Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Themelimi, ndërtimi dhe zhvillimi ndër vite i kryeqytetit të Shqipërisë

    Themelimi, ndërtimi dhe zhvillimi ndër vite i kryeqytetit të Shqipërisë

    Historia e Tiranës, në foto të rralla


    Agim Faja


    Në shtator të vitit 1996, i ftuar nga Arben Shira, një ish-nxënësi im tashmë emigrant, piktor me emër të mirë dhe konsiderata të veçanta në Fasano, bashkë me gruan time, Durrijen, shkuam për një vizitë në Itali. Brenda harkut kohor të një muaji, pamë dhe vizituam shumë qytete të mahnitshme, qendra kulturore dhe galeri me vepra arti të përmasave botërore për të cilat kishim dëgjuar, kishim lexuar apo i kishim parë në riprodhime dhe emisione televizivë. Për gjysmë shekulli mbyllje hermetike, asnjëherë nuk na kishte shkuar ndërmend, se mund t’i shkelnim me këmbë ato vende apo t’i preknim me duar ato mrekulli.
    Natyrisht, këtu nuk do të shkruaj për ato që pamë, se nuk është vendi, por për një fakt që më ka bërë shumë përshtypje. Kjo ndodhi në Bastija të Umbrias, ku bashkë me Benin kishim shkuar për një vizitë tek Edi, baxhanaku i tij. Që andej do të shkonim në Firence, Peruxhia e Romë. Atë mëngjes që do të niseshim për në Romë, pronari i pallatit ku banonte Edi me familjen, erdhi për të pirë një kafe me ne dhe kur mori vesh se po bëheshim gati për të udhëtuar drejt kryeqytetit italian, tha më një farë habie dhe ironie bashkë: “Interesant vini ju prej Shqipërie, për të parë Romën, ndërkohë që unë akoma nuk e kam parë. Jam 75 vjeç dhe ja ku e kam, shumë afër”.
    Të them të vërtetën mbeta si i shtangur. Nuk e merrja me mend se si mund të ndodhte një gjë e tillë. O zot si mund të vdesësh pa parë kryeqytetin e vendit tënd, veçanërisht Romën, djepin e rilindjes, vendin e artit dhe të kulturës, me vlera botërore, kryeqendrën e Perandorisë Romake? Dhe e thua këtë muhabet a thua e kishim ne fajin.



    Nëpër faqet e historisë

    Ma do mendja se nuk ka shqiptar, as në zonën më të thellë të vendit, që të mos e ketë parë Tiranën. Dhe e kam fjalën për të moshuar, pa për fëmijët... as që diskutohet, pasi ata e kanë parë me ekskursionet që organizojnë shkollat, në zbatim të programeve mësimore. Unë për vete Tiranën e kam parë në vitin 1948, kur isha vetëm 9 vjeç. Ai qe kontakti i parë fizik me kryeqytetin, pasi Tiranën e kisha parë vite të shkuara, nëpër fotografi që i blija nëpër dyqanet e Bakajve në Shijak dhe Durrës, dhe i shihja në librat e tim eti, që ishte mësues. I ruaj dhe sot ato fotografi, kryesisht me ngjyra, me lustër dhe mat, të foto Balit, të institucionit gjeografik “De Agostini-Novara”, të Italisë, të Foto Stampa “Angeli Terni” të stabilimentit “Dalle Nogare e Armeti- Milano” etj, ku dukeshin pamje të Tiranës në fillim të shekullit të njëzet, si xhamia e Et`hem Beut dhe kulla e Sahatit, pazari i vjetër, sheshi i madh me rotondo betoni, xhamia e Karapicëve, tyrbja e Kapllan Pashës,.....pallati “Vllazën Kaceli”, etj. Në printime të tjera, të Vesim Kokalarit, stampuar në Torino, kisha parë fotografi kostumesh popullore të Tiranës, sidomos të grave të veshur me dimiq – mermeti të bardhë, me jelek të kuq, të qëndisur me fije ari, bluzën, këmbësorët, hilallikun dhe brezin poshtë tyre, shkruhej: “Costume di Tirana”, ndërsa në mes: “Ricordod’Albania” ( kujtim nga Shqipëria). Kur do të shkoja nxënës në liceun artistik “Jordan Misja” më 1954, Tirana do të ishte tashmë një ëndërr e realizuar dhe unë gjatë tërë viteve dhe gjatë studimeve të larta do të isha banor i saj, do ta njihja më me hollësi jetën e historinë e saj. Pa dashur të përsëris çka kam shkruar në “Gazeta Shqiptare” në vitin 2001,(Tirana, përse e dëshirojnë kaq shumë të gjithë), duke lexuar e studiuar vëllime të ndryshme historike të bëra enkas për Tiranën dhe monumentet kulturore të saj do të mësoja se si datë e themelimit të qytetit merret viti 1614 ku nën kujdesin e Sulejman Pashë Bargjinit, në vendin ku sot është monumenti i “partizanit”, u ngrit bërthama e parë e qytetit të ardhshëm me një bërthamë, një hamam, një furrë e disa dyqane. Nga mesi i shek XVII mori një hov zhvillimi me pazarin ku zejtarët punonin mëndafsh, pëlhurat e pambukut, lëkurat, qeramikën, metalet, argjendin etj. Lagjja e parë qe ajo e Bamit, më vonë ajo e “ Mujos” dhe më 1789-ën nisi të ndërtohej xhamia e Ethem Beut. Nga një studim tjetër, do të mësoja se sipas përshkrimit që ndodhej në portretin e brendshëm të xhamisë, mendohej që ndërtimi i saj kishte filluar që më 1784 dhe bëhej me shpenzimet e Molla Beut, i cili ishte stërnip nga vija femërore e themeluesit të Tiranës, Sulejman Bargjinit. Molla Beu arriti të ndërtonte vetëm trupin e xhamisë (mesxhiden) së bashku me kupolën e saj. Atë e përfundoi i biri i tij, Haxhi Ethemi, i cili më 1821 ngriti minaren, ndërtoi portikun, plotësoi çatinë, ndërmori dekoracionet dhe më 1823, pikërisht dy vjet më vonë përfundoi pikturat e portikut. Të frymëzuar nga një ambicie e lartë e artistike, ndërtuesit e saj arritën që më këtë faltore t’ia kalonin të gjitha të tjerave të ndërtuara na Tiranë para dhe pas saj. Në të vërtetë për nga hijeshia, niveli arkitektonik dhe nga raporti i drejtë i përmbajtjes së formës, xhamia e Ethem Beut ose Haxhi Ethemit renditet pranë monumenteve më të bukura arkitekturale të kësaj gjinie që ruhen në Gadishullin Ballkanik dhe numërohet e pesta faltore islamike me minaret që u ndërtua në Tiranë. Po për xhaminë e Haxhi Ethem Beut do të lexoja se në pikturimin e jashtëm të saj paraqiteshin peizazhe që tregojnë pamje të Stambollit dhe të grykës së Bosforit. Ky pikturim është mjaft interesant dhe unik në botën islamike, e padyshim këtu ka punuar dora e një piktori të ndikuar nga arti perëndimor. Kjo xhami me ndërtim masiv, minaret elegante e të zhdërvjellëta e me dekorim të pasur brenda dhe jashtë shquhet edhe për kapitelet karakteristike të pesëmbëdhjetë shtyllave të sofasë, secila me zbukurime të ndryshme. Do të mësoja se më 1830 u ngrit Kulla e Sahatit, 36 metra e lartë dhe pas Tiranës u zhvillua Kruja prej pushtimit turk. Në kohën e atij pushtimi ishte ndarë nëpër bejlerë të ndryshëm që herë lidheshin me krushqira e herë luftonin midis tyre për të pushtuar pronat e njëri-tjetrit. Për zotërimin e Tiranës, kishte pasur grindje midis feudalëve të Tiranës dhe të Toptanëve të Krujës dhe në shek. XIX pushtetin e morën në duar këta të fundit. Kujtoj këtu historinë e martesave të katër djemve të Kapllan Pashë Toptanit me katër vajzat e Ahmet Myftar Beut që ndërtoi kalanë, e cila konsiderohet simbol i vjetër i Tiranës. Që në kohën e tij filluan ardhjet e atyre që do të bëheshin banorë të Tiranës. Do të ndërtonin shtëpi të reja dhe do të formonin lagjet e para të vogla të Tiranës, mëhallat. Do të mësoja se më 1889, nisi të jepej në shkollat e Tiranës mësimi i gjuhës shqipe. Më 1908 u themelua klubi patriotik “Bashkimi” ndërsa më 26 nëntor 1912; në marrëveshje me Ismail Qemalin u ngrit flamuri kombëtar; gjatë luftës ballkanike u pushtua përkohësisht nga ushtritë serbe, mori pjesë në kryengritjen e fshatrave të udhëhequr nga Haxhi Qemali më 1914-1915; më 1920 u shpall kryeqyteti i vendit; më 1924 qendër e revolucionit të qershorit të kryesuar nga Fan S. Noli dhe më 1928 kryeqyteti i mbretërisë shqiptare. Nga dëshira për të ditur sa më shumë për Tiranën do të mësoja se megjithëse viti 1940 konsiderohet si vitit i ndërtimit të Kalasë së Tiranës, hamendësimet thonë se i takon një periudhe më të përtejme, mbase bizantine dhe se ndërtuesi i saj, Ahmet Beu, e bëri për të rrethuar kullën e gjatë që kishte brenda saj, selamllëkun (ambejtin për miq) dhe haremllëkun (ambientin për familjarë). Do të lexoja dhe një shkrim interesant të çifutit Jaseph Roth, botuar që në vitin 1927 ku ai nënvizonte se tiranasit i donin shumë trëndafilat dhe muzikën. Shëtisnin me trëndafila në gojë dhe i mbanin për zbukurim në sythat e kopsave. Pjesa më e madhe e tyre kishin qenë në Amerikë dhe atje u kishin bërë dhëmbëve mbushje më florinj si dhe instrument kodofonë. Ata këndonin këngën e banorëve për të dëftuar se kishin parë botën e madhe për të nxjerrë nostalgjinë për Amerikën, të cilën e kishin lënë nga malli për Tiranën. Kjo, sepse Tirana ishte një qytet i qetë, se tiranasit rrinin orë të tëra përpara dyqaneve të tyre ku jehonin tinguj muzikorë të qemaneve, klarinetave, mandolinave e dajreve. Kur pushonin ato do të dëgjoheshin gjelat që këndonin, çekanët e farkëtarëve dhe thirrjet e myezinëve nëpër minaret e xhamive. Shtëpitë e tiranasve, ndërtuar më stil oriental, kopshte të bukura ku mbilleshin zarzavate e pemë frutore dhe kultivonin të gjitha llojet e luleve. Trëndafilat, karafilat, shebojën, silfjanin dhe hidërshanën. Ujin për vaditje e merrnin nga një kanal që kalonte midis qytetit. Çdo shtëpi tiranase kishte pusin e vet me kovë e çikrik në mes të oborrit. Ujin për të pirë ata e merrnin nga Linza, një ujë i mrekullueshëm, i ftohtë, i lehtë dhe i shëndetshëm. Në vitet 1830-1840, siç shkruan Rroth, qyteti i Tiranës numëronte 8000 mijë banorë dhe katërqind e tetëdhjetë dyqane. Duke gërmuar e lexuar, do të mësoja se planet për rregullimin urbanistik të Tiranës u ideuan nga Haxhi Ethem Beu dhe Abdurraman Pashë Toptani. Ndërsa plani i parë urbanistik, pas shpalljes së saj kryeqytet (më 11 Shkurt 1920) dhe kthimit në një qytet modern do të hartohej në vitin 1923, nga Eshref Frashëri, i plotësuar dhe nga një studim i Institutit Gjeografik të Firences. Do të mësoja se plani më i madh urbanistik që do ta radhiste Tiranën përkrah qyteteve të tjera evropiane do të hartohej nga arkitekti i shquar italian, Armando Brasini, të cilin e ftoi vetë mbreti Zog i Parë. Ai njihet si krijues i planeve të mëdha urbanistike të Italisë fashiste. I takojnë atij sheshi “Skënderbej”, ministritë, Banka e Shtetit, materniteti, Spitali Ushtarak, hangari i aeroplanëve, Rruga e Kavajës, Rruga e Durrësit, Rruga e Dibrës, Universiteti Shtetëror, Asambleja (sot Akademia e Arteve të Bukura), Muzeu Arkeologjik, Shtëpia e Oficerëve, hotel “Dajti”, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” që u përfundua në vitin 1946, kompleksi i ndërtimeve në fund të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” etj. I mora këto informacione nga vëllime të ndryshme me studime historike, të bëra enkas për Tiranën dhe monumentet kulturore të saj, nga revista “Hylli i Dritës” dhe monografi si ajo e Niko Nishkut botuar vitet e fundit. Kush ishte Said Sermedi Toptani, ku ka të dhëna shumë interesante për Tiranën.

    Fjalë për emërtimin e Tiranës

    Tirana, në truallin që është sot i takon një vendbanimi të kohës antike të periudhës së neolitit. Arkeologët tanë kanë zbuluar rrëzë Dajtit rrënojat e një kështjelle të shekujve të parë të erës së re, që ka gjasë të jetë kështjella me emrin Tirkan, të cilën e përmend në shekullin e gjashtë historiani bizantin Prokopi. Për këtë kështjellë flasin edhe aktet venedikase të vitit 1418. Humanisti i shquar shqiptar, Marin Barleti, në veprën e tij madhore “Historia e Skënderbeut” shkruan se me emrin e Tiranës, ndeshet një rrënjë e lashtë që haset edhe në viset e tjera shqiptare ku banonin ilirët. Tiranën e rrethojnë disa kodra, në shpinë të së cilave janë ndërtuar një varg kalash, si ajo e Petrelës, e Prezës, Ndroqit, Farkës etj., të cilat shërbenin për mbrojtjen e Durrësit e të Krujës. Në periferi të fushës së vjetër të aviacionit tek i ashtuquajturi “Kroi i Shëngjinit” pranë një faltoreje të vjetër mesjetare, arkeologët kanë zbuluar një mozaik interesant bashkë më mbeturina të tjera arkitektonike të antikitetit të vonë. Duke kërkuar emërtimin e këtij vendbanimi të lashtë hasim në disa variante: Sipas variantit të parë, emri Tiranë mendohet se vjen nga fjala Theranda e përmendur në burimet e lashta greke e latine. Vendasit e quanin Teranat, meqenëse fusha ishte formuar si rezultat i materialeve të ngurta që sillnin ujërat nga malet përreth. Në një studim të tij, Dr. Maliq Osi nga Kosova, duke gërmuar në historikun e lashtësisë së Prizrenit shkruan se, sipas akademikut amerikan, Erik Hempi, gjatë hulumtimeve të tija ka ardhur në përfundimin se emri Theranda përbëhet prej: pri (për, pre) term urbanistik me kuptim, kështjellë, qytet, qytet i madh dhe zerandë. Në variantin e dytë, emri Tiranë vjen nga Tirkan. Kjo është kështjella për të cilën folëm më sipër që daton e ndërtuar në fillimet e shekullit të parë të erës sonë. Rrënojat e saj ekzistojnë edhe sot pranë urës së Brarit në një shpat të Malit të Dajtit. Sipas ariatit të tretë fjala Tiranë vjen nga emir i kryeqytetit të Persisë: Teheran, në kujtim të një fitoreje të korrur nga Sulejman Pashë Bargjini në krye të ushtrisë turke gjatë një fushate në Persi. Në vitin 1614, Sulejman Pasha ishte sundimtar i Tiranës. (Nga një kalendar mysliman i vitit 2001) kështu mendon edhe Faik Konica. Sipas tij, qytetin e Tiranës e krijuan ushtritë osmane aty nga viti 1600. Emri i qytetit gjithnjë sipas Konicës, nuk është gjë tjetër veçse një formë e çoroditur e Teheranit, kryeqytetit të Persisë. Ka dhe dijetarë të tjerë që mendojnë se Tirana e mori emrin nga qyteti i Teheranit të Persisë, nga i cili vinin qytetarë për tregti. (Kjo sipas “Në Teheran, një ditë si në Tiranë” nga Shaban Sinani). Në variantin e katërt, Tirana siç duket e mori emrin e saj prej emigrantëve turq. Nga pellazgo-tirenasit që erdhën dhe zunë vend me të tjerë fise italiane në kohëra shumë të moçme, së bashku me princ Albën nga Alba-Longa me Mesapinjën që ndenjën në Mesaplik të Vlorës e të tjera fise italo-pellazgjike. Kështu rrodhi emri i qytetit të sotëm, malësisë dhe i fushës që mbajnë po këtë emër dhe jo nga qyteti persian i Teheranit, siç duan ta përshkruajnë legjendat myslimane të vendit dhe as nga fjala greke, Tyros (bulmeti), siç duan ta origjinojnë grekët. Tirana përmendet edhe përpara se të vinin turqit në Shqipëri. Me emrin Tirana kemi dy fshatra, “Tirana e vogël” dhe Tirana e madhe që është dhe kryeqyteti i sotëm. Pikërisht këtë ka pohuar dhe humanisti dhe historiani ynë, Marin Barleti. Tiranë të vogël, siç thotë dhe shkrimtari e arkeologu i njohur, mbledhësi i Kanunit të Lekë Dukagjinit Shtjefën Gjeçovit në novelën e tij “Mnera e Prezëz”, “Tmerri i Prezës” Barleti quante pikërisht Prezën. Ndërsa sipas variantit të pestë dhe të fundit një mësuese pensioniste dëftonte, se kur kishte qenë nxënëse në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Shijak, në vitin 1943, mësuesi Sulejman Kalaja, ndërsa shpjegonte “Tiranën” në orën e gjeografisë u kishte thënë se emri Tiranë vjen nga fjala “tjerr anën”. Kur Sulejman Pashë Bargjini themelues i qytetit kthehej për në shtëpi të tij qe futur në një oborr ku gratë po punonin në vegjë. I kishte vështruar një copë herë, pastaj i kishte pyetur se ç’po bënin. “Po tjerrim anën”, i qenë përgjigjur ato. Ai kishte qeshur dhe andej u kishte thënë shoqëruesve: Qytetin që po ndërtojmë do ta quajmë “tjerr anën”. Të ketë pasur atë kohë kaq shumë avlëmende? Ndoshta edhe pse duket pak naiv, varianti “tjerr anën” duhet marrë në konsideratë pasi ka qytete me emërtime të këtilla dy gjymtyrëshe, që lidhen me profesionet artizanale si: “Farkë” nga farkëtari, “Terzie” nga rrobaqepësi dhe “çizmelie” ngase në kohën e Turqisë aty punoheshin çizme. Duke pasur parasysh të folurën e tiranasve autoktonë them se të gjitha variantet do të tingëllonin: të ranat - të ronat; tirkan – tirkon; teharan – teheron; tirenas – tiranas; tjerr anë – tjerr onë. I vetmi variant më i përafërt me emrin e sotëm natyrisht është i parafundit (Tirenas – Tironas). Ndoshta është vërtetë varanti më bindës?
    Tirana mendoj se ka bubërruar gjithnjë në mendjet e shqiptarëve, që nga veriu në jug e që nga lindja në perëndim. Cilido e ka dëshiruar dhe e ka ëndërruar atë, ta ketë si vend banim të tij. Në vitet e diktaturës komuniste për pjesën më të madhe të shqiptarëve, ajo mbeti një ëndërr në sirtar, pasi qe një gjë shumë e vështirë (gjer në pamundësi) bërja e pasaportizimit. Në ato vite, shteti kishte betonizuar tabunë: “aty ku ke lindur, do të vdesësh” krejt ndryshe nga sot, pas viteve ‘90, që kushdo që ka dëshirë, qoftë dhe nga cepi më i largët i Shqipërisë mund të vijë të jetojë e të punojë në Tiranë. Shqipëria dhe kryeqyteti i saj, Tirana është i kujtdo, që e quan veten shqiptar.

    Një fotografi interesante e saj

    Këtë fotografi ajrore të Tiranës siç është bërë modë të thuhet për fotografime të tilla nga sipër, e kam pasur në koleksionin tim fotografik prej shume vitesh, që kur isha nxënës në liceun artistik “Jordan Misja”, më 1954. Që në fillim më është dukur një fotografi interesante, duke e konsideruar si ndoshta më të vjetrën dhe mendoj se e tillë është. Kjo është fletë reviste e lakut kohor 1930 – 1944 me një botim në ngjyrë umbra. E konsideroj të vjetër, sa kohë që nuk ka asnjë gjurmë të zhvillimit të saj modern. Duke përjashtuar xhaminë e Ethem Beut dhe Kullën e Sahatit, nuk ka asnjë tjetër që të kujtoj fillimet të paktën të një Tirane, kryeqytet. Kështu si është marrë, shikon një grumbull të madh shtëpish, një ose dykatëshe të rrethuara me avlli të gjata. Ka avlli të tjera që ndajnë pronësitë e shtëpive nga njëra-tjetra (sa shumë ndarje), ku duken pemë të dendura dhe bashtije. Nga pika e marrjes, kupton që xhamitë e bukura, për të cilat ka folur edhe piktori anglez, Eduart Lir, duhet të jenë në anën e këtejme të fotografisë, pasi në zhvillimin që Tirana ka gjer tej kodrave, ku dredhon një rrugë, nuk duket asnjë xhami. Vetëm në të djathtë të saj, në një fushë të gjerë me selvi të gjata e të drejta tërheq vëmendjen një ndërtesë e madhe tri-katërkatëshe. Duke parë këtë fotografim kaq artistik dhe stetik, del pyetja: cili e ka fotografuar? Nga cila pikë e lartë tokësore? Apo ndoshta vërtet me aeroplan? Më pas, sa e vjetër është fotografia, para vitit 1920, diku në vitet 1915 apo edhe më përtej akoma?

    Tirana_Observer.

    FOTO

    Ministritë në Tiranën e vjetër
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga Xhuxhumaku : 24-11-2005 më 18:39
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Historia e Tiranës, në foto të rralla

    1)Tirana në vitet ‘30

    2)Tirana e vjeter

    3)Tirana e vjeter
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura    
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Tema të Ngjashme

  1. Çfarë mendoni për Ahmet Zogun?
    Nga honzik në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 242
    Postimi i Fundit: 03-03-2014, 08:03
  2. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  3. Incidenti i Korfuzit - 22 tetor 1946
    Nga Tannhauser në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 25
    Postimi i Fundit: 10-06-2011, 08:32
  4. Rexhep Mitrovica
    Nga PORTI_05 në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 06-04-2011, 08:15
  5. Ç'mendoni mbi akademik Rexhep Qosja?
    Nga kosovar në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 1189
    Postimi i Fundit: 14-10-2009, 17:52

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •