Lajme nga Speciale

Heroi i UÇK-së, tani simbol i Myzeqesë
Që nga data 21 dhjetor, stadiumi myzeqar identifikohet me mitin e luftës për çlirimin e Kosovës

Autori i Lajmit: Elisabeta Ilnica
Stadiumi i Lushnjës merr emrin e komandantit legjendar Adem Jashari. Vendimi është marrë nga Këshilli Bashkiak i këtij qyteti pas propozimit të një grupi tifozësh. Të shtyrë nga heroizmi dhe lavdia e komandantit të madh, si dhe nga kërkesat e shumta të sportdashësve shqiptarë, drejtuesve lokalë nuk u ka mbetur rrugëzgjidhje tjetër veçse të zyrtarizojnë vendimin.
Vendimi
Që nga data 21 dhjetor, stadiumi myzeqar identifikohet me mitin e luftës për çlirimin e Kosovës. “Këshilli bashkiak vendosi që të ndryshojë emrin e stadiumit të qytetit të Lushnjës nga “Roza Haxhiu” në “Adem Jashari”. Për zbatimin e vendimit caktohet SHA Futboll Klub “Lushnja”, thuhet në njoftimin e Këshillit Bashkiak të qytetit të Lushnjës, ku janë dhënë dhe arsyet e këtij ndryshimi. Vendimi është firmosur edhe nga nënprefekti Abaz Hajdari dhe tashmë tifozët do të ulen “gju më gju” me legjendën e komandantit të UÇK-së Adem Jashari për të parë ndeshjet sportive.
Nisma
Ka qenë takimi i vitit të kaluar mes Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, i cili ka shërbyer si nismë për “sjelljen” e Adem Jasharit në Lushnjë. Kur Presidenti Mosiu theksoi se “duhet të punohet më mirë e më shpejt që të arrihet statusi i Kosovës, si dhe të forcohen më shumë lidhjet mes Tiranës dhe Prishtinës”, Futboll Klub “Lushnja” vendosi që të japë kontributin e parë. Për këtë qëllim ata morën nismën që të zhvillojnë një sërë aktivitetesh gjatë vitit 2005 e në vazhdim, që ka si synim kryesor afrimin e klubeve të futbollit të Shqipërisë dhe Kosovës. I tillë do të jetë dhe krijimi i lidhjeve për binjakëzimin e FK Lushnjës me FK Drenicën, organizimi i aktiviteve të përbashkëta me klubet kosovare të futbollit etj. Më kryesore do të jetë organizimi i turneut me pjesëmarrjen e ekipeve të Shqipërisë dhe Kosovës, që do të finalizohet me fitimin e Kupës “Adem Jashari”.

Kur Heroi erdhi në Tiranë
Komandanti i legjendës së luftës çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari ka marrë një eksperiencë të madhe luftarake edhe në Shqipëri. Më 3 nëntor 1991, ai ka ardhur në kryeqytetin shqiptar, duke zhvilluar më tej karrierën ushtarake. Ai shkoi në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” – Dega e Forcave Tokësore në Tiranë, për stërvitje, që organizohej si kurs njëmujor. I takoi kontingjentit të parë. Mësoi qitjen me të gjitha llojet e armëve, që nga pistoleta e deri te mortajat e granatahedhëset. Tregoi rezultate shembullore dhe u karakterizua si një ndër ushtarakët më të mirë që kishte arritur të shkelte në Akademinë Ushtarake “Skën-derbej”. Edhe sot e kësaj dite emri i tij përmendet si i paarritshëm nga pedagogët në këtë Akademi, si Ylli Mici, Hasan Ymeri, Agron Dhinarko e Kastriot Hoxha.

Duhet një çmim “Nobel” për familjen e sakrificës
Bernar Kushner, ish-administrator i OKB-së për Kosovë, gjatë vizitës së tij më 23 gusht 2001 në familjen Jashari, e quajti atë “Familja e sakrificës”. Ndër të tjera tha: “Kjo familje luftoi me heroizëm, për të fituar drejtësi e demokraci në Kosovë. Erdha që t’iu përshëndes, për admirimin që kam ndaj familjes Jashari. Dua të them edhe një të vërtetë të madhe se Prekazi lëvizi të gjitha mekanizmat botërore, që ndikuan për të vepruar konkretisht. Dhe, sikur të kishte çmim “Nobel” për liri, atëherë ai me siguri do t’i takonte familjes Jashari”.

Ju falemnderit promete të Jasharjave legjendarë!
Ismail Kadare, më 20 nëntor 1999, viziton familjen Jashari. U tha: “Ngjarja në këtë vend është e hatashme dhe madhështore. Është rast tepër i rrallë në botë. Është fenomen që tronditi globin. Lufta u bë shumë e fortë. Ranë shumë dëshmorë. Ra edhe komandanti i UÇK-së. Komandantët rrallëherë vriten në luftë. Vrasja e komandantëve, në mënyrë të veçantë, e madhështon luftën”. Kadare në librin përkujtimor shkruan: “...Ndodhem në familjen e Jasharajve i prekur thellë, si rrallëherë në jetën time. Ju falemnderit promete të Jasharjave legjendarë!”