Ja dhe nje kandidat simpatik per tu bere kryetar Bashkie ne tiranen 2006..
Si ju duket Ylli Pango?
Shiko sa bindshem shkruan..
RD
--
Maketet nanoiste të buxhetit
Prof. Dr. Ylli PANGO
Po e filloj me një fakt: PS qeverisi 8 vjet radhazi. Një periudhë goxha e gjatë për të bërë, pa u penguar, progresin e duhur. Ndërkohë, Kroacia e Maqedonia morën statusin e vendeve kandidate të BE. Ne, tek ura. Ndërkohë, ne jemi rritur siç thuhet 6% çdo vit. Po ky buxhet i rritjes të përvitshme 6% dhe miliona, në mos miliarda të ardhura nga emigracioni, nuk na lulëzuan. Përse? Se u zhvat aq egërsisht dhe gjëja e gjallë ministër-biznesmen PS u majm aq shumë, sa edhe përtej kufirit s'kish zot të mos e vinte re. Me vjedhje, trafiqe, kontrabandë, monopole, kapje shteti, biznese të paligjshme. Kështu na u nxi faqja e u klasifikuam ndër vendet më të shquara të korrupsionit e të kapjes së shtetit në botë. Ndërkohë, ish-kryetari i PS shëtiste në botë e na e nxirrte ca më keq bojën. Shkapërderdhje dhe hedonizëm prej adoleshenti të vonuar. Po të mos e dinim se vetëm me instrumenta qejfi "bëhet qejfi tamam", do të thoshim apriori se ky është njeriu më qejfplotësuar në botë.
Ndërkohë pas tre muajsh qeverisje kemi një projektbuxhet për 2006 e njëherazi edhe angullima, rënkime të udhëheqjes së partisë së sipërpërmendur për: shkurtime, buxhete të zvogëluara, ulje transfertash të pakushtëzuara për buxhetet lokale. Flitet për ulje, vetëm ulje, ulje e të ardhurave, ulje e transfertave, ulje e të ardhurave personale nga 1%-i, ulje me dy bukë, me dy feta, me dy thërrime, ulje e rritjes, ulje e ngritjes, jo 6, por 5%, ulje, ulje. Veç për ulje qejfi nuk flitet.
Pak ditë më parë, FMN vlerësoi nëpërmjet përfaqësueses së saj buxhetin e 2006 dhe përpjekjet e qeverisë si mjaft të guximshme Ulja e ritmit të rritjes me 1%, ndër të tjera, është ulje për shkak maturie, duke premtuar rritje më të madhe e shpenzim kontigjence në se do të vilen të ardhurat. Dhe këto do të vilen se prova u dha, pasi të ardhurat nga doganat këto muaj u rritën me disa miliona USD. Por angullitësit i kërkojnë të vjelat e të korrat që në mbjellje, madje edhe pa mbjellë fare. Paçka se mbollën tetë vjet disnivele të llahtarshme e polarizim, paçka se mbollën një shtresë të majmur bosësh të së majtës luksoze (gauchiste de luxe), dhe korrën sipas tyre çdo vit një 6% të sigurt që veç rritje mirëqenie shqiptarësh nuk ishte. Mbollën e ç'nuk mbollën, mbollën angjelë e ramë, trafik anembanë, kontrabandë e korrupsion, nanoizëm e prostitucion, pashallëqet e mëdha të biznesit, mbollën gonxhe e mbollën lule krimi, pasiguri e arrati, gomone e mbytje në det të zi. Veç një gjë nuk mbollën: buxhet mirëqenieje e bollëku që aq shumë e pretendojnë tani.
A nuk ishte maksimumi që iu premtuan mësuesve për në shtator vetëm 15% më e madhja rritje rroge që njihet në historinë e buxhetit socialist, që edhe ajo mbeti në letër? Natyrisht, duke e llogaritur pas zgjedhjeve të humbura edhe atë. A nuk ishin këta zotërinj aq kurnacë po aq sa ish-ministri i tyre i Ekonomisë sa iu dhimbte shpirti për vite me radhë t'u shtonin pagat pedagogëve sa ata u detyruan e bënë grevë? E pasi ish-ministri Bello i premtoi ato shtesa, u thye sërish besa në qeveri po atë natë, ku ministri Ish i ekonomisë socialiste ua mbushi mendjen të mos jepej ajo çka u premtua. Pastaj me një mijë mashtrime, se greva vazhdonte, përsëri u dha, por duke e marrë ndryshe (nga të ardhurat dytësore). Tani ish-ët e PS dalin e bëjnë llogaritë e të varfërit popull, e të varfërve mësues.
A nuk ishte PS që e katandisi shëndetësinë në mizerje? A u harruan grevat e mjekëve e infermierëve gjatë vitit të fundit të qeverisjes PS? Zotërinj të së majtës luksoze (gauchiste de luxe), vërtet mendoni se e ha kush se ju vuani për shëndetin e shqiptarit të thjeshtë?
Sa për fermerin, atë vërtet e vunë në hije të fikut. Ia paguan të gjitha e bujqësia u "mekanizua", toka u "lulëzua". D.m.th lulëzuan, abuzuan matrapazët e naftës pa akcizë, natyrisht si bimë të kësaj toke që mbolli ekonomia PS. Por PS e bëri detyrën ama. Le të hanë edhe ata një çikë. Me më të mirin syresh, zoti Filimon, kryetari i bashkisë sonë, bëri një pozë mbi traktor do kohë më parë.
Po Shqipëria, d.m.th. Tirana, d.m.th. qendra e Tiranës, d.m.th qendra e qendrës së Tiranës, pa dyshim lulëzoi. Natyrisht pra, së bashku me të edhe të gjitha qytetet e fshatrat lulëzuan, me transfertat abuzive e preferenciale të fondeve të pushtetit lokal që i dërgoi PS. Aty ku ministrat e PS donin vota muajt e fundit para zgjedhjeve. Aq paturpësisht, sa edhe populli skuqej nga turpi për ta, kur në fund të mandatit derdhnin ca pak para nga qesja që e zbraznin për vete. Por, "ani" thosh populli, "në fund të fundit, shyqyr që ka zgjedhje (natyrisht muaj të fundit parazgjedhjesh) të na bëjnë ndonjë gjë!". Dhe udhëheqja e PS përsëri vuan përse kaq pak para pushteti lokal. Në fakt, para janë më shumë e transferimi i investimeve lokale e veçanërisht i fondeve të rrugëve bëhet me formulë dhe jo në mënyrë abuzive e me preferenca politike si ato të ministrave të PS dikur. Por kjo nuk lexohet dot. Ashtu siç nuk e lexonte(gjente) dot një ish-ministër i PS se ku ishte shtesa e pagave për arsimin në projektbuxhet.
Por PS vuan edhe për uljen në projektbuxhet të shpenzimeve operative të dikastereve. Vuan për harxhimet e vockla 20000 lekë në ditë të nëpunësve të dikastereve. Ndërkohë që në fund vitesh çdo drejtues, sado i vogël, e di që rëndom këto para mbeten pa shpenzuar, a shpërdorohen.
Udhëheqja e PS vuan e ankohet edhe për shtesën e pagave në projektbuxhet, d.m.th pjestimin për dy sipas saj të shtesave të pagave, nëse ato do të realizohen 4-5 muaj më vonë, a thua se këto shtesa janë vetëm për 2006-n. Ndërkohë që e thamë se sa i shtoi buxheti i PS.
Vuajtjet për popullin të buxhethartuesve e shkapërdarëve të jo më shumë se 5 muajve më parë s'kanë fund. Me ta vuan sidomos zoti Filimon, kryetari i parti-bashkisë sonë që impostohet e trash zërin kinse i indinjuar në podium përpara vështrimeve aziatike të anëtarëve të Kryesisë së PS. Se ata e dinë më mirë se kushdo, sa i do ky njeri jo më njerëzit e varfër, por njerëzit, njerëzit në tërësi, edhe ata të partisë, madje edhe njerëzit e tij. O Zot, te kush ka rënë dashuria për njerëzinë e kush do ta shpëtojë atë!
Ndërkohë buxheti rritet me 1 miliard lekë, shkurtohen shpenzimet publike, rriten pagat, 20-25% dhe ato më të larta 5%, por këto nuk vërehen. Ulet 50% taksa mbi biznesin e vogël, po edhe kjo s'quhet. As përmendet. Reduktohen shpenzimet administrative, orientohen shpenzimet në drejtim të investimeve publike, sidomos në arsim e shëndetësi, rriten fondet e kompetencat për pushtetin vendor, rritet deri në 3.5% pjesa e arsimit në GDP, por askush nga PS s'i vë re këto.
Ka, të nderuar zotërinj të PS, një shembull sinjifikativ ende të gjallë, të tipit abuziv e të korruptuar të qeverisjes "Nano" të rubrikës "Dje dhe ende sot". Dhe me të do ta mbyll. Ky, ma ha mendja, është shembulli i fundit i mbetur i këtij tipi në erën e re të qeverisjes demokratike. Po vazhdon të mbijetojë edhe ca, por e ka një vlerë, atë të një modeli tashmë të shkuar qeverisës, atij tuajit. Ky model është edhe abuziv, si ju, edhe qaravitës si ju, edhe shkapërdarë si ju, edhe që kërkon të bëjë të mirin për shqiptarët si ju, por është ende në pushtet edhe ca kohë. Jo si ju. Se ky është disi autonom. Ky është modeli më sinjifikativ rudimentar i qeverisjes së korruptuar socialiste. Është fjala për njërin prej beniaminëve më të diskretituar të ish-kryetarit socialist. Ky maket trupmadh i nanokracisë na vjen një ditë të bukur në Komision të Medias e Edukimit me fytyrë të prishur, plot re e mjegull në ballë, i errët e i zymtë siç e kish lënë nata dhe deklaron gjendjen e "emergjencës ekzistenciale" të RTSh. Pastaj na thotë se ka ngritur 4 grupe Task-Force, strategë të mbijetesës së institucionit. Pastaj vuan, kërkon, gërget. SOS!
Stop! Nuk ka reminishencë më sinjifikative të Nano arratikut, ikanakut, se sa kjo fytyrë e zymtë, e lodhur, e ndragur nga nata. Nuk ka simbol më të qartë të shkapërderdhjes, plangprishjes kombëtare, të ideologjisë e praktikës nanoiste, të dëfrimit etatist apo më mirë të etatizmit dëfryes. Me një ndryshim: Nano, pas çdo plangprishje, ishte akoma më dëfryes, akoma më i mbushur e i lumtur. Se ai e kishte qesen e madhe vetë dhe e rimbushte po vetë. Kishte edhe qeset e të tjerëve që i vinin pas. Kurse ky pret të marrë nga qesja e madhe. Çdo vit. Pasi ka shpenzuar pa hesap nga të ardhurat e institucionit, i kërkon shtetit, bën art, ndërmerr masa drastike, shkurton njerëz, rroga, institucione të vartësisë. Me demek, se s'ka para t'i mbajë. Ndërkohë shpenzon karta celulari pa limit, deri 2 milion në muaj, shpërblen veten e sejmenët me 5 paga shpërblim, pi. Çfarë? Karburant apo raki pa hesap? Kush e di. Kontrolli i Lartë i Shtetit nxjerr 1,7 milion euro abuzime, ai i kërkon shtetit 1,5 milion shtesë buxheti. Nja 400 milionë të reja të tjera nuk dihet ku kanë shkuar, ndërkohë kërkohen 1 e gjysmë të tjera. Ky institucion i drejtuar prej këtij njeriu, Radio-TELEVIZIONI SHQIPTAR, është një ishull i fundit lumturie nanoiste, i fundit i mbetur pas ikjes së tij. Një ishull me vlerë historike recente, atë të rikujtimit të gjallë të plangprishjes e shkapërderdhjes të paradokohshme marramendëse. Nuk ka model më të mirë për të kuptuar populli se kush po e kritikon projektbuxhetin e 2006-ës, kush po kërkon prej tij, kush po vuan e po i qan hallin popullit për të. Edhe kush, edhe kush?
----------
Krijoni Kontakt