IRNA: Kryeministri shqiptar uroi presidenti iranian për zgjedhjen
Iranianët korrektojnë lajmin për Berishën
Ndryshimi pas përgënjeshtrimit të Tiranës
--------------------------------------------------------------------------------
Armando Meta
Agjencia iraniane e lajmeve IRNA, ka bërë dje një korrektim të lajmit të emetuar dy ditë më parë prej saj, sikur: “Kryeministri Berisha ka vlerësuar qëndrimet transparente nukleare të Iranit dhe veprimtaritë paqësore nukleare të tij”. Agjencia iraniane ka si titull të korrektimit të lajmit të saj tekstin: Në vëmendje të redaktoreve: Ju lutemi përdorni lajmin e mëposhtëm në vend të lajmit te publikuar, me 28 tetor”. Në njoftimin e korrektuar të lajmit prej kësaj agjencie, nënvizohet se “gjatë takimit, kryeministri shqiptar tha se me një qëndrim transparent lidhur me traktatet ndërkombëtare, Irani synon të përdorë energjinë bërthamore për qëllim paqësore”. Berisha, vijon lajmi, theksoi nevojën për zgjerimin e marrëdhënieve mes Teheranit e Tiranës dhe nënshkrimin e marrëveshjeve kulturore dhe tregtare. “Ai uroi gjithashtu presidentin e Iranit, Mahmoud Ahmadinejad për zgjedhjen në këtë post”, theksohet në lajmin e korrektuar të agjencisë iraniane të lajmeve IRNA.
Incidenti
Dy ditë më parë u shënua një incident diplomatik mes Tiranës dhe Teheranit. Ky incident pati si pikënisje, një takim mes kryeministrit, Sali Berisha dhe ambasadorit iranian në Tiranë, Gholamreza Haddadi. Pas takimit në fjalë, ka ndodhur publikimi i lajmit në agjencinë shtetërore të lajmeve iraniane, të quajtur IRNA, sipas të cilës, Kryeministri shqiptar ka thënë se ka vlerësuar qëndrimet transparente nukleare të Iranit dhe veprimtaritë paqësore nukleare të tij. Por menjëherë ka reaguar kryeministria shqiptare, e cila me anë të një përgënjeshtrimi hedh poshtë këtë lajm të agjencisë zyrtare të Iranit. Sipas deklaratës së Kryeministrisë, në një takim kortezie me ambasadorin e Iranit, Berisha i ka theksuar atij se “Shqipëria dëshiron që Irani, në përputhje me traktatet ndërkombëtare që ka nënshkruar, të jetë i hapur për kontrollin dhe transparencën e plotë të veprimtarisë së tij në fushën e shfrytëzimit të energjisë nukleare për qëllime paqësore”. Pas përgënjeshtrimit, kryeministria shqiptare ka paraqitur edhe një deklaratë me tone shumë të ashpra kundër qëndrimit të mbajtur nga ana e presidentit iranian, i cili deklaronte “zhdukjen e Izraelit nga harta”. Në këtë deklaratë thuhet: kryeministri Sali Berisha dënon me ashpërsi të madhe këtë deklaratë të dhunshme dhe të papërgjegjshme të frymëzuar nga urrejtja e verbër, i bindur se ajo bie ndesh në mënyrë flagrante me parimet e larta të paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës së kombeve.
Konflikti bërthamor i Iranit
Programet bërthamore që Irani ka zhvilluar prej vitesh, janë kthyer në “mollë sherri” mes Teheranit dhe komunitetit ndërkombëtar. Zyrtarët kanë deklaruar se këto programe kanë qëllime paqësore, por ndërkombëtarët s’janë të bindur për këtë. SHBA-ja ka deklaruar se regjimi i Iranit është një regjim “kriminel” dhe se armatimi i tij bërthamor rrezikon të gjithë rajonin. SHBA-ja ka kërkuar ta paraqesë çështjen e Iranit në Këshillin e Sigurimit, dhe një gjë të tillë e ka mbështetur edhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore. Inspektorët e kësaj agjencie kanë mbikëqyrur uzinat bërthamore në Iran dhe i kanë mbyllur ato. Por, vetëm pak muaj më parë, zyrtarët iranianë vendosën të hapin uzinën kryesore bërthamore në Ispahan, gjë që ka shkaktuar reagime të ashpra te autoritetet ndërkombëtare.
Kush është
ambasadori i Iranit?
Ne dy deklarata të lëshuara nga Kryeministria dhe agjencia e lajme iraniane IRNA, emri i ambasadorit të Iranit në Tiranë është i ndryshëm. Sipas njoftimit të Kryeministrisë, ambasadori quhet Gholamreza Haddadi, ndërsa sipas agjencisë së lajmeve IRNA ambasadorin iranian në Shqipëri, quhet Habibollah Biazar.
Gazeta Shqiptare
-------------------------------------------------------------------------------------------------------
Duhet shmangur ekspozimi i qeverise Shqiptare me kete shtet anti-amerikan
organik, sidomos tani. Lexova se Berisha u kishte kerkuar ndihme?! Ndihme per
ç'fare, per ferexhe?!
Krijoni Kontakt