Burg dy shqiptarëve, trafikuan klandestinë
-------------------------------------------------------------------------------
ANGLI - Gjykata londineze ka dënuar me 14 vjet burg një grup trafikantësh shqiptaro-italianë, të cilët transportonin brenda dhe jashtë Britanisë së Madhe emigrantë ilegalë, në mes të të cilëve dhe tre vrasës. Urim Gashi nga Kukësi dhe Petrit Muka nga Fieri, kapot e rrjetit të trafikut klandestin, si dhe dy bashkëpunëtorët e tyre italianë, Sante Columpsi e Eugenio Principe, u arrestuan gjashtë muaj më parë gjatë operacionit të koduar “Maxim”. Dy shqiptarët u dënuan me nga 3.5 vjet heqje lirie, kurse dy italianët me nga 2.5 vjet burg. Në përfundim të procesit, gjykatësi i çështjes i ka rekomanduar Home Office dëbimin e dy shqiptarëve nga Anglia në përfundim të dënimit.
Përfaqësues të policisë londineze kanë deklaruar, se Gashi dhe Muka në bashkëpunim me dy italianët, kanë trafikuar disa emigrantë ilegalë. Dy kapot shqiptarë të grupit i paguanin Sante Columpsit dhe Eugenio Principe nga një mijë euro për çdo person që ata do të kalonin me kamionët e tyre brenda ose jashtë Anglisë. Ndërkohë, Urim Gashi dhe Petrit Muka fitonin nga 3 mijë deri në 5 mijë euro për çdo person që mbërrinte në portin e Doverit. Sipas policisë londineze, të gjithë personat e trafikuar ishin shqiptarë. Të katër trafikantët kanë pranuar akuzën që iu është atashuar nga prokurorët londinezë. mu.ve
Gazera shqiptare
Nentor 26, 2005
Krijoni Kontakt