I regjistruar në ’95 në fakultetin Thirrja Islame në Tripoli. Bashkë me të liderë të Komunitetit Musliman
Zëri i Qeverisë, student i fesë në Libi
Zëdhënësi Dritan Mishta pranon: Po, kam qenë atje
--------------------------------------------------------------------------------
TIRANE
Zëdhënësi i qeverisë Berisha ka studiuar në një shkollë fetare në Libinë e Kadafit, por ky fakt nuk është përfshirë në CV-në e Dritan Mishtës të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave. Në të është shënuar se zoti Mishta është diplomuar në fakultetin e drejtësisë në Tiranë dhe se profesioni i tij është ai i avokatit.
Gazeta ka mundur të sigurojë dëshmi të cilat ndriçojnë një fakt të së shkuarës akademike të zëdhënësit të qeverisë. Pikërisht atë pjesë të saj që ai duket se e ka lënë në errësirë. Në vitin 1993 zëdhënësi Mishta ka qenë pjesë e një liste me emra të vënë në dispozicion nga Komunitetit Musliman i Shqipërisë, në kontigjentin e të rinjve shqiptarë që do të studionin në shkollat fetare jashtë vendit.
Lista
Mishta është nisur në Turqi në vitin 1993 dhe ka qëndruar atje vetëm për dy vite. Ky ka qenë dhe hapi përgatitor për të hyrë në karrierën fetare, pasi Turqia ishte stacioni i parë i shkollimit të tij. Në vitin 1995 ai është transferuar në Tripoli, Libi. Është interesante të nënvizohet se në atë kohë Libia e Muhamar Kadafit ka qenë në listën e zezë të komunitetit ndërkombëtar dhe e konsideruar si shtet që përkrahte terrorizmin ndërkombëtar. Në Libi Mishta është regjistruar në Fakultetin Teologjik “Ftesë në Islam”, një shkollë e krijuar në vitin 1972 nga Këshilli i Komandës Revolucionare. Kjo shkollë është e financuar nga Fondi i Xhihadit. Ajo financohet gjithashtu edhe nga ndihmat, kontributet, donacionet dhe dhuratat e afruara prej vendeve të tjera islame.
Shkolla në fjalë, mbas katër vitesh studimi, afron një diplomë ekuivalente me B.A Degree. Shkolla përgatit drejtues të lartë fetarë dhe këtë karrierë do të kishte edhe zëdhënësi Mishta, nëse nuk do ta kishte ndërprerë shkollën për arsye që vetë zëdhënësi i qeverisë nuk dëshëroi t’i bëjë të ditura mbrëmë. Ai i ka ndërprerë studimet dhe vetëm më pas, është regjistruar në fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. Bashkë me Mishtën, në shkollën fetare kanë studiuar edhe emra të njohur të Komunitetit Musliman Shqiptar. Saimir Rusheku, drejtor I arsimit në KMSH, Ermir Gjinishi, ish-numri dy i Komunitetit, Artan Shaqiri, kryetar I Partisë Atdheu e të tjerë më pak të njohur, kanë qenë bashkëstudentë të tij në fakultetin “Ftesë në Islam”.
Konfirmimi
I kontaktuar mbrëmë nga Gazeta, vetë Dritan Misha e ka pohuar këtë fakt. “Po, unë kam qenë atje”, tha mbrëmë Mishta në një bisedë telefonike. Përkundër burimit të Gazetës – një bashkëstudent i zëdhënësit të sotëm të Berishës - që pretendon se kohëzgjatja e studimeve të Mishës ka qenë gati dy vjet e gjysëm, vetë Mishta e redukton ndjeshëm këtë kohë. “Kam qenë aty vetëm për pesë apo gjashtë muaj dhe më pas u largova për të ndjekur fakultetin e Drejtësisë”. Ai nuk ka pranuar të flasë më gjatë për Gazeta dhe ka mbyllur telefonin.
Dritan Mishta është regjistruar në fakultetin islamik në vitin 1995. Fakulteti përgatit kuadrot më të lartë të fesë islame dhe financohet nga Fondi I Xhihadit
Bashkëstudentë të tij edhe figura të njohura të Komunitetit Musliman Shqiptar. Vetë Dritan Mishta ka pohuar se ka ndjekur studimet në këtë fakultet për një periudhë kohe
Jetëshkrimi zyrtar
deklaruar nga qeveria
Dritan Mishta
n Master në Studime të thelluara Evropiane, 2003-2005, Qëndra e Studimeve Evropiane, UT.
n Diplomimi: Jurist, Fakulteti i Drejtesise UT,
n Profesioni: Avokat, anëtar i Dhomës së Avokatise Tiranë (aktualisht)
n Titujt: - Avokat; Trajner, lektor për Institucionet Kushtetuese, pranë Institutit të Trajnimit të Administrates Publike; IT AP
n Këshilltar ligjor në një sërë projektesh si: Përmirësim legjislacioni, avokati ne mbrotje te te drejtave te qytetareve; mbrotje e te miturve.
n Pjesemarres si lektor ne nje sere takimesh profesionale brenda dhe jashte vendit.
Krijoni Kontakt