22. 2. 2000
SHQIPTARËT-"CAPER EXPIATORIUS" NË "PËRQAFIMIN" VATIKAN-PATRIARKANË
Në një nga paralajmërimet më të mprehta në histori, Hajnrih Hajne është shprehur se nuk duhet nënvlerësuar forca e vërtetë e ideve: idetë e përpunuara nëpër katedra apo tubime studiuesish mund të shndërrohen në armë të përgjakura që shkatërrojnë vende dhe qytetërime të tëra. Ky paralajmërim i Hajnes më sillej ndërmend ndërsa ndiqja seancat e Simpoziumit "Krishtërimi ndër shqiptarë", i zhvilluar në Tiranë nga data 15 deri në 19 nëntor 1999 dhe i organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë.
Para se t'i hyj një analize të hollësishme të këtyre lloj ideve të paraqitura në simpoziumin e sipërthënë, e gjej të domosdoshme që në frymën e titullit të këtij shkrimi të ndërtoj tablonë pjesë e së cilës ato janë. Ndryshe është e pamundur që të kapet sinjifikimi i plotë i këtyre ideve. Përfundimi i Luftës së Ftohtë autentike midis bllokut komunist dhe atij kapitalist, u pasua nga një tjetër "luftë e ftohtë" që diku u shndërrua edhe në të nxehtë, midis katolivizmit dhe ortodoksisë. Fronti i kësaj lufte kalonte përgjatë vijës "tektonike" që ndante dy kishat, duke nisur nga Balltiku në adriatik. Të dy palët synonin të zgjeroheshin në arealin e njëra-tjetrës. Ortodoksia kishte piketuar sidomos Ballkanin Perëndimor dhe posaçërisht Shqipërinë, Kroacinë, Bosnje-Hercegovinën, vende këto që disa ishin plotësisht në arealin katolik (Kroacia), ndërsa të tjerat pjesërisht (Nosnja-Hercegovina dhe Shqipëria).
Nga ana e tij, katolicizmi synonte që të shkëpuste pjesën më të madhe të Kroacisë (ose të gjithën nëse ishte e mundur) një pjesë të madhe të Hercegovinës si dhe të ruante pozitat e tij në Shqipëri e në Kosovë (në këto dy të fundit synonte që të bënte edhe ndonjë prozelit midis myslimanëve). Katolicizmi kishte plane të mëdha edhe jashtë Ballkanit dhe posaçërisht në ish-Bashkimin Sovjetik ku në nisje të viteve të nëndhjeta, Papa Vojtila nisi një veprim ungjillzues në frymën e mesazhit të Fatimasë. Në këto rrethana, relatat midis të dy kishave u tendosën aq sa replikat midis krerëve të tyre të nxirrnin mallin e retorikës së ashpër që këmbenin Uashingtoni dhe Moska në ditët e akullta të Luftës së Ftohtë. Kështu, Vatikani e akuzonte Patriarkanën ruse si nxitëse të përndjekjes së katolikëve dhe uniatëve në ish-Bashkimin Sovjetik (atëherë në prag të shpërbërjes), ndërsa Patriarkana ruse e paralajmëronte ashpër Vatikanin që të mos merrej me gjueti të paligjshme fetare (bërje prozelitësh) në arealin e saj. Nën këtë erë të akullt u ngritën gjuhët e flakëve të Luftës në Ish-Jugosllavi. Akti i dytë i kësaj tragjedie (akti i parë ishte lufta e shkurtër në Slloveni), lufta në Kroaci, për nga mënyra se si u zhvillua bënte asosacion me Kryqëzatën e Katërt (luftën midis Katolicizmit dhe Ortodoksisë). Kroatët dhe serbët paraqitnin në media me bujë të madhe kishat dhe manastiret e tyre të shkatërruara apo të dhunuara nga pala tjetër. Vatikani, më aktiv se kurrë në diplomaci që nga koha e Luftës Tridhjetëvjeçare, ishte krejtësisht në anën e kroatëve dhe përdori gjithë ndikimin e tij që atyre t'u jepeshin armë si dhe që çështja e tyre të gjente mbështetje në kancelaritë dhe forumet ndërkombëtare.
Natyrisht që e gjithë ortodoksia ndërkombëtare me Patriarkanën Ekumenike dhe atë të Moskës së krye ishte në anën e serbëve. Serbët, të cilët ishin sgresorët në luftën në Kroaci, e akuzuan Vatikanin pa terma gjysmake, se ishte sponsorizuesi i një kryqëzate katolike si ajo e vitit 1204, kundër Serbisë ortodokse. Kjo akuzë u amplifikua nga forumet e larta të ortodoksisë ndërkombëtare.
Të gjitha këto bënë që relatat midis Vatikanit dhe dy forumeve relevante të ortodoksisë, Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopolit dhe Patriarkanës ruse të mbeten të ftohta përgjatë gjithë viteve të nëntëdhjeta. Mjaftonte një ngjarje në dukje pa shumë peshë që të nisnin ngacmimet. Të dy palët e ndiqnin me shumë dyshim njëra-tjetrën.
Kjo situartë që pas të gjitha gjasave do të ketë lumturuar shumë Samuel Hantingtonin, pasiqë ajo e ilustronte në mënyrë të përkryer teorinë e tij të paraqitur në librin e bujshëm "Përplasja e qytetërimeve" nuk i interesonte më Vatikanit. Kjo jo për ndonjë resentiment ekumenik, se sa për arsye pragmatike politike. Gjatë luftës në ish-Jugosllavi Vatikani shfaqi ambicje të qarta për të fituar peshë në politikën ndërkombëtare, ashtu siç e ka patur traditën që në Mesjetë kur stabilizonte të ashtuquajturën "pax dei". Këtë ambicie të Vatikanit e denoncoi Shtëpia e Bardhë gjatë luftës në Kosovë, kur në kufirin e skajshëm të taktit të domosdoshëm në raste të tilla, i bëri me dije papës që të shihte punët e tij dhe të mos shkelte në sferën që "i përket Cezarit".
Pajtimi me ortodoksinë ishte "karta fituese" që do të hidhte Vatikani në lojën e tij politike. Qendrat vendimmarrëse ndërkombëtare do të ishin të detyruara që ta konsideronin më ndryshe diplomacinë pontifikale në kushtet e një kombinimi të tillë. Aq më tepër kur dihet ndikimi i fesë mbi politikën në vendet ortodokse. Sa i sinqertë do të ishte pajtimi kjo do të shihet. Por Ortodoksia ishte mjaft e zemëruar me Vatikanin, sidomos që prej luftës në Kroaci. Që të bëhej "përqafimi mes Vatikanit dhe Patriarkanës, duhej një "caper expiatorius" (cjapi biblik i flijuar për të larë mëkatet) dhe si i tillë u gjend kombi shqiptar. Fillimisht Vatikani ia nisi duke ndihmuar që të arrinte sukses dhe të kamuflohej kryqata ortodokse e vitit 1997 në Shqipëri. Komuniteti i san Exhidios në Romë (një institucion misterioz jezuit që shërben si instrument politik i Vatikanit) i mblodhi politikanët shqiptarë të pozitës që po kalonte në opozitë (PD-së) dhe të opozitës që po kalonte në pozitë (PS-së) për të nënshkruar një pakt luajaliteti që rezultoi të ishte një simbil i kipokrizisë së famshme jezuite. Të njëjtën formulë u orvat që ta zbatonte kjo qendër politike jezuite edhe në relatat Serbi-Kosovë me paktin midis Rugovës dhe Millosheviçit për arsimin, i cili synonte që të pengonte aksionin e pritshëm të NATO-s kundër Serbisë.
Ndërsa në rastin e parë Vatikani ia doli që ta çonte "caper expiatorius-in" shqiptar nën thikën e therrtarit ortodoks, në rastin e dytë gjërat nuk shkuan pikërisht ashtu siç ishte parashikuar, sepse vullneti i bashkësisë ndërkombëtare dhe në radhë të parë i SHBA-ve për të mos lejuar që Kosova të flijohej në altarin sllavo-ortodoks, ishte shumë më i fortë se në rastin e parë, kjo për arsye që vetëm përlitazi janë subjekt i këtij shkrimi, diku më poshtë.
Nisjen e fushatës ajrore kundër Serbisë, Vatikani e pa si një rast të ardhur nga qielli (në sensin që prej andej binin bombat), për të dëshmuar mbështetjen e tij për Prtodoksinë, e cila natyrisht që ishte e gjitha në anën e serbëve. Termat e ashpra në të cilat u shpreh Vojtila kundër fushatës ajrore të NATO-s ishin të paprecedent në fjalorin e diplomacisë pontifikale të shekullit XX, gjithherë skajshmërisht diskrete. Me deklaratat e tij të përditshme, vojtila u shndërrua praktikisht në një nga politikanët më aktivë të frontit Anti-NATO së bashku me Jelcinin, presidentin kinez Xe Ming dhe liderët e politikës greke. Papa kërkonte ndalimin e fushatës ajrore pa shpjeguar se si do të ndalonte pas kësaj genocidi serb në Kosovë. Personalitetet e tjera të larta të Vatikanit ishin në garë me shefin e tyre për të artikuluar formulime cinike. Ndoshta më tipiku është rasti i kardinalit Tonini, një prej persoaliteteve më autoritare në Vatikan, i cili kur ishte i ftuar në talk-shoë-un "Moby Dik" të emetuar nga Italia 1 më 10 prill 1999 dhe që i kushtohej luftës në Kosovë, pyeti duke iu referuar fushatës ajrore të NATO-s: "Përse shërbeu kjo luftë kur në vend të Serbisë së Madhe do të kemi Shqipërinë e Madhe ?".
Kjo është njëlloj sikur të thuash "përse shërbeu lufta kundër Hitlerit, kur në vend të Gjermanisë së Madhe patëm Poloninë e Madhe ? A nuk u zgjerua Polonia në dëm të Gjermanisë deri në Oder-Najse ? Në këtë rast do të na duhej që të mos konsideronim genocidin nazist kundër hebrejve. Në mënyrë të ngjashme, edhe Eminenca e tij Tonini nuk e konsideronte fare genocidin serb kundër shqiptarëve, njëlloj si ai inkuizitori mesjetar, i cili kur e pyetën se ç'duhet të bënin me 6000 albigezët e prezumuar si heretikë, u përgjigj "Vrajini të gjithë. Le t'ia lëmë Zotit të gjykojë se cili është fajtor".
Në këtë rast, Tonini u paraqit edhe si zëdhënës i tezave serbe, duke i akuzuar SHBA-të se në Kosovë nuk po mbronin të drejtat njerëzore, sepse donin të krijonin të ashtuquajturën "Shqipëri të Madhe". Sikur të bëhet top-lista e deklaratave keqdashëse dhe paranoiake të bëra gjatë kësaj lufte, me siguri që kjo e Toninit do të kapë vendin e parë si më cinikja. Në të njëjtin talk-shoë, Tonini bëri një krahasim në stilin e propagandës së dikurshme sovjetike për NATO-n. duke hequr një paralele historike, ai aludoi se ashtu si në Athinë që e ekzaltuar pas fitores mbi persët iu drejtua me një kërkesë ultimative për nënshtrim një ishulli fare të vogël, ashtu edhe SHBA-të të ekzaltuara nga fitorja në Luftën e Ftohtë i ishin kthyer tash Serbisë dhe i kërkonin që të nënshtrohej.
Për Toninin, Serbia ishte po aq e pafajshme sa ky ishull i vogël që kishte patur fatin e keq të zgjonte lakminë e Athinës. I zhytur në historinë antike, Tonini kishte harruar të katër luftërat e viteve nëntëdhjetë në të cilat Serbia kishte qenë agresor si dhe genocidin e ushtruar gjatë tyre, genocid që vazhdonte edhe në kohën kur Tonini thoshte këto fjalë. Sigurisht që SHBA-të nuk e meritonin këtë cilësim. Më 1945, kur Armata e Kuqe arriti në Trieste dhe shumëkush e besonte se shpejt ajo do të dilte në Atlantik, papa dhe kardinalët fshiheshin prapa tankeve amerikane dhe i luteshin në heshtje Zotit që t'i ndihmonte ato. Ndërsa në 1999 "L'Oservatore romano" shkruante se "çdo luftë është një fyerje ndaj Zotit" duke aluduar se e tillë ishte edhe fushata ajrore e NATO-s kundër Serbisë. Por disa muaj më pas Vatikani nuk e quajti asfare fyerje ndaj Zotit luftën e popullit katolik të Timorit Lindor për pavarësi. Papa iu drejtua bashkësisë ndërkombëtare me një apel në të cilin shprehej se ajo duhej të impenjohej që të përmbushej aspirata legjitime e popullit të Timorit Lindor për pavarësi. Për Vatikanin kishte dy standarte, njëri për Kosovën myslimane dhe tjetri për Timorin Lindor katolik. Çfarë shembulli i qartë i "moralit absolut katolik" !
Për pezmatimin e madh të Vatikanit, SHBA-të nuk lejuan që Kosova të flijohej. Por gjithsesi, Vatikani gjeti një sadisfaksion në atë çka ndodhi. Vatikani dhe Patriarkanat Ortodokse të Kostandinopolit, Moskës, Beogradit dhe Athinës u "përqafuan" falë bashkëndarjes së kauzës antishqiptare. Në rrethana të tilla, në nëntor 1999, kur relatat midis Vatikanit dhe qendrave relevante ortodokse ishin më të ngrohta se kurrherë gjatë viteve të nëntëdhjeta, u zhvillua në Tiranë Simpoziumi Ndërkombëtar "Krishtërimi ndër Shqiptarë" i organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore shqiptare. Në këtë simpozium para rastin (pas atyre që dëgjova aty nuk mund të them rastin e lumtur) që të marr pjesë edhe unë si i ftuar falë një libri që kam shkruar. I gjithë simpoziumi ishte konceptuar si një spektakël, nëpërmjet të cilit Vatikani i thoshte Patriarkanës ekumenike dhe posaçërisht Kishës greke dhe mëkëmbësit të saj në Tiranë Janullatosit, se kombin shqiptar në të dy anët e kufirit vazhdonte që ta shihte si një "caper ezpiratorius" në marrëdhëniet e të dy kishave.
Që gjërat të shkonin siç duhet, si president i simpoziumit që zgjedhur jo një shqiptar, por italiani Anxhelo Masafra, primati faktik i Kishës Katolike Shqiptare, ndryshe "Janullatosi katolik", i cili gjendet në krye të Arqipeshkvisë së Shkodrës. Si ndihmës kryesor i tij ishte Dom Nikë Ukgjini, famullitari i Shkrelit, një ithtar i jezuitit racist antishqiptar Fulvio Cordignano. Janullatosi nuk asistoi në seancën plenare, me gjasë sepse priste të shihte se si do të shkonin gjërat. Duhet që ta ketë qetësuar fjala e hapjes e Kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare Arqipeshkvit të Tiranës e durrësit Rrok Mirdita, i cili saktësoi se Vija e Teodosit mbetet një realitet në Shqipëri, si për të dashur t'i thoshte Janullatosit se katolikët dakordoheshin me projektin grek që ortodoksia të zgjerohej deri në Mat (tashmë projekt zyrtar i shtetit grek i shprehur publikisht edhe nga ambasadori grek në Tiranë Prevenduraqis më 5 prill 1998 në gazetën "Republika"), sigurisht, me kusht që ortodoksët të lenë ndonjë kishë katolike në jug të kësaj vije, përfshirë edhe selinë e Rrok Mirditës. Këtë Janullatosi është gati ta bëjë në emër të tolerancës fetare. Për të përshëndetur në emër të Kishës Ortodokse (të vasalizuar) shqiptare, Janullatosi dërgoi mitropolitin e Korçës Johan Belushi, alias Fatmir Belushi, mysliman i grekoortodoksizuar në SHBA-të. Me këtë sikur donte t'u thoshte katolikëve se vetëm ai Janullatosi e ka monopolin e fekthimit në Shqipëri, së paku në jug të Vijës. Simpoziumi nuk i zhgënjey asfare shpresat e Janullatosit, madje mund të thuhet pa drojë se i kapërceu ato.
Në seancën e parë të simpoziumit, ish-kryeministri shqiptar Aleksandër Meksi, këtë herë në versionin e historianit referoi mbi temën "Aspektet e organizimit kishtar gjatë Mesjetës". Ndonëse fjala ishte për Mesjetën, Meksi kishte bërë objekt të kumtesës së tij vetëm trevat brenda Republikës së Shqipërisë. Kur dikush ia vuri në dukje këtë, Meksi u shfajësua se ai kishte studiuar vetëm këtë "aspekt" të organizimit kishtar, ndërsa gjatë viteve të nëntëdhjeta nuk kishte patur kohë që t'i zgjeronte studimet e tij. Mbeti mister nëse organizuesit e simpoziumit ishin në dijeni të këtij fakti qëkurse u dakorduan me Meksin që ai të referonte mbi këtë temë, gjë që ndodhi disa muaj para simpoziumit.
Në seancën e parë nuk referoi zëvendësministri i Jashtëm Pëllumb Xhufi, i cili kishte kumtesën e rëndësishme "Kisha romake në Shqipëri në shekullin VI-XVI". Organizuesit thanë se ai mungoi për arsye që kishin të bënin me detyrën e tij, por siç u konstatua kur ai referoi më pas, më tepër ka gjasa që ai të ketë munguar sepse shefi i tij, "historiani" Paskal Milo ishte duke shqyrtuar temën e vartësit të tij.
Në seancën e dytë, Gottfried Schramm nga Gjermania mbajti kumtesën "Krishtërimi në shekullin VI-X dhe marrëdhëniet shqiptaro-rumune". Përse ishte zgjedhur kjo temë kaq irrelevante historikisht ? Është e vështirë të besosh që në këtë periudhë të ketë patur relata të dendura shqiptaro-rumune. Këto ekzistojnë vetëm në fantazinë e atyre që duan t'i paraqesin vllehët si një etni të lashtë në Shqipëri dhe që përdorin si buratinë studiues të tipit Schramm. Në këtë seancë, dy malazezë, Bozidar Sekularac dhe Branislav Kovaçeviç referuan mbi temën "Kryeipeshkvia e Durrësit në kohën e Karl Topisë (shekulli XIV)".
Këta dy malazezë do të ishte më mirë të kishin referuar për Arqipeshkvinë e Tivarit, e cila në këtë kohë ishte duke lulëzuar falë mbështetjes së Balshajve. Por nëse do të kishte ndodhur kështu, simpoziumi do të privohej nga paradokset ironike të tij: studiuesi nga Republika e Shqipërisë Aleksandër Meksi thoshte se nuk ishte kompetent për të referuar mbi organizimin kishtar të trevave shqiptare përtej kufijve të 13-ës, ndërsa dy malazezë ishin kompetentë për të referuar mbi Arqipeshkvinë e Durrësit ! O tempora, o mores ! Organizuesit duartrokisnin.
Mendova se me kaq morën fund çuditë e kësaj seance, por isha gabuar. Pas referimit të studiuesit gjerman Peter Bartl mbi raportet e vizitatorëve katolikë gjatë periudhës turke, Don Marian Ukaj, famullitar i Velipojës iu drejtuar studiuesit gjerman me pyetjen se si e sheh ai faktin që në marrëdhëniet dypalëshe dhe zyrtare Shqipëri-Turqi përdoret termi "populli vëlla turk", kur dihet se Turqia na ka mbajtur të pushtuar për 500 vjet. Si mund të quhet vëlla një popull që të ka shtypur kaq kohë, përfundoi Dom Ukaj.
Nëse zoti Bartl do të kishte sens deontologjik profesional, do t'i thoshte pyetjebërësit se për këtë gjë do të ishte më mirë të pyeste ata që përdorin këtë shprehje. Por zoti Bartl, pa pikën e drojes, u shpreh se shqiptarët kur ndërruan fenë dhe u konvertuan në myslimanë, u shndërruan në turq. Nuk iu besova veshëve ! Unë që isha mysliman, na paskësha qenë turk dhe nuk e kisha ditur ! Sipas logjikës së zotit Bartl, gjermanët kur pranuan fenë katolike u bënë latinë.
Në seancën e tretë ishin rezervuar disa surpriza. Së pari, kumtesa e profesorit nga Italia Roberto Morocco della Rocca "Bashkësitë fetare në Shqipërinë e 1900-ës". Kumtesa ishte një sintezë e librit të Morozzo della Rocca-s botuar edhe në Shqipëri me financimin e Sorosit "Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944". Ky autor është një krijesë e shkollës Cordignano-këtë të fundit ai e citon shpesh. Që në faqen e parë të këtij libri ai shkruan se shqiptarët erdhën në Kosovë pas luftës austro-turke të vitit 1690, duke kapërcyer kështu edhe pjesën më të madhe të historianëve serbë, të cilët thonë se kjo gjë ka ndodhur pas betejës së Fushë-Kosovës të vitit 1389.
Pyetjes sime se si është e mundur që Fondacioni Soros në Tiranë i cili ka shpallur si mision të tijin instalimin në mentalitetin shqiptar të paradigmës së Shoqërisë së Hapur, ka financuar botimin e librit të tij në Shqipëri, kur dihet se sipas ideuesit dhe përpunuesit të paradigmës së Shoqërisë së hapur, Karl Popperit, fetë janë elemente të një shoqërie të mbyllur ? Studiuesi italian iu përgjigj se ai nuk ishte në dijeni të faktit se si ishte botuar libri i tij në Shqipëri.
Por kjo përgjigje nuk e hidhte poshtë faktin që drejtuesit e Sorosit në Tiranë e kishin gjetur konvenues librin e tij. Sigurisht, jo në kontekstin e Shoqërisë së Hapur, por në atë kontekst që kishin botuar librin "Historia e Bizantit" të N. Ostrogorskit, duke vënë në kopertinën e tij një hartë që paraqet Shqipërinë e vitit 1214 të ndarë midis Despotatit të Epirit (i cili kishte arritur deri në Mat) dhe Mbretërisë Serbe. Nga qindra harta të periudhës njëmijëvjeçare bizantine, u zgjodh pikërisht ko ! Jo rastësisht. Libri botohet në kolanën "Libra për një Shoqëri të Hapur" dhe kapaku i tij tregon në mënyrë simbolike se shtrirja e Greqisë deri në Mat është kompatibile me vizionin e Shoqërisë së Hapur. Edhe Popperi po të ngrihej nga varri do të mahnitej me këtë bëmë të fondamentalistëve greko-ortodoksë që kontrollojnë fondacionin Soros në Tiranë. Kjo seancë më kishte rezervuar edhe një surprizë tjetër. Kur po diskutohej mbi nacionalitetin e njërit prej ndërtuesve të kishës së manastirit të Deçanit, Dom Vital Çuçit, i cili ka lënë të gdhendur edhe emrin e tij tek arkitrau i kësaj kishe, Dom Viçenc Malaj nga trevat shqiptare të Malit të Zi (më duhet të them i ndjeri Dom Viçen Malaj, sepse në ndërkohë ka vdekur) u shpreh se ndonëse ka të dhëna që Vital Çuçi është shqiptar, ai nuk e ka përmendur si të tillë në studimet që ka botuar, pasiqë ai, Dom Viçenc Malaj, nuk do që ta marrin për shqiptaromadh.
O Zoti im ! El Greko i bëri pikturat e tij në Spanjë dhe grekët e mbajnë për të tyrin, pa patur drojë se mund t'i quajnë grekomëdhenj, aq më tepër kur dihet se spanja është mjaft larg Greqisë, ndërsa Deçani brenda Kosovës shqiptare.
Surpriza e parafundit e kësaj seance ishte kumtesa e Pëllumb Xhufit, i cili më në fund u lirua nga obligimet e tij politike. Kumtesa e tij ishte një koleksion i trillimeve apo gjysëm të vërtetave historike në pjesën më të madhe me prejardhje nga historiografia greke, mbi shtrirjen e ortodoksisë në Shqipëri gjatë mesjetës. Pas kësaj kumtese u bë një pushim, i cili nisur nga çka ndodhi më pas, duhet të ketë qenë i llogaritur. Them kështu, sepse me të rifilluar seanca, hyri në sallë kurrkush tjetër pos Fortlumturisë së tij (Fortdëshpëruesit të kombit shqiptar) Anasatas Janullatos, i cili u prit me nderime të mëdha nga kerët katolikë. Janullatosi nuk erdhi rastësisht pas kësaj kumtese, me të cilën ai, sipas të gjitha gjasave, ndante autorësinë. Ai kishte pamjen e një triumfatori.
Në përfundim të kësaj seance, dekania e Fakultetit të Historisë të Universitetit të Tiranës Valentina duka mbajti kumtesën "Konferenca e Paqes e Parisit dhe kleri katolik shqiptar". Ajo la pa përmendur një gjë shumë të rëndësishme. Atë që Imzot Luigj Bumçi, në cilësinë e kryetarit të delegacionit shqiptar në Konferencë, kërkoi që SHBA-ve t'u jepej mandati i administrimit të trevave shqiptare të mbetura jashtë kufijve të 13-tës. Në shtëpinë e të varurit nuk bën të përmendet litari. Ishim në vitin 1999 kur Vatikani bëri të pamundurën që NATO-ja dhe në radhë të parë SHBA-të të ndërprisnin fushatën ajrore kundër Serbisë dhe të mos hynin në Kosovë. Pastak kjo gjë nuk do t'i pëlqente as mikut të nderuar grek, Janullatos, i cili kishte qenë haptazi në anën e serbëve kundër NATO-s. Dhe ortodoksja Duka u kujdes që të mos e vinte në vështirësi liderin e vet shpirtëror.
Në seancën e katërt, kur po diskutohej mbi qëndrimin e klerit katolik shqiptar në vitet 1911-1913, dom Simon Jubani tha se shqiptarët nuk u sollën siç duhet gjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912, pasiqë ata nuk luftuan kundër Turqisë. "Ne shqiptarët që mbahemi si të pushkës, nuk ia bëmë bam atëherë kur duhej" tha ai duke aluduar se për faktin që nacioni shqiptar u copëtua si mozomakeq, fajin e ka patur kurrkush tjetër pos shqiptarëve. Ai nuk sqaroi se nëse shqiptarët do të kishin luftuar në krah të fqinjëve serbë, grekë, bullgarë dhe malazezë kundër Turqisë, a do t'i nulifikonin fqinjët paktet e fshehta për copëtimin e trevave shqiptare që kishin bërë para se të niste Lufta Ballkanike ? Dhe nuk është se shqiptarët nuk qitën pushkë gjatë kësaj lufte. Qitën sa i dëgjoi Evropa mbarë. A ka dëgjuar Dom Simon Jubani për pushkët e topat që qiti Shkodra e tij për t'u mbrojtur nga mësymja malazezo-serbe ? Për pushkët që qiti Janina për t'u mbrojtur nga grekët apo Kosova për t'u mbrojtur nga serbët ? Apo ai donte që shqiptarët të qitnin pushkë për kurorën e Karagjorgjeviqëve ? Kështu që s'do të kishte më Kosovë shqiptare dhe papa i tij plak s'do të mundohej më 1999 për të mbrojtur sundimin serb mbi të ? Në përfundim të seancës së fundit e cila i ishte kushtuar letërsisë dhe muzikës kristiane, e mori fjalën Janullatosi, por jo për të folur mbi këto tema. Ai bëri përshëndetjen që normalisht do të duhej ta kishte lexuar në seancën plenare në nisje të Simpoziumit. Pra ai, duke i thyer rregullat e tubimeve të këtij lloji në mënyrën më brutale, përshëndeti vetëm pasi i vrojtoi zhvillimet e simpoziumit dhe gjërat i rezultuan të pëlqyeshme. Këtë fyerje e duroi e gjithë salla me përjashtimin tim, që u çova dhe ika sapo ai nisi të fliste. Ka një kufi edhe durimi apo jo ?
Kështu përfundoi ky simpozium, kumtesat e të cilit shqiptarët së shpejti do të kenë fatin t'i gjejnë të botuara në një libër të posaçëm. Në përfundim të tij më erdhi ndërmend rishtaz shprehja e Hajnes që e solla në nisje të këtij shkrimi dhe pyetja vetën: po vetë këta njerëz a e dinë se idetë e tyre mund të kthehen në "armë të përgjakura" të kryqatës ortodokse kundër shqiptarëve ? Këtë pyetje nuk isha në gjendje ta ndaja deri ditën kur një mëngjes në këtë fillimviti duke ecur përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" u gjenda (në sheshin para piramidës" përballë një blloku betoni prerë në krejt hapësirën e tij nga konfiguracion i çuditshëm. Në sfondin e këtij masivi ishte vënë e famshmja "këmbanë e paqes" me citatin e Rexhep Meidanit. Duke ecur në rrugën e hekurt që të çonte nën këtë këmbanë, e gjeta dhe përgjigjen për pyetjen time. Po, ata njerëz që e organizuan simpoziumin janë të vetëdijshëm se idetë e tyre mund të shndërrohen në armë të përgjakura kundër shqiptarëve. Kjo këmbanë e derdhur nga gëzhojat e armëve me të cilat u krye revolucioni bolshevik i 1997-ës, ndryshe kryqata ortodokse, e dëshmon këtë. Ajo simbolizon konsakrimin e armëve me të cilat u krye kryqata ortodokse. Kisha Ortodokse nuk mund ta bënte atë këmbanë dhe ta vinte në mes të Tiranës, sepse kështu do të dilte fare hapur. E bënë katolikët për llogari të saj. Aty poshtë këmbanës, duke lexuar citatin e Rexhep Meidanit "Paqja ka emrin e fëmijëve, le t'i shërbejmë asaj ashtu si edhe fëmijëve" nënqesha, sepse më erdhi ndërmend se ku e kishte gjetur presidenti ynë që nuk është i fortë të artikulime retorike të këtij lloji, citatin në fjalë. Atë e ka thënë kryetari i Partisë Komuniste Franceze Marsel Kashen në Kongresin e Paqes organizuar nga Kominterni më 1937. I mbetet presidentit të gjejë se në ç'mënyrë citati kaloi nga arkivat e ish-Institutit të Studimeve Marksiste Leniniste (ku ruhej gjithë pasuria retorike e komunizmit ndërkombëtar) për në tryezën e tij, që të përfundonte pastaj i gdhendur në këmbanën e paqes. Po Rrok Mirdita, di diçka rreth kësaj ? A nuk ka arritur që të kuptojë se citati në thelb nuk është gjë tjetër veçse një eufemizëm tipik i idolatrisë marksiste ? Në konceptin religjioz, paqja ka emrin e Zotit. Ndërsa në konceptim ateist marksist ajo ka gjithfarë emrash, duke nisur nga populli, që për marksistët është Zoti dhe deri tek fëmijët, si ajo pjesë e popullit me të cilën marksistët kanë parapëlqyer gjithherë që të krijojnë eufemizma mallëngjyese. E pra, Rrok Mirditës i falet mbase që të gabojë në politikë, sepse fusha e tij është teologjia. Por kur bën "gabime teologjike" në politikë, këtu ka diçka të ndërlikuar. Në këtë rast provohet maksima e njohur se politika është një këshilltare e keqe për fenë, madje edhe në rastin kur këshillat e saj i përsjell me anë të diplomacisë. Nëse është e vërtetë ajo që thuhet, se kjo historia e këmbanës ka nisur pas një propozimi të ish-ambasadores së SHBA-ve në Tianë Mariza Lio bërë kreut të katolicizmit shqiptar, atëherë këmbana na del edhe simboli i diçkaje tjetër. Ajo simbolizon atë aspekt paranoiak të politikës amerikane, e cila lejon që lobi grek në Amerikë të dominojë dhe të pilotojë këtë politikë në Tiranë, për llogari të interesave greke, për të cilat nuk bën ndonjë zbulim të madh po të thuash se janë krejt në kundërshtim me interesat amerikane në rajon dhe në sintoni me ato serbo-ruso-knieze. Nësedo të perifrazojmë titullin e librit të Heminguejit "Për kë bien këmbanat", do të thoshim se kjo këmbanë bie në mënyrë funebër për interesat amerikane në Shqipëri dhe në rajon. Nëse amerikanët nuk e kuptojnë këtë, atëherë do të ikin nga Evropa Juglindore (Ballkani siç vazhdojnë ta quajnë me kryeneçësi grekët) "bag and baggage", ashtu si dikur nga Indokina dhe askujt s'do t'i vijë keq për ta përpos shqiptarëve, duke përjashtuar natyrisht beniaminët e tyre socialistë helenofonë. Qui vivra verra (kush do të rrojë do të shikojë).
Nuk rrija dot më poshtë asaj kambane, sepse më ngjante me këmbanën e poezisë së famshme të Gëtes, e cila i ndiqte fëmijët për t'i zënë brenda. Ndryshe nga ç'thotë Meidani në citatin e tij, kjo këmbanë nuk është simbol i paqes për fëmijët shqiptarë, por simbol i maktheve që po u pëgatiten atyre në Shqiëprinë politike dhe në Kosovë. Ashtu si këmbana-kurth e Gëtes, ajo kërkon të zërë brenda kombin shqiptar për llogari të gjeopolitikës greko-serbo-ruse-kineze. Midis asaj këmbane dhe bllokut të betonit nisa ta ndjej veten si mes Shillës dhe Karibdës. Megjithatë nuk ika pa u përpjekur të zbuloja kuptimin e konfiguracionit të habitshëm që ishte paraqitur në masivin prej betoni që i rrinte si sfond këmbanës. Sa më tepër e këqyrja, aq më absurd më dukej. Më ngjante sikur aty ishte paraqitur në mënyrë simbolike bërja e shqiptarëve "caper expiatorius" i "pajtimit" katoliko-ortodoks. Fjalën pajtim e shkruaj në thonjëza, sepse nuk besoj se ky "pajtim" pragmatik është i sinqertë. Nuk kam dëgjuar që papa të ketë quajtur të mbyllur historinë e mesazhit të Fatimasë për ungjillëzimin katolik të Lindjes. Gjithsesi, konfiguracioni në një sens të sigurt simbolizon moralin relativ që Vatikani, tempulli i miralit absolut është duke dëshmuar ndaj shqiptarëve.
U largova nga platforma poshtë këmbanës për të mos u kthyer kurrë më aty. Duke kaluar përgjatë bulevardit më shkuan sytë tek katedralja e pambaruar katolike, më erdhi ndër mend historia e ndëshkimit të katedrales ortodokse në qendër të Tiranës dhe vendosa që ta mbyll këtë shkrim me këto vargje të Hajnes që në një sens të sigurtë kanë vlerë edhe për ne sot:
"Por pa shiko-atje, nën shkëlqim hëne
një mike e vjetër na ngrihet përpjetë:
Është Katedralja e Këlnit
E zezë sterrë si djalli vetë !
Dinakët e Papës në fillim fare
Si një Bastijë shpirti e menduan
Do dergjej në të gjykimi gjerman
Si në një burg vigan-Por u gabuan !
Se erdh' Martin Luteri dhe tha "Ndal"
Ish urdhër ky dhe jo shaka
Sakaq ndërtimi i katedrales
Përgjysëm na u la.
Sa mirë nuk u mbraua
Se kjo e bëri monument
Të Gjermanisë protestante
Një forcë që të lë pa mend !
Kastriot Myftaraj
Tiranë
Krijoni Kontakt