gazeta Shqipetare
Shembet muri i pallatit bie tek banesa e Nanos
Ishte në ndërtim, rrezikoi banorët
-------------------------------------------------------
olsi kolami
o.kolami@gazetashqiptare.com
TIRANE
Në fillim është dëgjuar një zhurmë e mbytur, pastaj zhurma e xhamave që thyhen dhe klithmat e fëmijëve. Të gjithë pandehën se ra tërmet dhe në ato çaste të para të panikut dhe tensionit, tentuan të dalin jashtë. Por jashtë tashmë kishte rënë heshtja. Rreth 60 metër katror mur në një pallat në ndërtim e sipër, ra mbi pallatin përkarshi të banuar dhe që ndodhej vetëm një metër larg tij. Tullat e shumta të kuqe goditën fasadën e pallatit duke thyer dritare dhe kondicionerë, duke shkaktuar panik dhe tmerr tek banorët të cilët braktisën banesat e tyre, por fatmirësisht nuk u shënuan dëme në njerëz.
Ka ndodhur në qendër të Tiranës. Në një zonë rezidenciale, tek Shallvaret dhe “viktimë” ka mbetur pallati i ish-kryeministrit Nano. Dje në mbrëmje, rreth orës 20.00, për shkak të erës së fortë dhe shiut që ra, muri anësor i një pallati 12 katësh në ndërtim e sipër – aty kishte përfunduar skeleti i betontë – ra duke përfunduar në fasadën e pallatit ngjitur. Distanca mes dy pallateve ishte vetëm diçka më tepër se një metër. Rrebeshi i tullave shkau nga kati i 12 dhe përfundoi deri në katin e pestë, duke dëmtuar gjatë rënies fasadën e pallatit të banuar, dritaret, vetratat, kondicionerët e shumtë dhe tendat e ballkoneve. Ndërtues i këtij pallati është biznesmeni i njohur kryeqytetas Vladimir Kosta. Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia e thirrur nga banorët, po kështu edhe Policia Ndërtimore dhe ajo Bashkiake. Eshtë rrethuar e gjithë zona dhe nisi menjëherë puna për heqjen e masivit të inerteve. Banorët u shprehën se e kishin pritur me shqetësim ndërtimin e pallatit të ri pranë shtëpive të tyre për shkak të distancës shumë të afërt, por dhe sepse 7 muaj më parë, në të njëjtin vend, kishte rënë aksidentalisht një arkitra që kishte dëmtuar disa ballkone. Banorët thonë gjithashtu se dy kate të këtij pallati të ri janë pa leje ndërtimi dhe se ata janë ankuar disa herë pranë Policisë Ndërtimore për këtë gjë, por pa gjetur zgjidhje. Bashkia e Tiranës e ka bllokuar një vit më parë këtë ndërtim, por punimet kishin vijuar normalisht pas një ndërprerjeje të shkurtër. Policia dje ka kërkuar të bëjë verifikimet e para dhe burime të saj thonë se do të thërrasin për shpjegime të mëtejshme inxhinierin zbatues të projektit dhe të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje, që fatmirësisht nuk pati viktima.
..
1 m distanca ..?????
Ste fal Vladimiri. Do dhjam dhe nga pleshti. Ndryshe nuk ngopet Bosi Tiranes.
Krijoni Kontakt