-Surroi: Rezoluta është preambulë për platformën e delegacionit
-Kosumi: Kjo ka qenë zgjidhja më e mirë e mundshme e ligjvënësve
-Thaçi: Me miratimin e Rezolutës është kryer obligimi ndaj qytetarëve
-Hamiti: Çdo zgjidhje tjetër përveç pavarësisë së Kosovës, nuk është zgjidhje
Shkruan : Bajram Lani
Prishtinë, 17 nëntor 2005 - Dilemat rreth miratimit të Rezolutës për pavarësi kanë përfunduar bashkë me dilemat rreth tekstit dhe bashkë me presionin ndërkombëtar rreth miratimit të kësaj rezolute, si rezolutë për pavarësi, apo si platformë-kornizë për grupin negociator të Kosovës. 104 deputetët e pranishëm në Kuvendin e Kosovës, në përjashtim të deputetëve serbë të cilët ende vazhdojnë bojkotin e tyre ndaj Kuvendit, të enjten unanimisht kanë miratuar, pa asnjë solemnitet, Rezolutën për rikonfirmimin e vullnetit politik të popullit të Kosovës, për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përkatësisht nga kreu i saj Hashim Thaçi, para më shumë se një muaji dhe të harmonizuar e të çharmonizuar pastaj ndërmjet grupeve parlamentare dhe dy komisioneve, Komisionit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe Komisionit për gjyqësi. Kështu, në analet e historisë së Kosovës futet edhe një datë e rëndësishme për diskutim, 17 Nëntori 2005. Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet kësaj Rezolute, megjithëse si rezolutë nuk prodhon asnjë efekt ligjor, pos moral dhe politik, nuk e shpalli me akt zyrtar pavarësinë e Kosovës, gjë që i ngriti peshë krerët e UNMIK-ut dhe të bashkësisë ndërkombëtare, por e “rikonfirmon” vullnetin e popullit për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, mbështetur në Kartën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Popujve për Vetëvendosje dhe aktet tjera ndërkombëtare, duke marrë parasysh aspiratën legjitime të popullit të Kosovës të mbështetur në Konferencën e Bujanit, në Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990, në Referendumin e vitit 1991, duke u bazuar në rezistencën e përgjithshme ndaj okupimit dhe në luftën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke e çmuar lart intervenimin e NATO-s në Kosovë. Nëpërmjet kësaj rezolute Kuvendi i Kosovës kërkon përkrahjen ndërkombëtare për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran dhe zotohet për respektimin dhe garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut për qytetarët e Kosovës dhe të drejtave të komuniteteve minoritare në pajtim me standardet ndërkombëtare.
Grupet parlamentare arrijnë më në fund një harmonizim të përbashkët të tekstit të rezolutës
Orë të tëra konsultimesh, mbledhje të Kryesisë së Kuvendit dhe mbledhje të grupeve parlamentare, të enjten kanë rezultuar me formimin e një grupi punues për të harmonizuar edhe një herë tekstin e rezolutës, e cila ishte e harmonizuar më herët si Rezolutë për rikonfirmimin e shpalljes së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Kjo ka ardhur pas presionit ndërkombëtar për variantin e parë të rezolutës, i cili është konsideruar më i papranueshëm për shkak se, sipas tyre, do të paraqesë probleme për procesin nëpër të cilin po kalon Kosova. Përzierje nëpër hollin e sallës së Kuvendit, hyrje-dalje në sallë dhe takime të njëpasnjëshme i kanë karakterizuar orët e paramiratimit të rezolutës. Ndërkohë që vazhdimisht nëpër hollin e sallës së Kuvendit është parë sa në një qosh sa në një tjetër, shefi i Zyrës Britanike në Prishtinë Mark Grosman, përderisa asnjë tjetër zyrtar i lartë ndërkombëtar nuk u pa, sikur që ndodh zakonisht në seanca të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Seanca e paraparë për në orën dhjetë u shty për një orë e gjysmë fillimisht, deri sa u arrit që të formohet grupi punues me përbërje: Fatmir Sejdiu e Nekibe Kelmendi (LDK), Hashim Thaçi e Hajredin Kuçi (PDK), Gjynlaze Syla (AAK), Ylber Hysa (ORA) dhe Mahir Jagcilar nga grupi parlamentar 6 plus. Konsultimet kanë vazhduar edhe për dy orë të tjera derisa grupi i caktuar për harmonizimin e tekstit ka arritur ta harmonizojë tekstin e Rezolutës, më të pranueshme për bashkësinë ndërkombëtare. Tekstin e rezolutës e ka lexuar deputetja e LDK-së, Nekibe Kelmendi, ndërkaq në fund të leximit të saj, të gjithë deputetët i dhanë përkrahje Rezolutës me ngritje në këmbë dhe duartrokitje të gjata.
Kosumi: Kjo ka qenë zgjidhja më e mirë e mundshme e ligjvënësve
Të pranishëm në këtë solemnitet ishin edhe ministrat e Qeverisë së Kosovës të prirë nga kryeministri Bajram Kosumi, ndërkaq nuk ishte ministri për Kthim dhe Komunitete, Sllavisha Petkoviq. Pas miratimit të rezolutës, kryeministri Kosumi tha se ligjvënësit kanë bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme në këtë situatë. “Kuvendi e ka miratuar rezolutën që e rikonfirmon vullnetin politik shekullor të popullit të Kosovës dhe njëkohësisht garanton të gjitha të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës, garanton kufijtë e Kosovës, marrëdhënie të mira me fqinjë dhe garanton marrëdhënie afatgjate me strukturat euro-atlantike”, është shprehur kryeministri Kosumi. Sipas tij, me këtë rezolutë Kuvendi gjithashtu obligon delegacionin e Kosovës që në procesin e negociatave për shtetin e pavarur dhe sovran, të ketë si pikë mbështetëse këtë rezolutë. Kosumi tha se pas një pune të vështirë është arritur momenti i dëshiruar.
Thaçi: Me miratimin e Rezolutës është kryer obligimi ndaj qytetarëve
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, pas miratimit të Rezolutës ka thënë se me këtë akt është kryer obligimi ndaj qytetarëve të Kosovës. “Parlamenti i Kosovës sot kreu obligimin ndaj qytetarëve të Kosovës, nxori vendimin e duhur, vendimin e Rezolutës për rikonfirmimin e vullnetit të popullit të Kosovës, për shtet të pavarur dhe sovran, që vullneti i qytetarëve të Kosovës për shtet është i panegociueshëm dhe çdo marrëveshje në procesin negociator të jetë e ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës, apo nëpërmjet referendumit qytetar”, është shprehur Thaçi, duke shtuar se kjo është rezoluta që e kanë kërkuar qytetarët e Kosovës, “andaj, parlamentarët kanë kryer obligimin e vet qytetar dhe kombëtar”. Rezoluta e miratuar, sipas udhëheqësit demokrat, është rezolutë e unitetit veprues dhe të qëndrueshëm, e cila do të jetë bazë për platformën e ekipit negociator në procesin e shtet-ndërtimit në raport me bashkësinë ndërkombëtare. “Kjo është meritë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, që në një formë apo tjetër kanë kontribuuar për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Por, në të njëjtën kohë vlerësoj se kjo rezolutë e Parlamentit të Kosovës nënkupton se institucionet e Kosovës janë të ndërtuara të punojnë për Kosovën e pavarur me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj”, ka theksuar ai, duke e konsideruar rezolutën edhe si një ndihmesë për investimin e angazhimeve në Kosovë, të SHBA-ve, BE-së. “Ashtu siç ishim dje bashkërisht në përpjekjet për çlirimin e Kosovës, ashtu siç jemi sot në ndërtimin e paqes, do të jemi edhe nesër bashkërisht në procesin e statusit përfundimtar të Kosovës, atij vendimi shumë të pritur nga qytetarët e Kosovës, por edhe në procesin e integrimit të Kosovës në strukturat e BE-së dhe të NATO-s”, ka thënë Thaçi.
Surroi: Rezoluta është preambulë për platformën e delegacionit
Ndërkaq, kryetari i partisë së dytë opozitare në vend, ORA, Veton Surroi, ka thënë se kjo rezolutë është preambulë për platformën e delegacionit dhe si e tillë nuk ka kujt t'i pengojë. “Kjo rezolutë shpreh një unitet të përbashkët dhe të padyshueshëm të këtij parlamenti për pavarësi dhe është një përkrahje e grupit negociator për të ardhmen. Ne i kemi futur aty edhe disa elemente të reja prej të cilave ne kemi insistuar të futet konferenca e Bujanit, rezoluta e së cilës ka qenë akti i parë kushtetues-juridik i Kosovës”, ka thënë Surroi. Sipas tij, me këtë është rikonfirmuar vullneti, i cili duhet të shpie në pavarësi të plotë të Kosovës. “Po të kishim qenë të pavarur nuk do të kishim bërë rezolutë për pavarësinë”, ka thënë ai.
Hamiti: Çdo zgjidhje tjetër përveç pavarësisë së Kosovës, nuk është zgjidhje
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti, njëherësh edhe kryetar i Komisionit për bashkëpunim ndërkombëtar, e ka quajtur miratimin e Rezolutës provë që Parlamenti i Kosovës të artikulohet edhe një herë për kërkesat politike të popullit të Kosovës, të cilat janë shtruar në të gjitha mënyrat siç shtrohet një kërkesë politike, edhe si luftë politike, edhe si luftë për çlirim. “Unë mendoj se efekti i këtij teksti është që kjo të rikonfirmohet që Kosova ka bërë kaq rrugë të gjatë dhe kaq mënyra të kombinuara të veprimit, saqë çdo zgjidhje tjetër përveç pavarësisë së saj nuk është zgjidhje”, ka theksuar ai. Kuvendi i Kosovës, sipas Hamitit, është vendi ku duhet të vendoset, ngase është institucion që përfaqëson popullin e Kosovës. “Ky Kuvend nëse e përfaqëson popullin e Kosovës duhet të marrë fuqinë e vendosjes, mos sot, nesër. Rezolutë do të thotë me qenë i vendosur”, ka thënë Hamiti, duke shtuar se shpallja e pavarësisë iu ka penguar njerëzve, të cilët kanë bërë presione të hatashme mbi përfaqësuesit e Kosovës derisa është arritur ky përfundim.
Puna 45 ditëshe, siç tha kryekuvendari Nexhat Daci, rreth harmonizimit të Rezolutës për rikonfirmimin e vullnetit të popullit për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, është kurorëzuar me miratimin e saj, duke rikonfirmuar edhe një herë vullnetin e popullit të Kosovës dhe duke krijuar një platformë për punën e mëtejme të ekipit negociator në bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës.
Krijoni Kontakt