Të mësosh ABC-në në një klasë multietnike
NGA ALBANA TEMALI / ITALI
Për herë të parë eksperimentohet klasa në përbërjen e së cilës ka vetëm fëmijë të huaj. Shtimi i numrit të fëmijëve ekstrakomunitarë ka bërë që të mendohet për një zgjidhje të tillë.
erët a vonë duhej të ndodhte që një klasë e parë fillore e një shkolle italiane të kishte vetëm nxënës të huaj. Të shumta janë arsyet që sollën këtë ngjarje jo të zakontë, por ajo më kryesorja mbetet përqëndrimi i vendbanimit të emigrantëve në zona të caktuara të qytetit. Ky fakt justifikohet para së gjithash me ofertën për strehim që gjejnë emigrantët. Janë “le case popolari” ( shqip, shtëpitë popullore) pallatet e periferive, të cilat për koston e tyre të ulët janë apartamentet e banimit të familjeve emigrante. Një fenomen pothuaj i pashmangshëm ky i përqëndrimit të familjeve emigrante në një zonë të caktuar të qytetit, që nuk shihet me sy aspak të mirë nga vetë emigrantët, pasi nuk ndihmon aspak integrimin, por nxit izolimin nga pjesa tjetër e qytetit, nga banorët e tij dhe ka tendencën e krijimit të “getove”. Por ekziston edhe një fakt tjetër që duhet cituar për të kuptuar faktin e një klase me vetëm nxënës të huaj e asnjë italian. Në një shkollë italiane këtë vit të ri shkollor është numri i madh i fëmijëve të huaj të lindur në Itali nga çifte emigrantësh në një kohë kur nga çiftet italiane lindjet janë reduktuar, mesatarisht 1 fëmijë për çift, aq sa para ardhjes së masës së madhe të emigrantëve Italia konsiderohej vendi me lindje 0 dhe me popullësi të vjetër në moshë. Për gjithë këto arsye të mësipërme, duke ndjekur rregullin e formimit të klasave fillore në shkollat italiane mbi bazën e “rrugëve” e zonave të banimit shpjegohet edhe pse-ja e kësaj klase vetëm me fëmijë të huaj: rast që i përket klasës së 1/a të Institutit “Marko Polo” të qytetit Prato, në rajonin e Toskanës, i cili ndodhet në një zonë të banuar kryesisht nga familje të huaja. Në këtë klasë janë regjistruar rreth 20 nxënës pakistanezë, kinezë, indianë dhe fëmijë shqiptarë.
Shqetësim e impenjim i trupit pedagogjik për të përballuar problemet e mundshme, lidhur me përvetësimin e njohurive të para nga këta nxënës, megjithë eksperiencën e grumbulluar prej vitesh në trajtimin e nxënësve të huaj.
Në shkollat italiane fillore e të mesme të këtij qyteti përqindja e nxënësve të huaj i kalon 70-80% të numrit total të nxënësve, mbasi ky qytet popullohet prej një numri të madh emigrantësh prej vitesh. Trupat pedagogjike tashmë janë mësuar me problematikën që sjell nxënësi i huaj në klasat italiane. Po në këtë institut, para disa vitesh për të përballuar vështirësitë e konstatuara te nxënësit e huaj lidhur me mosnjohjen në nivel të kënaqshëm të gjuhës italiane, lindi projekti i një klase pilote me vetëm nxënës të huaj, por për mungesë organike u ndërpre.
Në këtë aspekt, sipas statistikave rezulton se nxënësit shqiptarë janë ndër më të favorizuarit, mbasi kanë njohje të mirë apo shumë të mirë të gjuhës italiane dhe rezultatet e tyre në mësime janë të mira e shumë të mira.
Por për këtë vit shkollor “special” në këtë shkollë, për t’i ardhur në ndihmë mësuesve të kësaj klase multietnike, do të vihen në dispozicion “ndihmës gjuhësor” ose më saktë persona që të jenë në gjendje të ndihmojnë afrimin me gjuhën italiane fëmijëve të huaj. Zakonisht, për nxënësit e huaj të rritur në Itali kjo ndihmë zhvillohet në klasë, apo në laboratore gjuhësore në klasa të veçanta. Natyrisht, për mësueset nuk do të jetë e lehtë t’u mësojë këtyre fëmijëve që vijnë nga anë të ndryshme të Botës të shkruajnë e të lexojnë në italisht, por impulsiviteti i moshës së këtyre femijëve e dëshira për dije do të stimulojnë përvetësimin e mësimeve të para. Fenomeni i verifikuar në rajonin e Toskanës është unik, por jo larg tij janë realitetet e shkollave në të tjera rajone të Italisë, ku nxënësit e huaj, në shkolla apo institute, janë të pranishëm dhe kërkojnë për vetë specifikën e tyre trajtim të ndryshëm për të arritur objektivin që ka çdo shkollë: përvetësimin sa më me nivel të njohurive. Një problem i tillë për shembull, është ngritur edhe nga Bashkia e Ankonës, e cila ka njoftuar për disa ndërhyrje në fushën arsimore, veçanërisht në vëmendjen më të madhe ndaj studentëve të huaj, që këtë vit parashikohen të jenë 10% e numrit total të tyre. Masat e parashikuara synojnë në lehtësimin e komunikimit, duke marrë personel nga gjuha amtare për të ndihmuar fëmijët, të cilët nuk njohin mirë gjuhën italiane në vijim të projektit “Agora”, i aplikuar që dy vjet më parë. Po kështu ndihmë do të jenë kurset intensive të italishtes për nxënësit e ardhur kohët e fundit në Itali.
Në këtë kuadër nuk mbeten pas as shoqata të ndryshme, të cilat bëhen mediatore, ndërmjet shkollës e familjes së studentit të huaj.
Gjithsesi realiteti i verifikuar në shkollën e Pratos, urojmë të mbetet një rast mbasi një “veçanti” e tillë nuk përkon me politikën e integrimit të emigrantit në shoqërinë italiane, aq më tepër të qytetarit të ri italian - fëmijëve të emigrantëve të lindur në Itali.
Krijoni Kontakt