Ligji komunist i vitit 1944, “Sekuestrimi i pasurisë”, u mori tregtarëve metalin e çmueshëm
14 tregtarët që dokumentojnë sekuestrimin
Luan Kondi
Mjaft shqiptarë posedonin monedha ari, deri sa në vitin 1944, nën justifikimin e “tatimit të jashtëzakonshëm të luftës”, qeveria e Enver Hoxhës i sekuestruan të gjitha monedhat e çmueshme. Më të prekura nga sekuestrimet janë familjet tregtare në Tiranë, Korçë, Elbasan. Në bazë të të dhënave, 650 personave u janë marrë me forcë monedhat e metalit të shtrenjtë, por gazeta “Tirana Observer” sjell për lexuesit 14 emrat, që janë paraqitur nga Komisioni Parlamantar për verifikimin e Thesarit të Shtetit. Këto familje janë: Kazazët, Dovanët, Lekët, Velencët, Konomët, Rexhët, Tahirajt, Merdanët, Bejtjat, Dilot, Papat, Gripshët, Rutët, Çelët e të tjerë.
Komisioni hetimor
Në lidhje me këtë argument, një komision i iniciuar nga Partia Demokratike ndërmori kontrollin e Thesarit të Shtetit dhe i raportoi Kuvendit gjithçka kishte ndodhur nga viti 1938 deri në vitin 1990 në thesar. Sipas raportit, ishte e vështirë të zgjidhej enigma e arit, pasi mungonte dokumentacioni i plotë për ta bërë një gjë të tillë. Për më tepër, kishte një diskordancë të madhe mes deklarimeve të bëra nga personat që e posedonin arin e sekuestruar dhe sasisë së shënuar në dokumentacionet e Arkivit Qendror të Shtetit, Arkivit të Ministrisë së Brendshme dhe dokumenteve të thesarit. Në vitin 1922, u ngarkua nga Lidhja e Kombeve profesor Kalmes, i cili pas verifikimeve i paraqiti një raport të rëndësishëm këtij organi të rëndësishëm botëror, në të cilin thuhej: “Shqipëria zotëron një stok të rëndësishëm metalesh të çmuara të vlerësuara 50 - 100 milionë frangash ari, pa marrë parasysh arin e investuar në stoli”. E njëjta gjë konfirmohet edhe në librin e financës dhe kreditit, ku thuhet se në atë kohë (vitet 1922 – 1925), në Shqipëri, pa përfshirë stolitë, kishte në qarkullim e në thesar një sasi prej 100 milionë frangash ari, që do të thotë se në vendin tonë atëherë ka ekzistuar 320 tonë ar.
Mbreti Zog tërhoqi nga arka e shtetit shqiptar 566 mijë franga ar, ose 28300 napolona, pra pikërisht 183 kilogramë ar. Kjo vërtetohej edhe me situacionin e arkës, më 10 prill 1939. Është folur edhe për grabitjen e arit shqiptar nga gjermanët, në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Sasia e arit prej 2459 kilogramësh u konfiskua nga britanikët, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.
Sekuestrimet
Pas ardhjes në pushtet, komunistët gjetën në Bankën Kombëtare Shqiptare sasinë e 90 kg ar. Megjithatë, sasia tjetër e arit ndodhej në duart e tregtarëve dhe të pasurve të asaj kohe. Qeveria e Enver Hoxhës nxori ligjin “Për tatimin e jashtëzakonshëm për fitimet e luftës”. Nëpërmjet këtij ligji famëkeq, të gjithë tregtarëve iu morën mijëra franga ari. Tatimin ata duhet ta paguanin brenda një kohe tepër të shkurtër, pasi në të kundërt u viheshin prangat apo edhe ekzekutoheshin. Më pas doli një tjetër ligj, ai i “Konfiskimit të pasurisë private”.
Në këtë mënyrë, shumë pasuri të tundshme apo të patundshme u sekuestruan. Sigurimi i Shtetit nisi punën për të mbledhur pasuritë e tregtarëve. U gjetën florinj të fshehur mirë nëpër shtëpi, për t’ua hequr nga dora mbledhësve.
Qyteti me i goditur nga sekuestrot komuniste ishte ai i Tiranës, por nuk mbeten pas edhe qytetet e Korçës dhe Durrësit. Pak ditë pasi doli ligji për sekuestrimin e pasurive, komisioni bëri listat me emrat e tregtarëve të mëdhenj, të cilët njiheshin nga të gjithë. Për të qenë sa më popullorë, paraqitën listën e emrave në gazetën e përditshme.
Komisioni Parlamentar për Thesarin
Për të verifikuar procesin e sekuestrimeve në vitet e para të regjimit komunist, si dhe Thesarin e Shtetit në vitet 1938-1990, në vitin 1991, me nismën e Partisë Demokratike u ngrit një komision i përkohshëm parlamentar, i cili kishte në përbërje: Blerim Çelën si kryetar të komisionit, Gëzim Luli, Behadin Bakalli, Vehbi Gruda, Teodor Keko, deputetë të Partisë Demokratike, Qemal Disha, Sami Kushta, Shkëlqim Cani, deputetë të Partisë Socialiste dhe deputeti i “Omonia”, Thoma Miço. Pas një pune voluminoze, kryetari Blerim Çela lexoi raportin në emër të komisionit, nga ku pas një argumentimi të hollësishëm, u parashtruan disa përfundime.
Familjeve që iu sekuestrua ari
Përfundimet e komisionit
1- Në Shqipëri ka pasur disa dhjetëra tonelata ar në qarkullim dhe të thesarizuara nga popullata, para datës 28 nëntor 1944.
2- Ish-mbreti Zog ka marrë me firmë 183 kg ar, si të ardhura personale të oborrit nga diferencat e këmbimeve valutore me doganat.
3- Ministria e Punëve të Brendshme ka sekuestruar forcërisht sipas ligjeve të luftës, arin e popullit, por pa mbajtur dokumentacion të dyanshëm në momentin e sekuestrimit. Këto sasi janë mbajtur një herë në degët e punëve të brendshme, pastaj në Ministrinë e Punëve të Brendshme e më pas janë dorëzuar në thesar. Shtojmë se këto diferenca tregojnë vetëm majën e ajsbergut, sepse ngelen mbi 650 persona të paidentifikuar që kanë dorëzuar ar, të cilit nuk i është bërë hyrje në thesar.
4- Mënyra e përdorimit të arit nuk dihet, sepse nuk është kontrolluar asnjëherë nga ndonjë organ shtetëror për efekt të ruajtjes së sekretit.
5- Duhet ngritur një grup hetuesish specialistë për të nxjerrë se ku shkoi ari, duke ballafaquar fatkeqit e sekuestruar forcërisht me sekuestruesit. Ne nuk jemi organ hetimor për të parë se ku shkoi ari, kush e vodhi dhe në ç’mënyrë. Ne paraqesim vetëm faktet.
6- Për arin e prodhuar në Rubik, që nga fillimi e deri në ditët e sotme duhet të ngrihet një grup specialistësh, teknologë, kimistë e ekonomistë nga Banka e Shtetit, për të kontrolluar analizat kimike të prodhimit të arit dhe jo dokumentacionin që ka banka, sepse nga ky i fundit nuk del gjë.
7- Për shitjet e arit dhe humbjet në kambizëm të vihen përpara përgjegjësisë ligjore shkaktarët.
8- Të kontrollohet i gjithë dokumentacioni dhe thesari në ruajtje kudo qoftë nga specialistë të Bankës së Shtetit, duke nxjerrë gjendjet e lëvizjet e arit në thesar, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe atë të dërguar jashtë shtetit.
Tirana-Observer.
Krijoni Kontakt