PËRBALLË NESH, ATYRE DHE VETES
Në një vend, ku çudia nuk është e çuditshme, ku çdo e pamundur është e mundur, aty ku asgjëja është gjithçka, aty ku thjeshtësia ngrihet në piedestal të ndërlikueshmërisë, aty edhe ekzistenca rrezikon të jetë e paekzistueshme. Aty edhe ëndrrat ëndërrohen.
Për çfarë jeton individi. Vetëm që t’i tregoj dikujt se ka jetuar, se edhe ai, si gjithë të tjerët, ka parë, ka folur e ka dëgjuar. A duhet të ketë një qëllim dhe ai të jetë shtytës i veprimeve të çfarëdoshme, qoftë edhe i të jetuarit? A duhet individi, patjetër, ta realizojë atë qëllim? Po qe se jo, rrezikon të mos quhet individ dhe pjesë e shoqërisë. Po pasojat kush i bartë? Ndikon shoqëria apo teket individuale në zhvillimin e jetës normale? Sa është e vështirë kjo normale në këtë anormalitet kohor?
Pyetje e dilema të tilla përcjellin njeriun në çdo minutë të jetës së tij. Si ta ndryshojmë realen, si t’i tejkalojmë sfidat, shpesh të ndërtuara nga vetë ne, kush janë ata që përpiqen të ndryshojnë çdo gjë, si të bëhemi ne të pakalueshëm dhe të mbrojtur nga këto synime destruktive? Pse dhe ku jetojmë? A duhet që më në fund ta kuptojmë se ne jetojmë në një vend ku çudia nuk është e çuditshme, ku çdo e pamundur është e mundur, aty ku asgjëja është gjithçka, aty ku thjeshtësia ngrihet në piedestal të ndërlikueshmërisë, aty ku edhe ekzistenca rrezikon të jetë e paekzistueshme, aty edhe ëndrrat ëndërrohen?
Ndarja klasore e shoqërisë është bërë nga të ashtuquajturit “individë”. Kush më pak e, kush më shumë, i kanë veshur vetes kostumin e prestigjit. Të “ndërgjegjshmit” kanë mbetur duarbosh. “Pjesa tjetër” e shoqërisë ka monopolin veprues. Synimi i tyre bartë kuptimin e të qenit individ dhe, ky synim, realizohet në shkallë, kohë dhe në mënyra të ndryshme. Kjo pjesë e (pa)moralshme e shoqërisë, fshihet pas petkave të moralit. Tek ata personalja mund kolektiven.
Ata meditojnë e mendojnë se qielli preket me një fluturim të afërt, se çdo gjë që shihet, duhet të preket dhe t’i humbet njomësia, që ato, që s’u takojnë, duhet patjetër t’i kenë, që ato, që s’mund t’i arrijnë, duhet doemos t’i përvetësojnë. Po, për çfarë i duhen!? Për asgjë! Vetëm të shënojnë një ngjarje, një histori më shumë në biografinë e tyre? Po çfarë, në të vërtetë, janë këta njerëz? Me një fjalë: EGOISTË, që si armë të fortë kanë mashtrimin. Tragjedia e dikujt, është arsyetimi i tyre i vetëm, se janë të ndjeshëm, bile edhe atëherë kur ata janë vetë autorë. E mira tek ata shfrytëzohet, që të tregohet e keqja. Ata, ndodhinë e flasin dhe e përflasin me ditë e muaj të tërë. Edhe atëherë kur s’ka për çka të flitet, flitet për të folurat. Tek ata, të parat gjëra nuk mbesin kurrë të parat dhe se interesimi për diçka humbet, pasi ta njohin atë. Kërkimi, synimi i tyre, thyen çdo normë etike. Ata janë bërë “miza zukathëse” mbi kokat tona. Toka është ngopur me “dallaveret” e tyre, me ideologjinë që e kanë “muzë” të të arriturave. Po ku janë ata, mund të pyes kushdo.
Njerëz të tillë i ndeshim kudo, në rrugë, në punë, në kafene, besa edhe në shtëpi. Çfarë janë këta? Pengues apo shtytës të jetës (a)normale? Apo vetë jeta jonë është një kaos dhe se pas saj fshihet një version tjetër i historisë. Këtë version askush nuk do që ta dijë, por që për fat e jetojmë të gjithë. Ku mbeten “të ndërgjegjshmit”, çfarë roli kanë në këtë “shoqëri të shthurur”. Kujt i bie ndërmend për ata. Kur bëhen personazhe të ndonjë ndodhie! Vetëm atëherë qëllon fati, të jenë të rëndësishëm. Impotenca, mosdija, zemërgjerësia dhe shumë herë patriotizmi i “të ndërgjegjshmëve” është fryt pune për “pjesën tjetër”.
Kush janë ata, kthehemi prapë tek dilema e nisjes. Është vet njerëzimi, shoqëria, individi, ndoshta edhe vetë ne. Ku e ka fillimin ky civilizim, i kthyer në kahe të kundërta. Kur do të ndalet, apo kurrë. Çfarë është roli ynë në këtë drejtim? Ku do shkojmë apo gjithnjë do të ecim në të njëjtin fat të historisë. Në këtë kohë, ku e mundshmja e arsyeshme është më pak interesante se synimi abstrakt, në atë kohë interesantja bartë kuptimin e të parëndësishmes, po në të njëjtën kohë, sillet vërdallë dilema, të jesh a të mos jesh. Ku jemi ne? Aty ku njerëzimi zhurmon në qetësi, aty jeta jonë zhvillohet në dy faqe… realen dhe imagjinaren… cilës i takojmë? Dilema, dilema...
A duhet një mrekulli qiellore t’i stopojë e ta ndryshoj jetën tonë? E dimë se jeta s’ndalet, ecën? Ne mbetemi vetëm kalimtarë. A ka fund. Ndoshta aty ku i japim vetë ne. Ndoshta aty ku jeta jonë copëtohet nga furia e gënjeshtrave, aty ku rinisin dilemat… Të jesh a të mos jesh!?
DONJETA GASHI
Krijoni Kontakt