
Postuar më parë nga
shekulli
Berisha flet, për herë të parë, pas incidentit Moisiu-Papulias
Kryeministri: Pronat e çamëve do të zgjidhen me traktatin e ’96-ës
N.Perndoj
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar gjithashtu dje se do të ngihen grupe pune për të shqyrtuar problemin e çështjes çame. Ai bëri me dije gjithashtu se për këtë problem ekziston një traktat, duke iu referuar pikërisht dokumentit të vitit 1996. “Ekziston një traktat lidhur me pronat e qytetarëve shqiptarë në Greqi dhe pronat e qytetarëve grekë në Shqipëri. Qeveria që shkoi, siç e dini, tetë vjet nuk bëri asgjë, natyrisht do të krijohen grupet e punës për ta shqyrtuar këtë problem”,- tha ai. Traktati, i nënshkruar në vitin 1996 nga dy ministrat e Punëve të Jashtme, të Shqipërisë dhe Greqisë, Alfred Serreqi dhe Theodhoros Pangalos, ka hyrë në fuqi në vitin 1998, pasi është ratifikuar nga parlamentet e dy vendeve. Por si draft është hartuar që në vitin 1992, pra, që kur PD-ja erdhi për herë të parë në pushtet. Në nenin 15 të dokumentit është parashikuar zgjidhja e çështjeve të pronave që zotërojnë shtetasit e njërit vend në vendin tjetër, nëpërmjet krijimit të lehtësirave ligjore. “Secila nga palët kontraktuese do të përballojë mundësinë e heqjes brenda kuadrit të saj ligjor të pengesave që vështirësojnë gëzimin e pasurive që kanë shtetasit e njërës palë në territorin e palës tjetër”, - thuhet në nenin 15 të Traktatit të Miqësisë.
Krijoni Kontakt