij të lirë, ka përmendur një sërë emrash të ndryshëm të lidhur me "bandën", si Dritan Dajtin si person të cilit i është kërkuar të vrasë Lul Berishën, ish-kreun e PDK-së në Malësine e Madhe, Aleksandër Keka i cili u vra pak ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit me mina me telekomandë dhe shumë persona të tjerë banues në qytetin e Durrësit.
gsh
Krijoni Kontakt