"Garipi" i Bashkisë
Kërcënimi i djeshëm i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht edhe kryetar i PS të Tiranës, ndaj një drejtori në Ministrinë e Transporteve përbën një nga skandalet më të rënda, dëshmi e mënyrës së komunikimit të kryetarit të opozitës. Ajo që mund të vihet re mjaft qartë në deklaratat dhe qëndrimet politike të kryebashkiakut, njëherësh edhe kryetar i opozitës, është humbja e ekuilibrit dhe kalimi në qëndrime ekstremiste antiligjore. Nuk është hera e parë që Rama denoncohet publikisht në media për kërcënime. Vetëm pak ditë më parë, kandidati për kreun e PS të Tiranës, Duçkollari, akuzoi publikisht kryetarin e PS se e kishte kërcënuar atë dhe familjen e tij, duke i bërë presion që të mos kandidojë për postin e kreut të PS të kryeqytetit. Ndërsa pas disa ditësh vjen kërcënimi i dytë i Ramës, kësaj radhe ndaj një drejtori në Ministrinë e Transporteve. Këto dy raste janë të mjaftueshme për të kuptuar pozitat në të cilat gjendet kryetari i opozitës. Në këto kërcënime ka doza të injektuara nga marrëdhëniet e gjata të punës së Ramës me mafian e ndërtimit. Ky binom bashkëpunimi ka bërë që Rama t'i ketë kërcënimet si një mënyrë të sjelluri dhe të vepruari në jetën e përditshme, duke harruar se partnerët e tij nuk janë vetëm njerëzit e mafias së ndërtimit, e cila i zgjidh problemet e pronësisë me të njëjtën gjuhë që kërcënon kryebashkiaku kundërshtarët e tij politikë. Kjo është njëra anë e medaljes, ajo e "garipit", e cila është injektuar tek personaliteti i kryebashkiakut gjatë këtyre viteve të fundit. I mësuar që të komunikojë vetëm me vartës pa personalitet dhe pa asnjë grintë intelektuale, gjë që shihet qartë edhe tek drejtuesit e Bashkisë së Tiranës, Rama po mundohet që ta transferojë të njëjtën frymë komunikimi edhe në PS, por edhe në komunikimin ndërinstitucional të Bashkisë me institucionet e tjera të shtetit, duke harruar se tek këto të fundit nuk mund të gjejë të njëjtët bashkëbisedues si në rastin e mafias së ndërtimit.
Pavarësisht gjuhës së "garipit" që Rama po përdor gjatë këtyre kohëve të fundit, ajo nuk tregon ndonjë trimëri të madhe të kryebashkiakut, përkundrazi, flet për një pasiguri dhe panik që e shoqëron atë në jetën e përditshme, gjë që e bën të humbasë ekuilibrin dhe të bëjë kërcënime, që domosdoshmërisht kanë nevojë për korrektim nga ana e drejtësisë. Duke e pasur të pamundur që të ofrojë argumenta në ballafaqime të ndryshme teknike dhe politike, ai po luan këtë rol, i bindur se mund të dalë nga situata me sjellje të tilla që të kujtojnë aksiomën se "mbrojtja më e mirë është sulmi".
RD
Krijoni Kontakt