[Parathënie
Bürger ka lindur në Wolsmerwende, në principatën e Halberstadt, më 1 janar 1748. Një mbrëmje, ai dëgjoi një vajzë fshatare të këndonte fjalët e mëposhtme :
Hëna është kaq e kthjellët,
E të vdekurit kalërojnë me galop !
Më thuaj, mikeshë e dashur, nuk dridhesh fare ti ?
Këto fjalë ushtuan papushim në veshët e tij, dhe ia mbërthyen aq shumë imagjinatën, saqë ai nuk gjeti prehje derisa ai thuri disa strofa mbi këtë refren. Dhe ai ua tregoi këto vargje miqve të tij, të cilët e nxitën menjëherë për të mos e lënë të papërfunduar veprën e tij : në fillim kishte vetëm disa strofa të veçuara që pastaj ai i mblodhi së bashku. Kur Lenore qe përfunduar, Bürger e lexoi atë në shoqërinë letrare të Gœttingen ; kur mbërriti në këto vargje :
« Ai hidhet vetëtimthi mbi një grilë të hekurt ; me një të dhënë të çomages së tij të lehtë, ai godet… dhe llozat thyhen… »
ai goditi murin ndarës të dhomës, dëgjuesit e pranishëm u drithëruan, dhe kërcyen përpjetë të befasuar : poeti i cili dridhej për suksesin e një vepre kaq të ndryshme nga format e zakonshme, filloi të shpresojë që ai ia kishte dalur mbanë. Dhe ai u bind për këtë nga përhapja e shpejtë që Lenore pati në mbarë Gjermaninë ; madje fshatarët e këndojnë këtë romancë, njëlloj siç gondolierët e Venecias përsërisin vargjet e Tasse : Bürger është poeti më popullor i Gjermanisë. Nuk ka njeri që të mos dijë përmendsh fragmente të poezive të tij. Vdiq nga skamja, dhe shpejt do t’i ngrihej atij një monument…
LENORE
Përkthim në vargje nga Gérard de Nerval (1808-1855)
Përkthyer nga frëngjishtja Oiseau en vol
Në mëngjes herët Lenore ngrihet,
Syrin në lot e zemrën të shtypur ;
Në ëndërr ajo ka parë të kalojë,
Të zbehtë e duke vdekur, të fejuarin e saj !
Wilhelm ishte nisur dikur
Për Pragë, ku mbreti Frederic
Bënte një luftë të ashpër,
Kështu thuhej atëherë.
Më në fund, ky princ dhe gruaja e tij,
Të lodhur nga lufta pa sukses,
Kanë qetësuar shpirtërat e tyre të hidhëruar
Dhe para pak kanë nënshkruar paqen ;
Dhe tak-fak ! të dyja ushtritë,
Në rrëmujën e armëve të luftës,
Por të gëzuara dhe të çarmatosura,
Kthehen hareshëm në vatrat e tyre.
Ah ! ngado, ngado ç’gëzim i madh !
Të rinj dhe të vjetër, vajza dhe djem,
Vrapon turma dhe ajo përhapet
Mbi udhë e mbi ura.
Çfarë çast shprese për dashnoren,
E për bashkëshorten çfarë dite e bukur !
Por, medet ! Lenore e drithëruar
Pret puthjen e rikthimit.
Dhe ajo pyet, bërtet, thërret,
Kërkon më kot në rradhët e ngjeshura.
Asnjë lajm nga dashnori i saj…
Dhe një nga një ushtarët kanë kaluar !
Por mbi rrugën e vetmuar,
Lenore e lodhur nga dëshpërimi
Përtokë bie si e çmendur… dhe e ëma
E gjeti aty kur mbrëmja ra.
– Ah ! Zotit i qofshim falë !
Ç’ke ? ç’ke, fëmija im i gjorë ?...
Dhe e ngre, e përqafon,
Në gji duke e shtrënguar ;
U shoftë bota dhe gjithçka ka brenda,
O nëna ime ! Ai ka vdekur ! ka vdekur !
Nuk ka më drejtësi në qiell
Edhe unë dua të iki me të.
– O Zot ! o Zot ! ke dalur mendsh !
Bija ime, mos një dëshirë të tillë ;
Nga qielli kërko butësinë,
Zoti i ka në dorë këto punë.
– Shpresë e kotë ! o nëna ime !
Zoti nuk dëgjon gjë, qielli është larg…
Kujt do t’i duhet lutja ime,
Nëse Wilhelm nuk ka më nevojë ?
(vijon)
Krijoni Kontakt