Korçë-“ E vrava fëmijën për t’u hakmarrë ndaj xhaxhait të tij. Kisha sakrifikuar shumë për të, kurse ai më tradhtonte me gra të tjera. Ato ditë iku me një femër në Greqi dhe isha shumë e nervozuar”,-kështu ka deklaruar Liljana Mulliri, 40-vjeçarja nga Vidohova, krimin e saj të tmerrshëm. Fare e qetë, aq sa i ka çuditur hetuesit, nëna e tre fëmijëve, ka treguar si e futi fëmijën në dyqanin e saj dhe si e bëri copa-copa me sëpatë. Një rrëfim i llahtarshëm që ka nxjerrë në shesh edhe diçka tjetër: xhaxhai i të voglit e kishte marrë vesh vrasjen që të nesërmen e krimit. Të paktën sipas Liljanës.
Zbulimi
Policia e Korçës ka zbardhur krimin e rëndë të rrëmbimit dhe mandej ekzekutimit të djalit 7-vjeçar Alberto Xhihani në fshatinVidohovë të rrethit të Devollit, më 4 shtator 2003. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Korçës Shemsi Prençi, autore e tij është Liljana Mulliri, 40 vjeç, e martuar e me tre fëmijë, banore e fshatit Vidohovë. Ajo është shoqëruar në polici në mbrëmjen e 29 nëntorit dhe rreth orës 03.00, duke u gdhirë dita e djeshme, ka pranuar autorësinë e krimit. Menjëherë, nga ekspertët kriminalë dhe grupi i hetimit, është siguruar prova me filmim dhe incizimin e dëshmisë së saj, dhe mandej është arrestuar nën akuzën e “rrëmbimit e të vrasjes në kushte të tjera cilësuese”. Për kryerjen e këtij krimi, sipas hetimeve të para, ka qenë në dijeni fill pas ngjarjes xhaxhai i fëmijës, Gentian Xhihani, 27 vjeç, banor i fshatit Vidohovë, i cili është arrestuar nën akuzën e “moskallëzimit të krimit dhe përkrahjes së autores së ngjarjes”.
Gjithçka është qartësuar për median lokale dhe qendrore në një konferencë për shtyp të organizuar nga drejtori i Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Korçës, Shemsi Prençi, organizuar dje në orët e para të ditës. Zbardhja e këtij krimi, sipas tij, u krye për tre ditë, pas një pune intensive të specialistëve të policisë kriminale pranë drejtorisë dhe komisariatit të policisë të rrethit të Devollit.
Gjithçka për zbardhjen e kësaj ngjarjeje filloi me gjetjen e eshtrave të një fëmije të mitur në pusin e shtëpisë së Fatmir Bejollit, nga një grua që po mbushte ujë për bagëtinë. Kjo shtëpi përdorej prej saj për mbajtjen e bagëtive. Sipas Prençit, brenda dy thasëve, ishin gjetur, veç eshtrave edhe disa veshje fëmije. Rrobat e gjetura iu treguan familjarëve të Albertit, të cilët pohuan se ato ishin veshjet që kishte pasur atë ditë në trup fëmija. Në fillim grupi i ekspertëve dhe i hetimit ka bërë rindërtimin e skeletit kockor. U vu re se skeleti ishte dëmtuar me sende të mprehta, çka dëshmonte se fëmija ishte ekzekutuar barbarisht. Autorja e krimit e kishte prerë në disa copa dhe e kishte paketuar në dy thasë që, pas ngjarjes kishin përfunduar në thellësi të pusit.
Menjëherë policia filloi hetimet duke përqendruar gjithë vëmendjen tek ata persona që kishin pasur dijeni rreth lëvizjeve që kishte kryer Alberti në 4 shtator 2003. Ishin dëshmitë e bashkëmoshatarëve Ardi Liçi dhe Edelvan Mulliri që fiksuan momentin e fundit të shkëputjes së Albertit, djalit 7 -vjeçar, tek lokali i shtetases Liljana Mulliri. Më pas, nuk dihej fati i tij. Ky ishte momenti ku intensifikoi punën e vet grupi i hetimit. Policia mundi të zbulonte lidhjet dashurore që kishte pasur Liljana me xhaxhanë e Albertit, Gentianin, 27-vjeçar, marrëdhënie që mund të kishin shërbyer si shkak për një hakmarrje të gruas ndaj të dashurit të saj. U zbulua se xhaxhai i djalit , një person me figurë jo të mirë morale, prej më se 5 vjetësh ka pasur lidhje dashurie me Liljanën. Njëkohësisht ai kishte lidhje intime me vajzën e motrës së saj dhe mbante lidhje intime e u premtonte martesë edhe dy vajzave të tjera, motra me njëra-tjetrën. Disa ditë para vrasjes, Gentiani shkëputi lidhjet me Liljanën për t’u martuar me një të tretë. Xhelozia dhe hakmarrja e nënës me tre fëmijë bëri që ajo të humbasë arsyen dhe të masakrojë vogëlushin, pasi e kishte gënjyer dhe e kishte futur brenda në dyqanin e saj. Më pas i vogli nuk u duk më askund.
Rrëfimi
“Atë ditë, më 4 shtator isha shumë e nervozuar.” Kështu ka nisur rrëfimin për policinë gruaja 40-vjeçare. Mandej ajo ka shtuar se shkak i gjendjes së saj ishte se Gentiani, (i dashuri i saj 27-vjeçar, ajo ishte grua e martuar dhe nënë e tre djemve të rritur) kishte shkuar në Greqi me një femër tjetër. “Këtë gjë unë nuk mund ta duroja. Kisha bërë shumë për të, kisha sakrifikuar vite me radhë dhe si shpërblim ai vazhdimisht më kishte tradhtuar. E kisha paralajmëruar se do të hakmerresha”, -është shprehur ajo para hetuesve. Pikërisht në këtë çast kishte parë nipin e Gentianit, Albertin 7-vjeçar, që luante tek oborri i shkollës dhe i shkoi mendja për t’u hakmarrë mbi të. “Ishte ora 11.00 kur e futa Albertin në dyqan. Ashtu siç isha e nervozuar, e qëllova me një lugë të madhe (garuzhdë) prapa kokës dhe ai ra përdhe pa ndjenja. Mandej e futa tek vendi ku mbaja drutë e zjarrit dhe rrëmbeva sopatën”.
E qetë, Mulliri ka pohuar se, pa u siguruar nëse djali kishte vdekur apo kishte humbur vetëm ndjenjat, ka vazhduar masakrën e saj. Me sopatë, siç është shprehur vetë, i ka prerë në fillim kokën, pastaj krahët dhe më pas këmbët. Për të mos u diktuar nga burri dhe fëmijët ka nxituar që ta paketojë. E ka futur së bashku me veshjet në dy thasë prej plasmasi, të cilët i ka lidhur dhe i ka maskuar në mes të tallashit.
Në mesnatë ajo është larguar nga dyqani ku kishte punuar deri atëhere për të zhdukur kufomën e djalit të vrarë. Dy thasët i ka vendosur në një karrocë dore dhe i ka mbuluar me tallash. Duke përfituar nga errësira e natës dhe mungesa e lëvizjeve në fshat, ka mundur të hyjë në banesën pranë dyqanit, ku nuk banonte njeri dhe i është afruar pusit. Pasi i ka hedhur dy thasët brenda në pus është larguar për të mos u kthyer më tek vendi ku mendoi se zhduku provat e masakrës së saj.
E pyetur nga ekspertët në se e dinte Gentiani fatin e djalit, Liljana ka pohuar se ai e dinte që ditën e dytë, pasi ajo i kishte vrarë dhe zhdukur të nipin.
Autorja e krimit, që në moshë të vogël, për rreth 25 vjet ka qënë e martuar me Xhevahir Mullirin, një banor nga Vidohova. Burri, sipas bashkëfshatarëve, është një njeri i ndershëm, mjeshtër ndërtimi dhe shumë punëtor. Ai e kishte kuptuar që gruaja e tij kishte lidhje dashurore me Gentianin dhe shumë herë i kishte kërkuar të hiqte dorë, por nuk ia kishte arritur qëllimit. Gjatë kësaj martese kanë lindur edhe tre djem. Sipas policisë, djemtë e tyre janë të sjellshëm dhe pa asnjë problem me drejtësinë. Sipas dëshmive të të njohurve, Liljana ka abuzuar me martesën e saj, duke patur vazhdimisht një moral të shthurur. Gjatë gjithë jetës ka mbivlerësuar tek vetja bukurinë dhe mençurinë që, sipas saj, i kishte me shumicë.
Telefonata
Kur i tregova Gentianit për nipin…
Ditën tjetër, në 5 shtator 2003, rreth orës 12.00, Gentiani që kishte marrë vesh zhdukjen e Albertos, i ka telefonuar nga Greqia Lilianës dhe sipas kësaj të fundit, e ka pyetur: “Ti e ke djalin?”. Liljana gjakftohtë i është përgjigjur: ”Po unë e kam, po ta mbaj me çokollata, hajde ta marrësh!” Të dy kanë lënë orën e takimit kur Gentiani do të shkonte të merrte të nipin. “Në orën 3.00 (15.00), Gentiani, pasi kaloi kufirin, më erdhi në takim dhe kërkoi të mësonte se ku e kisha djalin. “E kam!”- i thashë dhe të dy hymë në plevicë. Pasi kryem marrëdhënie seksuale, më kërkoi të merrte djalin, por unë i thashë se e kisha vrarë dhe e kisha fshehur. “Vetëm hëna e di se ku është nipi yt, në fund të një pusi e kam hedhur dhe kurrë nuk do ta gjeni trupin e tij”-,i tregova. Gentiani më dëgjoi shumë mirë dhe më pyeti se pse e kisha bërë këtë gjë. “E vrava,-iu përgjigja,-sepse ti vazhdimisht më ke tradhtuar. Ke shkuar me shumë gra të fshatit dhe ca ditë më parë shkove me një grua tjetër të martoheshe në Greqi. Unë nuk mund të duroja dot këtë gjë dhe u hakmora duke ta vrarë nipin”.
Gjatë rrëfimit të Liljanës, sipas hetuesve, bënte përshtypje qetësia me të cilën tregonte. Nisur nga rrjedhshmëria në tregimin e krimit, nuk munguan dyshimet se ajo e kishte mësuar përmendësh atë që duhej të deklaronte. Një krim aq makabër, i kryer në momente të një nervozizmi të fortë, siç u shpreh vetë 40-vjeçarja, dhe i treguar me aq qetësi, të krijonte përshtypjen se krimin e ka kryer dikush tjetër apo se pas saj mund të fshihet edhe ndonjë bashkëpunëtor tjetër në këtë krim. Gjithsesi hetimet vazhdojnë dhe e nesërmja mund të sjellë edhe ndonjë të papritur”,-deklaruan dje hetuesit.
Krijoni Kontakt