Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Erzeni Maska e Shijaksi-London
    Anëtarësuar
    10-11-2002
    Vendndodhja
    ke kodra kuqe
    Postime
    778

    Hetues anglezë për paratë e krimit

    Operacion në të gjitha bankat e nivelit të dytë ne Tiranë. Verifikim edhe transfertave

    Hetues anglezë për paratë e krimit

    Prokuroria: Bashkëpunimi me homologët për “listën” e të dyshuarve

    Trashgim Sokolaj

    Hetuesit anglezë mbërrijnë në kryeqytetin shqiptar për të hetuar rreth pasurive të emigrantëve që janë skeduar në vepra kriminale. Katër ditë më parë, dy hetues anglezë, të specializuar kundër krimit ekonomik kanë mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme.
    Ata kanë kërkuar të bashkëpunojnë me Prokurorinë shqiptare, në verifikimin e llogarive bankare, transfertave dhe pronave të emigrantëve shqiptarë të dyshuar për trafiqe në Angli. Lajmi konfirmohet nga zyrtarë të Prokurorisë, të cilët thanë se prej dy ditësh hetuesit anglezë, në bashkëpunim me Seksionin Kundër Pastrimit të Parave në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë filluar një operacion hetimor që përfshin të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend, si dhe agjencitë e transfertave. Dy hetuesit anglezë kanë në duar një listë të emigrantëve shqiptarë që janë të skeduar në vepra penale. Burimet thonë se do të jenë vetëm llogaritë dhe transfertat e këtyre personave që do të verifikohen bazuar në procedurat ligjore.

    Operacioni në Tiranë

    Verifikimet kanë filluar dy ditë më parë, kur hetuesit anglezë bashkë me prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme janë paraqitur fizikisht në banka dhe kanë nisur verifikimet. Burimet e Prokurorisë kanë dashur dje të sqarojnë, se bëhet fjalë vetëm për pasuritë e emigrantëve shqiptarë në Angli, të cilët janë skeduar, dënuar ose arrestuar për vepra penale. Në shënjestër të aksionit, sipas burimeve, janë transferuar dhe llogaritë e atyre personave që kanë çështje penale në Shqipëri ose në Angli për vepra penale në fushën e trafiqeve të paligjshme. Organi i akuzës sqaroi gjithashtu se operacioni ka për qëllim verifikimin dhe konstatimin e llogarive ose transfertave të dyshuara për origjinë kriminale, ndërsa për sekuestrimin e tyre duhet të ndiqen hapa të tjerë proceduralë dhe ligjorë. Zyrtarët e akuzës thanë se dy hetuesit anglezë kanë mbërritur në Tiranë në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë mes policisë angleze dhe Prokurorisë shqiptare.

    Hetimi

    Sipas mediave angleze, të cilat bazohen në të dhëna jozyrtare, në Angli deri në vitin 2001 ndodheshin afërsisht 2270 persona të lindur në Shqipëri. Sipas të dhënave, 36 për qind e emigrantëve shqiptarë në Angli ose 820 persona jetonin kryesisht në Londër ose rreth saj. Të dhënat jozyrtare parashikojnë se në vitin 2005 numri i shqiptarëve në Angli mund të shkojë afërsisht deri në 50 mijë emigrantë. Sipas raporteve të vazhdueshme të policisë angleze, disa prej shqiptarëve me qëndrim në Angli janë arrestuar dhe ndiqen penalisht për vepra penale, kryesisht në fushën e trafikut të femrave, por edhe për trafik narkotikësh. Raporti i fundit i Ministrisë së Brendshme angleze nuk thekson një numër të saktë shqiptarësh të implikuar në vepra penale. Megjithatë, hetuesit anglezë janë të sigurt se emigrantët shqiptarë i dërgojnë në Shqipëri fitimet, duke shfrytëzuar familjet e tyre ose llogari të hapura enkas për depozitimin e shumave të fituara në emigracion. Sipas të dhënave, identifikimi dhe zbulimi llogarive bankare dhe transfertave në Angli paraqitet i vështirë, pasi shqiptarët atje përdorin identitete të ndryshme. Ndërsa verifikimet në Shqipëri duken shpresë-dhënëse për policinë dhe Prokurorinë angleze.

    Hetimet

    Hetimet për bandat shqiptare që veprojnë në Angli do të kryhen edhe nga Prokuroria e vendit tonë. Kjo, pasi nga hetimet e përbashkëta është konklduuar se këto organizata kriminale kanë shtrirje në disa vende, përfshi edhe Shqipërinë si një pikë tranziti të trafiqeve të ndryshme. Kështu, një pjesë e këtyre grupeve kanë pasur si furnizues bashkëkombasit e tyre në Shqipëri. Kjo kryesisht për trafikun e drogës, klandestinëve dhe femrave, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion. Burimet saktësojnë se bandat shqiptare që veprojnë në Angli, janë kryesisht të përqendruara në shfrytëzimin e prostitucionit. Ata furnizohen me femra shqiptare dhe të vendeve të Evropës Lindore, kryesisht prej Shqipërisë, pohojnë burimet. Ato theksojnë se nga bashkëpunimi me drejtësinë angleze dhe shkëmbimi i informacioneve, është konkluduar se trafikantët shqiptarë kanë arritur të kontrollojnë thuajse gjithë tregun e mishit të bardhë në Britaninë e Madhe. Një tjetër plan i trafiqeve ku veprojnë shqiptarët, mësohet të jetë ai i trafikimit dhe tregtimit të lëndëve narkotike dhe tranzitimit të paligjshëm të klandestinëve. Nga hetimet e kryera atje prej drejtësisë angleze, është konstatuar se gati të gjithë shqiptarët e dyshuar dhe të akuzuar si pjesë të bandave kriminale, nuk kryejnë punë të ligjshme. Madje, për të fshehur në dukje aktivitetin e tyre kriminal, ata regjistrohen si të papunë dhe trajtim social. Por nga verifikimet e kryera atje, kanë dalë në dritë shpenzimet ditore të të akuzuarve, të cilat ndonjëherë kalojnë edhe trajtimin mujor e asistencës sociale, thonë burimet. Nisur nga këto fakte, janë nisur hetimet, nga ku është konkluduar në aktivitetet e tyre të paligjshme. Provat e pasurive të të akuzuarve nga drejtësia britanike, të verifikuara në vendin tonë, do të përdoren në gjykatë kundër tyre, përfundojnë burimet.


    Dosjet “Matraxhi”, “Balliu”, “Përdoda” dhe “Murrja”
    Operacionet angleze në Tiranë

    Bashkëpunimi i drejtësisë angleze me Prokurorinë shqiptare kanë çuar në qeli shumë autorë krimesh të pazbuluara. Tre vjet më parë, disa hetues anglezë mbërritën në Tiranë për të verifikuar kërpin, një bimë e cila u sekuestrua nga policia me idenë se ishte kanabis sativa. Më shumë se 40 detektivë angleze janë paraqitur si dëshmitarë në gjyqin e zhvilluar në Durrës, për vrasjen e emigrantit shqiptar Dritan Përdoda. Pasi kanë hetuar çështjen në Angli, detektivët janë pyetur nga Gjykata e Durrësit në procesin ndaj Rizvan Matraxhi, i cili dyshohet se e ka kryer krimin më 4 nëntor 2003. Ky proces cilësohet i suksesshëm nga Prokuroria, e cila me ndihmën e detektivëve anglezë pretendon se ka provuar autorësinë e krimit. Në kohën kur policët anglezë dëshmonin në Gjykatën e Durrësit, Petrit Murrja, u arrestua në Tiranë i akuzuar për vrasje më 24 maj 2005. Arrestimi u realizua një javë pasi në Tiranë kishte mbërritur grupi i hetuesve anglezë që kishte bashkëpunuar me Prokurorinë shqiptare, në zbulimin e vrasjes së emigrantit Arben Jahelezi. Në muajin dhjetor 2002, dy hetues anglezë erdhën në Tiranë për të zhvilluar hetime rreth dosjes “Balliu”. Policia dhe Prokuroria angleze në bashkëpunim me akuzën shqiptare bashkëpunuan në hetimet ndaj shtetasit Lulëzim Balliu, i akuzuar për vjedhje antikuarësh në Angli si dhe për rrëmbimin e dështuar të Victoria Beckham. Balliu, i cili u arrestua nga policia angleze më 2 nëntor 2002, sipas mediave angleze kishte planifikuar bashkë me katër persona, ish-anëtaren e grupit muzikor “Spice Girls”, njëkohësisht bashkëshorte e futbollistit David Beckham. Në vitin 2000 katër oficerë anglezë hetuan në Shqipëri rreth vrasjes së Pal Qerimit, ndodhur në Angli.


    Bashkëpunim për kapjen e shqiptarëve që kanë kryer krime në Angli

    Së shpejti drejtësia angleze do t’i përcjellë homologes shqiptare dosjet penale në ngarkim të shqiptarëve që kanë kryer krime në Britaninë e Madhe. Kjo, pasi një pjesë e tyre kanë arritur të largohen nga Anglia dhe dyshohet se strehohen në Shqipëri. Burimet e organit qendror të akuzës pohojnë se, drejtësia angleze ka kërkuar bashkëpunimin për identifikimin e vendndodhjeve të këtyre personave dhe arrestimin e tyre. Kryesisht, hetimi i përbashkët do të përqendrohet në bandat e strukturat kriminale që veprojnë në të dy vendet, por edhe tek ata persona që kanë kryer krime të rënda personale. Gjithashtu do të bashkëpunohet edhe për identifikimin e vendstrehimeve të atyre shqiptarëve, të cilët kanë marrë kredi nga bankat angleze dhe janë larguar prej andej në rrugë ilegale, thonë burimet.

    Vrasësit e Edmond Çullhajt në Londër, u kapën në Shqipëri

    Edmond Çullhaj u ekzekutua më 14 janar të vitit 2002 në Londër, nga dy bashkëkombas të tij, të cilët tashmë janë të paraburgosur. Për këtë vrasje, Prokuroria akuzon Florian Metallën dhe Ermal Sinanin. Kanë qenë deklarimet e dëshmitarëve okularë në vendngjarje, që kanë bërë të mundur ngritjen e akuzave ndaj dy të pandehurve. Gjithë provat materiale që akuzojnë Metallën dhe Sinanin, i janë përcjellë Prokurorisë për Krime të Rënda nga drejtësia britanike. Nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme mësohet të jenë sjellë informacione dhe prova që argumentojnë aktivitetin e tyre kriminal në Angli gjatë periudhës që kanë qëndruar atje si dhe lidhjet e tyre me krimin.

    Plakiçi, tutori shqiptar me mbiemër sllav

    Policia londineze arrestoi disa muaj më parë një nga trafikantët më të mëdhenj shqiptarë të femrave për prostitucion. Ka qenë një e re moldave, me të cilën shqiptari Luan Plakiçi ishte martuar, që ka treguar para gjykatës historinë e saj dyvjeçare si prostitutë për llogari të Plakiçit. Ai ishte martuar me një moldave dhe që natën e parë e kishte çuar të punonte si prostitutë. Aliana, 17 vjeçe, nga Moldavia, ka qenë një nga vajzat e përdorura si prostitutë nga trafikanti shqiptar Luan Plakiçi dhe, së fundmi u dënua nga një gjykatë angleze me 10 vjet heqje lirie. Ky është një nga faktet që gjykata londineze ka dëgjuar nga goja e vetë 17-vjeçares, e cila tha se gjatë dy vjetëve që kishte punuar për llogari të shqiptarit, i kishte dhënë atij rreth 140 mijë stërlina. Aliana që u shfrytëzua për dy vjet si prostitutë nga shqiptari Plakiçi, ishte një ndër shtatë vajzat lindore që u përballën me shfrytëzuesin e tyre në Gjykatën e Londrës. Gjatë dëshmisë ajo ka treguar kalvarin e vuajtjeve nën kontrollin mizor të Plakiçit, që ndryshe e thërrisnin Turi. Ajo nuk ka kursyer fjalët, duke thënë gjatë deklarimeve të saj se ia kishte frikën, edhe pse është pas hekurave. Plakiçi, duke qenë i bindur se Aliana ishte një burim i pashtershëm parash, për ta bërë atë më të sigurt, vendos të martohet me të, megjithëse ajo ishte kundra kësaj martese. "Nuk doja të martohesha, por isha e frikësuar", ka filluar rrëfimin e saj moldavja. Martesa u bë në bashkinë e Harringey në muajin mars 2001, vetëm disa metra larg nga "banesa-burg" ku Plakiçi mbante vajzat. "Me të mbërritur në shtëpi, ai më urdhëroi të heq vellon dhe të bëhem gati për të shkuar në shtëpinë publike ku më kishte gjetur punë në rrugën 'Trinity Road'", ka thënë vajza. Më pas, Plakiçi e ka lënë atë shtatzënë dy herë dhe me forcë e ka detyruar të abortojë. "Megjithëse isha e sëmurë pas abortit, një javë më pas Turi më detyroi të shkoja në punë, sepse, sipas tij, më humbte vendi i punës", ka pohuar 17-vjeçarja. Plakiçi është dënuar disa javë më parë me 10 vjet burg për disa akuza lidhur me trafikimin dhe shfrytëzimin e vajzave lindore.

  2. #2
    I come back
    Anëtarësuar
    01-10-2005
    Postime
    345
    Po pse si ben dot vete hetimet policia shqiptare per keto te ardhura te dyshimta, por u dashka te nderhyje policia angleze ne Tirane.

  3. #3
    Perjashtuar Maska e Prototype
    Anëtarësuar
    10-05-2002
    Postime
    1,450
    Citim Postuar më parë nga qafezezi
    Po pse si ben dot vete hetimet policia shqiptare per keto te ardhura te dyshimta, por u dashka te nderhyje policia angleze ne Tirane.
    sepse jane shume te zote dhe te "pakompromentueshem" gjithashtu jane aq te zote sa ti marrin per dore ti mesojne esh pak ... nuk thua shyqyr qe eshte bere dicka ndaj ketyre kriminelave si fare e keqe qe helmon cdo dite e me shume kombin tone ...

Tema të Ngjashme

  1. Lufta ndaj krimit te organizuar
    Nga Brari në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 171
    Postimi i Fundit: 17-09-2017, 02:56
  2. Aldo Bare: Dokumentat do t’i bëjmë nëpërmjet Gjermenit
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 75
    Postimi i Fundit: 21-05-2007, 00:58
  3. Shkatërrim krimit në PS
    Nga ALBA në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 27-02-2006, 17:34
  4. BE: Krimi ballkanik, rrezik për Evropën
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 79
    Postimi i Fundit: 12-12-2004, 16:39
  5. Tirana pastron paratë e krimit para syve të BE
    Nga Shijaksi-London në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 06-06-2003, 13:46

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •