Anan zgjedh ish-presidentin finlandez si kryenegociator
Marti Ahtisari në krye të bisedimeve Kosovë-Serbi
Këshilli i Sigurimit ka emëruar ish presidentin finlandez, Marti Ahtisari si të dërguar të posaçëm për udhëheqjen e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Emërimit i ka paraprirë një letër të cilën Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan i ka dërguar Këshillit të Sigurimit duke kërkuar emërimin e zotit Ahtisari. Ish presidenti finlandez, Martti Ahtisaari shquhet për rolin e tij në dhënien fund të të konfiktit në Kosovë në qershor të vitit 1999, pasi ishte emëruar si i dërguar i posaçëm i BE-së. Ai bashkë me të dërguarin e posaçëm rus, Viktor Çernomirdin ndikuan që Millosheviqi ta pranojë marrëveshjen paqësore për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. Një dokument me 12 kërkesa të G8 që zoti Ahtisari ia paraqiti ish presidentit serb, Slobodan Millosheviq duke i kërkuar ta pranonte pa kushte, i dha fund pranisë së forcave ushtarake dhe policore në Kosovë. Burns drejton takimin e Grupit të Kontaktit
Zyra e shtypit në Departamentin Amerikan të Shtetit ka njoftuar se nënsekretari i shtetit, Nicholas Burns do të përfaqësojë SHBA-të në takimin e Grupit të Kontaktit. Por nuk është njoftuar akoma emri i negociatorit amerikan për bisedime që do të fillojnë pas takimit të nesërm të Grupit të Kontaktit. Grupi i Kontaktit që përbëhet nga SHBA, Britania e Madhe, Franca, Italia, Gjermania dhe Rusia. Muajin e kaluar, zoti Burns vizitoi Prishtinën dhe pas takimeve me zyrtarë të lartë të Kosovës dhe me shefin e misionit të OKB-së, Soren Petersen deklaroi se qëndrimi i administratës amerikane është se në Kosovë nuk duhet të vazhdojë status quo-ja dhe se njerëzit ne Kosovë duhet të përcaktojnë të ardhmen e tyre.
Krijoni Kontakt