Close
Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 13
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22

    Berisha-Kosumi: Pavarësia e Kosovës e panegociueshme me Beogradin

    Kryeministri Berisha deklaron pas takimit me Kosumin se statusi i Kosovës është i panegociueshëm me Beogradin

    Berisha-Kosumi: Pavarësia e Kosovës, e panegociueshme me Beogradin

    Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha është shprehur dje pas takimit me homologun kosovar, Bajram Kosumi se statusi i Kosovës nuk është një çështje që mund të diskutohet mes Prishtinës dhe Beogradit, pasi në Serbi mungon realizmi përsa i përket kësaj çështjeje. Kryeministri shqiptar deklaroi pas takimit me Kosumin se çështja e statusit final të Kosovës do të zgjidhet pas diskutimeve mes autoriteteve të Kosovës dhe Grupit të Kontaktit të ngritur nga OKB. “Ne i konsiderojmë të domosdoshme përpjekjet e mëdha për rikthimin e refugjatëve në Kosovë si dhe dialogun Prishtinë-Beograd, për të gjitha problemet e tjera përveç statusit. Jo se do ta konsideronim tabu çështjen e statusit, por problemi është se për fat të keq, nuk ekziston sens realizmi në Beograd për këtë çështje. Prandaj ky problem, mendoj unë, mbetet për t’u zgjidhur mes autoriteteve të qeverisë së Kosovës, forumit negociator të zgjedhur nga parlamenti, dhe grupit të kontaktit. Por pavarësisht nga kjo, ka mijëra probleme të tjera, për të cilat Prishtina dhe Beogradi do të kenë një dialog konstant, në mënyrë që të fillojnë të shkruajnë një kapitull të ri bashkëpunimi miqësor midis dy vendeve,” u shpreh kryeministri Berisha. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar dje gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumi se Shqipëria mbështet pavarësinë e Kosovës dhe se kjo duhet të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me interlokutorët ndërkombëtarë. Kryeministri Berisha zhvilloi një takim pasditen e djeshme me homologun e tij kosovar Bajram Kosumi në Tiranë, ku kanë biseduar për statusin final të Kosovës si dhe për bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor mes dy vendeve. Bajram Kosumi është shprehur se beson se Tirana zyrtare do të jetë e angazhuar në përcakimin e statusit final të Kosovës duke thelluar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve mes dy vendeve. “Kosova po hyn në një fazë shumë të rëndësishme të historisë dhe ajo do që të ketë një rol edhe më të madh në politikat zhvillimore të Europës Juglindore. Njëkohësht ne presim dhe besojmë në angazhimin e fuqishëm të shtetit shqiptar në procesin e përcaktimit të statusit final të Kosovës. Mbeshtetja e Tiranës zyrtare për pavarësinë e Kosovës, mund të pasqyrohet nëpërmjet thellimit të bashkëpunimit të shkembimit të informacioneve mes dy qeverive tona në këtë periudhë të rëndësishme,” është shprehur Bajram Kosumi gjatë konferencës së përbashkët që u mbajt pas takimit mes dy kryeministrave. Kryeministri Sali Berisha mendon se pavarësia e Kosovës duhet të shoqërohet patjetër me një sërë masash për garantimin e lirive të minoritetit serb në Kosovë dhe të minoriteteve të tjera. “Shqipëria nuk ka ndonjë rol direkt në procesin e përcaktimit të statusit dhe besojmë se ai duhet të përcaktohet në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës shprehur kjo në mënyrë të përsëritur dhe në mënyrë të ndryshme për pavarësi dhe bashkëpunim të ngushtë me Grupin e Kontaktit. Por ne mendojmë se është i domosdoshëm garantimi i standardeve më të mira të sanksionuara në Kartën e Kopenhagenit, Konventën Europiane të të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve,” u shpreh Kryeministri i Shqipërisë. Kryeministri Sali Berisha tha se çështja e statusit të Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejt në të mirë të rajonit. “Ne mendojmë se procesi i statusit nuk duhet të jetë një proces i stërzgjatur pasi në gjykimin tim, fluiditeti i faktorit shqiptar, duhet të marrë në fund dhe nuk është në interes të stabilitetit të rajonit kështu që uroj që fryma e bashkëpunimit të predominojë dhe të arrihet në statusin përfundimtar në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës,” deklaroi kryeministri i Shqipërisë.

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22
    Kryeministri i Kosovës konfirmon takimin në fillim të nëntorit mes kryeministrave të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës

    Prishtinë, kryeministrat e rajonit takohen për statusin e Kosovës

    Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi ka konfirmuar dje se do të zhvillohet një takim në Prishtinë mes kryeministrave të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe të Maqedonisë për të diskutuar mbi çështjet e rajonit dhe për pavarësinë e Kosovës. “Unë shpresoj që në fillim të nëntorit do të jetë një takim i tillë edhe në Prishtinë, ku kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës do të takohen dhe do të bisedojnë në një takim jo formal për të gjitha problemet që lidhen me vendet përkatëse. Ne shpresojmë që shumë shpejt dhe në një kohë sa më të shpejtë edhe Serbia t’i bashkohet këtij procesi dhe ajo është e mirëpritur t’i bashkohet këtij procesi. Unë mund të them se ky është vizioni i ri, që jemi duke krijuar për vendet e rajonit. Kjo është fotografia e re që neve po krijojmë për vendet e rajonit. Imazhi i ri i bashkëpunimit, i ndryshëm nga imazhi i deritashëm i konflikteve permanente, imazh i cili është i krijuar drejt krijimit të një klime të besimit bashkëpunimit, drejt rrugës së integrimeve europiane,” u shpreh kryeministri i Kosovës. Bajram Kosumi tha se ai është i angazhuar personalisht për takime të tilla dhe qeveria e Kosovës i mirëpret. “Takimet bilaterale të ditëve të fundit mes kryeministrave të disa vendeve të rajonit shënojnë hapin e parë të çtendosjes së raportve fqinjësore. Angazhohem edhe unë personalisht edhe qeveria e Kosovës për takime të tilla,” tha Kosumi. Ky takim mësohet se është bërë i mundur të realizohet pas takimeve të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha me homologët e tij në Mal të Zi dhe në Maqedoni, ditët e fundit.

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,380
    Postimet në Bllog
    22
    Kryeministri Sali Berisha dhe Bajram Kosumi ftojnë Serbinë të bëhet pjesë e zhvillimit ekonomik mes vendeve të rajonit

    Korridori Durrës-Prishtinë të shtyhet deri në Nish

    Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës kanë biseduar dje për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Dy kryeministrat janë angazhuar se do të bëjnë gjithçka të jetë e mundur që korridori, Durrës-Prishtinë të shtrihet deri në Nish, pasi do të kishte përfitime edhe Serbia Jugore. “Ne jemi dakord të bëjmë çdo përpjekje që autostrada Durrës-Prishtinë të vijojë deri në Nish, në rast se Serbia dëshiron të nisë nga punimet sa më parë, duke e konsideruar këtë një arterie shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të dy vendeve, duke krijuar kështu një mundësi më të madhe apo të dyfishimit të fluksit turistik në Shqipëri, të rritjes së vëllimit të shkëmbimeve, por edhe të një daljeje në det më të shkurtër për Kosovën dhe po të jetë e interesuar, edhe Serbia e jugut,” u shpreh Berisha. Kryeministri shqiptar tha se bashkëpunimi mes dy vendeve bëhet i domosdoshëm pasi afron Kosovën edhe me portet shqiptare si Durrësi dhe porti i Shëngjinit. “Durrësi po edhe një port tjetër shumë i rëndësishëm si Shëngjini, mund të bëhet për Kosovën, por që ne gjatë një periudhe të caktuar e patëm vënë në dispozicion të Maqedonsisë dhe jemi të gatshëm ta bëjmë këtë edhe për Kosovën për të lehtësuar komunikimin e saj nëpërmjet detit me vendet e tjera. Bashkëpunimi energjitik është i një rëndësie të veçantë problemet energjitike të të dy vendeve janë të mëdha, por edhe potencialet janë reale për kapërcimin e tyre,” tha kryeministri Sali Berisha. Kryeministri kosovar, Bajram Kosumi shtoi se përveç këtyre do të intensifikohet edhe bashkëpunimi në fushën e energjitikës. “Gjatë vizitës sime këtu biseduam se përveç bashkëpunimit politik, do të bisedojmë edhe për bashkëpunimin dhe thellimin e mëtejshëm të marredhënieve ekonomike sidomos në infrastrukturë në projektin tashmë të njohur të autostradës Prishtinë- Durrës, pastaj çeshtjes së energjisë elektrike, rrjetit të transmisionit 400 kilovolt mes Kosovës dhe Shqipërisë, pastaj edhe pjesë të ndryshme të marrëveshjes për tregti të lirë mes dy vendeve,” tha Kosumi.

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Berisha: Pavarsi e kushtezuar per Kosoven

    Lajmi i ores 11:00 AM



    Sali Berisha
    TIRANE (10 Tetor) Daniela Bonollari-"Neqoftese eshte fjala per kushte, une ne fakt ne epoken e globalizmit nuk di pavavaresi te pakushtezuar. Natyrisht duhet te jemi realiste, ne rastin e Kosoves mund te kete disa kushtezime specifike te cilat nuk cenojne aspak lirine, mevetesine e qytetareve te Kosoves e shtetit te Kosoves, ne te kundert, gjykoj une, jane vecse elemente qe synojne garantimin e lirive te drejtave te minoriteve dhe konsolidimin e institucioneve demokratike ne Kosove". Keshtu ka deklaruar dje kryeministri Sali Berisha gjate prezantimit te bashkepunetoreve te tij, duke iu pergjigjur edhe pyetjeve te gazetareve te lidhura me Kosoven.

    Berisha pershendeti madje edhe raportin e diplomatit norvegjez, ambasadorit Kai Aide per Kosoven. "Ky raport eshte nje dokument shume i rendesishem, i ekuilibruar, i cili jo vetem paraqet nje analize realiste e te shkelqyer te zhvillimeve ne Kosove, por hap nje kapitull te ri drejt paqes, stabilitetit dhe integrimit te Kosoves dhe rajonit ne Bashkimin Europian. Raporti sanksionon sygjerimin per hapjen e negociatave per statusin e Kosoves, gje e cila e shnderron vitin 2005 ne nje vit shume te rendesishem per Kosoven dhe rajonin", citon zyra per shtyp e kryeministrit Berisha. ai e vlereson kete moment si nje moment pergjegjesie te madhe per Presidentin, qeverine, parlamentin, si dhe autoritetet vendore te Kosoves. "Kam bindjen se ecja drejt statusit final ne perputhje me vullnetin e popullit te Kosoves dhe ne bashkepunim te ngushte me komunitetin nderkombetar shenon nje arritje te madhe jo vetem per qytetaret e Kosoves, por per mbare rajonin e Ballkanit dhe me gjere. db/db(/Balkanweb
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Sali Berisha dje shkeli embargon Sot pavarësi të kushtezuar!!!


    Historia që s’mësohet, përsëritet

    © Shqiptar Oseku

    Në dhjetor 1992, Shqipëria u bë vendi i parë nga ish-Traktati i Varshavës që kërkoi anëtarësim në NATO. Ndërkaq, në nëntor 1993, pa shkuar ende një vit, ushtria e shtetit shqiptar i kish hyrë me dy duart trafikut të armëve me Beogradin, në kundërshtim flagrant me embargon e armëve ndaj vendeve të ish Jugosllavisë, që sponzorohej po prej NATO-s. Komandant suprem i ushtrisë shqiptare e kryetar i shtetit atëbotë ishte Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë.

    Rrëfimi për trafikun e armëve mes ushtrisë shqiptare e Millosheviçit është e mpleksur me dy paralele të historisë moderne të Ballkanit, fushatën për krijimin e Serbisë së Madhe, si dhe korrupsionin e shfrenuar në Shqipëri. Filli nis më 1991, kur serbët i përgjigjen pavarësisë kroate duke pushtuar të tretën e Kroacisë. Më 1992 Beogradi e nis agresionin edhe kundër Bosnjes. Bota e stepur u vë embargo të armëve ”të gjitha palëve”, duke i lënë de facto viktimat duarthatë para ushtrisë serbe. Në prill 1992, serbët nisin granatimin e Sarajevës dhe orgjitë e përgjakshme gjithandej nëpër Bosnje. 200.000 meshkuj therren si kafshë, 20.000 femra dhunohen, ndërsa rrëmihëset serbe gërryejnë e flakin në lumenj edhe varrezat e boshnjake.

    Në maj 1992 serbët i rrethojnë me tela e i kthejnë në gjole të gjakut lëndinat idilike në Omarska, Keraterm dhe Trnopolje, duke e detyruar BE-në dhe OKB-në që të vëjnë sanksione kundër Serbisë. Sanksionet, që vëjnë në shënjestër ekonominë dhe ushtrinë serbe, s'ua varin shtirjeve serbe se Beogradi zyrtar s'paskësh dorë në barbarira. Por as Beogradi s'ua var sanksioneve: nisin skemat mëse 10-vjeçare, ku Millosheviçi e mafia serbe bashkëpunojnë intimisht për t'u përbiruar nëpër të a.q. "bllokadën e sanksioneve". Mun atëhere, pra më 1992, në Shqipërinë e varfëruar përmbyset diktatura, që zëvendësohet nga një qeverisje e krymbur prej korrupsionit. Për krerët e gjindshëm serbë, Shqipëria fqinje mëton si livadh i pakositur.

    Një vit pas shpalljes së sanksioneve, më 1993, skemat serbe kanë nisur të funksionojë perfekt. Nëpër murin e sanksioneve përbirohen gjithandej karburante, asete financiare, si dhe armë. Vendet fqinje të Serbisë, mes tyre Shqipëria, lozin një rol parësor në rrëmihjen e bllokadës, duke i ndihmuar Millosheviçit ta vazhdojë banjon e gjakut.


    Ngarkesa vrastare

    Sa pa gdhirë mëngjesi i 10 nëntorit 1993, gjashtë kamionë ngrehës të agjencisë serbe të transportit "Taurus" rrugëtojnë nga Sofja për në destinacion, vendkalimin kufitar të IRJM-së në Gushevo. Ngarkojset e kamionëve janë të mbuluara me kujdes. Kolonës i prin një kerr i policisë bullgare, kurse e përcjell prapa një Mercedes i errët. Shoferët serbë shajnë në radio, të irrituar me radion bullgare që e jep si kryelajm se serbët dje, më 9 nëntor, kishin granatuar një shkolle fillore në Sarajevë duke vrarë 9 fëmijë: nga vëllezërit sllavo-ortodoksë mund të prisje ca më shumë. Por, përkundër shiut çurg, atyre u kthehet humori me të arritur në kufi, diku kah ora 13:00.

    Doganierët s’janë problem, lejekalimi lëshohet përnjëherë. Kolona pritet tutje nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme të IRJM-së dhe vazhdon urgjentisht drejt Shkupit, e përcjellur nga sigurimi. Të gjitha udhëkryqet mbahen të lira nga policia rrugore, për t'i hapur udhë kolonës. Ca 2.5 orë më vonë ajo arrin te aerodromi ushtarak Petrovac jashtë Shkupit, ku ngarkesa shkarkohet me nxitim në strehimoret ushtarake. "Shoferët" serbë, që në fakt janë eprorë të sigurimit, tani marrin frymë shlirë. Ata e kanë çuar detyrën në vend.

    Në ferkun e mëngjesit, ngarkesa misterioze fluturohet me avion për në Bosnje. Ndërkohë janë të paktë ata që e dinë se ç'përmban ajo. Madje as pilotët e "shoferët" s'e dinë saktësisht, ndonëse i kanë hamendjet e veta. Gjatë tërë procesit, në korrent janë vetëm ata pak veta që i duhen patjetër misionit, dhe kjo vetëm me atë minimum informatash që lypet sa për ta kryer atë me sukses. Sekreti zbulohet vetëm në destinacionin final, në trevat serbe të Bosnjes, ku ngarkesa vrastare del së pari në dritë të diellit: 100 mortaja 82 mm fringo të reja me 10.000 predha. Serbët në Bosnje, të mbështetur nga kreu ushtarak e politik në Beograd, në vazhdim mund të përdorin pa kursim "armë të pastra", fërkemët e të cilave nuk shpiejnë më direkt te përdoruesit ose urdhërdhënësit.

    Ndërkaq, edhe më të paktë në numër janë ata që e dijnë, sot e kësaj dite, se dokumenti më i rëndësishëm i tërë kësaj afere, fletëporosia zyrtare për ngarkesat, nismën s’e ka në Beograd, as në Pale - po në Tiranë. Sall dy vjet më vonë, agjentët e zbulimeve perëndimore nisin ta shpalojnë lëmshin. Për habinë e tyre, del se ai ka degëzim gjer te nivelet më të larta të prokurimit pranë ministrisë shqiptare të mbrojtjes. Në dosjet e tyre puqen copëzat e kësaj historie, për ta kthjelluar një ndër episodet më të pabesueshme, e megjithatë tipike, për Ballkanin e viteve 1990.


    Urdhëri nga Beogradi: ”Bleni armë të pastra”

    Zanafilla nis ca muaj më herët, në fillim të vitit 1993, kur ndërmarrës e zyrtarë bullgarë kontaktohen nga njëfarë Branisllav Gjurica, që zyrtarisht punon në Sofje si agjent tregëtar i ndërmarrjes serbe Genex Invest. Ai i mëton bullgarët t’i ndihmojnë në trafikun e armëve prej Ukrainës dhe Rusisë nëpër Bullgari, me destinacion Serbinë. Në fakt, zt. Gjurica është epror i zbulim-kundërzbulimit ushtarak serb. Ai arrin ta ngre një kanal të sigurtë, të a.q. ”lidhjen bullgare”, për thyerje të sanksioneve, duke importuar masivisht pjesë ndërrimi për luftajrorët MiG29 dhe An26, në shumën prej mëse 300.000 USD.

    Inkurajuar nga ky sukses, Beogradi shpien në Sofje një ndër agjentët e vet më të shkathtë, Bruno Vllahoviç. Ai kërkon të blejë një ngarkesë të armëve ”të pastra” (lexo: me origjinë joserbe) përfshirë municionin e pjesët e ndërrimit, mes tyre edhe 100 mortaja 82 mm. Porosia, që buron nga kreu ushtarak në Beograd, është e qartë: armët duhet të jenë të tipit që përdoret në vendet përreth, mundësisht nga ato që përdoren në Shqipëri. Serbët, të kritikuar për taktika të ndyra kundër civilëve, kanë menduar që tani e tutje fajin t’ua hedhin boshnjakëve. Njëherit, një rrugë e dy punë, ata kanë menduar të bëjnë me gisht nga Shqipëria, si gjoja vend që e then embargon e armëve dhe furnizon ekstremistët.

    Serbi Bruno Vllahoviç paraqitet si agjent tregëtar i ndërmarrjes Target Inc me seli në Qipro, që shërben për shitblerje të pajisjeve ushtarake. Në shtator 1993 ai cakton takim me bullgarin Mario Stoiçkov, që prezentohet si drejtor ekzekutiv i ndërmarrjes Videomax Inc. Në takim palët pajtohen për shitblerjen e 300 topave fushorë, të 100 snajperëve Dragunov me shënjestra optike, të minave kundërkëmbësorike dhe kundërtankiste, si dhe të mortajave. Palën dakordohen lehtë për çmimet, 5.500 USD për mortajë, 60 USD për minë, dhe 1.850 USD për Dragunov. Municioni dhe pjesët e ndërrimit janë pjesë e marrëveshjes, e cila bëhet gojarisht, e siglohet me një tokje dore.

    Gjatë shpalimit së aferës, agjentët perëndimorë kanë gjetur se Bruno Vllahoviçi pas takimit mori 500.000 USD hua nga ndërmarrja financiare Vitomatic Trade Inc. për ta financuar aferën. Huaja u derdh në konton e ndërmarrjes Samarcand Inc po me seli në Qipro, ku Vllahoviçi figuronte drejtor ekzekutiv. Sot e kësaj dite, firma Samarcand Inc. s’e ka shlyer huanë: në vend të saj, huanë e ka shlyer Vojvodjanska Banka, në pronësi të shtetit serb.


    ”Lidhja shqiptare”

    Ndërkaq, agjenti bullgar Stoiçkov s’ka licencë vetjake për tregëtim armësh. Andaj, për ta përmbaruar marrëveshjen, ai e rekruton kolonelin Stojan Cakov dhe Vlladimir Popinskin, 52 vjeç, shef i Logjistikës dhe Tregëtisë Ushtarake pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Armët sigurohen pjesërisht nga depot bullgare, e pjesërisht nga ato ruse e rumune. Përvjedhja e tyre nëpër dogana nuk është problem, mjaftojnë letër-rekomandimet nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, të firmosura nga Popinski.

    Njëherësh, palët mendojnë edhe për ta mbuluar operacionin. Për dallim prej serbëve, shteti bullgar ka zgjedhur t’i afrohet Perëndimit, si rrjedhojë edhe prokurimet ushtarake janë më transparente. Një thyerje kaq masive e sanksioneve ndaj Serbisë, po të bie në sytë e perëndimorëve apo të opozitarëve vendas, mund të ketë pasoja të ndjeshme për të dy palët.

    Nevoja, thonë, është nëna e dijes. Agjentëve serbë e bullgarë u kujtohet ta maskojnë tërë operacionin si transaksion legal. Ata orientohen për ta rekrutuar një kontakt në Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë. Pra, aty ku serbët kanë menduar ta hedhin fajin për krimet ”e paevidentueshme” të luftës nga fushëbetejat e Bosnjes.

    Ushtaraku shqiptar që rekrutohet nga zbulim-kundërzbulimi ushtarak serb dhe partnerët e tij bullgarë quhet kolonel Sali Çuçi. Ai shërben asokohe si drejtor i ndërmarrjes ushtarake Meiko, që merret me prokurime pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Projekti hyn në fazën e vet më kritike: aq vendimtare është kjo, sa serbët e bullgarët aferën këtu e tutje do ta quajnë ”Lidhja shqiptare”. Kundrejt një ”shpërblimi në kesh”, kolonel Çuçi pranon ta firmos një fletëporosi zyrtare për ngarkesën, që e paraqet rrejshëm Tiranën si destinacionin final të ngarkesës.

    Operacionit ”të kompletuar” kësisoj në instancën e fundit iu dha leja me shkrim në nivel ministrash. Ministri i atëhershëm i mbrojtjes bullgare, Valentin Aleksandrov:

    ”Kishim plot armë në depo që donim t’i heqnim, andaj konkludova se ndoshta bëjmë mirë ta armatosim ushtrinë shqiptare. Ministri i tyre i mbrojtjes kërkoi takim në Sofje dhe ne e kontraktuam livrimin e pajisjeve. Ato do të ngarkoheshin në Varna, e do të lundroheshin për në Durrës. Këtu s’shoh asgjë të keqe.”


    Dreqi s’ka besë

    Këtu e tutje, gjithçka rrjedh pa pengesa. Instancat për kontroll të armëve në ushtrinë e qeverinë bullgare firmosin një nga një. Bullgari që e nisi aferën, Mario Stoiçkov, e firmos njëherit një kontratë me firmën Aciba në IRJM për shitje të ”televizionëve”. Firma Aciba është, natyrisht, fasadë e zbulim-kundërzbulimit ushtarak serb në Shkup.

    ”Televizionët” ngarkohen në gjashtë kamionë dhe nisen për në IRJM. Me të hyrë në Shkup, atyre dhe ”shoferëve” zyrtarisht u humb çdo gjurmë. Natyrisht që askush nuk bën kallëzim në polici për zhdukjen e mistershme, as livruesit e mallit, as pranuesit, as familjarët e shoferëve.

    Kësisoj, pra, tërë afera do të kalonte sigurisht pa u vënë re prej askujt, sikur të gjitha palët t’i përmbaheshin planit. Por, si ndodh rëndom në raste të këtilla, mes krerëve të krimit nis grindja rreth presë. Dreqi besë nuk ka, ka thënë i pari. Me të pranuar të ngarkesës në IRJM, agjenti serb Bruno Vllahoviç s’paguan veçse një shumë simbolike, duke vonuar pjesën e luanit për ”ndonjëherë tjetër”.

    Bullgarët e brengosur nisin alarmin, duke nisur nga ndërmarrësi Stoiçkov e gjer te ministri Aleksandrov. Pas trysnive të numërta, agjenti Vllahoviç e thërret partnerin e vet Stoiçkov në Beograd, ku ia dorëzon 670.000 USD kesh, kundrejt një fletëpranimi me shkrim. Por të hollat nuk arrijnë kurrë gjer në Sofje. Ngjarjet e mëtejme të asaj dite mbeten mister i pazbërthyer. Ajo që dihet është se Stoiçkovi kthehet duarthatë dhe pohon se e ka ndaluar dogana serbe, e cila, sipas tij, ia ka konfiskuar të hollat pa ia dhënë një vërtetim zyrtar.

    Në mbarim, afera fillon t’i ngjajë një farse. Për një kohë, zbulim-kundërzbulimi serb përmes një agjenti në Moskë i josh bullgarët me fjalë të bukura, se humbjet mund t’ua kompenzojë Beogradi nëse ministri bullgar i mbrojtjes dërgon një faksimil ku e konfirmon aferën. Propozimi tërhidhet me panik nga bullgarët. Ish ministri Valentin Aleksandrov:

    “Ma kishin propozuar madje edhe një tekst. Fjalët e sakta s’më kujtohen, por unë do të pranoja de facto se Bullgaria e kish thyer embargon e armëve. Pra, sikur s’mjaftonte me aq sa kish ndodhur, po donin të na zhystin edhe më thellë”. Në këtë pikë, ai refuzon të bashkëpunojë. “Ishte thjesht një provokim politik.”

    Më në fund, skandali shpërthen në Bullgari. Në janar dhe në shkurt 1994 shkarkohen nga puna zyrtarët e inkriminuar në ministrinë e mbrojtjes dhe zëvendësministri i mbrojtjes. Po më 1994, në zgjedhjet bullgare fiton opozita. Më 7 shkurt 1995 policia bullgare arreston Vlladimir Popinskin dhe konfiskon një sërë dokumentesh të rëndësishme, pos tjerash edhe një ofertë serbëve për shitje të raketave kundërajrore Smrç - një nga ato që thuhet se e rrëzuan luftajrorin amerikan F-17 gjatë konfliktit në Kosovë.


    Epilogje që flasin

    Përmbarimi final i aferës flet shumëçka për rrugët e ndryshme që morën vendet e Ballkanit pas përmbysjes së komunizmit. Në Bullgari, kriminelët patën pasoja serioze. Më 16 mars 1995 prokuroria ushtarake bullgare e arreston në vend kolonelin Stojan Cakov. Arrestimi dramatik, i cili ndodh në ambasadën bullgare në Moskë gjatë një takimi zyrtar aty mes ministrave të mbrojtjes të Bullgarisë dhe Rusisë, shërben për t’u dërguar një sinjal të prerë rusëve se në Sofje ka ndërruar moti. Popinski dhe Cakov ngarkohen për tradhëti të lartë dhe spiunim, si dhe për trafikim të paligjshëm të armëve.

    Mario Stoiçkov u vërejt për herë të fundit më 1995, gjatë një bisede të shlirë me një epror të lartë në ministrinë e mbrojtjes bullgare. Pak më vonë, ai u desh ta mirte arratinë. Besohet se ai tani banon diku në Qipron greke.

    Në Serbi, pjesëmarrësit në këtë operacion bëjnë karrierë, përkundër ca paqartësive të dyshimta. Agjentit Bruno Vllahoviç, emri i vërtetë i të cilit nuk dihet as sot, pohohet t’i jetë ndarë medalje për “shërbim të shquar në detyrë”. Atasheu ushtarak serb në Moskë, Aleksander Vasiljeviç, që diti t’i vërdalliste bullgarët me fjalë të bukura edhe pasi i kish dalur tymi aferës, u emërua nga Millosheviçi në postin e kreut të shërbimit ushtarak të inteligjencës. “Heronjtë” serbë vazhdojnë të bëjnë karrierë edhe sot nëpër shërbimet e numërta të sigurimit serb, të cilat janë kursyer prej reformave e ndërrimeve kadrovike.

    Kurse në Shqipëri, fajtorët thjesht i përpiu toka. Koloneli Sali Çuça nuk ndjehet i gjallë, vendqëndrimin e tij nuk e di njeri. Supozohet se ai, bashkë me ministrin e asokohëshëm të mbrojtjes, u arratisën me xhepat plot jashtë vendit pas përmbysjes së regjimit të Sali Berishës më 1997, por se ku, për atë s’di asnjeri të tregojë më saktë.

    “Lidhja shqiptare” është shoshitur mbarë e mbrapsht nëpër mediat bullgare për vjet me radhë, të cilat i kanë nxjerrur në shesh edhe emrat e përgjegjësve shqiptarë. Ndonëse Tirana, nëpërmes të ambasadës së vet në Sofje, i ka ditur fort mirë përmasat e tërë aferës, atje s’është ndërmarrur asgjë për ta hetuar lëndën. As madhoritë disciplinore ushtarake, as ato të hetimit civil, nuk janë vënë në alert, duke u mundësuar kundërvajtësve e kohës që t’i fshijnë në bashkëpunim gjurmët e krimit.

    Symbyllja kryeneçe e Tiranës doemos që ngjall dyshime përvëluese. Kush mori pjesë në këtë aferë pos atyre që dihen, dhe kush është kujdesur që t’i fsheh gjurmët e krimit për kaq vjet me radhë?

    Një pjesë e përgjegjes mbase gjendet në Bullgari. Ish ministri i mbrojtjes ka figuruar atje si kreu më i lartë qeveritar që është përlyer, meqë është gjetur një shkresë e tij që ia ndez dritën e blertë tërë operacionit. Ai pohon ende se s’ishte në dijeni të detajeve, pohim ky që s’vjen si befasi. Por, ai pohon, poashtu - dhe kjo është me rëndësi! - se për “shitblerjen” i ka njoftuar gojarisht në një takim enkas edhe ish kryetarin e Bullgarisë Zhelju Zhelev dhe ish kryeministrin Ljuben Berov, si dhe ish ministrin e brendshëm dhe ish kreun e agjensisë së sigurimit kombëtar.

    Pala bullgare dhe pala serbe, pra, u siguruan ta kishin dritën e blertë nga kreu i shtetit. Kë e kontaktoi athua pala shqiptare, dueti kolonel Sali Çuça dhe ministri sipër tij, për ta marrë dritën e blertë? A është e besueshme që një kolonel i thjeshtë, me detyrë nëpunës i prokurimit ushtarak, apo qoftë edhe një ministër i mbrojtjes, të ketë kompetenca të firmos krye në vete për afera prej miliona dollarësh? Çka dinte, e çka nuk dinte ish kreu i shtetit, e kryeministri in spe i Shqipërisë, Sali Berisha, për të gjitha këto?

    Një tjetër pjesë e përgjegjes ta japin doemos raportet e numërta gjatë tërë viteve 1990 për përvjedhjen e armëve e karburanteve nëpër tokën e detin shqiptar për në Serbi. Raportet, të cilat janë të hapta dhe publike, dëshmojnë për një trafik masiv shqiptaro-serb, i cili vazhdoi edhe pas përmbysjes së Sali Berishës dhe ardhjes në pushtet të Fatos Nanos. Pasojat largvajtëse ndjehen përditë në Shqipëri. Për dallim prej vendeve tjera ballkanike, ku politikanët mbijetojnë përkundër korrupsionit masiv, polikanët shqiptarë mbijetojnë pikërisht falë tij.

    Trafiku i ndyrë me Millosheviçin ishte në kundërshtim flagrant si të ligjeve shqiptare, ashtu edhe të sanksioneve ndërkombëtare kundër Serbisë. Po aq çmeritës është tradhëtimi i interesave jetike të shtetit shqiptar, e katandisja morale e krerëve të tij. Fakti që dy përgjegjësit - që të mos themi aktorët - kryesorë nga ajo periudhë sterrë, Sali Berisha dhe Fatos Nano, vazhduan t’i prijnë politikës shqiptare është për t’u qarë me lot.

    Por para druaj se ajo që do qarë me vajtojca është ardhmëria e Shqipërisë. Optimistët thonë se duhet pasur besë te njerëzit, se mund të transformohen për të mirë. Optimist më duket, të paktën, edhe elektorati shqiptar, i cili veçsa u ndërroi vendet Nanos dhe Berishës, duke u lënë përsëri në dorë zemërgjërësisht çelësat e vendit. E pra, historia që s’mësohet, përsëritet. Më 1992, Sali Berisha kërkonte anëtarësim në NATO, kurse një vit më vonë, më 1993, shteti i tij thente sanksionet e NATO-s. Si liberal e si shqiptar, më zë frika kur e mendoj se ky njeri i fitoi zgjedhjet sivjet duke kërkuar luftë kundër korrupsionit. Po më pyetët mua, do t’ju këshilloja t’i mbani fort kuletat me dy dyart sapo t’i dëgjoni emrat Nano a Berisha.

    Burimet:
    Bulgarian Telegraphic Agency, BNTV, BNR, Dnevnik, 24 Chasa, Noshten Trud, Politika
    Ndryshuar për herë të fundit nga Llapi : 26-10-2005 më 06:20
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  6. #6
    Gezuar Kosoven e Pavarur Maska e dodoni
    Anëtarësuar
    07-11-2002
    Postime
    3,393
    Mendoj qe ideja e Moisiut qe Shqiperia (pozita dhe opozita) bashke edhe me Kosoven (pozita dhe opozita atje) te kene nje qendrim te vetem per zgjidhjen e ceshtjes se Kosoves eshte ide shume e mire dhe qe duhet te realizohet sa me pare. Qe te gjithe duhet te dalin me qendrimin Pavaresi e Plote per Kosoven, pa asnje kusht. E natyrisht qe shqiptaret e Kosoves, ashtu sic edhe jane zotuar disa here, dhe edhe kane vepruar deri tani, do ju japin pakices serbe te Kosoves te gjitha te drejtat e pakices sipas standardeve nderkombetare.

    Tani duhet te punohet shume nga diplomacia shqiptare qe te kurorezohet sa me pare edhe pavaresia e plote Kosoves.

    Tung
    Leje mos m'trano, pashe zotin!!!!

    Rrofte Shqiperia Etnike

  7. #7

    Me pavarësinë e Kosovës nuk ndëshkohet Serbia, por shërohet nga sëmundja psikike shum

    7 mars 2006 /TN

    Edhe politika aktuale e Beogradit, si e Milosheviqit, provon ta manipulojë botën se “Kosova e pavarur do të jetë një shtet fundamentalist, që do të prodhojë terrorizëm”!Çfarë profecie serbe: ende pa u bërë e tillë Kosova, ajo do të jetë një vend terrorist, që do ta destabilizojë rajonin!!! Kopalla se jo mahi. Kopalla që di të prodhojë vetëm logjika e sëmurë e Beogradit, e cila ka pasur e ka nevojë për një shërim psikiatrik. Duke qenë e sëmurë rëndë në këtë aspekt, ka harruar se vetë ka qenë ajo që ka prodhuar terrorizëm. Ka harruar se terrorizmin e ka në shpirt e në gjak. Ka harruar se ka dërguar terroristë në botë, për t’i vrarë shqiptarët që i ka pasur në shënjestër. Ka harruar se ata terroristë i kanë vrarë edhe kroatët e boshnjakët atje. Ka harruar se ka bërë terror edhe në vetë bashkëkombësit, që nuk janë pajtuar me politikën fashizoide të Beogradit ndaj kombeve të tjera.( Të kujtojmë vrasjen e Ivan Stamboliqit, për ta ilustruar më mirë terrorizmin në vetë njerëzit e saj).

    Nazmi Lukaj

    Politika e Beogradit nuk po lë metodë pa përdorur për ta frenuar pavarësinë e Kosovës. Një prej metodave të shumta të saj është edhe gogoli i frikësimit të komunitetit ndërkombëtar se “po u pavarësua Kosova, do të radikalizohet politika e Beogradit, sepse nga skena e atjeshme do të binë forcat aktuale në pushtet”, që gjoja na qenkan demokratike! Kështu kjo politikë serbe gjithnjë po dëshmohet se ka nevojë për një shërim psikiatrik, sepse, në thelb, ka mbetur po ajo që e ka kultivuar edhe vetë Milosheviqi.

    Edhe ai luante me këtë kartë, për t’i realizuar ëndrrat e tij për pushtimin total të Kosovës. Politika aktuale e Beogradit dallon prej asaj të paraardhësit, vetëm se nuk guxon t’i urdhërojë forcat ushtarake e falangat e tjera që t’ia mësyjnë Kosovës, pasi e ka të qartë se një mësymje e tillë do t’i kushtonte shumë shtrenjtë. Veprimet e tjera janë krejt të njëjta. Edhe politika aktuale e Beogradit, si e Milosheviqit, provon ta manipulojë botën se “Kosova e pavarur do të jetë një shtet fundamentalist, që do të prodhojë terrorizëm”!

    Çfarë profecie serbe: ende pa u bërë zyrtarisht e tillë Kosova, ajo do të jetë një vend terrorist, që do ta destabilizojë rajonin!!! Kopalla se jo mahi. Kopalla që di të prodhojë vetëm logjika e sëmurë e Beogradit, e cila ka pasur e ka nevojë për një shërim psikiatrik. Duke qenë e sëmurë rëndë në këtë aspekt, ka harruar se vetë ka qenë ajo që ka prodhuar terrorizëm. Ka harruar se terrorizmin e ka në shpirt e në gjak. Ka harruar se ka dërguar terroristë në botë, për t’i vrarë shqiptarët që i ka pasur në shënjestër. Ka harruar se ata terroristë i kanë vrarë edhe kroatët e boshnjakët atje.

    Ka harruar se ka bërë terror edhe në vetë bashkëkombësit, që nuk janë pajtuar me politikën fashizoide të Beogradit ndaj kombeve të tjera.( Të kujtojmë vrasjen e Ivan Stamboliqit, për ta ilustruar më mirë terrorizmin në vetë njerëzit e saj). Ka harruar, po ashtu, se sa masakrat i ka bërë në Kosovë, Bosnjë e Kroaci?

    Prandaj, a s’është çmenduri një tezë e tillë serbe, kur vetë ka qenë ajo që ka prodhuar gjithmonë terrorizëm e fashizoizëm?! Tendenca tjetër për ta frenuar pavarësinë e Kosovës, se “ nëse bashkësia ndërkombëtare e ndërmerr këtë hap, do ta ndërronte pushtetin në Serbi”, është një blof i saj, sepse politika pushtetore e Beogradit dhe ajo radikale atje, sa i përket Kosovës, janë të njëjta.

    Cilado që të vijë në pushtet, nuk e radikalizon as më shumë, as më pak politikën serbe karshi saj. Dhe cilado që të vijë në pushtet, sado të jetë e radikalizuar, s’ka çka bën më shumë karshi Kosovës, sepse këtu janë forcat e KFOR-it e të UNMIK-ut, po është edhe TMK-ja. Radikalizimi i saj, me të cilin mëton ta frikësojnë botën, vetëm sa do ta dëmtonte vetë Serbinë. Vetëm sa do t’ia pengonte zhvillimin shoqëror. Asgjë tjetër nuk do të ndodhte.

    Vetëm edhe një herë do të dëshmonte pak më haptaz, e jo si sot tërthorazi, se është një politikë që nuk mund të shkëputet nga ajo e Milosheviqit. Gjithashtu Serbia sikur ka harruar se forcat e NATO-s kanë ndërhyrë në Kosovë për ta shpëtuar popullin shqiptar, edhe pse e kanë ditur se popullata e saj është me shumicë myslimane. Të kishte pasur ndonjë averzion bota për këtë, pra t’iu kishte frikësuar fundamentalizmit mysliman, nuk do t’i kishte nisur avionët për ta shporrur Serbinë nga Kosova. E, pse e ka shporrur a thua? Sepse ka ushtruar terror e gjenocid në shqiptarë.

    Sepse ka qenë një shtet terrorist. A s’është sëmundje psikike kjo e politikës së Beogradit, kur me faktin që e karakterizon vetë atë, mundohet ta manipulojë botën në raport me Kosovën?! Nëse një shtet mysliman diku në botë ka prodhuar terrorizëm, nuk do të thotë se të gjitha shtetet myslimane e aplikojnë atë.

    Në bazë të tezave çmendurake serbe, del se pasi Serbia ka ushtruar terrorizëm e gjenocid në Kosovë, Bosnjë e Kroaci-të gjitha shtetet sllave po prodhuakan terrorizëm e gjenocid! Pavarësia e Kosovës jo vetëm që do ta stabilizonte rajonin, por edhe vetë Serbinë. Në momentin e pavarësimit, politika e Beogradit do t’i kthehet problemeve të jetës së saj. Deri sa ka ende shpresa se mund të gjejë hapësirë për ta mbajtur ëndrrën e vet të gjallë, gjithmonë populli serb do të manipulohet nga pushtetet e veta. Dhe kurrë nuk do ta hetojë greminën ekonomike, ku e kanë hedhur politikat fashiste serbe. Shpëtimin ai popull e gjen vetëm kur të pavarësohet Kosova.

    Nga kjo situatë, bashkësia ndërkombëtare sa më shpejt duhet ta nxjerrë popullin serb, të cilit i janë vërbuar sytë. Shërimi prej sëmundjes psikike politikës së Beogradit do t’i ndodhë sapo të pavarësohet Kosova. Në këtë drejtim, pra, që të shërohet sa më shpejt, duhet t’i ndihmojë bashkësia ndërkombëtare, e cila e ka shumë të qartë se shqiptarët kurrë nuk kanë prodhuar terrorizëm, po ka qenë Serbia ajo që ka operuar e operon me të.

    Bashkësia ndërkombëtare duhet ta ketë të qartë se ajo nuk ndëshkohet nëse Kosova bëhet e pavarur, se këtë e ka okupuar me dhunë, terrorizëm e gjenocid. Duke ia njohur Kosovës pavarësinë, e shpërblen Serbinë, sepse e shëron nga sëmundja psikike shumëvjeçare që e ka kapluar. E shpërblen se e bën që të shndërrohet në një shtet normal. Ashtu si ka vepruar më parë, po edhe si po vazhdon të veprojë edhe tash, është një shtet jonormal, një shtet që gjithçka mund të prodhojë tjetër, por paqe kurrën e kurrës.

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e Iliriani
    Anëtarësuar
    24-03-2004
    Postime
    986
    Bugajski: Askush nuk duhet të presë që shqiptarët dhe serbët të bien dakord për statusin
    Keida Kostreci
    07-03-2006



    Një analist i njohur i çështjeve të Ballkanit, tha se bisedimet e tanishme për statusin në fakt janë bisedime për struktutën e Kosovës pas përcaktimit të statusit të saj. Janusz Bugajski, Drejtor i Projektit për Demokracitë e reja evropiane në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se askush nuk duhet të presë që Prishtina dhe Beogradi të bien dakord për statusin. Në një intervistë me Zërin e Amerikës analisti Bugajski, thotë se nuk do të ishte në interesin e serbëve që të kundërshtojnë emërimin e gjeneralit Agim Çeku për postin e kryeministrit.

    Për zotin Bugajski, është e qartë që serbët dhe shqiptarët nuk do të bien kurrë dakord për statusin përfundimtar të Kosovës. Ai thotë se bisedimet mes dy palëve nuk janë për statusin.

    “Akulli dhe zjarri nuk mund të qëndrojnë bashkë. Nuk mund të kombinosh pavarësinë dhe mungesën e saj. Nuk ka pika të përbashkëta mes të dyja palëve. Bisedimet kanë të bëjnë me faktin se cila do të jetë forma dhe struktura e Kosovës, pasi të merret vendimi nga komuniteti ndërkombëtar për statusin përfundimtar, përsa i takon administratës, decentralizimit, të drejtave të pakicave, aktivitetit ekonomik, marrëdhënieve ndërkombëtare”.

    Zoti Bugajski thotë se asnjë njeri i arsyeshëm nuk do të kishte ndonjë iluzion që për 6 deri në 9 muaj këto qëndrime krejt të kundërta do të vijnë në një pikë të përbashkët. Përsa u takon negociatave, zoti Bugajski nuk mendon se ekipi shqiptar do të ishte në një pozitë inferiore ndaj negociatorëve më me përvojë ndërkombëtarë dhe serbë.

    “Ndërmjetësit ndërkombëtarë nuk po negociojnë me palën shqiptare. Komuniteti ndërkombëtar ka një program, ka objektiva dhe ka si synim realizimin e tyre. Kështuqë cilado nga palët që përpiqet të bllokojë arritjen e një marrëveshjeje do të ishte pala në pozitën më të dobët”.

    Duke folur për ndryshimet në qeverisjen e Kosovës, analisti i Qendrës Ndërkombëtare për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare thotë se ato nuk do të kishin ndonjë ndikim të madh tek negociatat. Megjithatë duke pasur parasysh karrierën si ushtarak të kandidatit për kryeministër, gjeneral Agim Çeku, energjinë dhe disiplinën e tij, zoti Bugajski parashikon që të ketë më shumë veprim dhe ritëm për plotësimin e detyrimeve të Prishtinës për standardet, të drejtat e pakicave dhe procesin e statusit.

    “Ajo që mund të ndodhë është që pala serbe ta përdorë këtë si justifikim për të bllokuar apo penguar disa nga bisedimet, duke thënë se kryeministri i ri ka lidhje me krime lufte për shkak të rolit të tij në UÇK. Por një qëndrim i tillë nuk do të ishte i mprehtë politikisht, pasi duket se komuniteti ndërkombëtar e ka dhënë miratimin për kryeministrin e ri”.

    Zoti Bugajski ishte ditët e fundit në Kosovë për të prezantuar libërin e tij të ri në shqip, një përmbledhje e shkrimeve, komenteve dhe dëshmive të tij në Kongres për Kosovën gjatë 15 vjetëve të fundit. Libri titullohet “Ngritja e Kosovës, artikuj dhe fjalime nga okupimi tek pavarësia”.
    O malet' e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
    Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë!

  9. #9
    I come back
    Anëtarësuar
    01-10-2005
    Postime
    345
    E ç'fare duhet te behet sipas teje -antares?
    Duhet ike nga Shqiperia nga frika e serbit!
    Se ke mar vesh akoma qe serbet s'kane buke te hane, e jo te kene fuqi te luftojne.
    Ne qofte se Shqiperia ka ekzistuar per shekuj me radhe, pse mos te ekzistoje akoma?

  10. #10
    Perjashtuar Maska e Sabriu
    Anëtarësuar
    29-12-2005
    Postime
    1,283
    Natyrisht Shqipëria si koloni greke e vetëm në hartë si shtet në vete nuk ka mundësi të bëjë më tepër për Kosovën.

Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Adem Demaçi
    Nga lum lumi në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 309
    Postimi i Fundit: 29-11-2016, 17:56
  2. Akademia e Shkencave dhe heshtja ndaj sfidave te kohes
    Nga &Mitrovicalia& në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 96
    Postimi i Fundit: 18-06-2009, 19:10
  3. Demaçi themelon "Forumi Qytetar i Kosoves"
    Nga mani në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 37
    Postimi i Fundit: 20-03-2004, 13:33
  4. Kush jane vrasesit?
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 10-03-2004, 21:54

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •