Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    R[love]ution Maska e Hyllien
    Anëtarësuar
    28-11-2003
    Vendndodhja
    Mobil Ave.
    Postime
    7,708

    Vrau për nder, 10 vjet në qeli

    Historia e Manushaqe Roçit nga Fushë-Bulqiza, që në moshën 28-vjeçare vrau bashkëfshatarin që e ngacmonte seksualisht

    Vrau për nder, 10 vjet në qeli

    Ka kaluar vetëm 6 vite të dënimit: Brenga më e madhe, që nuk pashë për herë të fundit tim atë

    Kujtim Boriçi

    Tiranë - Ka vrarë për nder. Në anët e saj kjo fjalë nuk tingëllon e huaj, por gjithë sa ka ndodhur i ka lënë një dhimbje e brengë të madhe që edhe koha zor se do ta shuajë. Manushaqe Roçi, nga periferia e Bulqizës, tani është 34 vjeç e prej 6 vitesh vuan dënimin në burgun 325 në Tiranë. Në pamje duket më e madhe se kaq dhe pranon se brenda qelisë duhet të rrijë ende edhe 4 vite të tjera. Vite që i shtyn me shpresën se pas lirisë do të shkojë larg, shumë larg prej këtej për të nisur një tjetër jetë.
    “Jeta është treguar e pamëshirshme me fatin tim. Dua të mbaroj dhe këtë dënim që më ka mbetur dhe të rinis jetën nga e para, nuk di se ku, por larg, shumë larg”, - thotë Manushaqja, duke pranuar se krimin e ka kryer për vetëmbrojtje, pas ngacmimeve të vazhdueshme seksuale të një bashkëfshatari të saj. I cili, sipas saj, nuk e linte të qetë, por e ndiqte, e ngacmonte gjithmonë. “Nuk më donte. Vetëm më shihte pa njeri, pa përkrahje e donte të përfitonte prej meje”, - thotë ajo, duke shtuar se makthi u bë aq i madh, sa nuk dilte dot të bënte as punët e shtëpisë. E mbetur pa nënë, me një baba të sëmurë, me motra e vëllezër që prisnin vetëm prej saj, ajo nuk kishte me kë të ndante shqetësimin.
    Krimi
    Ishte 20 janari i vitit 2000, një ditë e ftohtë dimri, me dëborë dhe ngrica, të zakonshme për kohën në Bulqizë dhe rrethinat e saj. “Atë ditë babai ishte shumë i sëmurë, mezi e kishte kaluar natën. Bashkë me të pa gjumë ishim edhe unë, motra e tre vëllezërit”, - nis rrëfimin Manushaqja. Ajo tregon se nuk kishte shkuar ora 09.00, kur doli të merrja diçka për bagëtitë, jo larg shtëpisë. “Para më del përsëri Selim Previzi, tmerri i jetës sime. U tromaksa, por nuk kisha ku të shkoja”, - vazhdon ajo, duke shtuar se atë ditë ai i ishte dukur më i egër se kurrë. “Më vërsulet si egërsirë e unë reagova fuqishëm, aq sa munda e si munda”, – vazhdon mes lotëve 34-vjeçarja, duke rrëfyer çastet më të tmerrshme të jetës së saj. Teksa flet e ulur në katin e poshtëm të krevatit dysh të burgut, me një jastëk të qëndisur me grep mbi gjunjë, flet prerë. “Po, e vrava, e vrava me automatik”. As ajo vetë nuk di të tregojë hollësi rreth asaj që ndodhi. Vetëm pranon se në atë gjendje kërcënimi, pa mbrojtje, përballë dhunuesit, i ka drejtuar automatikun kallashnikov. “Nuk di si e mbusha, si dhe sa herë qëllova mbi të, nuk mbaj mend hollësira të tjera. Vetëm vonë kur erdhi policia dhe e pashë veten në qelitë e komisariatit të policisë, sikur erdha në vete dhe u ndërgjegjësova për ç’kisha bërë”, - shton ajo.
    Brenga
    Ka shumë, por njërën nuk do ta harrojë kurrë. Nuk janë vitet e rinisë që i shkoi në qeli, as ëndrrat që nuk i realizoi dot, as jetën që nuk e bëri si shoqet. Manushaqja nuk gjen shpagim me ndërgjegjen që nuk e pa dot të atin për herë të fundit. “Para tre vjetësh më vdiq babai. E lashë të sëmurë e atë ditë doja të isha qoftë dhe një çast të vetëm te koka në përcjellje, kërkova lejë, por nuk më dhanë. Kam qarë me ditë e javë pa pushuar, por njeriu qenka i fortë, mjerë kush bën keq e mjerë kush ka keq”, - thotë ajo. Dënimin e ka marrë thuajse menjëherë. “Më dënuan pa avokat, se nuk kishim që të paguanim për të marrë një të tillë”, - thotë 34-vjeçarja e dënuar, duke shtuar se përpara gjykatëses ka pranuar se vrasjen e ka bërë në kushtet e tronditjes së thellë, në momentin që bashkëfshatari po e ngacmonte seksualisht. Ka shtuar se ishte viktimë e një agresioni, e pambrojtur, por gjithsesi krimi makabër që kreu kërkonte ndëshkim. Në bazë të dokumenteve zyrtare që ofrojnë drejtuesit e burgut 325 dhe siç pohon vetë e dënuara, Gjykata e Bulqizës e dënoi me 16 vjet burg. Ndërsa pas apelimit, Gjykata e Apelit në Tiranë e dënon 28-vjeçaren Manushaqe Roçi me vendim të formës së prerë 10 vjet. Kështu, që para 6 vjetësh, Manushaqja dërgohet në burgun e grave në lagjen “Ali Demi”, banore e së cilit do të jetë edhe disa vite deri në përfundim të vuajtjes së dënimit të dhënë.
    Mbijetesa
    Ëndrrat për një vajzë në një rrethinë të Bulqizës nuk janë të shumta. Për Manushaqen, aq më pak.
    “Ishim 2 motra e tre vëllezër e jetesa në fshatin tonë Fushë-Bulqizë, ishte tejet e vështirë. Jo vetëm se kishim pak tokë, ajo që kishim ishte joprodhuese, por se nëna na kishte vdekur, babai ishte i sëmurë e të gjithë fëmijët e tjerë prisnin nga unë”, - thotë ajo, duke treguar se jeta e saj që nga fillimi ka qenë mjerim.
    “Punoja gjithë ditën, më binte bretku në arë, por duhet të kujdesesha edhe për babanë, motrën e vëllezërit e tjerë”,- shton më tej Manushaqja. Mbijetesa sigurohej plot mund, ndonjëherë ajo që sigurohej nuk ishte mjaft, edhe pse në punët e bujqësisë, sipas saj, ndihmonin edhe fëmijët e vegjël. “Ëndërroja një jetë si të gjitha shoqet, ëndërroja që t’u vija në ndihmë babait e njerëzve të mi, kisha shumë ëndrra, si çdo vajzë, por kështu qe fati, më ranë në qafë në nder, ma bënë jetën të padurueshme, e tani më duhet të vuaj”, - shton ajo. Tregon gjithashtu se nuk ka kërkuar dhe nuk do të pranojë mëshirë, falje të dënimit, ndonëse mezi e pret të ikë koha e mbetur që të rinisë një jetë nga e para. E pyesim se ku do të shkojë pas daljes nga burgu.
    “Larg, shumë larg, nuk di se ku, por dua që ato vite që më kanë mbetur të jem tjetër njeri, t’u shërbej motrave e vëllezërve”, - thotë ajo, duke shtuar se vizitat e njerëzve të familjes e në mënyrë të veçantë të të vëllait të saj, Nazmi Roçi, ia lehtësojnë peshën e vuajtjes dhe jetën e vështirë të burgut.

    Rehabilitimi
    Magaziniere në kampin e riedukimit
    Puna e parë e mirë që ka bërë ndonjëherë është tani në burg. Ku titullarët e burgut kanë treguar besim tek ajo, duke i besuar detyrën e magazinieres. Punë nga e cila fiton pak të holla e njëherësh edhe ulje të dënimit. Për Marinela Sotën, drejtoreshën e burgut të grave në lagjen “Ali Demi”, rasti i Manushaqe Rocit, fatkeqësisht, nuk është i vetëm mes rasteve të tilla në këtë kamp riedukimi.
    “Ajo është një e dënuar korrekte, është vlerësuar për korrektesën dhe punën që bën, duke i besuar dhe detyrën e magazinieres në kamp, por drama që ka kaluar, shto dhe problemet që trashëgon nga jeta e saj e trazuar në vendlindje, jo vetëm kanë lënë gjurmë, por vështirësojnë dhe punën konkrete për reabilitim”, – thotë Marinela. Për punën që bën, sipas drejtoreshës së Burgut, Manushaqja përfiton edhe nga 90 lekë në muaj dhe një ulje dënimi prej 3,9 ditësh për një muaj punë të bërë. Për bashkëvuajtëset ajo cilësohet shumë korrekte, ndonëse e mbyllur në vetvete.


    Në gjuhën e psikologëve:
    Krimi, pasojë e dhunës
    Drama e Manushaqes përtej përgjegjësisë ligjore të një personi, për sociologët dhe psikologët e burgut të grave Tiranë, është një fenomen nga i cili duhet të nxjerrë përgjegjësinë e vet si shteti, ashtu edhe shoqëria.
    Në këtë kamp ku vuajnë dënimin 68 gra e vajza, në shumicën prej tyre, në 45 raste, krimi ka ardhur pas një gjendjeje psikologjike të rënduar si pasojë e dhunës që është ushtruar mbi to. Ingrit Balluku, psikologe e burgut, “Dënimet e dhëna janë për kryerjen e veprës penale të vrasjes, shumica burrave të tyre”,- thotë Ingrid Balluku, psikologe e burgut ku vuan dënimin bashkë me shumë gra e vajza të tjera edhe Manushaqe Roçi. Në të gjitha rastet, sipas Ballukut dhe kolegëve të saj, krimet nga gratë janë kryer në kushtet e një dhune sistematike të burrave ndaj grave. Dhunë, sipas tyre, e denoncuar në polici e struktura shtetërore, por që nuk është frenuar në kohë. Edhe për rastin e 34-vjeçares që ngacmohej vazhdimisht seksualisht, sipas konfirmimeve të mësipërme, është kërkuar ndihma e policisë lokale, organeve vendore, por nuk është ndërhyrë.
    "The true history of mankind will be written only when Albanians participate in it's writing." -ML

  2. #2
    vlonjate moj ti Maska e bija_e_detit
    Anëtarësuar
    26-03-2005
    Vendndodhja
    ne zemren tende pa te cilen sjetoj dot
    Postime
    365
    shume e dhimbshme ske ci ben. tek neve ska as shtet as hic .njeriu duhet ti marri ligjet ne doren e tije edhe ta zgjidhi ceshtjen me vete gjyqesi . fatale per disa si kjo mjeranja
    ti gjithmone me thua jeta eshte e bukur ndaj te kam jete

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •