Shtabi Emergjent i Komunës së Gjilanit ka evidentuar dëme të mëdha materiale në infrastrukturë dhe objekte banimi
--------------------------------------------------------------------------------
Gjilan, 27 prill 2002 - Shtabi Emergjent i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen z. Lutfi Haziri, kryetar, mbajti takimin e rregullt në të cilin u raportua për aktivitetin ditor të grupeve punuese në terren.
Raportuan, Kolonel Imri Ilazi – TMK, nga KFOR-i, Snodgres, nga policia e UNMIK-ut, oficeri Hartman, si dhe përfaqësuesit të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare, anëtarë të Shtabit.
Nga ky takim doli vlerësimi i përgjithshëm se për një kohë shumë të shkurtër, Shtabi ka arritur që ta ketë situatën nën kontroll.
Për momentin problemet janë të natyrës psikologjike nga shkaku se pas goditjes së parë të shkaktuar më datë 24.04.2002, ka pasur edhe një sërë goditjesh të tjera me intensitet më të ulët, mirëpo të cilat kanë shkaktuar panik në radhët e qytetarëve.
Sa i përket problemeve teknike të cilat kanë të bëjnë me vendosje të përkohshme të qytetarëve në lokacione të sigurta, dhënies së ndihmës së parë, furnizimit me ushqim, furnizimit me ujë të pijshëm, masat e marra nga Shtabi kanë bërë që në këtë drejtim mos të ketë probleme.
Sipas vlerësimeve të para janë evidentuar dëmet e mëdha materiale si në infrastrukturë dhe objekte banimi, vlera e të cilave për momentin ende nuk dihet.
Krijoni Kontakt