Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Nice_Boy
    Anëtarësuar
    25-01-2004
    Vendndodhja
    Larg vendlindjes i pa shpi..
    Postime
    4,220

    Post Në Parlamentin e Maqedonisë ka ndodhur një rrahje ndërmjet deputetëve shqiptarë

    Shkup, 26 shtator

    Dje pasdite në Parlamentin maqedonas ka ndodhur një rrahje mes deputetëve të partive poltike shqiptare. Konfrontimi fizik fillimisht ka filluar në sallën e Kuvendit maqedonas mes deputetit të PPD së Abdylhadi Vejselit dhe atij të atij të BDI së Hajrullah Duraku e më pas ka vazhduar edhe mes disa deputetëve të tjerë nëpër korridorin e organit ligjëvënës. Bëhet e ditur se nga Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi është sulmuar edhe nënkryetarja e BDI së Teuta Arifi, e cila ka marrë lëndime dhe një gazetar, ndërsa më vonë është dashur të ndërhyjnë edhe forcat speciale për të qetësuar situatën. Ky inciden ka ndodhur gjatë debatit parlamentar për ndryshimet në kodin zgjedhor, kur Vejseli kishte akuzuar deputetët e BDI së se janë realizues të politikave të opozitës maqedonase dhe të Presidenti Cërvenkovski dhe se sipas tij e tërë politika e BDI së është antikombëtare. Vejseli tha se këto fakte që sipas tij janë të pamohueshme kanë bërë që të sulmohet fizikisht nga deputeti i BDI së Sadullah Duraku. Nënkryetarja e BDI së Teuta Arifi ka deklaruar se Kryetari i PDSH së Menduh Thaçi është kërcënuar me likuidimin e të gjithë deputetëve të BDI së. "Kryetari i PDSH së Menduh Thaçi mu drejtuar me fjalë jashtëzakonisht fyese duke thënë se nëse nuk vazhdon mbledhja pasdite, grupi parlamentar i BDI së dhe të gjithë deputetët nuk do të munden të dalin të gjallë nga parlamenti, kurse e para në listën e tyre për likuidim isha unë Teuta Arifi?. Ajo ka shtuar se në dalje të sallës z. Thaçi e ka sulmuar fizikisht, duke tentuar që ta ndalte, por me atë rast ka intervenuar Shërbimi i Sigurisë së Parlamentit maqedonas. Opozita maqedonse është e bindur se Kryetari i Parlamentit dhe Kryeministri janë shkaktarë të nxitjes së këtij incidenti.
    Më gënjeu pasuria, jeta vrap më iku shpejt dhe u thinja u dergja u plaka në dhe të huaj do të vdes..

  2. #2
    Hands up! Maska e Jack Watson
    Anëtarësuar
    30-04-2007
    Vendndodhja
    Tiron'
    Postime
    4,549
    Ashtu bre burra!

    Mire do qe situata te zgjidhej me thika. Po edhe kshu goxha mir eshte.

  3. #3
    Puck Love Maska e Black_Mamba
    Anëtarësuar
    01-11-2006
    Vendndodhja
    Tetovë
    Postime
    2,501
    Aiii edhe ju po kjo tash ka mbaru,edhe do ja zgatin doren njeri tjetrit per pajtim hihihihihiih.


    Shqipe moooooooooo gjak nxeht.
    SIKUR EDHE 1 MILION SHQIPTAR DO VRITEN NGA SLLAVET JU PERSERI DO THONI MIRE JEMI!!TURP

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    10:25/29.09.07 - Ahmeti ne sheshin Skenderbeu: Nuk kemi frike nga askush, Georgievski te jape doreheqje, parlamenti eshte shndrruar ne cerdhe banditesh


    Mijra vete jane grumbulluar ne sheshin Skenderbej ne Shkup ne nje proteste te thirrur nga BDI, pas ngjarjeve te dhunshme ne Kuvendin e Maqedonise.
    Kryetari i BDI Ahmeti, ka folur duke kerkuar denimin e dhunes dhe atyre qe e shkaktuan ate, duke kerkuar doreheqjen e kryetarit te Kuvendit Georgievski. Ahmeti ka thene se: Ky tubim paqësor është thirr kundër dhunës është thirr kundër të gjithave reprezaljeve që bëhen ndaj njerëzve, ndaj mediave të lira, si dhe ndaj përfaqësuesve legjitim të popullit.

    Ne jemi përpjekur që me maturi dhe me pjekuri të kryejmë punën tonë që na kanë besuar votuesit tanë si dhe zgjedhësit tanë. Në ditën kritike ishim duke punuar pikërisht për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me shtetin dhe ardhmërinë e vendit. Ne sollëm një vendim më se të rëndësishëm që kërkohej edhe prej BE-së që ne të mbështesim konstituimin e Këshillit Gjyqësor dhe këtë e bëmë, ne nuk pendohemi për vendimet që i marrim në kohë dhe moment të duhur, sepse ne mendojmë që ky vend është i yni, ky vend sa është i N. Gruevskit po aq është edhe i Ali Ahmetit, sa është i qytetarëve shqiptarë, aq është edhe e qytetareve maqedonas, sa është i mediumeve shqiptare, aq është edhe i mediumeve maqedonase. Pra, të ardhmen, demokracinë, lirinë, dinjitetin njerëzor, dinjitetin familjar duhet të gjithë ta ndërtojmë bashkërisht. Ne në kohë kemi dënuar dhunën, ne akoma nuk na e kanë sqaruar dhe akoma shpirtin e kemi të vrarë, si sot një vit, natën e madhe të Kadrit ne na e morën nga jeta shokun tonë të luftës dhe të punës Isa Likën, komandant Ilirin. Ne kemi kërkuar që kjo vrasje makabër të zbulohet, ne kemi dënuar dhunën që përdorej ndaj grave, fëmijëve, pleqve në Tanushë. Ne kemi dënuar dhe kërkojmë sqarime si ndodhi vrasja në Vaksincë, njëri civil tjetri komandant i stacionit policor. Ne kërkojmë nga shteti të zbardhet kjo situatë, ne kërkojmë të zbardhet e vërteta për gjakun që u derdh natën e martë para Parlamentit të djemve të ri shqiptarë të cilin kishin dalë në mbrojtje, në veprim kundër veprimeve që ushtroheshin përpara Parlamentit të Maqedonisë, jo me armë, sepse, sot nuk është më koha e armës, por bashkë me deputeten Zymrete Jakupi, e cila shpërblehet me një rafal mbi kokën e saj, sepse kërkonte që të mos torturohen atë fëmijë, sepse para syve të saj torturohej një djalë i ri. Edhe ai ka nënë edhe ai ka prind, dhe ajo u ka kërkuar si nënë në atë rast. Vetëm pse protestonte përse tytat e kallashnikovëve përplaseshin mbi kokat e Selamit dhe vëllezërve tane
    Ahmeti duke denuar dhunen eshte shprehur se: Vëllezër e motra, ne ju kemi shumë borxh, mirëpo vërtetë gjërat e mëdha duan mbështetje të madhe, idealet e mëdha duan edhe idealist të mëdhenj. Asnjëherë nuk kam hezituar ta them se shqiptarët na kanë përkrahur, për gjashtë vite më radhë pesë herë kemi fituar në saje të idealit dhe forcës së përkrahjes suaj. Me rastin e këtij muaji të Shenjtë, dhe të kësaj dite të shenjtë, ju keni ardhur edhe nga falja e namazit të Xhumasë, ju pjesa dërmuese jeni edhe me agjërim, sigurisht që është kjo dita që për një bëhet një mijë. Të dënosh dhunë, keqbërësit, mizevirët, a ka sevap më të madh për këtë ditë të shenjtë se sa ne që jemi mbledhur në këtë shesh.
    Gjate fjales se tij Ahmeti ka kerkuar edhe doreheqjen e Georgievskit:
    Të nderuar vëllezër e motra, kam disa porosi nga ky shesh për Georgievskin, nëse pak dinjitet i ka mbetur edhe pse dyshoj në dinjitetin i tij, ai menjëherë duhet të jep dorëheqja nga kryetari i parlamentit të Maqedonisë. Sepse, e keqja filloj tek ai dhe përfundojë me dhunë te gazetarët. I kisha lutur të gjithë deputetët e Parlamentit të Maqedonisë, pa dallim përkatësie partiake, të gjithë së bashku, të punojmë dhe të ndriçojmë të vërtetën çka ndodhi me ushtrimin e dhunës ndaj deputeteve shqiptare Teuta Arifi dhe Zymrete Jakupi si dhe deputetit Aziz Pollozhani. I kisha lutur që të gjithë të angazhohemi që sa më parë kjo e vërtetë të del në sheshe sepse kështu ndihmohet Maqedonia, kështu u ndihmohet qytetarëve tanë. Në qoftë se shikojmë mbi baza partiake dhe klanore problemet nuk mund të zgjidhen, unë jam i gatshëm, sepse burrat dalin në shesh të mejdanit, nëse për atë ditë ne kemi bërë ndonjë faj, unë jam i gatshëm edhe ta pranoj.



    Duhet më guxim të veprojnë të gjithë institucionet, duke filluar nga Parlamenti si institucion më i lartë ligjvënës, që zgjedh Qeveri, që përmbys Qeveri, sepse në atë vend unë Ali Ahmeti dëshirojë që të jetë vend i shenjtë ku merren vendime të drejta, ai vend duhet të jetë vend ku nuk torturohen qytetarët pavarësisht cilit komunitetit i takojnë, ai vend duhet të jetë ku ndahet drejtësia, në atë vend duhet që të garantohet perspektiva, ardhmëria e fëmijëve tanë dhe jo të shndërrohet në çerdhe banditësh dhe kriminelësh, sepse akoma nuk kanë lindur burra që të frikojnë burra të cilët vetëm një herë nëna i lind në historinë e njerëzimit.

    |||Lajme.Net|||
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Faik
    Anëtarësuar
    27-03-2003
    Vendndodhja
    Australi
    Postime
    690
    Ecja drejt çmendurisë ndërpartiake


    Shkruan: Kim MEHMETI



    U rrahën parlamentarët shqiptarë në Maqedoni. Pastaj u rrahën edhe simpatizantët e tyre. E më në fund, policët maqedonas rrahën kë mundën dhe të lënduarit i çuan në spital. Kështu do mundej shkurtimisht të përshkruhet ajo që ndodhi në Parlamentin e Maqedonisë para disa ditëve. Dhe kjo informatë e shkurtër do mund të ilustrohej me fotografinë ku shihen tre veta: kryetari i PDSH-së që shtrëngon dhe shtyn përpara vetes deputetin e BDI-së, zëvendësministri i Punëve të Brendshme të cilin deputeti i partisë së Ali Ahmetit e pyet: "Zoti zëvendësministër, pse më goditni me shkelma?!" Por, as ai, e as kryetari i PDSH-së, nuk ua varin veshin pyetjeve të tij. Ata vazhdojnë ta mbajnë të mbërthyer në mes, duke mos i lejuar të largohet. Në të vërtetë, kjo fotografi më së miri shpjegon situatën e shqiptarëve të Maqedonisë: ata prej moti janë në kthetrat e rrugaçërisë partiake. Shqiptarët e Maqedonisë prej moti ecin rrugës nga i drejtoi Arbër Xhaferi dhe Gruevski pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006: rrugës së grindjeve ndërpartiake që do mund të marrin edhe përmasat e konfliktit tragjik, si ai i palestinezëve të mjerë - mes "Hamas"-it dhe "Al-Fatahut". Dhe mbase edhe Maqedoninë ta shndërrojnë në "Rripin e Gazës" së Ballkanit.

    Rrahjen mes deputetëve shqiptarë e nxiti fjalimi provokues i kryetarit të PPD-së lidhur me propozim ligjin e ri zgjedhor. Ligj i cili në thelb është antishqiptar dhe ka për qëllim margjinalizimin e potencialit politik të shqiptarëve të këtushëm. E kryetarin e PPD-së mbase dikush e kishte obliguar që sa më shumë t‘i provokojë deputetët e BDI-së. Aq shumë sa ata të mos mundeshin të përmbaheshin, të bënin gabimin që nuk u lejohet - ta sulmonin fizikisht. E që pastaj, rrahjen e tyre më së miri ta komentonte kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, i cili e braktisi sallën e Kuvendit me kërcime gazmore si të majmunit. Dhe nuk u mor vesh se ç‘donte të shprehë me këto kërcime gazmore: atë se regjia për t‘i çuar shqiptarët drejt tragjedisë së vëllavrasjes mirë po zhvillohej, apo diçka tjetër. Çka do që ta ketë nxitur gëzimin e tij, mbetet e vërteta se shqiptarët e Maqedonisë janë të ngujuar në kullën që ndërtuan me duart e veta: në atë të rrugaçërisë partiake. Pra, shqiptarët e Maqedonisë janë të zënë për fyti nga mjerimi vetjak politik, njësoj si nënkryetarja e BDI-së, e cila pohon se ka qenë e sulmuar fizikisht nga kryetari i PDSH-së. Dhe tani shtrohet pyetja, si do shpëtojnë ata nga ky shtrëngim vëllavrasës dhe kush do i shpëtojë. Mos vallë do duhet të huajt të iniciojnë një marrëveshje të Ohrit për pajtimin e partive shqiptare.

    Rrahja mes deputetëve shqiptarë, tani është derdhur nëpër rrugët dhe çajtoret e mbushura me të rinjtë e papunë shqiptarë. Ku gjithashtu nxehen gjakrat mes atyre që arsyetojnë njërën apo tjetrën palë. A edhe simpatizantët e PDSH-së edhe ata të BDI-së, harrojnë t‘i lexojnë komentet që lexuesit maqedonas ua bëjnë artikujve të botuar nëpër mediat në gjuhën e tyre ku përshkruhet ky rast. E në këto komente dominojnë thëniet euforike që shprehin kënaqësi e thonë: jepu armë e le të shfarosen mes veti. Pra simpatizantët e partive të këtushme nuk e kuptojnë pse një nga redaktorët e "TV Sitelit" (ai më antishqiptari, që deri në ditët e fundit përkrahte Millosheviçin, që vajtonte bombardimet e NATO-së mbi Serbinë, i cili edhe sot e kësaj dite Kosovën e quan "provinca serbe e Kosovës dhe Metohis" ) me aq entuziazëm i mbron kryesuesit e PDSH-së dhe në mënyrë aq përbuzëse flet për "vrasësit" e Ali Ahmetit.

    Pas kësaj rrahjeje mes deputetëve të tyre, shqiptarët e Maqedonisë do duhet të përballen me të vërtetën se qëmoti janë në duart e rrugaçërisë partiake. Dhe kur do dalin përpara pasqyrës së mjerimit të vet politik, do shohin se partitë e tyre arritën të (keq)përdorin dy gjëra: pozitën mjerane ekonomike të shqiptarëve të këtushëm dhe situatën me plot të panjohura lidhur me ardhmërinë e Kosovës. Pra, do shohin se udhëheqësit partiakë të PDSH-së, arritën që të riun e papunë shqiptar ta përdorin si "ushtar" që do i disiplinojnë të padëgjueshmit, e jo si simpatizantë partiakë. Ndërsa situatën në Kosovë - që kërkon maturi nga subjektet politike shqiptare - ta përdorin si mbulesë për veprimin që dihej se çon drejtë vëllavrasjes: të vihen në anën e VMRO-DPMNE-së, e cila ka për qëllim t‘u hakmerret shqiptarëve për konfliktin e 2001.

    Është e padiskutueshme se në tërë këtë tragjedi, merita të veta ka edhe partia e Ali Ahmetit. Sepse, e përballur me pamundësinë që të mbrojë vullnetin shumicë politik të shqiptarëve të Maqedonisë, BDI-ja e pranoi lojën e Kryeministrit Gruevski. Lojë e cila e çoi BDI-në të lë përshtypje se qëllim të vetmin e ka pjesëmarrjen me çdo kusht në qeveri, e jo mbrojtjen e votës shqiptare. Në vend që të merrej me popullin, që atij t‘i shpjegonte se qeveria e Gruevskit ka për qëllim të nxisë grindje brendashqiptare, kryesuesit e BDI-së filluan të merren me të pakuptimtën: të mundohen të edukojnë kryesuesit e partisë më antishqiptare në Maqedoni - ata të VMRO-DPMNE-së. Thuajse Gruevski nuk e dinte se çka don të arrijë me atë që e mohoi vullnetin politik të shqiptarëve. Kështu që Ali Ahmeti tani erdhi në pozitë të përballet me diçka më të rrezikshme se konflikti i 2001: të pengojë vëllavrasjen mes shqiptarëve të këtushëm.

    Për situatën politike mes shqiptarëve të Maqedonisë, përgjegjësi mbajnë edhe përfaqësuesit perëndimorë në këtë shtet. Në mos për tjetër, shkaku se vonë ata e kuptuan se ku do e çojë Maqedoninë koncepti qeverisës i VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së. Apo ndoshta edhe e dinin këtë, por donin të bënin edhe një eksperiment: atë që do dëshmonte pjekurinë politike të shqiptarëve të këtushëm.

    Përballja fizike mes deputetëve të PDSH-së dhe ato të BDI-së, ka edhe energjinë që liderëve të këtushëm partiakë ua dha Tirana dhe Prishtina zyrtare. Të cilat qendra politike, përkrahnin edhe politikanë që shqiptarinë e kishin profesion fitimprurës, ndërsa atdhetarin mbulesë për përfitimet personale. Kështu që shqiptarët e Maqedonisë tani janë nga pak edhe viktimë e bindjeve të disa qarqeve politike të Tiranës dhe Prishtinës, se shqiptarët e këtushëm janë një kope të cilën mjafton dikush të dijë ta gënjejë, e jo ta udhëheqë drejt rrugës së drejt kah përparimi.

    Shqiptarët e Maqedonisë edhe mund t‘i vazhdojnë rrahjet mes veti. Do mund të ndodhë që këtu edhe të mos mbetet i parrahur cilido që guxon të thotë çka do qoftë kritike lidhur me destruktivitetin politik të disa udhëheqësve partiakë. Mirëpo, nga do që të shkojnë, ata do të arrijnë të kuptojnë atë që është e kuptueshme edhe sot: o do bëhen sundues të vetvetes, o do mbeten shërbëtorë të qarqeve politike maqedonase. Andaj, rrahja mes deputetëve të PDSH-së e të BDI-së, është konfrontimi i parë i këtyre dy koncepteve: ai i PDSH-së që shqiptarët të mbeten vegël e partive maqedonase dhe ai i BDI-së që shqiptarët vetë të vendosin sunduesit e tyre. Se deri ku do arrijë ky konfrontim, do varet nga ajo se sa ngutshëm shqiptarët e këtushëm do e kuptojnë se partitë e tyre tani për tani janë viktimë e një fenomeni thuajse në kufi me të pamundurën: legalizimin e antishqiptarisë si veprim partiak. Dhe me paturpësinë dhe arrogancën e atyre që arritën këtij veprimi t‘i japin legjitimitet. E kur flitet për turpin, shqiptarët e këtushëm sot atë e përmendin më shumë se cilëndo veti tjetër njerëzore. Ndërkohë duke harruar se turpi është frenim që nuk e lejon njeriun të bëjë shumëçka, por jo çdokush ka turp.

    Ndodhi turpi më i madh në Parlamentin e Maqedonisë. Ky është intonacioni i titujve nëpër media në gjuhën maqedonase në Shkup. Dhe poshtë këtyre titujve shihet fotografia e kryetarit të PDSH-së, i cili i ndihmuar nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme i partisë së tij, e shtrëngon deputetin e BDI-së. Kuptohet, që të tre janë shqiptarë. Maqedonasit shikojnë të habitur. Ajo që i dallon këta tre shqiptarë, është përkatësia partiake. Dhe verbëria që me çdo kusht të jenë pjesë e pushtetit. Ajo që nuk shihet në këtë fotografi, është orvatja e mediave maqedonase që kjo pamje të pikturojë portretin grupor të kulturës politike të shqiptarëve të këtushëm. Me çka do i dëshmojnë botës se ku ndodhen maqedonasit etnikë e ku shqiptarët. Mbase edhe do e arrijnë këtë qëllim, sado që ai nuk është i saktë. Sepse ka një të vërtetë që e pranon bota e civilizuar: të zgjedhurit e popullit nuk përfaqësojnë vetëm kulturën dhe vetëdijen e vet, por edhe atë të zgjedhësve.



    http://www.kmehmeti.com
    HISTORI E KESAJ TOKE
    LARRE ME GJAKUN E SHOKEVE

Tema të Ngjashme

  1. Theofan Stilian Noli: Jeta dhe veprat e tij
    Nga ILovePejaa në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 85
    Postimi i Fundit: 15-11-2022, 22:39
  2. Çfarë mendoni për Ahmet Zogun?
    Nga honzik në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 242
    Postimi i Fundit: 03-03-2014, 08:03
  3. Ortodoksia Shqiptare sot
    Nga Orientalist në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 08-09-2010, 10:11
  4. Mesjeta e hershme shqiptare
    Nga DYDRINAS në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 15-11-2006, 15:10
  5. Letërsia Shqiptare
    Nga [A-SHKODRANI] në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 24-10-2005, 14:02

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •