Shqipëria njeh “Republikën e Maqedonisë”
Tirana zyrtare nënshkruan për herë të parë në planin bilateral marrëveshje me Maqedoninë, me emrin kushtetues Republika e Maqedonisë. ...
Lajmi është bërë i ditur për “Gazetën” nga zëdhënësja e Presidentit të Maqedonisë, Branko Cervenkovski. Deri pak kohë më parë marrëveshjet midis Maqedonisë dhe Shqipërisë janë firmosur duke vendosur vetëm gërmat nistore RM. Por Tirana zyrtare duket se ka vendosur të hedhë një hap më tej gjatë vizitës së presidentit maqedonas në Shqipëri. Ky hap vjen pas dështimit disa ditë më parë të takimit mes presidentit Moisiu dhe atij grek Papulias, në Sarandë dhe në kohën kur Kryeministri Berisha pret që homologu i tij grek Karamanlis të vizitoj Tiranën zyrtare. Pas bisedimeve zyrtare të dy presidentët shqiptar dhe maqedonas, përkatësisht Alfred Moisiu dhe Branko Cervenkovski, kanë marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të katër marrëveshjeve të reja mes titullarëve të institucioneve të dy vendeve sikurse janë: marrëveshja për Mbrojtjen e Informacionit, ajo për Pikëkalimin Kufitar Xhepisht-Trebishtë, marrëveshja për Turizmin dhe Marrëveshje për Kulturën. Gjatë konferencës për shtyp në pyetjen nëse presidenti i Shqipërisë me Qeverinë e re shqiptare ka arritur marrëveshje për përdorimin e emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë në planin bilateral dhe nëse kjo çështje ishte temë e bisedimeve, Moisiu tha se bëhet fjalë për kontest ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, duke shfaqur shpresë që sa më shpejtë të gjindet një zgjidhje, duke u përgjigjur shkurt se pozicioni i Tiranës është i njohur. Duke informuar për kontestin me emrin, Cërvenkovski theksoi se Tirana ka mirëkuptim për këtë problem dhe shtoi se katër marrëveshjet ndërmjet qeverive të Maqedonisë dhe Shqipërisë janë nënshkruar me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë.
Nuk dihet se cili do të jetë reagimi i Athinës zyrtare ndaj hapit më të fundit të hedhur nga shteti shqiptarë, e cila e kundërshton me forcë përdorimin nga maqedonasit të termit “Republika e Maqedonisë”. Në konferencën e shtypit u bë fjalë edhe për liberalizimin e regjimit të vizave midis 2 vendeve. Cërvenkovski tha se në përgjithësi e mbështet liberalizimin me vërejtjen se në pjesën e regjimit të vizave qytetarët duhet të jenë në një pozitë të barabartë si qytetarë të një shteti, e jo pavarësisht nga fakti se cilës përkatësi etnike i takojnë. Ai shfaqi shpresë se këtë çështje do ta ketë parasysh edhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë në periudhën e ardhshme. Ndërsa pala shqiptare theksoi se regjimi i vizave është shumë më i thjeshtë, se jepen viza në vendkalimet kufitare, duke shfaqur shpresë se në periudhën e ardhshme do të ketë përparim të këtij procesi.
Krijoni Kontakt