Presidenti shqiptar ka mbledhur Këshillin Kombëtar të sigurimit për të përcaktuar masat për përballimin e rrezikut të gripit të shpendëve.
Zyrtarisht në Shqipëri nuk është verifikuar ndonje rast i gripit, por ditët e fundit ka pasur raste të shpeshta të shpendëve që janë gjetur të ngordhur.
Autoritetet vijojnë të thonë se nuk ka asnjë rast të virusit vdekjeprurës të gripit të shpendëve, por afrimi i tij në vendet fqinj ka rritur vëmendjen ndaj rrezikut.
Presidenti Alfred Moisiu ka theksuar në mbledhjen e këshillit se nuk ka vend për panik, porse duhen marrë masa urgjente që gripi i shpendëve të mos i gjejë papërgatitur as institucionet e as popullsinë.
Shqipëria praktikisht gjendet në zonën e migrimit të shpendëve, të cilat në vendet fqinje janë gjetur të ngordhura dhe më pas është vërtetuar se shkak ka qenë shtami H5N1 i virusit të gripit të shpendëve.
Ditët e fundit janë shtuar rastet e gjetjes së shpendëve të ngordhur brenda territorit, si në Sarandë, ku ngordhën 90 pula, por raste të veçuara ka edhe në Shkodër, Lezhë e Burrel.
Veterinierët lokalë kanë qetësuar popullsinë duke thënë se arsyeja ka qenë një sëmundje tjetër e quajtur 'pseudopest'.
Ende nuk është e qartë se përse shpendët e ngordhur nuk dërgohen në laboratorët e specializuara në Evropë, ashtu si kanë vepruar edhe vende të tjera.
Banka Botërore ka njoftuar se do të mbështesë Shqipërinë me pesë milionë dollarë për të përballuar blerjen e barnave përkatëse të nevojshme në rastin e përhapjes së epidemisë.
Virusi në Evropë
Frikë për gripin e shpendëve në Evropë
Disa vende evropiane - midis tyre Franca, Gjermania dhe Holanda - kanë vendosur të mbyllin të gjitha shpendët e butë brenda për të parandaluar një përhapje të gripit të shpendëve.
Këto masa u njoftuan pasi Gjermania bëri të ditur rastin e parë të shtamit H5N1 në dy mjelma të ngordhura në ishullin e detit Balltik, Ruegen.
Të mërkurën, Hungaria ishte vendi më i fundit evropian që konfirmoi praninë e gripit të shpendëve. Ai u zbulua në tri mjelma të ngordhura pranë kufirit me Serbinë.
Nevojiten prova të reja nëse ato kanë ngordhur nga shtami H5N1.
Gripi i shpendëve është gjetur edhe në Itali e Greqi. Ka gjithashtu disa raste të dyshuara për gripin e shpendëve në Slloveni e Kroaci.
Komisioni Evropian u ka bërë thirrje qeverive të ruajnë qetësinë duke thënë se ngrënia e shpendëve është e sigurtë.
Eurodeputeti gjerman Karl-Heinz Florenz, kryetar i Komisionit të Shëndetësisë të Parlamentit Evropian, ka paraqitur një amendament në rregullat e BE-së që kërkon që vendet e BE-së t'i fusin të gjitha shpendët brenda.
"Ne duhet të kemi rregulla në të gjithë Evropën për t'i mbyllur të gjitha shpendët brenda ndërtesave," tha zoti Florenz.
"Nëse ka probleme të gripit në Gjermani, p.sh, me siguri Austria, Belgjika dhe Holanda duhet të bëjnë të njëjtën gjë, përndryshe nuk ka kuptim," tha eurodeputeti gjerman.
Krijoni Kontakt