Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 8
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,013
    Postimet në Bllog
    22

    Uashington: Grupi i Kontaktit diskuton për Kosovën

    Në Uashington, përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit do të zhvillojnë sonte një darkë pune për të diskutuar mbi çështje që lidhen me bisedimet rreth së ardhmes së Kosovës.

    Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se takimi do të kryesohet nga nënsekretari amerikan i shtetit Nicholas Burns dhe do të jetë i mbyllur për median.

    Departamenti i Shtetit tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë emëruar një përfaqësues në bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës.

    Në një letër që i dërgonte dje Grupit të Kontaktit, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova thotë se do të punojë nga afër me këtë grup dhe se populli i Kosovës është i përkushtruar për një shtet të pavarur e sovran.

    E ardhmja e këtij shteti, shkruan Presidenti Rugova, do të bazohet mes të tjerash në barazinë dhe respektimin e plotë të të drejtave të qytetarëve të saj, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare si dhe në marrëdhënie shumë të mira me shtetet fqinje, duke përfshirë edhe Serbinë.

    Ndërkohë, një grup i armatosur i panjohur në Kosovë kërcënoi se do të hakmerret kundër udhëheqësve shqiptarë nëse deputetët e parlamentit nuk miratojnë një deklaratë pavarësie përpara fillimit të bisedimeve për statusin.

    Grupi, i cili e quan veten Ushtria për Kosovën e Pavarur, veçonte në kërcënimin e tij Presidentin Rugova dhe katër anëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar të caktuar për bisedime me autoritetet serbe.

    Grupi, i cili ka dalë në sipërfaqe pak javë më parë, paralajmëronte se po i vëzhgon nga afër veprimtaritë e grupit negociator. Ai nuk përmendëte ndonjë veprim konkret por thoshte se negociatorët do të kenë pasoja nëse kërkesat e tij nuk plotësohen.

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,013
    Postimet në Bllog
    22
    Presidenti i Kosovës, letër anëtarëve të Grupit të Kontaktit]


    5 piketat e Rugovës pë pavarësinë


    Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova i ka drejtuar dje një letër Nënsekretarit Amerikan të Shtetit, Nicholas Burns dhe anëtarëve të Grupit të Kontaktit për Kosovën. Më poshtë japim në tërësi tekstin e letrës së Presidentit Rugova...

    "I nderuari Nënsekretar Burns,

    Po ju shkruaj për t'ju falënderuar edhe një herë për takimin e mirë që patëm gjatë vizitës suaj të kohëve të fundit në Kosovë.

    Në kohën kur po i bëjmë përgatitjet për zgjidhjen e statusit, vendimi që mori këto ditë Këshilli i Sigurimit për të nisur procesin për përcaktim të statusit ka qenë një hap i mençur dhe në kohën e duhur. Si i tillë, ky vendim është çmuar dhe mirëpritur gjerësisht në vendim tim, në Kosovë. Në këtë vështrim, edhe takimi i Grupit të Kontaktit që do të mbahet në Uashington D.C. më 2 nëntor është një zhvillim tjetër me rëndësi për Kosovën.

    I nderuari z. Burns,

    Të nderuar anëtarë të Grupit të Kontaktit,

    Unë si President, forcat politike dhe populli i Kosovës mbesim të përkushtuar të punojmë ngushtë me ju gjatë muajve të ardhshëm.

    Populli i Kosovës është i përkushtuar për shtetin e vet të pavarur dhe sovran, i cili do të bazojë të ardhmen e vet stabile dhe prosperitetin në:

    1. Barazinë dhe respektimin e plotë të të drejtave të qytetarëve të vet, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo religjioze;

    2. Marrëdhënie shumë të mira me shtetet fqinje, duke përfshirë edhe Serbinë, me respektim të plotë të integritetit të tyre territorial;

    3. Ekonominë me orientim tregu;

    4. Luftën kundër korrupcionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar;

    5. Marrjen përsipër dhe përmbushjen e të gjitha obligimeve dhe detyrave ndërkombëtare.

    Në fund të fundit, Kosova si një shtet i pavarur synon integrimin e plotë në UE dhe në NATO, duke qenë në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Takimit të Grupit të Kontaktit i dëshiroj punë të suksesshme dhe mezi presim që të punojmë ngushtë me të gjithë ju gjatë muajve në vijim."



    Ollbrajt: Shpresoj që Kosova të marrë në dorë fatin e saj


    Ish sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Ollbrajt, e cila njihet si njëra prej arkitekteve të ndërhyrjes së Natos në Kosovë tha se shpreson që shoqëria kosovare të bëhet një shoqëri shumetnike e cila të jetë e orientuar nga Brukseli.

    Në komentet që bëri sot në Uashington për Zërin e Amerikës, ish sekretarja amerikane e shtetit tha se është shumë e kënaqur që bisedimet për statusin e Kosovës do të fillojnë.

    Shpresoj, tha zonja Ollbrajt, se bisedimet për statusin do të bëjnë të mundur që populli i Kosovës të ketë në dorë fatin e tij dhe në të njëjtën kohë që në Kosovë të ndërtohet një shoqëri shumetnike.

    Këtë verë, kur isha në Kosovë, tha ish sekretarja e shtetit, u takova me disa serbë të cilët tani ndjehen të izoluar dhe kjo është shqetësuese. Shpresa ime për Kosovën ka qenë gjithmonë që ajo të jetë një shoqëri e lulëzuar shumetnike, një shoqëri e cila të jetë shumë më tepër e interesuar për atë që ndodh në Bruksel se sa për atë që ndodh në Beograd.

    Shpresoj, tha zonja Ollbrajt, se bisedimet për çështjen e statusit do të arrijnë të zgjidhin disa prej këtyre çështjeve.

    Zonja Ollbrajt i bëri komentet në pushimin e një konference ku u diskutua mbi trafikun e qenieve njerëzore dhe mbi çështjen e refugjatëve në botë.

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Citim Postuar më parë nga Albo
    Presidenti i Kosovës, letër anëtarëve të Grupit të Kontaktit]


    5 piketat e Rugovës pë pavarësinë


    Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova i ka drejtuar dje një letër Nënsekretarit Amerikan të Shtetit, Nicholas Burns dhe anëtarëve të Grupit të Kontaktit për Kosovën. Më poshtë japim në tërësi tekstin e letrës së Presidentit Rugova...

    "I nderuari Nënsekretar Burns,

    Po ju shkruaj për t'ju falënderuar edhe një herë për takimin e mirë që patëm gjatë vizitës suaj të kohëve të fundit në Kosovë.

    Në kohën kur po i bëjmë përgatitjet për zgjidhjen e statusit, vendimi që mori këto ditë Këshilli i Sigurimit për të nisur procesin për përcaktim të statusit ka qenë një hap i mençur dhe në kohën e duhur. Si i tillë, ky vendim është çmuar dhe mirëpritur gjerësisht në vendim tim, në Kosovë. Në këtë vështrim, edhe takimi i Grupit të Kontaktit që do të mbahet në Uashington D.C. më 2 nëntor është një zhvillim tjetër me rëndësi për Kosovën.

    I nderuari z. Burns,

    Të nderuar anëtarë të Grupit të Kontaktit,

    Unë si President, forcat politike dhe populli i Kosovës mbesim të përkushtuar të punojmë ngushtë me ju gjatë muajve të ardhshëm.

    Populli i Kosovës është i përkushtuar për shtetin e vet të pavarur dhe sovran, i cili do të bazojë të ardhmen e vet stabile dhe prosperitetin në:

    1. Barazinë dhe respektimin e plotë të të drejtave të qytetarëve të vet, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo religjioze;

    2. Marrëdhënie shumë të mira me shtetet fqinje, duke përfshirë edhe Serbinë, me respektim të plotë të integritetit të tyre territorial;

    3. Ekonominë me orientim tregu;

    4. Luftën kundër korrupcionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar;

    5. Marrjen përsipër dhe përmbushjen e të gjitha obligimeve dhe detyrave ndërkombëtare.

    Në fund të fundit, Kosova si një shtet i pavarur synon integrimin e plotë në UE dhe në NATO, duke qenë në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Takimit të Grupit të Kontaktit i dëshiroj punë të suksesshme dhe mezi presim që të punojmë ngushtë me të gjithë ju gjatë muajve në vijim."


    A mundet dikush nga pjesmarrësit e këtij forumi të na thotë se;
    - çka ka diçka të rëndësishme e interesante në letrën e I. Rugovës, e që nuk është thënë e kërkuar më parë nga shqiptarët e Kosovës, dhe
    - çfarë peshe juridike ose institucionale ka kjo letër e Rugovës drejtuar z. Berns, letër e cila u paralajmërua me pompozitet se do të bëhej nga Presidenti i Kosovës.

    Letra e kërkesa të tilla janë shkruar e bërë me qindra e qindra deri tani, por pavarësinë dhe lirinë e Kosovës nuk e pamë deri sa krisi pushka e lirisë.
    Tani është e lehtë të shkruhen në letër fonatanë deshirash, por për të arritur diçka që dëshirohet (liria dhe pavarësia e Kosovës), duhet edhe sakrificë e mund i madh. E këtë sakrificë e mund I. Rugova nuk e bëri ndonjëherë në jetën e tij. Sakrificën dhe mundin e madh për liri e bëri populli shqiptar, e në mënyrë të veqantë luftëtarët e lirisë të rreshtuar në radhët e UÇK-së. Sakrificë bëri edhe plejada e gjithë spektrit politik që guxoj e diti të organizoj rrezistencën atdhetare, qoftë para vitit 1990 ku dihet se si kaluan përmes ferrit të gjethë të përndjekurit politik, qoftë pas këtij viti, ku në shënjestër të okupatorit të trojeve tona ishin përseri ata që me guxim e vendosmëri kërkonin rrezistencë aktive kundër pushtuesit.

    Prandaj, kjo letër e I. Rugovës dërguar diplomatit amerikan Berns nuk është gjë tjetër pos një demagogji e radhës, kuptohet me qellim të hedhjës hi syve popullit shqiptar, se gjoja është I. Rugova ai që me "vendosmëri" e kërkon pavarësinë e Kosovës!!!

    Shumë më e mirë dhe me rëndësi juridike e politike do të ishte sikur kërkesa e vendosur për Pavarësinë e Kosovës ti drejtohet Grupit të Kontaktit, OKB-së, e pse jo edhe z. Berns, në formën e një Rezolute nga Parlamenti i Kosovës, sesa një letër e tillë si kjo e I. Rugovës!
    Dhe dihet se kush i ka bllokuar e refuzuar nismatë për nxjerrjen e Rezolutës së Parlamentit për Pavarësinë e Kosovës: Nexhat Daci dhe LDK-ja, partia gati private e I. Rugovës.
    ----
    i huazuar nga nji forum shqiptar ndaj te njejtin mendim edhe une Llapi
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Nuk ka konsensus në Grupin Kontaktit?
    Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit, janë takuar mbrëmë në një darkë pune në Uashington, ku nikoqir ishte Nikolas Bërns, nënsekretari amerikan i shtetit. I pranishëm ishte edhe i dërguari special i OKB-s, për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Marti Ahtisari. Siç merret vesh jozyrtarisht, ende nuk është arritur konsensusi brenda Grupit të Kontaktit, rreth modaliteteve të procesit negociator dhe autorizimeve që do t’i ketë Ahtisari, dhe të dërguarit tjerë special, që do t’i emërojnë, Uashingtoni, Moska, dhe Bashkimi Evropian.


    Burime diplomatike, kanë bërë të ditur për BBC, se NATO-ja, tashmë ka bërë të qartë qëndrimin e saj që në ekipin e Ahtisarit, duhet të jetë edhe një përfaqësues i kësaj aleance. Ka të ngjarë që ai të jetë diplomati amerikan, Xhejms Pardju, ish i dërguari special i Uashingtonit, për Ballkanin.


    RTK 03/11/2005 11:44:22
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Nikolas Bërns: shqiptarët të lenë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të respektojnë të drejtat e serbëve
    Ilir Ikonomi
    08-11-2005



    Nënsekretari amerikan i Shtetit Nikolas Bërns u bëri thirrje udhëheqësve shqiptarë të Kosovës që të lenë mënjanë mosmarrëveshjet politike dhe personale tani që bisedimet për statusin përfundimtar do të fillojnë. Ai i bëri komentet gjatë një seance të zhvilluar në komisionin e punëve të jashtëme të Senatit amerikan ku dëshmoi edhe ish diplomati Richard Holbrooke. Thuajse të gjithë senatorët e pranishëm në seancë shtruan me forcë çështjen e respektimit të të drejtave të pakicës serbe në Kosovë si element me rëndësi në përcaktimin e statusit të ardhshëm.

    Nënsekretari i Shtetit Nickolas Bërns, i cili ka drejtuar deri tani përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara për të vënë në lëvizje procesin e përcaktimit të statusit, tha se ka rëndësi qe Uashingtoni dhe aleatët e tij të mbeten neutralë në qendrimin e tyre për çështjen e statusit sepse e ardhmja e Kosovës tha ai, është përgjegjësi vetëm e shqiptarëve dhe serbëve që jetojnë atje si dhe e qeverisë se Sërbisë e Malit të Zi.

    Por rezultati përfundimtar i bisedimeve që pritet të fillojnë pas disa javësh, tha zoti Bërns, duhet të respektojë faktin bazë se 90 përqind e popullsisë së Kosovës përbëhet nga shqiptarë, të cilët u trajtuan mizorisht nga qeveria e Sllobodan Millosheviçit.

    Gjithashtu, tha numri tre i Departamentit të Shtetit, popullsisë serbe të Kosovës duhet t’i jepen siguri se ajo do të ketë një të ardhme dhe se kishat dhe objektet e saj kulturore do të respektohen.

    Siç ndodh në çdo proces negociatash, tha nënsekretari Bërns, asnjëra palë nuk merr çdo gjë që dëshiron. Për të arritur një rezultat të qendrueshëm, tha ai, palëve do t’u kërkohet ndonjëherë që të bëjnë kompromise.

    Zoti Bërns tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë vendosur rreth disa parimeve të cilat duhet të përcaktojnë procesin e negociatave: se kthimi në situatën para vitit 1999 është i paprtanueshëm; se nuk do të ketë ndryshim të kufijve ekzistues të Kosovës dhe se nuk do të ketë ndarje të saj.

    Parime të tjera për arritjen e zgjidhjes, tha ai, janë respektimi i plotë i të drejtave të njeriut dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore të pakicave. Grupi i Kontaktit, tha ai, ka rënë dakord që të përjashtojë nga procesi ata elementë që predikojnë dhunën. Pasi të ketë filluar, tha nënsekretari i shtetit, procesi i statusit duhet të vazhdojë pa ndërprerje.

    Zoti Bërns u bëri kritika të forta udhëheqësve shqiptarë në Kosovë dhe u kërkoi atyre të lenë mënjanë mosmarrëveshjet politike dhe personale. Nëse shqiptarët e Kosovës aspirojnë pavarësinë, tha ai, ky është rasti i tyre më i mirë për t’i treguar botës se përse ata duan të jenë të pavarur. Pavarësia, tha zoti Bërns, duhet të jetë e merituar.

    Nënsekretari i shtetit u bëri gjithashtu thirrje shqiptarëve të jenë të gatshëm për kompromis. Ai tha se përparimi i bërë në Maqedoni në zgjidhjen e shqetësimeve të shqiptarëve mund të shërbejë si shembull për mënyrën se si Kosova do t’i zgjidhë shqetësimet e ngjashme që kanë serbët dhe pakicat e tjera.

    Shqiptarët e Kosovës, tha zoti Bërns, duhet të veprojnë qysh tani për të krijuar një mjedis pozitiv për bisedimet mbi statusin. Ata duhet të bindin komunitetin ndërkombëtar se pakicat në Kosovë do të kenë një të ardhme të sigurt nëse Kosova bëhet e pavarur. Do të ishte një ironi tragjike, tha ai, nëse vetë shqiptarët përpiqen tani të ndjekin një politikë të hakmarrjes dhe frikësimit ndaj serbëve.

    Lidhur me serbët e Kosovës, mesazhi i zotit Bërns ishte se ata duhet të marrin pjesë në institucionet e Kosovës. Serbët, theksoi ai, më kanë thënë se do të parapëlqenin autonomi lokale për veten e tyre. Por duke refuzuar të marrin pjesë në zgjedhje dhe në parlament, ata po humbasin rastin për të thënë fjalën e tyre për të ardhmen e Kosovës. Komuniteti serb, tha zoti Bërns, po e humbet ndikimin politik në Kosovë dhe bilanci flet për një largim të serbëve nga Kosova më tepër se sa për një kthim të tyre. Beogradi, tha ai, mund t’i mbrojë më mirë interesat e serbëve duke i inkurajuar ata të marrin pjesë në jetën politike.

    Zoti Bërns tha gjithashtu se ende nuk është e qartë se cili do të jetë konfigurimi i bisedimeve për statusin. Njëra palë, tha ai, është pala shqiptare por ajo nuk është e unifikuar në qendrimet e saj. Pala tjetër është Beogradi, por nuk është e qartë nëse serbët e Kosovës mund të jenë palë në bisedime dhe në ç’formë mund të jenë.

    Arkitekti i Marrëveshjeve të Daytonit, Richard Horlbrooke, i cili gjithashtu dëshmoi në seancë, tha se nuk mund të shikojë një status tjetër për Kosovën përveç pavarësisë, por kjo, theksoi ai, nuk mund të arrihet pa garanci të hekurta për sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicës serbe. Pavarësia, tha zoti Holbrooke nuk mund të vijë për të zëvendësuar njërën formë të shtypjes me një tjetër.

    Çfarëdo që të ndodhë, tha zoti Holbrooke, në Kosovë do të jetë e nevojshme të qendrojë një forcë sigurie dhe kjo forcë duhet të përfshijë patjetër trupa amerikane.

    Zoti Holbrooke tha se synimi afatgjatë duhet të jetë intergrimi i plotë në një Evropë të unifikuar i krejt Ballkanit, përfshirë Serbinë, Bosnjen, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Kroacinë. Asgjë tjetër nuk do të bënte më shumë për zgjerimin drejt Lindjes të zonës së lirisë dhe demokracisë, një nevojë historike e përparësisë së lartë.

    Nga ngjarje të tilla, tha ai, rajonit mund t’i vijnë përfitime të mëdha ekonomike.

    Richard Lugar, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se ngushtimi i distancës diplomatike midis shqiptarëve dhe serbëve të cilët kanë qendrime të ndryshme për çështjen e statusit, do të kërkojë kompromis midis palëve si dhe një angazhim të vazhdueshëm nga ana e komunitetit ndërkombëtar dhe e Shteteve të Bashkuara.

    Nënkryetari i komisionit, senatori Xhozef Bajden, tha se një formë pavarësie për Kosovën është e vetmja zgjidhje që do të lejojë qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë të realizojnë një të ardhme qendrueshmërie dhe moderniteti.

    Senatorët Xhorxh Voinovich dhe Pol Sarbejns shprehën shqetësim për gjendjen e pakicës serbe dhe bënë pyetje të hollësishme lidhur me garancitë që duhet të ketë pakica serbe në Kosovë. Senatori Voinovich tha se Kosova vazhdon të jetë e pasigurt për pakicat dhe ekziston një mundësi shumë reale që dhuna të fillojë përsëri.

    Ai shprehu shqetësimin për faktin që të dyja palët po hyjnë në bisedime me kërkesa maksimaliste. Si rrjedhojë, tha ai, popullatat e të dyja palëve nuk janë të përgatitura për asgjë më pak se aq dhe kjo mund të krijojë kushtet për trazira si dhe për ata njerëz që besojnë se mbështetja tek dhuna mund të sjellë atë rezultat që nuk mund ta sjellin dot negociatat.
    Z.A
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Gjashtë parimet bazë të Grupit të Kontaktit për Kosovën për zjidhjen e statusit




    --------------------------------------------------------------------------------

    Nju Jork, 9 nëntor 2005 /TN / Grupi i Kontaktit për Kosovën i ka drejtuar sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Anan si dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe zyrtarëve në Prishtinë dhe Beograd gjashtë parimet bazë për zjidhjen e statusit.

    Në këtë dokument theksohet se prioritet kryesor i bashkësisë ndërkombëtare duhet të jetë zgjidhja e arritur me marrëveshje.

    "Një herë kur procesi të fillojë ai nuk guxon të bllokohet dhe duhet çuar deri në fund. Grupi i Kontaktit u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që në negociata të hyjnë me qëllime të mira dhe konstruktive, si dhe të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të hedhin poshtë çdo formë të dhunës, meqenëse për ata që bëjnë thirrje për dhunë nuk do të ketë vend në negociata", thuhet në këtë dokument dhe theksohet se i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara do të ndërmarrë hapa përkatës për të pezulluar apo për të përjashtuar ata individë apo grupe nëse vlerëson se aksionet e tyre nuk kontribuojnë në përparimin e procesit.

    Grupi i Kontaktit u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të formojnë ekipe unike negociatore dhe insiston që në procesin e negociatave të sigurohet roli efektiv i serbëve të Kosovës dhe të bashkësive të tjera në Kosovë.

    Procesi i përcaktimit të statusit do të varet jo vetëm nga angazhimi i të gjitha palëve, por edhe nga situata në terren, thuhet më tej në këtë dokument.

    "Implementimi i standardeve që i kanë caktuar Kombet e Bashkuara duhet të vazhdojë gjatë procesit të përcaktimit të statusit dhe do të jetë faktor në përcaktimin e progresit të procest", thonë anëtarët e Grupit të Kontaktit.

    Kur bëhet fjalë për zgjidhjen e statusit të Kosovës Grupi i Kontaktit thekson se ajo duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe ligjeve ndërkombëtare si dhe duhet t'i kontribuojë stabilitetit rajonal.

    "Zgjidhja duhet të sigurojë multietnicitet të qëndrueshëm të Kosovës. Duhet të përmbajë garancione efikase kushtetuese dhe mekanizma përkatës për sigurimin e respektimit të të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të Kosovës si dhe të drejtat e të gjitha bashkësive në Kosovë, duke përfshirë të drejtën për kthim të popullsisë së zhvendosur dhe të ikur në shtëpitë e tyre dhe siguri të garantuar", thekson dokumenti.

    Grupi i Kontaktit gjithashtu insiston që zgjidhja e ardhshme duhet të sigurojë mekanizma për pjesëmarrje në qeveri të të gjitha bashkësive në Kosovë, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal.
    Gjithashtu theksohet se struktura efikase e vetëqeverisjes lokale nëpërmjet procesit të decentralizimit duhet të lehtësojë bashkëjetesën e bashkësive të ndryshme.

    Dokumenti thekson nevojën që zgjidhja e ardhshme të sigurojë mekanizma për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë.

    Grupi i Kontaktit në dokumentin e tij thekson nevojën që zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të forcojë sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

    "Çdo zgjidhje e cila është e njëanshme apo rezultat i dhunës nuk do të pranohet. Nuk do të ketë ndryshim të territorit të tashëm të Kosovës, ndarje të Kosovës apo bashkim të Kosovës me cilindo shtet apo pjesë të ndonjë shteti. Integriteti territorial dhe stabiliteti i brendshëm i fqinjëve rajonalë do të respektohet plotësisht", nënvizon Grupi i Kontaktit.

    Gjithashtu theksohet se zgjidhja për Kosovën duhet të promovojë mekanizma efikasë për forcimin e mundësive të Kosovës që të zbatojë sundimin e ligjit, të luftojë kundër krimit të organizuar dhe të sigurojë karakterin multietnik të policisë dhe gjyqësisë.

    Grupi i Kontaktit në fund përfundon se në Kosovë edhe pas arritjes së zgjidhjes përfundimtare do të jetë e nevojshme prania civile dhe ushtarake e bashkësisë ndërkombëtare e cila do të kontrollojë respektimin e dispozitave nga marrëveshja për statisin dhe të bëjë sigurinë, posaçërisht të pakicave dhe të mbikqyrë dhe t'u ofrojë mbështetje autoriteteve në vazhdim të implementimit të standardeve.
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Zyrtari i SHBA përshkruan kriteret që duhet të përmbushë zgjidhja e Kosovës
    09/11/2005

    Duke folur në komitetin e lidhjeve me jashtë të SHBA të martën, Nënsekretari i shtetit të SHBA Nikolas Bërns u bëri thirrje të gjitha palëve në çështjen e Kosovës të marrin pjesë në mënyrë konstruktive dhe tha se NATO nuk do të tolerojë asnjë orvatje për të përdorur dhunën për përfundime politike.
    (FT - 09/11/05; US Department of State, AP, Reuters, VOA, RFE/RL - 08/11/05)


    "Palët në bisedime, shqiptarët e Kosovës, serbët e Kosovës dhe qeveria e Serbi-Malit të Zi, do të shohin interesat e tyre jetike të rrezikuara. Ne presim që ata të marrin pjesë në mënyrë konstruktive dhe të përmbajnë më tepër grupe ekstreme," i tha Nënsekretari i Shtetit të SHBA Nikolas Bërns një paneli të senatit të martën. [AFP]

    Me bisedimet e statusit përfundimtar të Kosovës të sponsorizuara nga OKB, që pritet të fillojnë brenda javësh, një zyrtar i lartë i SHBA bëri thirrje të martën (8 nëntor) për pjesëmarrje konstruktive të gjitha palëve në proces.

    "Palët në bisedime, shqiptarët e Kosovës, serbët e Kosovës dhe qeveria e Serbi-Malit të Zi, do të shohin interesat e tyre të rrezikuara," i tha komitetit të lidhjeve të jashtme të senatit të SHBA, Nënsekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Politike, Nikolas Bërns. "Ne presim që ata të marrin pjesë në mënyrë konstruktive dhe të përmbajnë më tepër grupe ekstreme nga përdorimi i dhunës për të fituar përfundime politike."

    Çdo përpjekje e tillë për të përdorur dhunën "do të mposhtet shpejt dhe vendosmërisht nga NATO", shtoi Bërns.

    Shtetet e Bashkuara janë anëtare të Grupit të Kontaktit gjashtë-vendësh, i cili përfshin gjithashtu Britaninë, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Rusinë. Ajo do të luajë një rol aktiv në bisedimet të cilat do të kryesohen nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan për negociatat, ish presidenti finlandez Marti Ahtisaari.

    Nga që zyrtarët e shqiptarëve të Kosovës dhe ata serbë ka gjasa të hyjnë në proces me qëndrime të dyanshme ekskluzive, Bërns tha se ai pret që bisedimet të jenë "të vështira".

    "Shqiptarët e Kosovës ngulmojnë se ata mund të jenë të sigurtë vetëm në se janë të pavarur nga Serbia," i tha ai komitetit të senatit. "Serbët promovojnë një të ardhme me 'më shumë autonomi por më pak se pavarësi' si më të shumtën që mund të mbështetin."

    Anëtarët e Grupit të Kontaktit, si edhe BE dhe NATO që gjithashtu do të jenë të përfshira në bisedime, janë tërhequr nga sinjalizimi i mbështetjes së tyre për çfarëdo përfundimi të mundshëm të negociatave. Ato kanë përjashtuar megjithatë, çfarëdo zgjidhje që nënkupton një kthim në situatën para vitit 1999, një ndryshim në kufijtë ekzistues të Kosovës apo ndarje.

    "Të tjera parime për një zgjidhje përfshijnë respektin e plotë të të drejtave njerëzore, të drejtat e refugjatëve dhe të personave të zhvendosur për t'u kthyer në shtëpitë e tyre, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare dhe nxitjen e mjeteve efektive për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin," tha Bërns. "Grupi i Kontaktit ka rënë dakord të përjashtojë ata që mbrojnë dhunën dhe atë që, sapo të fillojë, procesi i statusit duhet të vazhdojë pa ndërprerje."

    Diplomati i SHBA i cili priti një takim të drejtorëve politikë nga vendet e Grupit të Kontaktit, të ndjekur gjithashtu nga Ahtisaari dhe përfaqësuesit e OKB-së, BE dhe NATO, tha se komuniteti ndërkombëtar do të garantonte se përfundimi i bisedimeve përmbushte tre kritere kryesore. Së pari, ai duhej të nxiste stabilitetin jo vetëm në Kosovë por në të gjithë rajonin. Së dyti, ai duhej të "ofronte të drejta të plota demokratike për të gjithë njerëzit, veçanërisht pakicat" dhe së fundmi, ai duhej të shpinte më tej integrimin euro-atllantik të rajonit.

    Përpara bisedimeve, Bërns u kërkoi negociatorëve shqiptarë të Kosovës të linin mënjanë dallimet e tyre politike personale dhe të binin dakord mbi një qëndrim të përbashkët.

    "Në qoftë se shqiptarët e Kosovës aspirojnë për pavarësi, kjo është mundësia e tyre e madhe t'ja tregojnë rastin botës që, po të bëhen të pavarur, do të jenë në gjendje të qeverisin efektivisht dhe në një mënyrë që nxit stabilitetin në rajon," tha diplomati.

    Mesazhi i tij për zyrtarët e Beogradit ishte që ata duhet të inkurajojnë serbët e Kosovës për të marrë pjesë në procesin politik. "Komuniteti serb ka humbur ndikimin politik në Kosovë dhe tani ka një dyndje përfundimtare të serbëve," tha Bërns. "Cilado të jetë e ardhmja e Kosovës, Beogradi mund të mbrojë më mirë interesat e serbëve duke i inkurajuar ata të marrin pjesë në politikë dhe të fillojnë të integrojnë veten me fqinjët shqiptarë të Kosovës."

    Ai bëri gjithashtu të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesin pranimin e Serbisë në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s deri sa të zgjidhet çështja e statusit të Kosovës.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Llapi : 09-11-2005 më 23:44
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    BLERIM REKA: STATUSI I KOSOVËS, DIÇKA I NGJASHËM ME ATË QË E KA SOT BOSNJA


    Për “Epokën e re” flet Blerim Reka, ligjërues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës





    - Në rastin e Kosovës më tepër do të imponohet një zgjidhje nga bashkësia ndërkombëtare sesa që realisht do t’i pyesin palët negociatore

    - Nuk dua të prejudikoj statusin e ardhshëm të Kosovës, por do të jetë diçka e ngjashme me atë që e ka sot Bosnja e Hercegovina: është formalisht një shtet sovran dhe i pavarur, realisht është i mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare

    - Blerim Reka nuk është ftuar në grupet punuese të ekspertëve për statusin



    Musli Krasniqi



    Prishtinë, 20 nëntor 2005- “Nëse e keni lexuar mirë pikën 6, me fjalë të tjera, nëse thuhet që nuk ka kthim në periudhën e para vitit 1999, nuk ka ndarje të Kosovës dhe nuk ka bashkim, atëherë mbetet që do të njihet Kosova e pavarur në kufijtë ekzistues. Kjo nuk nënkupton asgjë tjetër pos pavarësisë së Kosovës”, ka thënë në intervistën për “Epokën e re”, ligjëruesi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Blerim Reka.



    KUVENDI I KOSOVËS U VU PARA AKTIT TË KRYER NGA ANA E QEVERISË SERBE



    EPOKA E RE: Profesor, Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten Rezolutën e cila rikonfirmon vullnetin e popullit të Kosovës për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Si e vlerësoni këtë hap të Kuvendit dhe a mendoni se ishte i vonuar?

    Reka: Mendoj se Kuvendi i Kosovës ka vepruar me pjekuri, me maturi dhe unë do të thosha se ka treguar një bashkëpunim maksimal në procesin negociator. Kuvendi i Kosovës e miratoi këtë rezolutë vetëm pasi që Qeveria e Serbisë doli me deklaratë për Kosovën. Kjo tregon se duke respektuar deri në maksimum dhe deri në ditën e fundit bashkëpunimin dhe të përmbajturit ndaj obligimeve që i parasheh Grupi i Kontaktit, që të mos prejudikojë asnjë zgjidhje para procesit negociator, Kuvendi i Kosovës u vu para aktit të kryer nga ana e qeverisë serbe. Do të ishte vërtet absurde nëse njëra palë negociatore del me një deklaratë, në këtë rast Qeveria e Serbisë. Atëherë shtrohet pyetja, pse edhe pala tjetër negociatore të mos dalë me një platformë politike? Në këtë rast, kjo është Rezoluta për pavarësinë e Kosovës, në të cilën do të përcaktohej orientimi i përgjithshëm i cili do ta mandatonte grupin negociator se për çka duhet biseduar.



    EPOKA E RE: Kishte mendime të ndara rreth formulimit të tekstit të rezolutës. Dikush thoshte se duhet të bëhet shpallja e pavarësisë së Kosovës, megjithatë u gjend një solucion tjetër, duke u deklaruar për rikonfirmim të vullnetit të popullit për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. A mendoni se duhej shpallur pavarësia e Kosovës apo është e mjaftueshme forma e miratuar?

    Reka: Nuk do të kisha hyrë në komentime rreth këtyre nuancave, sepse megjithatë kjo është çështje e konsensusit ndërpartiak të grupeve parlamentare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, edhe kjo mjafton, meqenëse nëpërmjet kësaj ne edhe njëherë rikonfirmojmë vullnetin politik, rikonfirmojmë përcaktimin tonë që statusi i Kosovës të zgjidhet në bazë të këtij vullneti, pra në bazë të së drejtës për vetëvendosje.



    NË GRUPIN NEGOCIATOR DO TË DUHEJ TË KISHTE VEND EDHE PËR PARTITË E TJERA



    EPOKA E RE: Kjo rezolutë do të përfshihet në platformën e delegacionit kosovar në bisedimet për statusin. Cili është vlerësimi juaj për këtë grup prej pesë liderësh institucionalë dhe partiakë, dhe a mendoni se është më i miri i mundshëm?

    Reka: Po mirë, në rrethana ndërpartiake çfarë ekzistojnë dhe në mozaikun ndërpartiak që ekziston, i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, këto janë partitë që kanë shumicën në Kuvend. Ndoshta po them se nuk ka qenë keq që për të shprehur një unitet më i madh gjithëkombëtar, do të duhej të kishte vend edhe për partitë e tjera të cilat nuk e kanë shumicën çfarë e kanë katër partitë, por megjithatë janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.



    EPOKA E RE: Grupi negociator do të shoqërohet edhe me grupet punuese të ekspertëve. A keni ftesë nga koordinatori i këtyre grupeve, Blerim Shala, për t’u inkuadruar në to?

    Reka: Jo.



    KOMPROMISI MUND TË JETË SHTETI I PAVARUR I KOSOVËS



    EPOKA E RE: Delegacioni kosovar do të hyjë në bisedime me qëndrimin për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Ai serb paraqet qëndrimin “më shumë se autonomi e më pak se pavarësi”. Në mes të këtyre dy qëndrimeve, autoritetet e huaja përmendin kompromisin. Çfarë mund të jetë ai?

    Reka: Kompromisi mund të jetë shteti i pavarur i Kosovës.



    EPOKA E RE: A pritet që kjo do të jetë e pranueshme nga bashkësia ndërkombëtare?

    Reka: Nuk besoj që bashkësia ndërkombëtare nuk do ta pranojë. Nëse e keni lexuar mirë pikën 6, me fjalë të tjera, nëse thuhet që nuk ka kthim në periudhën e para vitit 1999, nuk ka ndarje të Kosovës dhe nuk ka bashkim, atëherë mbetet që do të njihet Kosova e pavarur në kufijtë ekzistues. Kjo nuk nënkupton asgjë tjetër pos pavarësisë së Kosovës.



    SHQIPTARËT NUK KANË ÇFARË TË LËSHOJNË PE



    EPOKA E RE: Çka mund të lëshojnë pe shqiptarët e çka serbët?

    Reka: Shqiptarët kanë lëshuar pe mjaft dhe nuk kanë çfarë të lëshojnë.



    EPOKA E RE: A mendoni që platforma e shqiptarëve në këto bisedime me qëndrimin ‘Kosova shtet i pavarur dhe sovran’ është më e mira e mundshme? A duhej të hyhej edhe me opsione të tjera, p.sh. bashkimi me Shqipërinë?

    Reka: Unë nuk mund t’i parashikoj zhvillimet historike që do të ndodhin në 10-20 apo 30 vjetët e ardhshëm. Për momentin, si duket, ky është opsioni i pranuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare.



    NË RASTIN E KOSOVËS MË TEPËR DO TË IMPONOHET NJË ZGJIDHJE NGA BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE



    EPOKA E RE: U tha se e ashtuquajtura “diplomaci fluturuese” do të përdoret në negociatat për definimin e statusit të Kosovës. Cila do të jetë metoda e bisedimeve, sipas jush, bisedime dypalëshe, shumëpalëshe apo kjo “diplomacia fluturuese”?

    Reka: Unë kam deklaruar disa herë se më së miri për Kosovën do të ishte organizimi i një Konference paqësore me të cilën do të përfundonte lufta në Kosovë, sepse gjendja e luftës ende nuk ka përfunduar, dhe në të cilën përfundimisht në një nivel multilateral ndërkombëtar do të përcaktohej dhe garantohej pavarësia e Kosovës. Por, si duket bashkësia ndërkombëtare e ka zgjedhur rrugën tjetër, e kjo është rruga e negociatave të ndërmjetësuara e jo direkte Beograd-Prishtinë, nëpërmjet metodës së “shuttle-diplomacy”. Si duket, në rastin e Kosovës më tepër do të imponohet një zgjidhje nga bashkësia ndërkombëtare sesa që realisht do t’i pyesin palët negociatore.



    EPOKA E RE: Çka mund të nënkuptojë kjo zgjidhje e imponuar?

    Reka: Zgjidhja e imponuar është ajo që është e përbërë në pikën 6 të Grupit të Kontaktit, e nëse e interpretojmë, siç e interpretova më herët, është pavarësia e Kosovës në kufijtë ekzistues.



    EPOKA E RE: Ju përmendët një konferencë ndërkombëtare si varianti më i mirë i zgjidhjes së statusit. A mund të ketë një konferencë të tillë në fund të bisedimeve, të tipit të Dejtonit?

    Reka: Jo, por edhe Dejtoni ka qenë kombinim i metodave të presionit diplomatik ku palët janë mbajtur në Dejton të mbyllura me javë të tëra, derisa nuk pajtoheshin me një zgjidhje, e pastaj vetëm është proklamuar solemnisht me një ceremoni së pari në Dejton, e pastaj në Paris, ku është bërë edhe nënshkrimi formal i marrëveshjes për Bosnjën dhe Hercegovinën.



    PALA NEGOCIATORE KOSOVARE NË RAMBUJE KA QENË NË POZITË SHUMË MË TË VËSHTIRË



    EPOKA E RE: Një plan i presidentit slloven për Kosovën parasheh status kalimtar, me një lloj pavarësie deri në fillimin e dekadës së ardhshme. Sa është e mundshme kjo?

    Reka: Ky është një plan interesant.



    EPOKA E RE: Asgjë më shumë?

    Reka: Thashë vetëm interesant.



    EPOKA E RE: Cili është dallimi ndërmjet Rambujesë së vitit 1999 dhe 2006 për Kosovën?

    Reka: Dallimi është thelbësor. Pala negociatore kosovare në Rambuje ka qenë në pozitë shumë më të vështirë, sepse brenda në Kosovë kanë qenë trupa të shumta ushtarake, policore e paramilitare serbe me makineri ushtarake, e cila e pati pushtuar Kosovën. Ndërkaq, ne sot nuk kemi as ushtri, as polici e as paramilitarë serbë, dhe jemi në një pozitë shumë më të mirë negociatore, dhe mendoj se edhe koha punon për ne. Prandaj, jam vërtet i bindur se dallimi ndërmjet Rambujesë dhe Kosovës së 2006-s është i madh.



    EPOKA E RE: Cili mendoni se do të jetë roli i shteteve fqinje gjatë definimit të statusit të Kosovës?

    Reka: Shtetet fqinje pak a shumë veçse u deklaruan në javët e kaluara, se do të pranojnë produktin që do të dalë nga procesi negociator. Ky është qëndrimi i Maqedonisë dhe Malit të Zi, ndërkaq që Shqipëria u deklarua qartë para disa ditës se është për pavarësinë e Kosovës.



    EPOKA E RE: A mund të ketë një protektorat të ri të Bashkimit Evropian mbi Kosovën?

    Reka: Nuk besoj, jo protektorat në formën klasike, por sigurisht Unioni Evropian do të jetë shumë i përfshirë në fazën e paspavarësimit të Kosovës.



    EPOKA E RE: Ju përmendët më herët pak a shumë modelin e Bosnjës që mund të praktikohet në Kosovë. A mund të cilësohet fitore për shqiptarët një zgjidhje e tillë e statusit?

    Reka: Nuk do ta komentoja.





    PAVARËSIA E KOSOVËS - NËSE PAJTOHET BEOGRADI, PSE TË MOS PAJTOHEN KINA E RUSIA



    EPOKA E RE: A do të përcaktohet në fund statusi i Kosovës me një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së?

    Reka: Kjo është edhe dilema, a do të përfundojë ky proces negociator me një traktat të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht i cili do t’iu jepet palëve që ta nënshkruajnë, pra diçka si në Dejton, apo vetëm do të jetë një material i cili do t’i jepet Këshillit të Sigurimit dhe pastaj ky të sjellë një rezolutë. Të shohim se me çka do të përfundojë ky proces negociator.



    EPOKA E RE: Por a do të pajtoheshin Kina dhe Rusia me pavarësinë e Kosovës?

    Reka: Nëse pajtohet Beogradi, pse të mos pajtohen Kina dhe Rusia.



    STATUSI I KOSOVËS, DIÇKA I NGJASHËM ME ATË QË KA SOT BOSNJA E HERCEGOVINA



    EPOKA E RE: “Pavarësia e kushtëzuar” është opsioni më i përfolur për definimin e statusit politik të Kosovës. Çka mund t’i kushtëzohet Kosovës?

    Reka: Shikoni, unë po them edhe njëherë, epilogu final do të jetë pavarësia. Ndërkaq, modalitetet se si do të monitorohet kjo pavarësi, do të jetë një mbikëqyrje edhe disavjeçare mbi Kosovën nga bashkësia ndërkombëtare. Nuk dua të prejudikoj statusin e ardhshëm të Kosovës, por do të jetë diçka e ngjashme me atë që e ka sot Bosnja e Hercegovina: është formalisht një shtet sovran dhe i pavarur, realisht është i mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare.

    Pala negociatore kosovare në Rambuje ka qenë në pozitë shumë më të vështirë, sepse brenda në Kosovë kanë qenë trupa të shumta ushtarake, policore e paramilitare serbe me makineri ushtarake, e cila e pati pushtuar Kosovën. Ndërkaq, ne sot nuk kemi as ushtri, as polici e as paramilitarë serbë, dhe jemi në një pozitë shumë më të mirë negociatore, dhe mendoj se edhe koha punon për ne

    Epoka e Re
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

Tema të Ngjashme

  1. Skandali i ambasadorit shqiptar në SHBA, Fatos Tarifa
    Nga Pride në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 53
    Postimi i Fundit: 30-11-2007, 18:18
  2. Serbia e tandemit Tadiq-Koshtunica...
    Nga Sabriu në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 20-03-2007, 13:26
  3. Unë Kam Dhënë Shumë Më Shumë Pare Për Kosovën Se Sorosi
    Nga Harudi në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 08-03-2007, 15:11
  4. Adem Demaci: Eksperimenti politik ndërkombëtar me Kosovën
    Nga ARIANI_TB në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 20-04-2006, 18:39

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •