Dje u zhvarros në Lapardha një vajzë e lindur në maj, pas një lidhjeje të dyshimtë mes vjehrrit dhe nuses. Dyshime për vdekjen pasi kishte lindur 4 kg
Dyshime për atësinë, zhvarroset foshnja
Shekulli
BERAT-Një lidhje intime që dyshohet të ketë lidhur vjehrrin me nusen e tij, vdekja e një fëmijë që mendohet të ketë lindur pas këtij raporti e që është varrosur në kushte të dyshimta, ka sjellë në fshatin Lapardha, 6 km larg Beratit, një grup ekspertësh nga Tirana. Për të mësuar më shumë mbi atësinë e vajzës së sapolindur dhe motivet që sollën vdekjen e saj, prokuroria e rrethit të Beratit, pas kërkesës së bërë nga 31-vjeçari Shkëlqim Mançe, (burri i gruas që dyshohet për lidhje jashtëmartesore me vjehrrin), ka kërkuar zhvarrimin e foshnjes.
***
Gjithçka që lidhet me këtë ngjarje nisi të zbardhej pas një denoncimi që Drita Mançe, 50 vjeçe, bëri ndaj burrit të saj, Kadriut. Disa javë më pare, ajo e denoncoi bashkëshortin se ai e kishte kërcënuar me vdekje. Në komisariat, Drita ka akuzuar 52-vjeçarin se ai kishte lidhje intime me Blerinën, nusen e djalit, Shkëlqimit. “Pas marrëdhënieve të tyre, nusja mbeti shtatzënë, kurse djali ndodhej prej muajsh në Itali. Ajo lindi në maj një vajzë që jetoi vetëm 5 ditë dhe që vdiq në rrethana që nuk u morën vesh”,-tha ajo.
Policia e Beratit prangosi Kadri Mançen pas kallëzimit të bërë për dhunë e kërcënim nga gruaja e tij dhe pasi iu gjet në shtëpi një armë pa leje. Pasi është marrë ndaj tij masa e dënimit “burg pa afat” me akuzën armëmbajte pa leje, 52-vjeçari ngeli në burg. Kurse prokuroria e Beratit nisi hetimet në lidhje me dyshimet e ngritura nga Drita Mançe, për foshnjen që vdiq papritur. Dyshimet u përkrahën më pas dhe nga vetë djali i saj, Shkëlqimi. Ky i fundit, i sapokthyher nga emigrimi në Itali, ka kërkuar në prokurori zhvarrimin e fëmijës, për të mësuar të vërtetën e atësisë dhe shkakun e vërtetë, të vdekjes së saj.
***
Zhvarrimi i trupit të foshnjes është bërë mbasditen e djeshme. Pas marrjes së eshtrave, këqyrjes së tyre nga mjekët ligjorë dhe bërjes së analizave përkatëse, do të hidhet dritë mbi të vërtetën e vdekjes dhe atësinë e saj.
Javë më parë, kur akuzoi burrin e saj për dhunë dhe kanosje, Drita Mançe tha se grindjet kishin nisur për shkak të një lidhjeje seksuale mes bashkëshortit të saj dhe nuses së djalit të vetëm. Ky i fundit jetonte prej kohësh në Itali. Sipas 50-vjeçares, jeta e familjes Mançe kishte nisur të shkatërrohej për shkak të kësaj lidhjeje seksuale. Blerina ishte martuar me djalin e vetëm të familjes, Shkëlqimin, para tre vjetësh.
Uniformat blu kanë shoqëruar në polici edhe nusen e familjes, Blerinën. Ajo dhe vjehrri i saj janë duke u hetuar në lidhje me ngjarjen, derisa ekspertët që bënë zhvarrimin të saktësojnë gjithçka
Denoncimit të Drita Mançes i janë shtuar dje dhe marrjet në pyetje të djalit të familjes, i sapokthyher nga Italia. Nga hetimet e para mësohet se prej kohësh dyshohej nga familjarët lidhja e 52-vjeçarit Kadri Mançe me nusen e tij, dyshime këto që ishin shtuar pas shtatzanisë së nuses. “Me gjithë këto dyshime unë vendosa të hesht për mos të shkatërruar jetën e djalit tim. Më mirë që martesa të merrte fund pa u zbuluar e vërteta e hidhur e lidhjes së tyre. Por nuk mund të fshihja më asgjë, pasi dyshimet e tim biri u vërtetuan nga shtatzania e gruas. Ai dyshonte prej kohësh për tradhtinë e nuses, por i trembej të vërtetës. I ndërpreu ardhjet në shtëpi, duke shpresuar se një ditë gjithçka do të përfundonte me një divorc”,-ka treguar ajo në polici. Dje, 31-vjeçari Shkëlqim Mançe tha se gjithçka ia kishte lënë në dorë shtetit. “Le të vendosin ligjet”,-shtoi ai.
Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen, në komisariatin e policisë flitet me mjaft rrezera. Në deklaratën për shtyp të tre ditëve më parë thuhet se 52-vjeçari Kadri Mançe është ndaluar për armbajtje pa leje. Burime të besueshme thanë për gazetën se ai po hetohet edhe për denoncimin që i ka bërë gruaja e tij.
Lindja dhe vdekja e fëmijës
“Dyshimet e lindura për një lidhje mes burrit tim dhe nuses u vërtetuan shumë mirë kur nusja mbeti shtatzënë, por unë shpresoja që të gabohesha, që ata të dy të kishin të drejtë kur më kundërshtonin”,-ka treguar Drita Mançe në komisariat.
Ajo kujtoin se në muajin maj Blerina lindi vajzën dhe qëndroi për disa ditë në spital meqë ishte lindje e vështirë. “Vajza vdiq që në mëngjesin e parë që kaloi në shtëpinë tonë, në Lapardha. Fëmija ishte i mbarë, pasi lindi 4 kilogramë. Lajmin e vdekjes së saj ma dha në mëngjes vetë burri im, Kadriu. Ai më tha se vajza kishte vdekur dhe unë lajmërova menjëherë infermieren e fshatit për të mësuar të vërtetën e vdekjes së vogëlushes. Infermierja na tha që duhet ta shikojë mjeku për të përcaktuar shkakun e vdekjes. “Atë ditë mjeku i fshatit ishte në Tiranë dhe burri im, së bashku me nusen, e varrosën fëmijën pa pritur që ai ta shihte. Djali im u njoftua për vdekjen e fëmijës nga vetë nusja, por ai vendosi të mos vijë për shkak të dyshimeve që kishte për lidhjen”.
Flet varrmihësi
Refat Kana, banor i fshatit Lapardha, i cili ka bërë varrimin e vogëlushes, ka treguar dje për median gjithçka ndodhi atë ditë. “E varrosa fëmijën pas kërkesës që më bëri Kadri Mançe. Ai erdhi tek unë dhe më këkroi të hapja gropën ku do të futej e mitura e vdekur. Nuk e di nga se kishte vdekur foshnja, di që ishte lajmëruar infermierja dhe që mjeku i fshatit ndodhej në Tiranë”.
Krijoni Kontakt