Mospërdorimi i shanseve të pushtetit nga PD
Mero Baze
Tendenca e ekzagjeruar drejt njerëzve të vetëshpallur teknicienë dhe të ardhur nga jashtë, po i krijon Partisë Demokratike dy rreziqe kryesore. Rreziku i parë është mospërdorimi i shansit të pushtetit për të formuar një elitë politike në PD dhe rreziku i dytë është dështimi i politikave qeverisëse nga njerëz, të cilët nuk janë përgjegjës dhe nuk janë pasur parasysh nga elektorati shqiptar kur ka votuar për PD-në.
Duke mos dashur ta ndjell rrezikun e dytë, për të cilin ka plot shenja, duhet të përqendrohem tek rreziku, që vjen nga sterilizimi i administratës së lartë prej njerëzve politikë. Në politikën e PD-së në opozitë, disa ish-këshilltarë të hershëm të zotit Berisha, u bënë figura kryesore në PD, për shkak se kishin pasur fatin të punonin afër ish-Presidentit. Ky fat, i kombinuar më tej me aftësinë e tyre, për të marrë një qëndrim politik, në të vërtetë ishte gati pasuria e vetme politike që PD-ja kishte pas vitit 1997. Genc Pollo, Fatos Beja, Ilir Rusmali, Fatos Harizi, Ylli Panariti, Linda Ihsani, Mimoza Vokshi dhe ndonjë tjetër, në të vërtetë u llogaritën si kapitale politike për Partinë Demokratike. E njëjta gjë nuk mund të thuhet tani me shumë shpresë për ekipin e këshilltarëve të zotit Berisha, ku përveç disa përjashtimeve siç është rasti i Arben Imamit, Myqyrem Tafaj apo dikujt tjetër, nuk ka asnjë shenjë se ata kanë një vetëdije politike për ushtrimin e pushtetit në emër të shumicës që përfaqësojnë dhe për evoluimin e saj në të ardhmen. Po ti shtoj kësaj prirjeje teknike të këtij ekipi edhe rekomandimet, shpesh donkishoteske, në të cilën ata po fusin reformën administrative, dyshoj shumë se mund të gjendemi përballë një mungese perspektive për të krijuar një elitë politike si pasuri e PD-së nga kjo garniturë pushteti. Triumfi më të cilin administrata e Sali Berishës dhe vetë kryeministri njoftoi për shkurtimet e shpenzimeve administrative prej dy ose treqind mijë dollarësh, është një favor i papërfillshëm që i bëhet buxhetit të shtetit, por një pikëpyetje e madhe që i vihet eficencës së administratës dhe një pamundësi për promovimin e burimeve njerëzore të PD-së në pushtet. Dhe pikërisht ky staf këshilltarësh, që ndihen komodë larg njerëzve politikë të PD-së, dhe ky kryeministër, që premtoi se në 100 ditë do të hidhnin bazat ligjore të reformës, në të vërtetë, përveçse kanë kaluar një ligj të rëndësishëm, siç është ai i paketës fiskale, kanë bërë vetëm konferenca shtypi, propagandë dhe ende jo një organigramë përfundimtare të qeverisë së re. Në shumicën e dikastereve mbijetojnë drejtorë të dubluar ose, në raste fatlume si Ministria e Drejtësisë, mbijeton administrata e vjetër. Ndryshimet janë aq shumë të ngadalta, sa duket se ministrat janë të frenuar, ose të pamotivuar të veprojnë personalisht.
Mospërdorimi i shanseve të pushtetit për të prodhuar një elitë të re politike për PD-në, po shkon në drejtim të kundërt me përpjekjet maksimale që vetë Berisha ka bërë në opozitë për të krijuar një ekip politik afër tij. Pavarësisht sa ia arriti, të gjithë e justifikonin faktin se në opozitë e ke të vështirë ti ofrosh politikës vlera të reja. Tashmë që PD-ja është në pushtet, ajo në të vërtetë po e përdor fare pak shansin për të promovuar politikisht figura të saj. Teprimi me emërimet e katapultuara në postet kyçe me impakt publik, me njerëz të cilët më 3 Korrik nuk kanë votuar për PD-në, shumica nga fakti se nuk kanë marrë pjesë në votimet shqiptare dhe kanë dëgjuar prej tyre në televizion, mund të jenë një kosto shumë e madhe politike për të. Hipotekat, Telekomi, KESH, Policia, Patentat, Pensionet, Sigurimet e gjithçka tjetër, që është një kontakt i drejtpërdrejtë me qytetarët, jo vetëm që nuk kanë ndryshuar, por kanë krijuar një kolaps në raportet me njerëzit, pasi as janë vendosur norma të reja komunikimi, as janë spastruar linjat e vjetra të korrupsionit. Në Hipotekë, për shembull, është më zi se çka qenë më parë, pasi tani duhet mik për të gjetur edhe sekserët që ti bëjnë punët me para, se kanë frikë të rrinë sheshit. Në KESH, po ashtu, vazhdojnë të shëtisin ata faturistët, hajdutë të neveritshëm, që bëjnë ligjin mbi qytetarët dhe i përdhunojnë ata me aforfetë e tyre. Në Polici të dalin para sysh orë e çast, policë bazhibozukë, nga ata që kanë vjedhur vota dhe kanë bërë represione politike, ndërsa policët e hequr politikisht prej punës, nuk kanë një adresim të qartë për tu ri-integruar. Emërimet nuk kanë as sens politik, as profesional, por më shumë personal. Ndaj shumë operatorëve privatë në fushën e telekomunikacionit, të cilët janë favorizuar duke bashkëvjedhur me Telekomin, nuk është ndërmarrë asnjë nismë bllokuese, ndërsa gara nuk është hapur për ata që duan të konkurrojnë. E vërteta është se impakti publik i qeverisjes së re nuk ndihet, jo vetëm për shkak të errësirës së provokuar nga kriza energjitike, por edhe nga mungesa e marrëdhënieve publike të qeverisë. Dhe marrëdhëniet publike nuk janë çështje ekspertësh. Ato, në radhë të parë, janë çështje të vullnetit politik të njerëzve në pushtet. Nëse njerëzit në pushtet nuk kanë vullnet të mbrojnë atë që bëjnë, apo të shpjegojnë atë që duan të bëjnë, nuk ka kompani lobingu në botë të të nxjerrë nga balta. Këshilltarët e Berishës punojnë me honorare nëpër gazeta, duke shkruar mendimet e tyre dhe duke e bërë edhe më lëmsh politikën e qeverisë, pasi nuk kuptohet nëse ato që ata broçkullisin, janë mendime të tyre, apo të qeverisë. Shumica e administratës së lartë nuk e ka këtë vullnet, pasi nuk vjen nga politika dhe nga kostot politike. I vetmi ministër që shkëlqen në marrëdhëniet publike të qeverisë, është ministri që duhet të menaxhojë errësirën, jo për faj të tij, Genc Ruli. Ai ka arritur të mbajë peshën e një debati, të cilin qytetarët e dëgjojnë zemërdridhur dhe ka mundur të jetë i besueshëm në pamundësinë e kësaj qeverie për të bërë më shumë se kaq për krizën energjitike. Sikur, fjala vjen, në vend të tij të ishte Aldo Bumçi, ne mund të dëgjonim tani lavdërime për paraardhësin që na la pa drita.
Mospërdorimi i shanseve për të kualifikuar një elitë politike qeverisëse, të kombinuar me ekspertë, do të rrezikojë, në çdo kolaps të pritshëm, integritetin politik të PD-së. Në vend që administrata e lartë të ishte një shans për të trajnuar menaxherët politikë të ish-opozitës, është kthyer në një shans për njerëz teknikë të ardhur nga kanë mundur, të cilët kanë bezdi dhe ndonjë të ri emëruar nga PD-ja, që përfundon aksidentalisht mes tyre.
Nuk dua të ndalem te rreziku i dytë, tek mungesa e përgjegjësisë politike për dështimet. Shpresoj që dështimi të mos ndodhë, pasi do të jetë dështimi i vetëm në botë, për të cilin, partia e cila ka fituar, nuk është përgjegjëse, pasi nuk është në pushtet.
Krijoni Kontakt