Populli tiranas kunder qeverise!!
Protestuesit, me thirrje drejtuar qeverisë, janë shpërndarë vetëm pas ndërhyrjes së policisë
“Zogu i Zi”, protestë për zhbllokimin e punimeve
B.Prifti
TIRANË-Seria e protestave të nisura tri ditë më parë në “Rrugën e Elbasanit” e më pas në bllokun “1 Maji”, ka vazhduar dje në pikën e “Zogut të Zi” në Tiranë. Dhjetëra banorë të mbledhur bashkë kanë protestuar dje kundër bllokimit të punimeve në këtë nyje shumë të rëndësishme të Tiranës. “Qeveria e gallosheve”, “Luli, mos qesh se është për të qarë”, “Zhbllokoni punimet”. Me këto thirrje protestuesit i janë drejtuar dje qeverisë dhe Ministrisë së Punëve Publike për të lejuar punimet në këtë kantier. Protesa nisi rreth orës 11.00 të paradites, ku mes grave e burrave nuk mungonin edhe të rinjtë, kryesisht banorë të zonës. Sipas vetë protestuesve, bllokimi i punës është bërë makth për ata që banojnë në pallatet përreth, pasi fillimisht pluhuri e tani edhe balta e kanë bërë rrugën të pakalueshme. “Nuk guxojmë të hapim dritaret, pasi pluhuri në xhama e parmakë nuk ka fund. Ndërsa tani që nisën reshjet rruga është e pakalueshme, plot baltë”, - thotë njëra nga protestueset, banore e zonës. Sipas saj, problem i madh është bërë edhe trafiku që orë e pa orë bllokohet në këtë nyje. Shqetësime që bashkë me protestuesit e kanë ndarë dje edhe shumë prej drejtuesve të automjeteve, të detyruar të presin me orë në radhë për të hyrë apo dalë nyja e “Zogut të Zi”. Shumë janë shprehur se nuk i intereson debati i krijuar për procedura të munguara apo leje ndërtimi, vetëm të gjendet një zgjidhje e gjithçka të marrë fund. “Nuk na duhet sesi, shteti ta gjejë një zgjidhje sepse ne po heqim të zitë e ullirit. Duke hyrë e dalë nga shtëpitë”, - thotë Selmani, një burrë rreth të 50-ve. Gjatë gjithë kësaj kohe, kur banorët mbanin në duar parrulla të ndryshme, me thirrje për pushtein qendror, në rrugë vargu i autobusëve të linjës apo mjeteve të tjera është bërë i madh. Banorët, të vendosur të vazhdonin protestën e tyre, janë shpërndarë vetëm pas ndërhyrjes së forcave të rendit. Por, edhe pas kësaj, janë shprehur se do të vazhdojnë të protestojnë përditë në orë të ndryshme, deri sa të fillojnë punimet te mbikalimi i “Zogut të Zi”.
06/12/2005
KATEGORIA: Ekonomi/Shekulli.
Krijoni Kontakt