Policia raportoi se mbi 120 persona kanë vdekur pas rënies së avionit në një zonë të populluar

Aksidenti: Mbi 120 të vdekur në Teheran

Një avion ushtarak iranian me 94 persona në bord, është rrëzuar dje në periferi të kryeqytetit iranian, Teheran...

E.Kurra

Një avion ushtarak Iranian, me 94 persona në bord, është rrëzuar dje paradite mbi një ndërtesë banimi 10-katëshe në periferi të kryeqytetit iranian, Teheran. Rrëzimi i avionit shkaktoi një shpërthim të fortë dhe flakë të mëdha. Sipas njoftimeve të para, në bordin e avionit ndodheshin 94 vetë. Policia tha se që të gjithë personat që ndodheshin në bordin e avionit si ushtarakë dhe gazetarë, kishin vdekur dhe kishte shqetësime se numri i viktimave mund të bëhej edhe më i madh. Në këtë fatkeqësi besohet se e kanë humbur jetën të paktën 120 vetë, ndërsa 15 të tjerë që ishin banorë të pallatit ku ra avioni, janë plagosur rëndë.

Defekti

Avioni që i përkiste forcave të armatosura iraniane, kishte njoftuar pak pas nisjes nga Teherani se kishte probleme teknike dhe ishte përpjekur të bënte një ulje të detyruar në aeroportin Mehrabad. Avioni i tipit C-130 sapo ishte ngritur nga aeroporti Mehrabad, kur piloti njoftoi për probleme emergjente dhe u kthye prapa. Por pas pak kohe piloti me sa duket humbi kontrollin gjatë përpjekjes për t'u ulur në pistë. Shërbimet e emergjencës shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes në rajonin Yaftabad, i cili u izolua nga pjesa tjetër me vënien në punë të zjarrfikësve. Një numër i madh njerëzish janë dërguar në spital, ku po kurohen për shkak të plagëve të rënda që ata kanë marrë në momentin e përplasjes së avionit. Radioja shtetërore e Teheranit njoftoi se 34 persona që gjendeshin në ndërtesën aty pranë ishin vrarë ndërsa rreth 90 të tjerë ishin plagosur rëndë.

Përplasja

“Unë po qëndroja në shtëpinë time kur papritur një avion u përplas dhe flakët e zjarrit hynë të gjitha brenda shtëpisë”, - tha një grua iraniane për agjencinë e lajmeve Rojters, e cila gjatë përplasjes theu krahun e majtë. “I gjithë vendi u mbulua nga tymi”, shtoi ajo e terrorizuar. Pallati ku u përplas avioni kishte më shumë se 150 banorë dhe ende nuk është i saktë numri i atyre që jaë dëmtuar nga kjo tragjedi.
Kjo është tragjedia më e rëndë në Iran pas asaj të vitit 2003, ku 276 vetë vdiqën pasi avioni i tipit Ljushin 76 me të cilin ata udhëtonin, ra në një zonë të pabanuar në juglindje të vendit.