Shqiptarët gallatë...edhe me Urgjencën

Në 80% të rasteve telefonatat që bëhen në këtë shërbim janë false. Nga tri telefona që ka Urgjenca e Tiranës, dy i kanë në përdorim kompanitë e telefonisë celulare në vend, pa paguar asgjë dhe duke bllokuar punën. Trafiku i kryeqytetit, mungesa e adresave dhe ndërtimet pa leje janë penguesit më të mëdhenj të autoambulancave. Mjekët nuk lidhen dot me radio për të koordinuar punën, sepse vala ndërpritet pa lajmëruar për shkak të mospagesave nga ministria

Olimbi Velaj


Ca karrige të vjetra kinemaje, me drurin e dalëboje, të shkulura së bashku nga kushedi ç’radhë, rrinë në hyrje të godinës së Urgjencës Mjekësore të Tiranës. Ish-kopshti i dikurshëm i fëmijëve, për të cilin janë hedhur mjaft para për rikontruksion dhe kthim në objekt të shëndetësisë, tani ka në ballinë një tabelë që lexohet edhe nga shumë metra largësi. Hyrja ndonjëherë nuk duket fare, sepse oborri prej çimentoje të plasaritur bllokohet nga makinat-ambulanca. Portieri shtyn portën dhe këmben ndonjë fjali me shoferët rreth e rrotull. Është mesditë dhe gjethet e thata të rëna, nuk trazohen veçse nga këmbët e disa infermierëve dhe mjekëve që kanë turnin e që dalin nga pak jashtë klinikës. E kanë filluar punën që më 7.00 të mëngjesit, por vetëm pak më shumë se një orë kanë punuar vërtet, sepse pjesën tjetër të kohës s’ka pasur drita. Analginat dhe ilaçet e tjera të dala mode prej vitesh në çdo vend të botës, rrinë të qeta në raftet e urgjencës dhe përdoren rregullisht çdo ditë. Urgjenca e vitit 2005 në kryeqytetin shqiptar, është në fakt njëlloj si ajo e vitit 1975 për shumë gjëra…
“Është ditë e qetë, nuk ka pasur shumë telefonata”, thotë një infermiere që zë vend në njërën nga karriget e kinemasë. Befas, një zile telefoni vë në lëvizje atë, mjekun dhe shoferin, që lajmërohen shpejt për një urgjencë në periferi. Makina del nga porta, përshkon atë pak rrugë që i duhet të bëjë nga rrugica e ish bllokut deri në unazë dhe pastaj, ....ç’fat të ketë në trafikun e mesditës së Tiranës.
Emanuel Dungu, shefi i Shërbimit të Urgjencës në qytetin më të madh të vendit, fillon të tregojë për “ABC”. “Ka, shumë mangësi ka... Por shumica janë gjëra që nuk varen nga ne”, thotë mjeku që e kaloi një dekadë në këtë shërbim dhe që prej 8 vjetësh është në krye të tij. “ Shpesh mjekët tuaj nuk u përgjigjen telefonatave. Keni kapur ju vetë ndonjë shkelje?”. “ O, kjo është e disata herë që më duhet t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Të gjithë gazetarët ma thonë këtë. Po duhet ta dini se 80% e telefonatave në urgjencë janë falce. Ç’do të bënit ju në këto rrethana?”, ta kthen ai me një fjali retorike.
Në shërbimin e urgjencës mundësia e gjetjes së lirë të linje telefonike, është aq e vogël, saqë shpesh njerëzit ia mbërrijnë vetë në klinikë, pa telefonuar më parë. Linja qëndron e zënë dhe në të bëhet muhabet në të shumtën e kohës dhe jo telefonata shërbimi. Dungu tregon se nuk ndodh kurrë në asnjë vend të botës një sjellje e tillë në masë e qytetarëve me këto lloj shërbimesh. “Ç’të të them. Kjo është bërë si 0900-a. Njerëzia as që e mendojnë se luajnë me jetët e të tjerëve kur mbajnë bllokuar telefonat e urgjencës për të bërë “gallatë”. Por ky është vetëm njëri prej problemeve. “ Na ka ndodhur shpesh që të nisemi dhe të shkojmë në adresa që na lajmërohen me telefon. E kur shkojmë në vend, asgjë....Qoftë ne, qoftë policia, na ka ndodhur që jemi gënjyer”, tregon kryemjeku. Mjekët që komunikojnë në telefon kanë përvojë dhe shpesh e kuptojnë kur po mashtrohen, por jo gjithmonë...”, thotë. Autoambulancat e urgjencës shpesh mbërrijnë me aq vonesë në destinacion, saqë kot ta quash urgjencë.... “ Trafiku i tmerrshëm, rrugët e prishua dhe ndërtimet që kanë bllokuar hyrjet në shumë lagje, janë tre armiqtë tanë më të mëdhenj”. Por edhe mungesa e adresave të sakta është një hall më vete. “ O, ka pasur aq shumë raste që autoambulanca me mjekun dhe infermierin është rrotulluar përqark, ka pritur me minuta të tëra, madje më shumë se gjysmë ore dhe është kthyer mbrapsht, sepse nuk e gjenin dot shtëpinë që u është dhënë nga telefonata”, thotë kryemjeku.
Shërbimi i urgjencës është në hall, sidomos për gjëra që nuk varen nga vetë ai. Të 27 mjekët dhe 21 infermierët që punojnë aty përgjatë 24 orëve të ditës nuk ia dalin dot të jenë edhe të shpejtë, edhe të saktë në këtë kaos të sotëm të Tiranës që dalëngadalë po e kap numrin e 1 milionë banorëve bashkë me periferitë.
Shërbimi i urgjencës ka 7 autoambulanca dhe këto mjaftojnë për të përballuar numrin e urgjencave në qytet, aq më tepër që janë makina të reja. Por në kohë emergjencash, si në rastin e vitit ’97-ës ose në një rast të mundshëm terrorizmi ose katastrofe të papritur, ky kapacitet i urgjencës nuk do të mjaftojë. Emanuel Dungu tregon se më ’97-ën të gjithë kolegët kanë punuar në rrethana gati të një heroizmi ekstrem. Pa pushim 24 orë dhe pa pushim urgjenca në intervale disaminutëshe. “ Ia kemi dalë mbanë dhe kurrë nuk na shkonte mendja se çfarë mund të na ndodhte ne vetë. Për disa ditë ne kemi qenë i vetmi shërbim në Tiranë, sepse spitalet u boshtisën”, tregon Dungu. Por vetëm me vullnet nuk është e mundur. Për të mbërritur në një shërbim për të qenë, bluzave të bardha të urgjencës u duhet të fitojnë betejat me sistemin e sotëm shëndetësor. Ata duan që të varen direkt nga ministria dhe të mos kalojnë nga drejtoria rajonale, hallkë kjo që për çdo problem i ndërlikon dhe i shtrin shumë në kohë zgjidhjet. Edhe për sistemin e telefonisë dhe të radiove zgjidhja s’duhet të varet vetëm nga ministra. Albtelekomi dhe AMC e Vodafon kanë pjesën e vet të mëkatit ndaj urgjencës. Ndërsa bashkia e Tiranës, ka në dorë të lirojë një korsi emergjence në rrugët e zgjeruara, që kanë përfunduar tashmë rikonstruksionin. “ Do të isha i lumtur, nëse do vinte ajo ditë, kur telefonave tanë, qytetarët do t’u bien vetëm për urgjenca”, thotë shefi i shërbimit. Dita kur ankthi për mashtrim nga qytetarët do të marrë fund, do të jetë dita e parë e një shërbimi normal urgjence edhe në metropolin shqiptar.



Urgjencë pa telefona

Tirana është mbase qyteti më i çuditshëm në botë, ku për të marrë numrin e urgjencës, të duhet të kesh po të njëjtin fat që të duhet në një bingo. Janë tre numra urgjence, por vetëm njëri prej tyre është vërtet në funksion dhe ai është me pagesë, pavarësisht se urgjenca hyn te shërbimet shëndetësore falas. “ Na kanë ndodhur çudira me AMC-në dhe Vodafon-in. Ata kanë marrë nga një numër shërbimesh, por kanë bllokuar dy nga tre numrat që kemi në gjithsej”, thotë Emanuel Dungu. Mjeku tregon se për numrin e banorëve dhe propabilitetin e urgjencave, Tirana i ka të mjaftueshëm këta tre numra, por puna është te mënyra e keqe e menaxhimit të tyre. “ Shërbime të ngjashme në botë kanë linja paralele që vazhdojnë një pas një dhe që i lejojnë njerëzit që marrin urgjencën ta gjejnë gjithmonë të lirë këtë shërbim”, thotë mjeku. Ai pohon se edhe me radiot është një problem i madh, sepse nuk janë drejtpërdrejt në dispozicion dhe në varësi të këtij shërbimi. Varësia nga Ministria e Shëndetësisë shpesh i ndërlikon gjërat. Ata nuk e kanë paguar rregullisht taksën për antenën dhe ndodh që radiot të mos funksionojnë për javë me radhë. Kurse me telefona celularë nuk ka para që të realizohet lidhja mes personelit.



“Merr taksi, mua më mbaron turni pas pak minutash”

“Para pak muajsh m’u desh t’i bija njërit prej numrave të urgjencës, sepse papritur shëndeti i babait u përkeqësua dhe prej disa orësh gjendja po bëhej gjithnjë e më e rëndë’, tregon një qytetare. “Kalova nja 20 minuta sa munda ta gjeja të lirë linjën. E pastaj edhe një gjysmë ore të mirë, derisa binda mjekun që të vinte. “ Merrni taksi, zonjë, nëse nuk prisni dot”, kështu më tha në çastet e para të komunikimit. Por nuk kisha nge të merresha me sqarime. I kërkova emrin dhe i thashë se im atë kishte një jetë që paguante sigurime (për çfarë kish paguar, nëse në një ditë të tillë na kërkokeshin të shkojmë me taksi në urgjencë?!). Mjeku, me sa duket një djalë i ri dhe moskokëçarës( që kushedi se si dreqin kishte mundur të bëhej mjek), filloi të bëhej pak më i përgjegjshëm dhe tregoi se ishte në minutat e fundit të turnit, prandaj nuk po impenjohej dot siç duhej. Pas debateve në telefon, ambulanca u nis. Edhe një çerek ore rrugës, sepse trafiku nuk pyet për urgjencë...dhe mbërritën.... Pas vizitës, kur na u desh ta dërgonim babanë në klinikë, një e papritur tjetër na ndodhi. Makina e urgjencës nuk ndizej dhe ca burra të lagjes, që ishin ngritur herët e po pinin kafe në një lokal pranë, i dhanë një dorë shoferit....”
Në Urdhrin e Mjekut askush nuk ka depozituar ankesa për shërbimin e urgjencës. Din Abazaj, president i këtij Urdhri tregon se ka ndodhur vetëm një rast i heqjes së të drejtës së profesionit, një mjeku të ri, por kjo ka ndodhur në urgjencën e njërit prej spitaleve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në Urgjencën e Tiranës askush nuk është ankuar deri tani, sipas mjekut Emanuel Dungu. Por ai tregon se i ka ndodhur të kërkojë vetë në një rast pushimin nga puna të një mjeku, sepse ka konstatuar pikërisht neglizhencë dhe papërgjegjshmëri. Kjo ka ndodhur kohë më parë. Ndërsa për qytetarët që mashtrojnë në telefon, askush nuk di se si t’i ndalojë.

ABC nr.12-Olimbi Velaj
21.11.2005