Vidhet shtëpia e vajzës së Sali Berishës
Dy njerëz janë futur nga ballkoni duke marrë të holla e bizhuteri
Hajdutët e banesave në Tiranë nuk kanë kursyer as shtëpinë e vajzës së numrit NJE të shtetit, Kryeministrit Sali Berisha. Sipas pohimeve të policisë së Tiranës për “Express”, ngjarja ka ndodhur natën e së shtunës, 22 tetor, ndërkohë që policia e ka konstatuar vjedhjen dhe bërë hetimet përkatëse të dielën në mëngjes. Sipas të njëjtave burime hajdutët, që duhet të kenë qenë të paktën dy,
ishin futur në brendësi pasi ishin kacavjerrë në ballkonin e banesës që gjendet në katin e dytë të një pallati pranë “Gardës së Republikës” në lagjen e Tiranës së Re. Më tej, po sipas burimeve të policisë së Tiranës, ata kishin thyer xhamin e derës së ballkonit duke depërtuar në brendësi e realizuar në këtë mënyrë qëllimin e tyre.
Vjedhja
Policia e ka ndjekur veçanërisht me vëmendje rastin e vjedhjes së banesës së Jamarbër dhe Argita Malltezit (vajza e Kryeministrit Sali Berisha ka preferuar të mbajë mbiemrin e të shoqit). Sipas një raporti të policisë për qarkullim të brendshëm, dy hajdutët ishin futur në banesë natën e së shtunës nëpërmjet ballkonit. Më tej ata kishin rrëmuar në banesë duke u larguar që andej vetëm me një sasi të hollash dhe bixhuteritë, që kishin mundur të gjenin. Puna e tyre duket nuk kishte qenë prej fillestarësh, pasi të paktën fqinjët nuk kishin dëgjuar zhurma. Policia pohon se pikërisht pas një konsultimi më të zotët e shtëpisë, -të dy të punësuar në strukturat e organizatave të ndryshme të huaja që operojnë në Kosovë, - aty mungonin pikërisht të holla dhe bizhuteri.
Hetimi
Ekspertë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës kanë bërë të gjitha veprimet hetimore në banesë duke marrë edhe gjurmët apo provat përkatëse. Duke u nisur nga gjurmët e gishtave, është shkuar në përfundimin se vjedhësit duhet të kenë qenë dy. Në kohë rekord është bërë krahasimi dhe përjashtimi i gjurmëve të banorëve të zakonshëm të banesës, duke selektuar ato të huaja. Në këtë pikë burime të policisë së Tiranës pohuan se gjurmët e gjetura i përkasin të paktën dy personave të ndryshëm. Porse rezultati pas futjes së tyre për krahasim në kompjuterin e gjurmëve, kishte qenë negativ. Pra të dy hajdutët nuk ishin kapur më parë nga policia për shkak të thyerjes së ndonjë ligji dhe për rezultat nuk ishin të skeduar. Gjithsesi policia e Tiranës pohon se është duke punuar në rrugë operative për të shkuar te autorët.
Express
Krijoni Kontakt