Pse Komunistët nuk përkrahin antifashizmin ?


Paradoksi më i madh, i jehonës së konfliktit në Kosovë, është përkrahja dhe rreshtimi i komunistëve europianë, në anën e fashizmit sërb. Komunistët grekë, italianë, gjermanë, francezë, pa folur për ata rusë, në konfliktin Kosovë-Sërbi, janë rreshtuar në anën e Sërbisë. Manifestimet dhe demonstratat e tyre të shumta, deklaratat dhe konferencat e shtypit, e dëshmojnë më së miri një gjë të tillë. Pretendimet e tyre, pretekstet dhe justifikimet se ata janë kundër shkeljes së sovranitetit të Jugosllavisë, nuk janë gjë tjetër veçse një flamur i çjerrë dhe dalë boje. Në Kosovë, ushtria dhe policia sërbe ka vrarë dhe deportuar me qindra mijra njerëz, dhe askush prej këtyre komunistëve, nuk e ngriti zërin. Në qëndrimin ndaj shqiptarëve të Kosovës, me krimet dhe masakrat që ka bërë, regjimi i Beogradit, nuk është gjë tjetër veçse regjim fashist, ashtu si shqiptarët që luftojnë kundër tij janë antifashistë. Të mbrosh dhe të bësh demostrata pro Milosheviçit, siç ka bërë Kosuta, Bertinoti, Hyja, Gregor Gizi, Zhuganjovi etj, do të thotë që të mbrosh fashizmin dhe të dënosh me masakra dhe deportim antifashizmin shqiptar të përfaqësuar nga UçK-ja. Do të thotë që të kesh nostalgji për fashizmin dhe nazizmin. Do të thotë që të përdhosësh, emrin dhe vepën e qindra mijra komunistëve antifashistë që në luftën e dytë botërore, dhanë jetën për të përmbysur fashizmin. Do të thotë që të çvarrosësh, Gabriel Perinë, Zhorzh Policerin, Niko Bellojanisin, Ernest Telmanin, Antonio Gramshin etj, të cilët Partitë Komuniste të Evropës i mbajnë si relike të çmuara të antifashizmit të tyre.

Paradoksi më i madh i fund shekullit të 20 të : Komunistët europianë, mbrojnë fashizmin sërb dhe dënojnë me masakra dhe krime mesjetare antifashizmin shqiptar ! ! !


Kosova është Kosovë


Kryengritja në Kosovë ka ngjashmëritë e saj, me shumë kryengritje të zhvilluara në të kaluarën apo në të sotmen. Megjithatë ngjashmëria nuk ka të bëjë me thelbin e saj. Analiza e kryengritjes në Kosovë, duhet bërë mbi bazën e njohjes së veçorive konkrete të shpërthimit të kësaj kryengritje, mbi bazën e njohjes së historisë së coptimit të trojeve shqiptare, mbi bazën e analizës së pajtueshmërisë dhe rivaliteteve ndërkombëtare. Lufta që bën Ushtria çlirimtare në Kosovë është luftë me karakter të theksuar antifashist. Përkrahja apo mos përkrahja ndaj Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, në fund të fundit do të thotë përkrahje apo mos përkrahje e antifashizmit shqiptar, ndërsa përkrahja apo mos përkrahja e regjimit të Beogradit, do të thotë përkrahje apo mos përkrahje e fashizmit sërb.