Intolerancë mbi rrënojat e Shën Stefanit
Nga Prof. Pëllumb Xhufi
Përhapja e gjerë e kultit të martirëve të parë, është një nga provat e pakontestueshme të hershmërisë së krishtërimit në Shqipëri. Posaçërisht në zonën e Shkodrës ka qenë jashtëzakonisht i përhapur kulti i martirëve Sergj e Bak, që u vranë në Siri në shek. III të erës sonë. Abacia e hershme benediktine e shek. VI në Shirgj (=shën Sergj), buzë lumit Bunë, iu përkushtua pikërisht këtyre dy ushtarëve romakë të martirizuar për shkak se u konvertuan në fenë e krishterë. Nuk përjashtohet që Sergji e Baku të kenë qenë me origjinë nga këto anë, siç ishin në shekujt III-IV edhe një numër perandorësh të Romës së vjetër, njëri prej të cilëve, Kostantini i Madh, u bë i pari perandor i krishterë i Perandorisë Romake, ndërsa tjetri, Juliani, u shqua si persekutor i egër i të krishterëve.
Përveç Shirgjit, një sërë toponimesh të tjerë lidhen me kultin e dy martirëve nga Siria. Kështu, me emrin e martirit Bak lidhet lokaliteti Shubak (Shën Bak). Me të njëjtin kult lidhet emri i fshatit Barbullush, që është një transplantim i emrit të vendit në Siri ku u vranë dy martirët, apo edhe emri i Rozafës, që është sjellë në Shkodër po nga Siria, ku shënonte emrin e kodrës ku Sergji e Baku u varrosën pas martirizimit të tyre.
Origjina e Kishës
Kisha e Shën Stefanit, e ka origjinën pikërisht në ato kohë të largëta. Duke qenë e vendosur brenda mureve të Rozafës, kjo kishë pati privilegjin të ishte kishë e parë (katedrale), mes kishave e abacive të tjera që ngriheshin përherë e më të shumta jashtë perimetrit të mureve, aty ku shtriheshin lagjet e jashtme (suburbia) të qytetit.
Nuk dimë se cili ka cilit shënjtor i ishte kushtuar fillimisht kisha në Rozafë, por dimë që në shek. XIII, sundimi i princeshës katolike Helenë nga shtëpia frënge e Anzhuinëve, përkon me përhapjen në krejt këtë zonë të kultit të protomartirit Shën Stefan Atë kohë ju dha ky emër kishës katedrale të qytetit buzë Bunës. Shën Stefani u shpall pajtor i qytetit dhe festa e Shën Stefanit kremtohej çdo vit me hapjen e një panairi të madh në sheshin para kishës, që grumbullonte tregtarët e gjithë zonës, përfshirë ata të ardhur nga Venediku e nga Republika e Raguzës.
Kisha e Shën Stefanit ishte pika kryesore e referimit për qytetin, për jetën fetare, ekonomike, kulturore madje edhe politike të tij. Statutet e Shkodrës, hartuar në shek. XIV, që u gjetën dhe u botuan para pak kohe, në një nen të veçantë të tyre thonë se në kishën e Shën Stefanit, nën tingujt e kambanave, mblidheshin çdo fund viti 30 këshilltarët e qytetit, bashkë me gjykatësit, për të zgjedhur organet bashkiake.
Ruajtja e mirëmbajtja e kishës së Shën Stefanit përbënte shqetësimin parësor të qytetarëve dhe të organeve komunale të qytetit,siç rezulton nga dokumente të shumta historike. Sipas tyre, në vitin 1319 u sollën me shpenzimet e qytetit tre marangozë nga Raguza për të riparuar pjesën e korit të kishës. Në vitin 1403, Këshilli i Vogël i Republikës së Raguzës iu përgjegj pozitivisht kërkesë së bashkisë së Shkodrës për të importuar 5 mijë copë tjegulla për çatinë e kishës katedrale të Shën Stefanit. Nje vit më parë, më 1402, shkodranët i imponuan Republikës së Venedikut të kalonte në favor të kishës një pjesë të të ardhurave nga doganat e Shirgjit, që zotërohej atë kohë prej saj. Vetë papati interesohej për gjëndjen e katedrales së Shkodrës, ku, siç thuhej, ndodhnin mbrekulli të rralla në disa ditë të caktuara të vitit, dhe ku vinin pelegrinë nga gjithë Shqipëria e vendet përreth. Me qëllim që t’i siguronte të ardhura shtesë kapitullit (këshillit) të kishës së Shën Stefanit, më 1347 Papa Klementi VI i dha leje klerit të tij të shpërndante indulgjenca (dëshmi çmëkatimi), një prerogativë kjo që e kishte vetë kisha e Shën Pjetrit.
Në “Rrethimin e Shkodrës”, Marin Barleti rrëfen se luftëtarët shkodranë, nën flamurin e Shën Stefanit, niseshin pikërisht nga sheshi i katedrales së tyre në betejë kundër rrethuesve osmanë. Sipas legjendës, me pushtimin e Shkodrës, më 1479, ikona e Shën Mërisë e la vendin e saj në altarin e kishës së Shën Stefanit, dhe i priu turmave të shqiptarëve që u hodhën në brigjet e Italisë. Sot e kësaj dite ajo ruhet në kishën e Shën Mërisë, në Xhenacano, pranë Romës. Kësaj ikone iu fal më 1990, para vizitës së saj të parë në Tiranë, shqiptarja e madhe Gonxhe Bojaxhi, alias Nënë Tereza.
Me vendosjen e pushtimit osman, si shumë tempuj të tjerë, edhe kisha e Shën Stefanit u transformua në xhami. Por struktura e saj origjinale nuk pësoi ndryshime thelbësore, nëse përjashtohet ndërtimi i mëvonshëm i minares. Në vitin 1685 një vizitor apostolik nga Roma konstatonte me habi se në kishën-xhami të kalasë së Rozafës ruhej ende e paprekur një organo e vjetër. Copëza të afreskeve të hershme ruhen akoma deri në ditët tona. Kisha, “e konvertuar” në xhami, i shërbeu për ca kohë si vend falje garnizonit osman të vendosur në kështjellë, ndërkohë që tempuj të madhërishëm të fesë islame lindnin jashtë mureve të Rozafës, aty ku do të shtrihej qyteti modern i Shkodrës. Ndërkohë ish-katedralja e Shkodrës e humbi edhe rolin e saj të ri si xhami, ndrroi destinacion dhe deri në fund të sundimit osman shërbeu si depo baruti.
Klerikë...intolerantë?
Mendojmë se ishte e domosdoshme kjo skicë historike e kryetempullit të dikurshëm katolik të Shkodrës, për t’u përfshirë në një debat gati ireal, që është hapur së fundi mbi përkatësinë fetare të tij. Askujt ndër ata që kam pyetur nuk i ka pëlqyer toni i vrazhdë, gadi-gadi kërcënues i Myftiut të Shkodrës (që për fat të mirë nuk është bërë më i gjallë), kur nga valët televizive paralajmëroi “ngjarje të paparashikueshme”, në rast se do të vihej në zbatim një projekt i Institutit të Monumenteve të Kulturës për restaurimin e pjesshëm të kishës (apo ish-kishës) së Shën Stefanit. E cila, sipas Myftiut, duhet konsideruar si objekt kulti musliman, ngaqë e mbylli jetën e saj pikërisht si xhami. Në të kundërtën, nga ato që parashtruam shpejt e shpejt më sipër, ne gjykojmë se vlera e këtij objekti, historia dhe vetë “fryma” që ai mbart, e lidhin atë me të kaluarën paraislame të historisë sonë të përbashkët. Me kohën kur ajo përbënte një element unik, bariqendrën e jetës shpirtërore, ekonomike, sociale e politike të qytetit të Shkodrës, e jo me periudhën pasardhëse, pas shek. XV, kur u transformua në një objekt të çfarëdoshëm kulti, të veçuar e të paaritshëm nga besimtarët muslimanë shkodranë, për të cilët, ashtu si për bashkqytetarët katolikë të tyre, kalaja e Rozafës bashkë me kishën-xhami, ishte kthyer tashmë në një simbol të pushtetit osman. Me kishën lidhet historia dhe kultura e mbarë popullit të Shkodrës, të krishterë e muslimanë. Me xhaminë lidhet vetëm historia e panjohur e një garnizoni të huaj e të izoluar nga jeta e qytetit, që tashmë po zhvillohej jashtë mureve të kalasë. As shekuj të tërë të sundimit osman, as koha e gjatë e konvertimit të saj në një xhami në përdorim të garnizonit të vogël të kalasë, nuk e kanë ndryshuar pamjen fillestare të ish kishës katedrale të Shën Stefanit. Mjafton të kqyren planimetria, mbetjet e qemerit të kryqëzuar gotik, harqet gjithashtu gotike të tij apo mbeturinat e afreskeve të kah-hershëm.
Në një rast të tillë si ai i kishës së Shën Stefanit, kur diskutohet vetë identiteti i monumentit, nuk vlen sigurisht rregulli i “jus primae noctis”. Ka ndodhur kudo që objekte të një kulti të caktuar, në rrethana historike të ndryshuara të jenë përshtatur për ushtrimin e një kulti tjetër. Kjo nuk ndalon aspak që vizitorët të admirojnë format apo mbetjet artistike që trashëgohen nga kohë kur kisha ishte xhami, apo xhamia kishë. Kështu ndodh me kishat e Granadës në Spanjë, dikur xhami arabe (shek.VII-XI). Kështu ndodh edhe me bazilikën e famshme të Shën Sofisë, në Kostantinopojë, që u kthye në xhami pas pushtimit të kryeqytetit bizantin nga osmanët. Sot ajo funksionon si e tillë, dhe do të ishte absurde të pretendohej “rikonvertimi” i saj në kishë. Ndërkaq, edhe aty ruhen më së miri mozaikët e afresket e trashëguara nga koha kur ky objekt ishte lavdia e arkitekturës kristiane. Në këtë vështrim, nëse shqiptarët e Kosovës, në 400 vjet të pushtimit osman, nuk i kthyen në xhami ose në kisha katolike, siç kishin qenë në origjinë, manastiret e Graçanicës e të Deçanit, kjo flet për një shkallë akoma më të lartë tolerance nga ana e tyre.
Por, problemi i kishës së Shën Stefanit duket akoma edhe më i thjeshtë. Siç sqaroi përfaqsuesi i Institutit të Monumenteve në një intervistë të nxituar e qëllimmirë menjëherë pas kontestimeve të myftiut të Shkodrës, ajo çka i dha zjarr debatit, dmth. lajmi për restaurimin e kishës së Shën Stefanit, nuk është gjë tjetër veçse një ndërhyrje fillestare, që nuk ka aspak për qëllim të ndryshojë formën aktuale të monumentit. Në fund të fundit, bëhet fjalë për një fond fare të vogël, që nuk të lejon të shkosh përtej këtij synimi fare modest.
Thelbi i Problemit
Këtu vijmë tek thelbi i vërtetë i problemit, tek arsyeja dhe toleranca. Është vënë në dukje këto ditë, dhe mjaft mirë, se nëse ka patur një bashkëjetesë shëmbullore mes shqiptarëve, kjo i detyrohet kulturës së tolerancës që është e rrënjosur tek ata. Fakti, i nënvizuar me shumë të drejtë nga Presidenti Moisiu në lekturën e tij në Universitetin e Oxfordit, që të gjitha besimet në Shqipëri ngrihen mbi një bërthamë të përbashkët e shumë të fortë të besimit pagan, përbën padyshim pikën e konvergjencës e thelbin objektiv të kësaj bashkëjetese.
Por episodi fatkeq i kishës së Shën Stefanit duhet të na alarmojë. Ndërsa enfatizojmë çdo ditë tolerancën e bashkëjetesën fetare, aq sa i kemi kthyer ato në një fetish e në një kartë-vizitë të leverdisshme prezantimi për jashtë, shohim që shënja të një fanatizmi fetar e të një intolerance ende në formë embrionale, kanë filluar të shfaqen mes nesh. I pamohueshëm është roli që luajnë në këtë prishje të harmonisë e të vetë pejsazhit fetar ndikimet e huaja, të materializuara tek ngritja e kishave dhe e xhamive sipas stileve që pakkush i honeps, dhe sidomos tek aktiviteti i disa klerikëve të huaj që e konsiderojnë Shqipërinë si terrenin ideal për të proselituar “grigja” të reja e për të zmbrapsur kundërshtarët në fe. Janë shumë lehtë të identifikueshëm këta misionarë të së keqes, kur bëhet fjalë për individë të ardhur nga hapësirat arabe, që rreken të vadisin në Shqipëri rrënjët e fanatizmit vahabit. Mund i kotë, ky, në tokën që i dha botës islame kolosë si Mehmed Pashën e Egjyptit apo Ali Pashën e Janinës, të cilët ishin të parët qeveritarë në Perandorinë Osmane, që vunë bazat e shtetit laik e të islamit të moderuar.
Është më e vështirë të pikasen këta misionarë të së keqes në krahun tjetër, atë të fesë së krishterë. Por, duhet të jetë i tillë një i quajtur Paolo Tedeschini, i cili në një letër për gazetën “Shekulli” të datës 13 nëntor, me një gjuhë të drunjtë, rreket të marrë rolin e Shën Gjergjit në mbrojtje të kishës së Shën Stefanit, që po na dashkan ta marrin “turqit”. Kur lexon letrën në fjalë, bindesh se sa të drejtë kishte Fan Noli, kur djalë i ri, në vitin 1907, ideonte planin e madh për ta shkëputur kishën shqiptare nga kthetrat e të huajve. Shkurt, në mënyrë tinzare ky ndoshta prift (mos qoftë i tillë!), identifikon regjimin komunist me “turqit”, dmth. muslimanët, duke u ngarkuar atyre fajin për shkatërrimin e kishave e të manastireve të Shkodrës e për arrestimin e klerikëve katolikë. Ashtu si ndonjë tjetër klerik i krishterë, z. Tedeschini kërkon me forcë që “gjëja të kthehet tek i zoti” dhe katedralja e Shën Stefanit t’i kthehet kishës. E pra, kur lexon filipiket e këtij zotnie, nuk ka si të mos të shkojë mëndja tek...Kushtetuta e Shqipërisë, posaçërisht tek ai paragraf që konsideron faj të rëndë e të dënueshëm nxitjen e urrejtjes fetare, krahas asaj etnike. Sepse as klerikët, qofshin ata muslimanë apo të krishterë, nuk janë të imunizuar nga sindromat e së keqes. Ish kancelari gjerman, Helmut Schmidt, tregon për shëmbull, se si fjalimi agresiv i një peshkopi në një forum ndërkombëtar mbi paqen, i ishte kujtuar automatikisht... Hitlerin.
E megjithatë, dje edhe sot, misionarë katolikë të huaj, të përshpirtshëm e të devotshëm, mjaft prej të cilëve edhe bashkatdhetarë të z. Tedeschini, kanë jetuar e kanë shërbyer këtë vend, duke sjellë mesazhe të tjera nga ato që sjell ai. Kjo vlen edhe për kohën kur në këtë vend ligjin e bënin “turqit”. Nëse do t’i hedhë një sy relacioneve nga Shqipëria të legatëve apostolikë, në shekujt XVII-XVIII, do të mësojë për habinë e madhe të tij, se atë kohë (por edhe më vonë) në Shkodër muslimanët paguanin para për ndërtimin e kishave katolike. Se në Zadrimë, të krishterët merrnin pjesë në varrimin e muslimanëve dhe luteshin për shpirtin e tyre (pregare per l’anima di quel turco). Se në vitin 1700 pashai i Shkodrës dhe arqipeshkvi i Tivarit shiheshin shpesh me njëri tjetrin, “ngaqë i lidhte një miqësi e vjetër familjare”. Dhe ç’është më e bukura, i njëjti arqipeshkv deklaronte hapur faqe njerzve se “imami i Shkodrës ishte miku i tij më i madh”! Intrazingjenca fetare e at Tedeschinit të nxit të kujtosh fakte të tjera, të kujtosh, psh., një letër të vitit 1602, dërguar Papës Klementi VIII nga një kuvend i burrave të Lezhës, në të cilën këta i kërkonin papës “të mos t’u dërgonte më ipeshkvë e abatë të huaj”. Arsyeja? “Sepse këta misionarë kanë mbjellur shumë konfuzion mes nesh…dhe sepse nuk dinë të sillen me muslimanët”.
ABC nr.12-Prof. Pëllumb Xhufi
21.11.2005
Krijoni Kontakt