Në vend të gëzimit, nëna e tri vajzave të mitura derdh lot. Streha e vetme janë murgeshat që i mbajtën edhe dy vajzat
Amnistia, lirohet nëna e vajza 3 vjeçe
Ditën e Krishtlindjeve 2003 vrau bashkëshortin polic, se e keqtrajtonte
Dilore Kuka, ndryshe nga pesë bashkëvuajtëset e saj që patën mundësinë të kalonin portën e hekurt të burgut 325 në kryeqytet, nuk dukej shumë e lumtur. Me vajzën e vogël në krahë nuk harroi të përshëndeste për herë të fundit shoqet me të cilat kishte ndarë hallet brenda hekurave të qelisë.
Tashmë i duhet të bashkohet edhe me dy vajzat e mbetura mes katër rrugëve, ndërkohë e tremb plumbi i gjakmarrjes që mund ta rrezikojë, si të vetmin prind të tyre. Edhe pse e di se Kanuni e ndalon rreptësishtë vrasjen e femrave, ankthi se vajzat e mbetura pa baba tashmë mund të mbeten pa nënë e mundon më së shumti.
Prej katër vitesh që ndodhej në qeli Kuka, vajzat e saj qëndronin te disa murgesha në qytetin e Shkodrës.
"Ai më kishte grabit, ndaj për mua nuk ka kthim pas te prindërit". Teksa thotë këtë, 27-vjeçarja mirditore shpërthen në lot sapo kalon pragun e burgut. E rritur në një familje me 10 fëmijë, mes varfërisë dhe prindërve të moshuar, jeta e Dilores nga Simoni i Mirditës do të merrte kthesë në moshën 18-vjeçare. Atëherë ajo ishte njohur me policin e komunës së saj, i cili më pas do e rrëmbente dhe do e çonte në shtëpi si nuse.
"Vitet e para shkuam shumë mirë, por më pas ai filloi të vinte në shtëpi shpeshherë i dehur dhe nisi të më keqtrajtonte", thotë ajo, duke mos harruar të përqafojë pas çdo fjale vajzën dhe ajo me naivitetin e moshës ia kthen në të njëjtën mënyrë.
Lumturia e çiftit ishte prishur si në rrëfenja. Tashmë ata kishin dy vajza, Julianën dhe Andreanën (tashmë 8 dhe 6-vjeçare), ndërkohë Dilorja priste edhe vajzën e tretë. Moslindja e një djali e bënte edhe më të vrazhdë karakterin prej malësori të Marjanit, i cili kishte filluar ta shtonte dozën e dhunës dita- ditës.
"Një moment dhe gjithçka shumëzohet me zero. Jeta bëhet e padurueshme dhe kur s‘ke rrugë tjetër, do shkosh patjetër në ekstrem". 27-vjeçarja bëhet ca filozofike, thotë se ka mësuar shumë nga qëndrimi në burg. Nuk e ka fjalën për dy profesionet që ka përfituar, rrobaqepësi, parukeri apo dhe gjuhën italiane, por thjesht për mënyrën e re të të konceptuarit të gjërave.
Ka dëshirë ta tregojë shumë shkurt çastin e tmerrshëm të mesditës së Krishtlindjeve të vitit 2003, që e dërgoi në qeli. "Vetëm pak minuta pasi më qëlloi disa herë në fytyrë, Marjani la mbi tavolinë pistoletën dhe hyri në një nga dhomat e shtëpisë. Unë isha përtokë duke qarë. Ulërimave të mia u shtoheshin ato të vajzave. Nuk e mbaj mend mirë skenën, por ajo që më shtyu në ekstrem ishte pistoleta që qëndronte në tavolinë. E rrëmbeva dhe më të në dorë, pa kaluar as dy sekonda, qëllova tim shoq. Gjithçka mbaroi brenda pak çastesh".
Bashkë me vajzën 4-muajshe, brenda 30 minutash përfundon në spitalin e Lezhës. Aty qëndron derisa e merr veten dhe më pas dërgohet në një qeli paraburgimi bashkë me Marselën, për të cilën kujton se vetëm qante.
Fati i keq nis edhe për dy vajzat e mëdha të ish-policit. Një orë më vonë pasi varros të birin, gjyshja i hedh ato në rrugë. Askush nuk i pranon. Familja atërore e Dilores e ka të ndaluar nga Kanuni të rrisë fëmijët e vajzës që i ka koritur dy herë: në fillim kur pranoi të grabitej nga një djalë dhe herën e dytë të vriste bashkëshortin. 27-vjeçarja thotë se nuk është vetëm kjo arsyeja. Kësaj i duhet shtuar edhe niveli i ulët ekonomik në të cilin jetojnë vëllezërit dhe motrat e saj.
Analiza e rrethanave të ngjarjes dhe pendimi i thellë për krimin bën që të dënohej minimalisht. Vetëm 8 vite burg, nga të cilat kaloi më pak se gjysmën. Kjo, për shkak të gjykimit të shkurtuar, të aplikuar në procesin në ngarkim të saj dhe faljeve modeste që aplikon herë pas here drejtoria e burgut për sjellje të mirë, ndërkohë në fund ishte amnistia e Kuvendit ajo që i fali edhe rreth një vit e gjysmë që i kishte mbetur.
Tashmë gjërat kanë anuar pak nga pozitivja. Prindër për dy vajzat e saj do të bëheshin punonjëset sociale të një qendre katolike në Shkodër. Ato ia sillnin nënës në takim një herë në muaj. Vetë 27-vjeçarja ishte punësuar rrobaqepëse burgu. Përveç pagës modeste, 900 lekë të vjetra, për çdo muaj përfitonte katër ditë ulje dënimi.
Tani pohon se çdo gjë, madje edhe jetën e saj, do t‘ua kushtojë tri vajzave. Banesa më e mundshme për të është streha që murgeshat i kanë premtuar në Shkodër. I duhet vetëm një garanci për ta lënë gjallë. "Ende nuk e kam gjetur mënyrën për t‘i lypur faljen e gjakut familjes së ish-bashkëshortit... Të paktën të më lënë gjallë për hir të vajzave", përfundon Kuka.
Krijoni Kontakt