Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    14 tregtarët që dokumentojnë sekuestrimin

    Ligji komunist i vitit 1944, “Sekuestrimi i pasurisë”, u mori tregtarëve metalin e çmueshëm

    14 tregtarët që dokumentojnë sekuestrimin

    Luan Kondi


    Mjaft shqiptarë posedonin monedha ari, deri sa në vitin 1944, nën justifikimin e “tatimit të jashtëzakonshëm të luftës”, qeveria e Enver Hoxhës i sekuestruan të gjitha monedhat e çmueshme. Më të prekura nga sekuestrimet janë familjet tregtare në Tiranë, Korçë, Elbasan. Në bazë të të dhënave, 650 personave u janë marrë me forcë monedhat e metalit të shtrenjtë, por gazeta “Tirana Observer” sjell për lexuesit 14 emrat, që janë paraqitur nga Komisioni Parlamantar për verifikimin e Thesarit të Shtetit. Këto familje janë: Kazazët, Dovanët, Lekët, Velencët, Konomët, Rexhët, Tahirajt, Merdanët, Bejtjat, Dilot, Papat, Gripshët, Rutët, Çelët e të tjerë.

    Komisioni hetimor

    Në lidhje me këtë argument, një komision i iniciuar nga Partia Demokratike ndërmori kontrollin e Thesarit të Shtetit dhe i raportoi Kuvendit gjithçka kishte ndodhur nga viti 1938 deri në vitin 1990 në thesar. Sipas raportit, ishte e vështirë të zgjidhej enigma e arit, pasi mungonte dokumentacioni i plotë për ta bërë një gjë të tillë. Për më tepër, kishte një diskordancë të madhe mes deklarimeve të bëra nga personat që e posedonin arin e sekuestruar dhe sasisë së shënuar në dokumentacionet e Arkivit Qendror të Shtetit, Arkivit të Ministrisë së Brendshme dhe dokumenteve të thesarit. Në vitin 1922, u ngarkua nga Lidhja e Kombeve profesor Kalmes, i cili pas verifikimeve i paraqiti një raport të rëndësishëm këtij organi të rëndësishëm botëror, në të cilin thuhej: “Shqipëria zotëron një stok të rëndësishëm metalesh të çmuara të vlerësuara 50 - 100 milionë frangash ari, pa marrë parasysh arin e investuar në stoli”. E njëjta gjë konfirmohet edhe në librin e financës dhe kreditit, ku thuhet se në atë kohë (vitet 1922 – 1925), në Shqipëri, pa përfshirë stolitë, kishte në qarkullim e në thesar një sasi prej 100 milionë frangash ari, që do të thotë se në vendin tonë atëherë ka ekzistuar 320 tonë ar.
    Mbreti Zog tërhoqi nga arka e shtetit shqiptar 566 mijë franga ar, ose 28300 napolona, pra pikërisht 183 kilogramë ar. Kjo vërtetohej edhe me situacionin e arkës, më 10 prill 1939. Është folur edhe për grabitjen e arit shqiptar nga gjermanët, në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Sasia e arit prej 2459 kilogramësh u konfiskua nga britanikët, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

    Sekuestrimet

    Pas ardhjes në pushtet, komunistët gjetën në Bankën Kombëtare Shqiptare sasinë e 90 kg ar. Megjithatë, sasia tjetër e arit ndodhej në duart e tregtarëve dhe të pasurve të asaj kohe. Qeveria e Enver Hoxhës nxori ligjin “Për tatimin e jashtëzakonshëm për fitimet e luftës”. Nëpërmjet këtij ligji famëkeq, të gjithë tregtarëve iu morën mijëra franga ari. Tatimin ata duhet ta paguanin brenda një kohe tepër të shkurtër, pasi në të kundërt u viheshin prangat apo edhe ekzekutoheshin. Më pas doli një tjetër ligj, ai i “Konfiskimit të pasurisë private”.
    Në këtë mënyrë, shumë pasuri të tundshme apo të patundshme u sekuestruan. Sigurimi i Shtetit nisi punën për të mbledhur pasuritë e tregtarëve. U gjetën florinj të fshehur mirë nëpër shtëpi, për t’ua hequr nga dora mbledhësve.
    Qyteti me i goditur nga sekuestrot komuniste ishte ai i Tiranës, por nuk mbeten pas edhe qytetet e Korçës dhe Durrësit. Pak ditë pasi doli ligji për sekuestrimin e pasurive, komisioni bëri listat me emrat e tregtarëve të mëdhenj, të cilët njiheshin nga të gjithë. Për të qenë sa më popullorë, paraqitën listën e emrave në gazetën e përditshme.

    Komisioni Parlamentar për Thesarin

    Për të verifikuar procesin e sekuestrimeve në vitet e para të regjimit komunist, si dhe Thesarin e Shtetit në vitet 1938-1990, në vitin 1991, me nismën e Partisë Demokratike u ngrit një komision i përkohshëm parlamentar, i cili kishte në përbërje: Blerim Çelën si kryetar të komisionit, Gëzim Luli, Behadin Bakalli, Vehbi Gruda, Teodor Keko, deputetë të Partisë Demokratike, Qemal Disha, Sami Kushta, Shkëlqim Cani, deputetë të Partisë Socialiste dhe deputeti i “Omonia”, Thoma Miço. Pas një pune voluminoze, kryetari Blerim Çela lexoi raportin në emër të komisionit, nga ku pas një argumentimi të hollësishëm, u parashtruan disa përfundime.

    Familjeve që iu sekuestrua ari




    Përfundimet e komisionit

    1- Në Shqipëri ka pasur disa dhjetëra tonelata ar në qarkullim dhe të thesarizuara nga popullata, para datës 28 nëntor 1944.

    2- Ish-mbreti Zog ka marrë me firmë 183 kg ar, si të ardhura personale të oborrit nga diferencat e këmbimeve valutore me doganat.

    3- Ministria e Punëve të Brendshme ka sekuestruar forcërisht sipas ligjeve të luftës, arin e popullit, por pa mbajtur dokumentacion të dyanshëm në momentin e sekuestrimit. Këto sasi janë mbajtur një herë në degët e punëve të brendshme, pastaj në Ministrinë e Punëve të Brendshme e më pas janë dorëzuar në thesar. Shtojmë se këto diferenca tregojnë vetëm majën e ajsbergut, sepse ngelen mbi 650 persona të paidentifikuar që kanë dorëzuar ar, të cilit nuk i është bërë hyrje në thesar.

    4- Mënyra e përdorimit të arit nuk dihet, sepse nuk është kontrolluar asnjëherë nga ndonjë organ shtetëror për efekt të ruajtjes së sekretit.

    5- Duhet ngritur një grup hetuesish specialistë për të nxjerrë se ku shkoi ari, duke ballafaquar fatkeqit e sekuestruar forcërisht me sekuestruesit. Ne nuk jemi organ hetimor për të parë se ku shkoi ari, kush e vodhi dhe në ç’mënyrë. Ne paraqesim vetëm faktet.

    6- Për arin e prodhuar në Rubik, që nga fillimi e deri në ditët e sotme duhet të ngrihet një grup specialistësh, teknologë, kimistë e ekonomistë nga Banka e Shtetit, për të kontrolluar analizat kimike të prodhimit të arit dhe jo dokumentacionin që ka banka, sepse nga ky i fundit nuk del gjë.

    7- Për shitjet e arit dhe humbjet në kambizëm të vihen përpara përgjegjësisë ligjore shkaktarët.

    8- Të kontrollohet i gjithë dokumentacioni dhe thesari në ruajtje kudo qoftë nga specialistë të Bankës së Shtetit, duke nxjerrë gjendjet e lëvizjet e arit në thesar, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe atë të dërguar jashtë shtetit.

    Tirana-Observer.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Harta e familjeve të “lara në flori”

    Grumbullimi i arit të pasluftës, nëpër shifrat e përmbysjes së madhe



    Harta e familjeve të “lara në flori”

    Lista e gjatë e shpronësimeve të vitit ‘45

    Armando Meta


    Shumë familje shqiptare, duket se kanë qenë të “lara në flori”. “Gazeta”, përpiqet të hedhë pak dritë mbi faktin se cilat kanë qenë ato familje, të cilave u janë sekuestruar sasi kolosale të arit nëpërmjet ligjit mbi “tatimin e jashtëzakonshëm për fitimet e luftës”. Barra më e rëndë në këtë proces, rëndoi mbi familjet tregtare të qyteteve kryesore të vendit. Në Ministrinë Punëve të Brendshme (MPB), ishte ngritur një degë e posaçme që merrej me arin. Pas sekuestrimit të arit, në një rreth të caktuar pranë kësaj dege sillej një procesverbal i posaçëm, përveç dy të tjerëve që shkonin në bankë dhe degën lokale të MPB-së. Vala e sekuestrimeve duket nuk kurseu as atë pjesë të popullsisë që nuk prekej nga “tatim i jashtëzakonshëm”. Ka raste që provojnë, se kjo valë është përhapur edhe mbi qytetarë që kishin një sasi simbolike floriri.

    TIRANA

    Ndër qytetet që pati numrin më madh të familjeve që ju sekuestrua floriri, ishte Tirana. Brenda pak ditësh nga dalja e “ligjit të tatimit të jashtëzakonshëm”, Komisioni Tatimor i Tiranës hartoi listat. Në gazetën “Bashkimi” të datës 22 mars 1945, është botuar lista e familjeve që ishin caktuar për t`u sekuestruar. Kjo listë shoqërohej edhe me disa të dhëna në lidhje me fitimin gjatë luftës, shumën për t`u tatuar, si dhe me tatimin e vërtetuar.

    KORCA

    Duke ndjekur shkrimet e studiuesit, Kastriot Dervishi, mësohet se një ndër autorët e parë që u mor në fillesat e pluralizmit politik në Shqipëri me çështjen e thesarit në shtypin shqiptar ishte figura e njohur publike, i ndjeri, Teodor Keko. Në shkrimin “Arkivat rreth enigmës së floririt”, datë 15 qershor 1991, botuar në “RD”, Keko është bazuar në të dhënat e arkivit të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Korçës. Sipas dosjes nr. 34 të seksionit të Financës, në bazë të relacionit të datës 15 maj 1945, mësohet se tregtarëve korçarë iu ishte caktuar një tatim prej 86.685.968 frangash ari, nga cila deri në këtë periudhë ishte vjelë rreth gjysma e saj. Sipas historikut lokal të policisë së Korçës, mësohet se vetëm në këtë qytet ishin marrë 400 kg ar dhe 48 mijë napolona flori pa përmendur stolitë e tjera. Keko paraqet edhe një listë të 32 familjeve korçare të cilave ju grabitën përveç dyqaneve dhe shtëpive, edhe një sasi e konsiderueshme florinjsh. Ndër të sekuestruarit, është Kristaq Cingo me 9.002.500 franga ari. Vetëm Rexhep Merdanit i janë marrë 450 kg ar, nga të cilat arkivi i MPB-së ka të shënuar vetëm 29 kg.

    ELBASAN

    Elbasani mbahet një qytet tjetër ku është marrë shumë flori. Praktika e njohur nga Sigurimi i Shtetit për të nxjerrë sasinë e duhur të floririt, ishte arrestimi dhe tortura. Shumë tregtarë iu nënshtruan burgosjeve dhe torturave. Në Elbasan, të vdekur në burg për shkak të floririt janë disa si: Sulejman Domi, Xhaferr Çelirama, Mateo Papajani, Refik Myftiu etj. Floriri i Refik Myftiut, u zbulua krejt rastësisht kur në Elbasan u ndërtua shkolla e muzikës. Sasia jo e vogël e floririt, ishte e groposur në rrënjët e një shege. Shembull i veçantë i dhunës së ushtruar ndaj tregtarëve, ishte vdekja nga torturat e njërit prej tregtarëve më të njohur të Elbasanit, Sulejman Domi. Ai vdiq në qelinë e improvizuar të “Grand Hotelit” në Elbasan më 11 prill 1948 pas 11 ditësh tortura, ndonëse kishte dorëzuar dy herë tatimin që i kishin caktuar. Në arkivin e MPB-së, nuk gjendet asnjë dokument në lidhje me marrjen e arit të ndjerit Domi. Ai vdiq në moshën 58 vjeçare. Edhe sot e kësaj dite atij nuk i dihet varri.

    Sekuestrimet më të mëdha të floririt

    Ndër sekuestrimet më të mëdha mund të veçohen ato të vëllezërve Jonuz dhe Nexh Shijaku nga Durrësi, të cilëve u janë marrë 45 mijë napolona flori, një kamion i ngarkuar me flori dhe disa diamante të çmuar. Aristidh Lekës nga Durrësi i janë marrë 45 mijë napolona flori dhe disa kuintal të tjerë ar dhe stoli. Leka dorëzoi 432 kg flori, ndërsa në arkivin e MPB, atë të Shtetit, dhe atë të Thesarit shënohet përafërsisht shifra e 17 kg. Pepe Levit dhe Refael Jakselli nga Vlora i janë sekuestruar 42 milionë franga ari duke paguar rreth 100 mijë napolona. Levit pas daljes nga burgu, ju morën edhe 38 kg flori. Alfons Dovanës nga Durrësi i janë marrë 516 kg ar, ndërsa në arkiva është regjistruar 58 kg. Abdulla Kazazit nga Elbasani i janë marrë 42 kg ar ndërsa në arkiva është regjistruar shifra 12 - 14 kg. Ibrahim Velences nga Elbasani i janë marrë 39 kg ar, ndërsa në arkiva janë regjistruar vetëm 0.3 kg. Mihal Dilos nga Gjirokastra i janë marrë 100 kg ar, ndërsa në arkiva është regjistruar vetëm 0.013 kg. Ndër tregtarët e tjerë që ju është marrë një sasi e madhe floriri dhe që nuk iu është regjistruar asgjë, është edhe Harallamb Papa me 258 kg ar.

    Familjet më të sekuestruara

    Në Berat: Hoxha, Hushi, Çullaku, Dardha, Konicoti, Kuçi, Vrioni etj.

    Në Durrës: Dovana, Shijaku, Dibra, Dushi, Hamdija, Zagoridha, Mushketa, Leka, Dakoli, Manushi, Nushi, Vangjeli, Beshiri, etj.

    Në Elbasan: Domi, Kazazi, Bakalli, Mehja, Velencja, Miraku, Hastopalli, Kopili, Bebi, Kulla, Dodbiba, Shkodra, Shiku, etj,

    Në Gjirokastër: Liti, Mezini, Omari, Toila, Tushe, Selfo, Çoçoli, Xhiko, Totozani, etj.

    Në Vlorë: Bisholli, Bezani, Bitri, Busheka, Çili, Hoxha, Shuka, Sorra, Levi, Jakseli, Strati, Jonuzi, Gurabardhi, Qazimi, etj.

    Në Shkodër: Pistuli, Topalli, Muka, Kaçulini, Vjerdha, Rroji, Anamali, Bakalli, Bushati, Kraja, Dabërdaku, Koka, Hoti, Gjoka, Luka, Mati, Sokoli, Karehamni, Pogu, Tahiri, Tepelia, Serreqi, Luka, Mati, Pogu etj, etj.

    Në Sarandë: Çelo, Harito, Llambro, Rushiti, Muzina, etj.

    Familjet e ‘tatuara’

    Lista e Tiranës Vlera e konfiskuar


    1-Vllazën Kazazi 16.430.000
    2-Vllazën Çoka 14.990.000
    3-Murat Begeja & vëllezërit 5.774.000
    4-Hysen Ali Mehmeti 3.902.000
    5-Osman Vaqarri 1.440.000
    6-Besnik Tugu 614.000
    7-Ramazan Konçi 1.946.268
    8-Ymer & Sali Beqiri 614.000
    9-Sadik Kazazi 398.000
    10-Abdulla Turkeshi 2.433.200
    11-Ismail Fortuzi 224.000
    12-Qamil Dibra 1.870.290
    13-Bijtë e Gaqi Oparit 371.000
    14-Manol Kume 6.832.400
    15-Vllazën Tase 3.974.000
    16-Jusuf Kruja 830.000
    17-Vllaznia Mehmeti 126.000
    18-Ramazan Zdrava 130.850
    19-Halit Mani 143.000
    20-Vath Baroni 130.850
    21-Abdulla Alliu & nipat 163.250
    22-Mehmet Tugu 2.750.000
    23-Mezini & Kasmi 126.800
    24-Qamil Hoti 264.500
    25-Hysen Drishti 143.000
    26-Filip Korra 2.259.000
    27-Fetah Kasmi 126.800
    28-Mustafa Kasmi 224.250
    29-Vllazën Loxha 749.000
    30-Ramazan Berberolli 622.100
    31-Mersin Konçi 668.000
    32-Sefedin Zhubi 159.200
    33-Qamil Zhubi 203.750
    34-A.Qoshja & I.Deliu 1.566.000
    35-Mehmet Kasmi & vëllezërit 830.000
    36-Vëllezërit Dushi 1.606.320
    37-Gjon Laca 884.000
    38-Vllazën Spahija 325.250
    39-Kasmi & Ferra 252.250
    40-Iliaz Dajçi 126.800
    41-Xhevat Gabeci 830.000
    42-Xhundi Sheko & bijtë 27.950.000
    43-Pashuk Bib Mirakaj 1.755.000
    44-Xhemal Begeja 143.000
    45-Ibrahim Begeja 1.440.000
    46-Qamil Shtiza 126.000
    Shuma gjithsej e tatimit
    të vërtetuar: 112.469.828 franga ari


    Lista e Korçës:

    1-Vëllazëria Qirjako
    2-Vëllazëria Abeshi
    3-Vëllazëria Stase
    4-Kristaq Cingo
    5-Thoma Plasati
    6-Vëllazëria Katro
    7-Hari Kristo Samara
    8-Vëllazëria Gjezi
    9-Vëllezërit Qirinxhi
    10-Ligor Jani
    11-Vëllazëria Plasa
    12-Vëllazëria Lako
    13-Vangjel e Gaqo Turtulli
    14-Vëllazëria Balli
    15-Vasil Pepo
    16-Jankulla Çekani
    17-Sotir Mborja
    18-Dhimitër Bino
    19-Refail Terova
    20-Pandi Mulla
    21-Pandeli Nora
    22-Anastas Pilika & Angjeli Stavraq Ballauri
    23-Dhimitër Peço
    24-Vangjo Serani
    25-Vëllezërit Katundi
    26-Llambi Kiço Zahara
    28-Vëllezërit Pllaha
    29-Sotir Bicolli
    30-Vëllezërit Terova
    31-Thoma Thomo
    32-Vëllazëria Barçe


    GAZETA Shqipare.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Kthimi i pronave, Berisha ndryshon qëndrim për arin

    Kryeministri: Do të kthehen vetëm pronat e paluajshtme me dokumenta para ‘39


    Kthimi i pronave, Berisha ndryshon qëndrim për arin

    “As në dy breza s’kthehen florinjtë”

    Rozeta Rapushi


    Kryeministri Sali Berisha, ndryshon qëndrim për kthimin e pronave të luajtshme. Disa ditë pas publikimit nga “Gazeta Shqiptare” e projektligjit të qeverisë për kthimin e tokës, ku theksohej në nenin dy se do të kthehen të gjitha pronat që janë marrë përfshirë edhe nga Tatimi i Jashtëzakonshëm për fitimet e luftës vendosur nga këshilli nacional çlirimtar më 13 janar të vitit 1045, kryeministri deklaroi dje, se nuk do të kthehen pronat e luajtshme. “Pronarët do të kompensohen vetëm për pronat e patundshme siç janë tokat dhe banesat. Nuk do t’u kthehet ari apo sendet me vlerë të konfiskuara”, - deklaroi dje në mbledhjen e grupit kreu i qeverisë.

    Tërheqja

    “Ligji i vitit 1945 për Tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës, nuk do të njihet si është zbatuar. Do të njihen dhe kompensohen apo kthehen, të gjitha pasuritë e paluajtshme të krijuara para luftës”, - tha dje kreu i qeverisë, Berisha duke hequr kështu dorë nga kompensimi i ish-pronarëve për arin dhe sendet me vlerë që u janë marrë pas luftës. Sipas kryeministrit, shteti e ka të pamundur t’u kthejë ish-pronarëve 320 ton ar, sepse një gjë e tillë do të rëndonte shqiptarët për shekuj me radhë dhe sërish nuk do të kishin mundësi ta lanin një borxh kaq të madh. “Nuk mund të kthehen florinjtë. 320 ton florinj, nuk i përballojnë dot përveç Shteteve të Bashkuara as prodhuesit e floririt mbi tokë”, -tha Berisha.

    Kush kompensohet

    Ata që do të përfitojnë sipas kryeministrit nga projekti i qeverisë do të jenë vetëm ish-pronarët që kanë prona të paluajtshme dhe dokumente të rregullta për ta vërtetuar atë.
    “Ekspertët sugjerojnë variant kryesor pranimin e 100 hektarëve, si mesatare të cilat reforma agrare në kushtet e Shqipërisë do t’u njihte familjeve. Unë e kuptoj që ka pasur pronarë me 2000 ha, me 5000 ha por natyrisht në kushtet e një reforme agrare, këto prona ridimensionoheshin”, - tha Berisha. Sipas tij, në projektin e qeverisë që drejton, ka amendime shumë të rëndësishme në favor të pronarëve, siç është kompensimi me toka turistike apo e drejta e parablerjes. “Gjithçka publike që jepet me koncesion pronarëve, privatëve, marrëdhënia kontraktuale, kalon direkt me pronarin. Shteti nuk mund të japë më me qira ndërtesa të cilat janë mbi trojet private. Ato automatikisht i rikthehen pronarit me të drejtë parablerje, ose me të drejtë të vjeljes së qirasë”, - theksoi ai.

    Projektligji i qeverisë

    Ndonëse kreu i qeverisë Berisha, tha dje se amendamentet e qeverisë janë pro pronarëve, në material thuhet se procesi i kthimit të tokës, pezullohet derisa të mbyllet ai i legalizimit. Ndërkohë që në nenin që flet për banesat, theksohet se janë ish-pronarët ata që duhet të interesohen për t’u gjetur banesa me qira atyre që u kanë zënë shtëpinë, mundësisht brenda së njëjtës zonë banimi. Ndërkohë, që edhe pse përcaktohen se ata pronarë që kanë marrë tokë me ligjin 7501, do të përfitojnë nga ky ligj vetëm nëse kanë ende tokë për të marrë, nuk thuhet se çfarë do të bëhet me ata që kanë marrë më shumë tokë seç duhet nga ky ligj, do ta kthejnë apo jo.

    Deklarata

    Kryeministri Sali Berisha, tha dje se nuk do të kompensohen pronat e luajtshme, ari. Ish-pronarët do të përfitojnë kthim dhe kompensim vetëm për pronat e patundshme dhe banesat.

    Kompensimi

    Toka do u kthehet të gjithë atyre ish-pronarëve, që kanë dokumentacionin e plotë për të verifikuar pronësinë. Për kompensim do të shërbejnë edhe tokat në zonat turistike.

    Ç’thotë projekti

    Ligji
    Neni 2

    Çdo subjekt i shpronësuar ka të drejtë të kërkojë në përputhje me këtë ligj, të drejtën e pronësisë në rast se i është hequr sipas akteve ligjore, përfshirë ligjin nr 37, datë 13.1.1945, “Ligja për tatimin e jashtëzakonshëm për fitimet e luftës”, nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose të marrë me çdo mënyrë tjetër të padrejtë nga shteti nga data 29.11.1944, si dhe kthimin ose kompensimin e pronës.

    Ligji pa faturën financiare bashkengjitur

    Qeveria demokratike, bën ndryshimin e ligjit për “Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, po harron faturën financiare. Amendamentet e reja të qeverisë, nuk kanë të bashkangjitur faturën se sa do i kushtojë shtetit kompensimi i ish-pronarëve. Aktualisht, ndryshimet kanë marrë miratimin vetëm të Ministrisë së Drejtësisë, ndërkohë që nuk është shprehur Ministria e Financave, e cila ka në dorë përllogaritjen e faturës të domosdoshme për procesin e kompensimit.

    Gazeta Shqiptare.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Berisha, kthesa e rradhës

    TE PATHENAT

    Berisha, kthesa e rradhës

    Në mesin e një dite pushimi, zëdhënësi i qeverisë në emër të kryeministrit ka komunikuar për opinionin publik se projekti i kabinetit Berisha për kthimin e pronave ka pasur një gabim brenda. Domethënë, se ky draft i botuar nga Gazeta Shqiptare, nuk e kishte të përcaktuar se në cfarë raportesh do të hidheshin poshtë dispozitat e ligjit të Tatimit të Jashtëzakonshëm të vitit 1945, në bazë të të cilit tregëtarëve të gjithë vendit iu morën nga regjimi komunist disa qindra ton franga ari.

    Berisha nuk e ka parë këtë detaj të vogël të projektit, ndryshe nuk ka si shpjegohet fakti që ai dje doli para medias (por ndryshe nga zëdhënësi i tij, nuk akuzoi njeri për ‘spekullime’) për të thënë se qeveria nuk ka ndërmend të kthejë arin e konfiskuar pas luftës. Kjo e zotit Berisha është njëra ndër kthesat tashmë të njohura që ai merr sa herë që e kupton se ka hedhur në treg një ide që nuk ka shanse të kalojë. Mo mirë vonë se kurrë...
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Tema të Ngjashme

  1. Ndodhitë në Maqedoni 2008 - 2011
    Nga RaPSouL në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 1093
    Postimi i Fundit: 17-05-2011, 16:49
  2. Tregtarët e religjionit
    Nga iliria e para në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 12-02-2009, 21:21
  3. Lajme ekonomike
    Nga Era1 në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 375
    Postimi i Fundit: 09-05-2008, 15:03
  4. Nga Iliret deri tek Shqiptaret!
    Nga tani_26 në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 111
    Postimi i Fundit: 06-03-2007, 21:53
  5. Festat, fillon “çmenduria” e rritjes së çmimeve
    Nga Lioness në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 27-12-2006, 20:31

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •