Premte, 02 Dhjetor 2005
NJE DITE KUNDER DHUNES SE MANTENUTAVE
Nga Rudina Xhunga
Doja ta beja kete shkrim diten kunder dhunes ndaj grave, por m'u duk aq e flashket, sa dhe 8 Marsi e gjithe organizatat e fushatat e ketij soji, ANTI.
Ndaj zgjodha nje dite pa simbolike per t'iu drejtuar nje gruaje qe njoh.
Kemi studiuar ne nje shkolle. E kujtoj, sepse ajo binte ne sy. Une, jo. Isha po kaq e zakonte sa dhe tani, po te me heqesh ekranin. Por tani, eshte ajo qe me sheh. M'u nepermend me 25 nentor, kur po i perserisja vetes per te 1001-ten here se fajin per trysnine maskiliste qe ushtron shoqeria e kane vete grate. Xhelozia mes nesh, smira deri ne marri, pamundja per te mos pranuar garen e barabarte mes e pertej llojit. Burrat jane me te drejteperdrejte dhe ne arsyetim dhe ne inat. Ne, jo dot.
E njohura ime, per shembull, nuk e pranon dot faktin se koha leviz, ne bashke me te. Ajo ende kujton se ora ka ngecuar ne vitet tona te studimit, kur deri nje ore dore te dallonte dhe percaktonte klasen shoqerore. Mbase ajo nuk ma fal dot, pse ia dola. Por une punoj. Punoja, qyshkur studioja. Punoj duke zene e perzene cdo minute, qe mund t'i perdorja per ca te tjera detyrime ndaj gjinise. Punoj dhe privohem nga jeta qe do doja te beja. Punoj dhe pengohem. Jo nga burrat. Nga grate. Grate si e njohura ime qe nuk e kuptojne dhe vleresojne cmimin qe me duhet te paguaj per te qene ne gare. Sepse ato nuk e perballojne dot. Andaj kane zgjedhur nje zanat te lehte, sa te lashte. Prostituimin. Kane zgjedhur burra, te martuar, te pasur, (ne qofshin te huaj me mire akoma), per te ndare netet dhe parate. Kane bere zgjedhjen, qe per inat e mundesi, une mund ta bej qysh neser, neserresht se respektuari veten. Por e respektoj ende.
Sepse di sa e rende eshte per to te perballen me veten, qe s'iu perket me. Per to eshte veshtire t'i marre gjumi, kur ata kane fjetur. Eshte shume e gjate nata e tyre, derisa vjen mengjesi qe i con te bejne blerje ne dyqanet e firmave, ku une shkoj rralle, te marrin helikopterin per te shkurtuar rruge drejt nje darke, ku une nuk shkoj dot. Por ato e dine se e kane me qira kete jete dhe ndaj i kane zili ato si une, qe nuk kemi kohe te kemi zili. Ndaj e meshiroj te njohuren time edhe ato qe s'njoh dhe jane si ajo. Ato te cilat kane zgjedhur rrugen qe nis ne mes te trupit, per te te lene ne mes te rruges. Ato jane te mjera dhe duhen kuptuar. Por nese jane dhe te liga duhen ndaluar. Ndaluar te na bejne keq, kur s'e kemi mendjen. Ndaluar te na marrin gjerat qe duam. Ndaluar te na perflasin dhe prishin pune, duke na bere te mendojme se eshte dhune e burrave ndaj grave. Jo eshte thjesht beteje e piste e grave qe perdorin burrat, kuletat dhe shtreterit e tyre, per te penguar ca gra te tjera. Ato na bejne dem te gjitheve. Neve vete, motrave tona te vogla qe mendojne sa e lodhshme dhe e padrejte eshte te punosh, kur eshte kaq e lehte te jesh mantenuta e dikujt.
Mantenute, Lasgushi do e shqiperonte me perkedheli "dockezmarre". Por une dua ta perkthej fjale per fjale, "e mbajtur me para", madje vrazhde e pa perkthim fare, "putane". Luksi nese do. Por qe pengon shoqerine te zhvillohet sipas modelit qe e ben te levize dhe e ngec ne moralin e ndotur dhe ndenjur. Ndaj per to duhet shpikur nje dite ANTI, nje dite kunder dhunes se mantenutave ndaj grave. Ato, grate e lehta dhe te liga qe shkojne me shefin, qe shkojne me te dashurin dhe burrin tend, qe shkojne me djallin dhe dreqin, jo per dashuri, por per t'iu hipur ne qafe, qe te arrijne aty, atje ku ti ke ardhur me aq mund. Per te te thene: Ja ku jam! Te arrita dhe mund te te rrezoj tani!
Por jo, ti nuk mundesh. Sepse ti nuk je. Sepse, aty ku ti gjasmon te jesh, te sjell vetem puna e nje jete, e cdo dite, e cdo ore dhe minute. Ajo pune qe s'te le kohe as te shijosh e as te shpikesh dite feste e lufte me burrat. Pse nuk jane ata fajtore te pafuqise sone per te arritur deri tek endrra. Jane gra si mikesha ime fajtore. Ajo qe une e ftoj sot, ne nje dite cfaredo, t'i kthehet vetes dhe te shohe se mundet. Te zgjohet ne mengjes dhe te thote qe do t'ja dale, jo ngase eshte grua, por sepse eshte zonje. Kam respekt per zonjat, ato nuk kane nevoje per fletushka higjenike qe na mesojne si te mbrohemi nga burrat.
Koha Jone.
Krijoni Kontakt